| E shtune, 13.07.2019, 08:09 AM |
T r e g i m
Tahir BEZHANI:
FISHKËLLIMË E DHIMBJE
Për
çdo vit, Burim Mali, shkonte në njërën prej metropoleve të Evropës, rrinte disa
ditë, vizitonte familjen e tij, akraba e
miqësi e pastaj sërish kthehej në vendlindje, në Gurnajën e lindjes,vendi më i
bukur në botës. Natyrisht, më i bukuri i botës, nga se aty ishte lindur e
rritur, aty kishte kaluar fëmijërinë dhe djalërinë, deri në moshën e pjekurisë,
kurse, pastaj kishte emigruar në qytetin më të afërt për të kaluar pjesën
tjetër të jetës, për t’i shkolluar fëmijët. Në qytet shkollën e kishte afër,
edhe shëndetësinë e shumë gjëra të tjera. Pra, kishte kushte më të mira se në
Gurnajë. Punonte, Burim Mali, natën e ditën,çdo punë që i vinte në dorë,vetëm
që të mos bëhej i varur për kafshatën e bukës. Me mundim të skajshëm e shumë
sakrifica i rriti dy djem si dy drita. Ia mbaruan edhe shkollën e mesme, me
synim të vijimit të studimeve në fakultet. Kishim dëshirë të studionin
mjekësinë. Por, fati shpesh nuk dëgjon dëshirat e njeriut. Sapo mbushen të
18-19-tat, djemtë e Burim Malit, shteti monist i ish Jugosllavisë, klika serbe,
ia kërkoi për shërbim ushtarak. Kur morën ftesat, lexuan se duhej të kryenin
shërbimin në zonën e luftës të asaj kohe që kishte filluar në Bosnjë e Kroaci,
në fillim të viteve 90-ta.
Burimi
me bashkëshorten Hanën, u shqetësuan, shumë u mërzitën, mbeten si dy qyqe vetëm
në shtëpi, në periferi të qytetit V. Bënë çmos, i ranë gurit e drurit dhe bënë
çare, gjeten paratë e udhëtimit dhe i ikën djemtë nga qyteti V, nga frika e
dërgimit të tyre në vatrat e luftës në Bosnjë. Sipas parashikimeve të tyre,
ikja ishte e përkohshme, dhe kurrë nuk e kishin menduar se Valoni e Driloni do
mbesin kohë të gjatë atje.
Pastaj,
filloi lufta edhe në Kosovë. Erdhi kohë e vështirë nga shovinizmi i çartur
serb, të cilët vranë e masakruan popullin e Kosovës, pleq, gra e fëmijë pa
asnjë faj, pos që ishin shqiptarë e të
lindur në trojet e veta etnike.
Koha
kaloi shpejtë, si ujë përmbi gurët e lumit, ku jeta me gurgullimet e dhimbjeve
për humbjet në njerëz e pasuri, linte lëmashkun e lotit të skalitur rrudhave të
ballit, dëshmi shekulli.
Pas
njëzet viteve, kur djemtë e Burimit, Valoni e Dritoni, nuk munden të kthehen në
vendlindje, për njëmijë arsye tjera të reja e të vjetra. Prandaj, Burimi e
Hana, u detyruan që në pleqëri të shkojnë te djemtë e tyre, në atë qytet të
bukur Evropian, në qytetin e vjetër N, të çmallen me ata që ua do zemra e
shpirti më së shumti në botë. Ditët e jetës në sosje, kërkojnë të shuajnë etjen e mallit....
Si
disa vite më parë, edhe këtë vit, Burimi e Hana, kishin shkuar tek djemtë e
tyre, në atë metropole të Evropës, për të hequr mallin e tyre me nipa e mbesa.
Pas
dy javë çmallje, Burim Mali, kishte mësuar shumë vende të bukura të atij qyteti
dhe shpesh dilte vetëm mëngjeseve ose mbrëmjeve për të shëtitur, derisa djemtë
vinin vonë nga puna. Në Evropë, nuk hahet buka pa djersë. Çdo gjë është e varur
në minuta, me respekt pune. Pos të
dielave, ditëve të tjera të javës, nuk kishte më shumë se dy orë ndeje me djem.
Valoni e Dritoni,vinin të lodhur dhe binin herët për të pushuar për të
nesërmen.
Ndërsa,
Burim Mali, duke shëtitur në Parkun e Madh të qytetit N., i dehur nga ajo
sipërfaqe e bukur e me shumë aleje për shëtitje, nuk i shpëtonte asgjë pa e
shikuar në detaje. Bile, afrohej tek secila pemë e mbjellë, ku në tabelën e
ngjitur, lexonte historikun e asaj peme deri në fundin e jetës. Lëvizte kokën
dhe fliste me vete, Burim Mali. Nuk kishte parë gjë të tillë në vendin e tij.
Duke ecur rrugicës së shëtitores në Parkun e Madh të qytetit N, duart i kishte
hedhur pas shpine, dhe mendimet kishin marrë malin gjithandej botës së
pafund... Papritur i erdhi një mall i mbështjellë me dhimbje, dhe në vend se të
këndonte me zë, filloi aq bukur ta përcillte një këngë me fishkëllim, sa do
thoshe se është fyell në bjeshkë.
Një
burrë i panjohur, i ulur në karrige të parkut, kur dëgjoi melosin në shqip, me
fishkëllimën si fyell, i rrëqethur i duel para dhe i tha:
-Nga
je, o burrë?
–Nga
Kosova!- ia drodhi Burimi. A po ulesh e të rrimë pak. Të llafosim, pasi qenkemi
të dytë shqiptarë.
–Po!
-ia ktheu Burimi. Dhe para se të ulej, u ngrykuan faqe për faqe mes veti. Pasoi
zgjatja e fitilit të duhanit, si zakonisht, traditë kosovare për të hapur bisedë, pastaj, filluan pyetjet mes
Burimit dhe mikut të ri:
-Nga
je? -e pyeti Burim Mali?
-Jam
nga Kosova, një fshat mes dy kodrave të
errëta, afër qytetit P., quhet Lugnajë. Më quajnë Lumë, Lumë Sokoli i Lugnajës.
Këtu jetoj, që afër tridhjetë vite, në këtë qytet që je edhe ti tani, me
pushime.
-Ahaaa!
Po mirë, si të shkojnë punët, a ke familje, a ke vye, thonë kah na?...
-Eeeeeh,
more mixha Burim!... Jeta është e pamëshirshme kur të zë të rrëzuar... -
ofshani thellë, sa sytë iu mbështollën me lot.
Burimit
i erdhi keq për pyetjen, u pendua, ani se ishte kureshtarë të dinte shumë
gjëra. Jetë është kjo, ka lloj-lloj përjetimesh, lehtë e rëndë dhe këto mënyra
e bëjnë atraktive jetën e njeriut...
Pas
një pushimi të shkurtër, Lumë Sokoli, ndezi një fitil duhani, e thithi thellë
tymin, derisa i mbushi mirë mushkëritë me nikotinë, dhe filloi t’i rrëfejë
mikut historinë e tij të jetës në azil, që nga
vitet 90-ta, të shekullit të kaluar:
***
Atëbotë,
në qershorin e vitit 1992, më erdhi ftesa për të shkuar në shërbim ushtarak të
Jugosllavisë, bile në qytetin e Sarajevë. Ishte lufte atje, dhe askush nuk
shkonte. Të gjithë iknin që të mos bëheshin mish për top në troje të huaja.
Mjaft janë vrarë shqiptarë për toka të huaja në të kaluarën, edhe në Spanje
kanë lënë kokat kot se koti.
Kishim
varfëri në familje dhe me vështirësi mblodha paratë për rrugën e gjatë të
ikjes. Megjithatë, babai im i ndjerë, bëri zgjidhje, sigurova paratë dhe një
ditë, me autobusë nga kryeqyteti ynë, udhëtova në drejtim të pa njohur. U ndala
në Gjermani. Më kujtohet si sot, kur më përcolli gjyshi deri te autobusi. Ishte
vapë e madhe. Ishte i vjetër, me probleme frymëmarrje dhe më dhimbsej. Gjyshi
më donte dhe e doja fort. Pasi u përshëndetem, hyra në autobus dhe u ula në një
karrige,djathtas. Përpiqesha t’i fsheh lotët karshi gjyshit. Ai më përcillte me
shikim, sikur se nuk do shiheshim kurrë më... Pak pa u nisur autobusi, fshiu
lotët me shaminë e brezit dhe çoi
kërrutën e tij dhe i ra xhamit për t’u ndalur autobusi. Vetëm se u ngadalësua
pakëz. Nga xhepi i jelekut, nxori 50 DM dhe përmes xhamit të hapur m’i dha,
duke më thënë: “mëri biro, nuk dihet kah të hedhë puna e të duhen. Se, mua nuk
më vyejnë ma paratë, po ikë gëzimi i jetës sime.”
E
lash duke pëshpëritur diçka buzëve me shkrumb vape përvëluese. Edhe sot më rri
para syve figura e gjyshit me ato para të zgjatura, me ata lot të pleqërisë së
lodhur, i mërzitur për ikjen time të pafund...
Pas
një viti, mora lajm se gjyshi kishte vdekur. U mërzita pafund. Këtu në kurbet,
Burimo, dhimbja në familje, është shumë herë më e madhe. Të djeg malli si saç i
skuqur. Nuk kaloi shumë kohë, vdiq edhe gjyshja, e cila më mbante në prehër
duke më treguar përralla e duke m’i ledhatuar flokët.
Nuk
i harroj kurrë. Më të dashurit e mi, ikën në botën tjetër, pa lamtumiren time.
Disi, shpirti nuk më ri i qetë, më rrokë shpesh zjarrmi malli. Them: bile sikur
t’i përcolla unë në atë botë!...
Nuk
kaloi shumë kohë e pëlciti lufta edhe në Kosovën tonë. Një luftë e tmerrshme, e
pa barabartë dhe e papastër nga ana e çetnikëve serb. Nuk vret burri gra e
fëmijë, pleq sakatë e duke djegur shtëpi. Por ç’t’i bësh, fatit tonë, ”kur e
patëm dreqin kojshi”, gjithmonë patëm fat të zi. Në këtë luftë më mbeten edhe
familjarë tjerë, si pasojë e gjenocidit Serb. Babai e nana, përjetuan lirinë,
por nuk e gëzuan gjatë, vdiqën fill pas lufte. Tani, miku im Burim, ke dëgjuar
këngën e “Aga Ymerit”, baladë prekëse është ajo. E ku të kthehem unë?... Në atë
erë gjaku e në puset e lotëve, të fërkohem nëpër varret që përtërijnë vetëm
dhimbje... Si një cung mali mbeta i vetmuar, besa edhe i pa vetëdijesuar, krejt
i vetmuar nëpër rrugët e botës, pa askënd pranë vetës. Pas një kohe të gjatë,
sot pata fat që të takova në këtë Park të Madh, u njohëm dhe hoqa do mërzi nga
kraharori, nga mushkëritë, që më rrinë si të helmuara. Më shiko, si jam
zbardhur mik! Pas kësaj bisede të prekshme dhe të gjatë, sikur u lirua nga një
barrë e rëndë, u ndie i lirë dhe iu drejtua Burim Malit me fjalët: ”më falë se
të lodha me hallet e mia, miku im i mirë!...”.
Në
këtë moment, vërtetë, Burim Mali, nuk ishte edhe gjithaq i qetë. U ndie i
prekur nga jeta e Lumë Sokolit, plot brenga e dhimbje të mbledhura në zemrën e
tij të përvuajtur. Nuk foli disa minuta, derdhi shikimin gjithandej atij parku
disa qindra hektarë madhësi, ku shiheshin grupe shëtitorësh nga të gjitha
moshat. Bile, një pjesë ishte e dedikuar vetëm për qentë shtëpiak, ku zonjat e
zotërinjtë gjerman i lenin të lira
kafshët e tyre shtëpiake.
Me
një ndjenjë prekëse, të fshehur në brendësinë e vetës, iu drejtua Lumë Sokolit
me fjalë të ngrohta e miqësore, për ta
joshur me fjalët e pjekura nga durimi e shpresa për jetë. -E more, Lumë, jo
vetëm ti e unë, por e tërë Kosova ka pësuar, shpi për shpi, secili në mënyrën e
vetë. Nuk ka asnjë njeri të paprekur nga lufta në forma të ndryshme. Luftërat
nuk sjellin lule, o miku im. Ato, sjellin gjakderdhje, skamje varfëri, por
liria pa gjak e dhimbje nuk fitohet. Fat i madh që patëm këtë rini të guximshme
për t’iu kundërvënë një këlshedre hegjemoniste, siç është Serbia, dhe, me
ndihmën e miqve tonë, të ndërtuar nga vizionari i viteve 90-ta, larguam një
armik të përbetuar e të rrezikshëm nga trojet tona përgjithmonë!-mbylli
bisedën, Burim Mali.
Lumë
Sokoli, tundi kokën në shenjë pohimi dhe falënderimi për fjalët e ngrohta e të
sakta nga miku i tij, dhe fytyra disi më e buzëqeshur, si në ëndrra fëmijërore,
plot shpresë, se “nuk qenkam i vetëm, të gjithë e paskan pësuar si unë e më
zi....”!
Faleminderit
Burim!-iu drejtua Lumi me fjalë të qeta e plot respekt. Por, si shumë rini bre
kanë ikur edhe pas lufte, kanë ardhur në këtë kurbet të zi, ku jeta nuk vlen
pesë para edhe nëse fiton pasurinë e botës... Pas fjalëve tuaja, do mendoj
ndryshe...!
Pas
bisedës së gjatë e shumë të ngrohtë e vëllazërore, mes njëri-tjetrit, kishin
harruar të shikonin orën sa kishte vajtur. Por, befas, panë shëtitoret e
zbrazëta. Të gjithë kishin shkuar në shtëpitë e tyre, bile edhe ata zotërinj e
zonja, me qentë e tyre. Dielli kishte arritur në zenit.
Ashtu
si dy miq, thuaja se të vjetër, u ndanë mes veti, duke shkëmbyer numrat e
telefonave për takime të sërishme në qytetin N., te Parku i Madh, apo kudo
tjetër.
-Ishte
një ditë e bekuar për mua sot.- pëshpëriste vet me vete Lumë Sokoli, gjate
rrugës për në atë banesë, ku kalonte ditë, muaj e vite, me bashkëshorten e dy
carrokë të vegjël. I gëzuar se ditën e lirë nga puna e kaloi me një mik të ri
nga Kosova, i cili kishte ardhur në pushime tek djemtë e vetë, në qytetin N. të
Gjermanisë, iu duk si një pasuri e fituar, një
vetëdije e re dhe vlerësoi takimin duke u shpjeguar edhe familjarëve të
tij.
Lumë
Sokolit iu kishte skalitur ideja që të punonte edhe disa vite dhe t’i ruante
paratë, që një ditë të kthehet në vendlindjen e tij, të rimëkëmbë jetën
ndryshe, me qëllim që t’i ruaj fëmijët e tij nga asimilimi...
Gjakovë, Korrik 2019