E enjte, 26.12.2024, 10:38 AM (GMT)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Të dehur nga lavdia e pushtetit

E diele, 21.07.2019, 02:38 PM


Të dehur nga lavdia e pushtetit

Nga Ndue Ukaj

Mos pritni ndryshime pozitive, zhvillim ekonomik, mirëqenie, arsim, kulturë e prosperitet, nga ata janë të dehur nga lavdia e pushtetit. Ata sillen si njeriu i dehur dhe nuk e kuptojnë realitetin. Ata jetojnë në dëlirin e madhështisë që u krijon aureola e pushtetit, dhe siç ka thënë shkrimtari brilant Gabriel Garcia Marquez, njerëzit e tillë, sa më që kanë pushtet, aq më të vështirë e kuptojnë se kush i gënjen dhe kush ua thotë të vërtetën. Ky shkrimtar, më tej shton se: “Kur arrin pushtetin absolut e humbet kontaktin me realitetin dhe kjo është vetmia më e madhe që mund të përjetojë një njeri. Një person me shumë pushtet, një diktator, është i rrethuar me interesa dhe njerëz që kanë si qëllim final ta izolojnë atë nga realiteti".

Pra, dehje nga pushteti, nuk i lëshon lehtë ata që janë të veshur me aureolën e madhështisë, edhe për faktin se, ata nuk dinë kush i gënjen e kush ua thotë të vërtetën.

Me siguri kështu është puna edhe me udhëheqësit tanë. Shumica e atyre që sillen rreth tyre, ua bëjnë qefin, duke u thurë elozhe pafund, por asnjëherë duke ua treguar të vërtetën.

Pra, një atmosferë të tillë të dehjes me pushtetin e ndihmojnë edhe njerëzit që sillen vërdallë tavolinës së pushtetit dhe vazhdojnë t’u shërbejnë “pije” të dehurve, në vend se t’u thonë: mjaft më, jeni të dehur.

Shoqëria jonë është topitur tejmase dhe me këto mbllaçitje e këto debate shterpe, ne veçse do ta rrisim dëshpërimin, kurse për zhvillim, as që mund të bëhet fjalë.

Ne, mund të flasim dhe të gjykojmë natë e ditë, të bëjmë tifo pro dikujt e kundër dikujt, por një gjë duhet ta kemi të qartë: shteti, parasëgjithash është koncept intelektual, i njerëzve të mendjes dhe jo i atyre që e mundojnë gurmazin.

Prandaj, nuk mund të pritet zhvillim e progres, përsa kohë në ballë të vendit kemi udhëheqës që zihen si gjelat ndërmjet veti, e të tillë që nuk shquhen për parim e ide politike, por për instinkte të çuditshme, që kryekëput lidhen me pushtetin.

Shoqëritë e konsoliduar, me traditë në punë të shtetit, edhe mund t’ia dalin me udhëheqës mediokër, por një shtet i brishtë, që është në rrugët të formimit, me probleme e halle pafund, nuk mund t’ia del mbanë me të tillë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora