E shtune, 21.12.2024, 05:11 PM (GMT)

Kulturë

Hysen Kobellari: Në mbledhjen e partisë...

E shtune, 20.07.2019, 09:19 AM


NË MBLEDHJEN E PARTISË…

Pamflet nga Hysen Kobellari

Një nga një ata nisën të vinin …

Shumica, me xhepa bosh, si sy lugati; as laps e as kartë. Presin të marrin  gazetën.

Ishte mbledhja e radhës e Partisë. Mbledhja e parë ishte  për disa prej tyre.  Ata kalonin pragun e derës dhe hynin brenda, siç dalin plumbat një nga një, nga një pushkë e vjetër për plumba të rinj.

Hyjnë, siç hyet në luftë; në një luftë që kurrë nuk i dihet fundi.  Që prej atij çasti ata kurrë nuk do të dinë dot nga të ngasin, kë të zgjedhin, midis halleve të tyre dhe halleve të popullit …

Ajo është një derë e veçantë, derë në të cilën hyn, për të synuar një derë tjetër, sa interesante, aq edhe të rrezikshme, derën e pushtetit. Partia është ajo buçja barsë, e cila në çdo kohë është e gatshme të pjellë forcë, fiqi, pushtet. Këto janë gjëra të frikshme, po shumë ndjellëse për njeriun. Pushteti është një mal me para dhe pasuri për pushtetarët dhe një lumë me dhallë e copra buke për popullin…

Partia përbëhet nga një shumicë njerëzish të pakënaqur, si dhe nga një pakicë të kënaqurish, që janë gati të vënë shpejt, me neps, etje, epsh dhe siguri, duart mbi pushtet. Kështu, i bie që partitë të jenë bija të pakënaqësisë së përjetshme dhe të etjes marramendës e shkatërrues për pushtet, sundim e pasuri.

Partia është një mit që kryen punë të mëdha historike; është dija, padija dhe mashtrimi që i bashkon njerëzit, që i miqëson, por që edhe i armiqëson rëndshëm. Partia është një lloj perëndie e rrejshme, një utopi, një iluzion …

Brendia e pushtetit që vjen nga partia është një ndërtesë e përgjakshme krimi ngjyrash nga më të ndryshmet. Të pakënaqurit e përhershëm janë në fillim njerëz idealistë, si fetarët. Pastaj pakënaqësia e tyre e vazhdueshme sjell nervozizëm, nervozizmi pastaj kalon në rrebelim dhe bashkimi i rrebelëve kronikë, të përhershëm deri në egërsim, sjell revolucionin me të gjitha ngjyrimet e tij, ku dallon e kuqja.

Njeriu nga vetë natyra e tij është i pakënaqur. Pas shuarjes së një pakënaqësie lind një pakënaqësi e re, e ndryshme nga e para, e kështu me radhë…

Të pakënaqurit, çuditërisht, në mbledhjen e Partisë rrinë urtë, duken të qetë, të tulatur, gati sikur fshihen, si miu prapa poçes…

Me kalimin e kohës, shumicës, atyre të pakënaqurve, Partia ua heq sisën, i zvjerdh. Ndryshe sillet me pakicën, me atë pakicën, të kënaqurit; atyre u jep sisë me shumicë, sa me plas, por edhe pin prej tyre qumësht, sa fryhet…

Partia i vlerëson njerëzit sipas synimeve dhe dëshirave.  Synimet dhe dëshirat e njerëzve  shndërrohen në kërkesa.  Njeriu është dëshirë dhe ai bëhet ashtu si dëshiron të jetë…

Kryetari i pret të porsaardhurit plot respekt dhe dashuri, i buzëqeshur babaxhanërisht. Si ai bariu që i dëshiron dhe i njeh mirë delet e veta. Po edhe si kasapi. Ai e din fort mirë se ndonjëra nga delet  e urta aty, që tash për tash s’bëzajnë, mund të shndërrohet në një ujk të tmerrshëm, shqyes, hamës, veshur me gëzof deleje qimebutë; i rrezikshëm deri në kërcënim, asgjesim …

Kryetari është vëngërosh nga e majta. Të gjithë udhëheqësit e partive në fillim kështu i kanë sytë. Kryetarët kanë mësuar nga përvojtarët e mëdhenj se, të krijosh një parti, duhet që në krye të herës të mbledhësh rreth vetes një grup shokësh besnikë, tejet besnikë; këtë grup dikur e quajtën klikë, bërthokël zanafillëse, si i thonë fjalës, po më mirë pyesni e këshillohuni me mendimtarin e shumëvuajtur Lui Blank, për këto gjera …

Pranë kryetarit është ulur një burrë i vogël, me fytyrë të ëmbël, që rri i heshtur; ky është specialisti i ardhshëm i tenderave, miku i ngushtë i atij spangaramengos së gjatë, pronarit të firmës së madhe …

Antarësia poshtë gjithmonë janë në mëdyshje me kryetarët : i duan, i urrejnë; i duan, i urrejnë, i … Fundit asnjëherë nuk i dihet.

Në mbledhjen e partisë sot nuk mëson ideologji. Ideologjia është sistem mendimesh të vëna në praktikë. Në mbledhjet e partisë sot flitet për gjithçka dhe nënkuptohen interesat, përfitimet; jeta kështu u thjeshtoka, në një bilanc  fitim - humbje… Anëtari i partisë, anëtar i leverdisë.

Në mbledhjen e partisë bëhen kritika të ashpra  për kundërshtarët. Kritikat për kundërshtarët synojnë asgjësimin e tyre të plotë, deri në mosqënie.

Kritika është pastërti, por kur teprohet, bëhet palavi, tejet e pistë…

?          Po ta kemi Partinë të fortë, do të dalim të gjithë fitimtarë !... – thotë gjithë seriozitet dhe bindje kryetari. – Ndaj Partisë, o jiji besnik, o ik ! O me ne, o me ata, rrugë të mesme s’ka ! …

Një besimtar i devotshëm, që rrinte andej nga fundi, i cili nuk po e gjente dot veten pjestar në atë mjedis e që qëndronte mbi ndenjëse si majë gjembash, mendoi me vete : “ Partia e Zotit është fitimtarja ! “ Mendimin e tij e pëshpëriti me zë. Po vetë foli, vetë dëgjoi. Askush nuk e kishte mendjen tek dilemat e tij dhe përfundimet idelaiste; ata që i  kishte më afër e shikuan si me dyshim. Si një të dalë mendsh. Ai u përskuq në fytyrë, u ngrit, uli kokën, përkuli shpinën dhe iku. Ai ishte me të shpëtuarit. Askush nuk e vuri re ikjen e tij. Varja, thanë si nën vete, iku, i rrjedhuri !

Të gjithë shikonin syhapur e gojëhapur nga presidiumi …

Një nga një ata kështu hyjnë, palè kush e din se kur dalin dhe si dalin …

Si në thellukën e një gruaje: Hyn hekur dhe del i vdekur !



(Vota: 25 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora