| E diele, 14.07.2019, 09:59 AM |
DY FJALË TË VOGLA PËR NJË TREGIM TË MADH TË AUTORIT FATMIR TERZIU
“Roja
i Vilës së Madhe”, një prozë sociopsikologjike tërmetike që të trondit e të
shkund
Nga
MSc. Albert HABAZAJ
Prozatori Fatmir
Terziu është bërë i dashur dhe i kërkuar për lexuesin e sotëm. Ndoshta e ka
ndihmuar të jetë në këtë kuotë fakti se profesioni i parë i tij është mësuesia,
gjuhësia dhe letërsia, mësimdhënia dhe edukimi shkollor. Ai është njohës i mirë
i dialektologjisë e sociolektit dhe e vë atë në funskion të misionit letrar dhe
kulturimit shoqëror. Si vëzhgues i hollë dhe i tejpërtejshëm i fenomeneve
qytetërimfrenuese nga bartësit kukudhë, Terziu operon thellë deri në dhembje
për ta shëruar trupin e shoqërisë shqiptare se nuk e meriton këtë trajtim shumë
të të ulët se tufa e qenëve të zonjkëzave, qafëderrave të tyre apo
zonjushkëzave të varakta. Si mësues dhe shkrimtar, F. Terziu na shfaqet si
sinomim i gjallë i edukimit, ndërkohë që e njeh mirë botën shqiptare, se e sheh
në sy, deri në kthina, gjer në kapilarë. Nuk do të merrem me gjithë veprën e
tij, që përbën një opus të pasur letrar e studimor, dhe për fat zbukuron tash e
4 vjet Bibliotekën Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail
Qemali” Vlorë. Doktor Terziu 15 tituj ia dhuroi Bibliotekës së
Universitetit të Vlorës. Si shkrimtar vlonjat e kryetar i shoqërisë Lidhja e
Shkrimtarëve dhe e Artistëve “Petro Marko”, Vlorë, por sidomos si drejtor i
Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”,
Vlorë, plotësova për shkrimtarin dhe studiuesin e njohur elbasanas që na nderon
në botë Falënderimin e meritueshëm me motivacionin: Ju shprehim falënderimet
tona më të përzemërta për librat që i dhuruat bibliotekës sonë për pasurimin e
fondit të saj. Veprimi juaj është një akt fisnik, human dhe qytetar. 15 titujt
e monografive tuaja që na dhuruat: monografi shkencore: Kritika
ndryshe, vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare, pjesa e parë
(2009); Elbasani në arkivat britanike, studim (2015); krijimtari
letrare: Mos hesht, poezi (2000, 2013); Djalli i Argadasit,
tregime (2002); Misteriozja, tregime (2009); Lumenjtë e ëndrrave,
poezi (2012); Grykës, roman (2010); Bunari, roman (2012); Borxh
ajrit, poezi (2013); Miriapodë, poezi (2013); Kojrillat,
roman (2013); Blirët e Pejës, roman (2014); Xhungël mendimesh,
poezi (2014); Fijet e barit të thatë, roman, (2015) dhe Era nuk jepet
me qera, poezi (2015) janë kontribut konkret, që ne e vlerësojmë. Edhe një
herë faleminderit! Krijimtaria letrare - studimore e Dr. Fatmir Terziut u bë
pronë e Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail
Qemali”, Vlorë, në funksion të studentëve dhe të pedagogëve tanë. Pena dritë,
mik i nderuar! Edhe opinioni qytetar bëhet më i ndjeshëm pozitivisht nga
veprime të tilla që shpërndajnë kulturë e qytetari ndër njerëz. Ai nuk resht së
shkruari, së studiuari dhe së botuari. Vetëm brenda vitit 2016 boton librin me
poezi Pas shiut dhe vëllimin me tregime Zjarri është blu. Në Bibliotekën Kombëtare të
Shqipërisë, nga ky autor numri
i regjistrimeve të gjetura është 45 dhe numri i regjistrimeve të shfaqura është
po aq, 45 tituj.
Me vërtetësi dhe dashuri, vlerësojmë kontributin e Fatmir
Terziut në publicistikë, në eseistikë, në poezi dhe në prozë. Studimtaria e tij
e vyer ravijëzohet në dy vepra të botuara për dy dashuritë e tij të mëdha:
Elbasanin dhe Letërsinë. E nderon Elbasanin autori, sepse ai qytet u bë
udhejeta e tij e familjes së tij, e prindërve të dashur, e njerëzve të zemrës,
sepse Elbasani u bë vendi ku u forcua personaliteti dhe përkushtimi i tij
intelektual. Nga vepra e Terziut mësojmë se Elbasani në arkivat britanike është
qysh herët. Emri i tij përmendet i ndërlidhur me mjaft faktorë ballkanikë,
shqiptarë e më gjerë. Është emër që pason qytetërimin mes Rrugës Egnatia, është
vetë ardhja e tillë e shenjtë që në udhëtimet e Shën Paul. Por emri i tij është
një referencë qëndrese, identiteti dhe force. E hasim në mjaft korrespodenca,
letra, shkëmbime diplomatike, gazeta e materiale të tjera arkivore. Emri i tij
fatmirësisht në pak raste është deformuar, ndërsa qëndron i pastër dhe mjaft
konkret në gjetje. Me të lidhen mjaft emra të huaj, emra shqiptarë të fushave
të ndryshme që në kohë të hershme e deri në ditët tona. Për këtë është dhe ky
studim, që ka plotësuar një mangësi të dukshme në gjetjen e gjërave të sakta që
lidhen me fatin e kësaj treve me kontribute për historinë dhe qytetërimin
shqiptar, emërdëgjuar dhe etnologjikisht. Sipas Dr. Terziut, në arkivat
britanike është edhe ekzemplari me titullin origjinal: Elbasani dhe me skicimet
bardhë e zi në kopertinën e tij kryesore nga autori çek Stanislav Kostka
Neumann (1875- 1947), gazetar, përkthyes, skicues dhe poet. Me monografinë
“Kritika ndryshe, vëzhgim në brendësi të prozës e poezisë shqiptare”, autori
nuk e shikon krijimtarinë të përhershme dhe as kohëpakët, por të përqendruar
historikisht, në mënyrë sociale, intelektuale, shkruar dhe lexuar në kohë të
caktuar, me një synim të caktuar, nën kondita të njohura historike, me synim
historik, kulturor, personal, racor, seksor, klasor dhe në gjithfarë
perspektivash. Nëpërmjet krijimtarisë ne shohim ideologjinë në operim, nënvizon
studiuesi dhe kritiku Terziu.
Vlerësimi dhe mendimi kritik i Dr. Terziut është si ajo
bisturia e mjekut, vërtet e mprehtë, por që të krijon besim të plotë në shërim
dhe në shëndet letrar të veprës që Terziu ka në dorë. Poezia e Terziut
është së pari poezi e shpirtit, e ndjenjës së madhe, poezi e thëllimave dhe e
gjerësive. Vargjet e Fatmirit janë drithëruese e drithëmojnë. Në betejat e
përditshme të jetës, poezia e Fatmir Terziut dallon si poezi e pjekur,
kuptimplote. Për prozën letrare të F. Terziut kritika letrare ka vlerësime
pozitive. Me prurjet e tij në gjininë e prozës së shkurtër (tregimit) dhe të
prozës së gjatë (romanit) Terziu shfaqet tashmë si një figurë e lartë letrare e
ndërgjegjes estetike. Spikat roli i tij letrar, dituror e didaktik në
ringritjet nga harresat historike dhe kujtesës sociale etnike, duke rimbjellë
në letrat e sotme shqipe romanin etnologjik, si dikur Petro Marko me romanin
Ultimatumi (1972, 2002), etj.
Megjithatë, nuk
ishte ky shkaku i këtij shkrimi të thjeshtë, por qe magjia tronditëse e fjalës
që më ndikoi të hedh në qelqin digjital universal dy fjalë të vogla për një
tregim të madh të autorit Fatmir Terziu.
"Roja i Vilës
së Madhe" është një tregim - tërmet jo vetëm i autorit, por gjykoj se në
Prozën e Sotme Shqiptare e ka vendin sipër. Nuk të lodh autori. Qysh në fillim
të njeh me personazhet e tij të paktë, njerëz, kafshë, sende. Terziu e ka të
shtrenjtë fjalën, nuk e harxhon kot atë, e menaxhon mjeshtërisht ekonominë e
fjalës letraro-jetësore. Lexojmë tregimin dhe me frymëmarrjen tonë thithim
simbolikën e tij groteske, fatkeqësisht shumë aktuale ndër këto viset tona. Me
"Rojen e Vilës së Madhe" ku nuk na shkon mendja? Nga gjiri i Lalëzit, në perlat e Palasës e
Dhërmiut, Ksamilit apo Kakomesë, ku zhgërruhen derrat kokërruar, me qafat e
dhjamosura palë-palë me kollaro të rënda e të demoduara lloj-lloj, që i mbajnë
si për modë, por s’dinë t’i lidhin estetikisht, veçmas litarët për fyti të
popullit dinë t’i lidhin fort...
Do të më shoqërojë
gjatë ky tregim i Terziut, sepse është dhembja e realitetit që jetojmë këtu,
përditshmëria jonë rutinë, që na ka hashashuar ndjenjat e na helmon dhe gjakun.
Autori ka gdhendur me frymë jete e gërma arti këtë prozë rrëqethëse, që të
drithëton në përshkrimin artistik të realitetit, parë në sy të së vërtetës.
"Roja i Vilës së Madhe" vjen në një prozë lakonike që është keqardhje
artistike dhe jetësore. Këtë mund të bëjë shkrimtari, por jo një, të gjithë,
secili sipas stilit të vet, por ngjyer në bojën e realitetit të sotëm
shqetësues.
Një tregim
sociopsikologji, ku duken dy personazhe dhe ne, në vatrën e leximit,
regjistrojmë pothuaj monologun, nga njëri, dhe gjuhën e shqisave, të mimikës,
intuitës nga tjetri, Roja, që po të lulëzonte Mbrothësia, mund të ishte, pse
jo, një kërkues shkencor këmbëngulës.
Kemi dhe një Derr,
personazh në distancë të largët, nuk na vjen drejtpërdrejt, por është i
pranishëm edhe te qentë e tij.
Ç'më dha imazhin e
jo pak derrave e dosave në vertikalitetin tonë, ky tregim i Fatmir Terziut!
Deri edhe sot
"Bukuria që vret" e Migjenit ka qenë një margaritar i penës
shkrimtare të mjerimit të shekullit XX. Sot i shtohet sivëllai "Roja i
Vilës së Madhe" për shekullin XXI.
Tregimi nuk
lexohet dot shpejt, sepse falë mjeshtërisë artistike që ka fituar, autori na
fut në punë, ta zhvillojmë imagjinatën, të studiojmë tekstin, të lexojmë
nëntekstin, të mos ndihemi lexues pasivë e dembelë, se të lexosh një Tregim nuk
është si të luash spathi me letra.
Autori përmend
vitin 1913 ... Në të tjera mendime më fut!
“Roja i Vilës së
Madhe”, një prozë sociopsikologjike tërmetike që të trondit e të shkund.
Faleminderit
autorit Fatmir Terziu, meritueshëm "Mjeshtër i Madh"!
Vlorë, 08.07.2019