E shtune, 21.12.2024, 05:12 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Madhështia e gjirit të nënës më bekoi...

E marte, 23.07.2019, 07:33 PM


Sejdi BERISHA:

FRAGMENT I SHKURTËR NGA LIBRI “NJERIU ‘PA’ VENDLINDJE”

MADHËSHTIA E GJIRIT TË NËNËS MË BEKOI QË TË JAM I LUMTUR DHE PËRHERË TË JETOJ ME KRENARINË, ME PESHËN E LOTIT DHE TË MALLIT TË SAJ DHE TË TOKËS SONË...

Vizituam fshatin Prapaqan dhe tokën ku kishte derdhur djersë gjyshi e babai, e që pushtuesi nuk na la ta shijojmë atë që edhe sot rri me lot dhe e etur për dashurinë dhe për përkëdheljen e dheut me djersën dhe mundin e babait tim

...E përmendem fshatin Prapaqan, edhe shtëpinë dhe tokën tonë aty. Kisha dëshirë të mësoja më shumë për këtë histori rrëqethëse, por, në të njëjtën kohë, edhe nuk kisha dëshirë që të merresha me këtë temë e problem, të cilit dot nuk i gjeja zgjidhje...

...Ia kthyem shpinën këtij fshati, kurse toka, bahçja, shtëpia, bunari dhe qershitë, mollët e kumbullat, sikur u zhgrehen në vajë, që edhe në këtë rast i lamë si në pranga. E rëndë, e pashpjegueshme, ishte kjo...!

***

Sepse, nëna më rrëfente për gjithçka. Kështu edhe ishte shumë mirë që njoftohesha me jetën e saj, me përplasjet krenare të tërë familjes. Kishim për çfarë të bisedonim. Jeta, deri në atë moment, i kishte, por, edhe mua më kishte shkuar duke jetuar herë në një, e herë në tjetrin fshat. Sepse, tokën dhe shtëpinë që i kishim pasur në fshatin Prapaqan të Deçanit, nuk i kishim! Ishin bërë pronë e kolonizatorëve. Andaj, më të vërtet isha njeri “pa” vendlindje!

Njëherë, duke biseduar, se, për ç’arsye kishim ngelur kështu, u hap llafi për shumëçka; për historinë edhe të familjes, por, edhe për reprezaljet e mëdha të kohës. E përmendem fshatin Prapaqan, edhe shtëpinë dhe tokën tonë aty. Kisha dëshirë të mësoja më shumë për këtë histori rrëqethëse, por, në të njëjtën kohë, edhe nuk kisha dëshirë që të merresha me këtë temë e problem, të cilit dot nuk i gjeja zgjidhje. Duke biseduar kështu, nëna më tha se a kisha dëshirë që ta vizitoja Prapaqanin dhe shtëpinë e tokën tonë, ku ka qenë atje? I thash se, po!

Shkuam. Por, ky fshat më dukej aq i ftohtë, aq refuzues, sa nuk di as tash ta përshkruaj. Edhe kësaj radhe udhëtuam këmbë. Nëna m’i tregonte gjurmët dhe mezhdat e tokës, edhe vendin ku ka qenë shtëpia, mu në mjedis të bahçes. Përpara, më kishte shpjeguar edhe për afro njëzetë trupa qershish, që pothuaj se të gjitha ishin por të “plakura”! Ma tregoi edhe bunarin në mes të oborrit. U ndala për një çast. M’u duk se aty më zuri dhe me kaploi djersa e babait, e cila, edhe tash, sikur e ujiste tërë atë tokë, që më dukej e “nemun”. Më doli para ajo fotografia e nënës dhe e babait, që më kishte rrëfyer kur kishin qenë duke lëvruar arën: ajo duke u prirë qeve e babai duke e mbajtur plugun e duke e hapur brazdën për bereqetin e ri!

M’u bë se tërë ai vend u rrokullis mbi kokën time, dhe më rrodhën lotët e etjes, të mallit, të urrejtjes e të rinisë. Të gjithë ishin bërë së bashku, që më kishin krijuar nebulozë jete. U ktheva kah nëna, dhe i thash që të ktheheshim. Edhe ajo e diktoi se isha tej mase i mërzitur, dhe m’i përkëdheli faqet, edhe ajo gjithnjë duke qarë.

Na panë disa banorë të fshatit, por nuk na njihnin dhe as nuk e dinin se për çfarë kishim ardhur. Kur u treguam se biri i kujt isha dhe se kishim ardhur këtu tek toka jonë, me një qëndrim akull na thanë: po, po. Kjo ka qenë toka e juaj! Thanë se ishte toka jonë, por tash ishte e njëfarë Mirashit... Pra, toka jonë ishte, sepse, nuk ishte! Nuk kishim as shkrim as tapi me emrin e babait, as të gjyshit. Kjo, ngase, pushteti i atëhershëm dhe kolonët, ishin interesuar të zhduknin çdo gjurmë që dëshmon me tapi!

Prapë, kur e shikova gjer e gjatë atë tokë të bekuar e të mallkuar në të njëjtën kohë, u zemërova. Para meje më dolën shumë barrikada, jo vetëm të pushtuesit dhe armikut! M’u ngulit ajo pamje e bahçes me qershia, me molla e me kumbulla, që kishin nxjerrë sythë bereqeti ndoshta e hidhërimi. U pashë me tokën plotë gjelbërim, e cila dikur me decenie e shekuj ishte ujitur me djersën e gjyshit dhe të babait, me mundin e nënës dhe të motrave të mia. Gjithnjë, edhe sot më bëhet se ajo tokë e ai truall, qëndron si oazë shkretëtire, që flet e heshtë në të njëjtën kohë. Që thotë e flet shumëçka, edhe për atë fshat, i cili i ka shumë karakteristika..., të cilat, tash as nuk do t’i theksoj...!

Edhe këtu isha njeri “pa” vendlindje! Nënës nuk i thosha gjë, nuk i tregova as për zemrën, e cila desh nuk më dilte vendit.

Ia kthyem shpinën këtij fshati, kurse toka, bahçja, shtëpia, bunari dhe qershitë, mollët e kumbullat, sikur u zhgrehen në vajë, që edhe në këtë rast i lamë si në pranga. E rëndë, e pashpjegueshme...!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora