Kulturë
Albert Habazaj: Për ju, yje të Gjakovës
E premte, 07.06.2019, 06:21 PM
3 poezi nga poeti vlonjat Albert Habazaj për 20 vjetorin e Çlirimit të Gjakovës
1.
PËR JU, YJE TË GJAKOVËS
Në
nderim të 20 vjetorit të Çlirimit të qytetit të Gjakovës
Teksti
Albert HABAZAJ
Këndon:
Grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, Urdhëri “Naim Frashëri;
marrëse:
Shpresa Kapo Çelaj;
kthyese:
Liri Gaçe Shkurtaj;
hedhëse:
Vito Shiroku Vera.
Yjet që ran' për Gjakovën,
Dritë bëjnë për Kosovën,
Bekim nga Liria paçin,
Thonë Shqiponjat e Tërbaçit.
Ata ranë po janë gjallë,
I ka Gjakova në ballë.
Nuk harrohet historia,
Pa gjak, jo, nuk vjen liria.
Po ju, o trima të bukur,
Nuk luftuat për t'u dukur.
Dhe pse dhemb ajo masakër
Zjarri s'u shua në vatër.
Ratë për më fisniken ëndërr,
Ju vijmë me dorë në zemër.
Kur ju na erdhët si lule,
Kombi në gjunjë ju ulet.
Jeni lavdi me kurorë
Në këtë 20 vjetor.
Jubileu i Çlirimit,
Ju-në krahë të paharrimit.
O ju, yjet e Gjakovës,
Përjet'-në krahë të Shqiponjës.
2. HIMNI
LIRIE
Për dëshmorët e Kosovës
Nga Albert HABAZAJ
Këngën me ligje fillova:
Sot si diva ju po flini,
Sa u desh Nënë Kosova,
Sa e do nëna të birin.
Çdo ditë jave, muaj’, viti,
Çdo dit’ të jetës që kemi,
Me dhembje e plagë shpirti
Tek dëshmorët tanë vemi.
Ne me ju jemi krenarë,
Ju si spaleta lavdie,
Për të gjithë shqipëtarët,
Ju jeni yje mbi yje.
Këndojmë me lot për trimat
E Ushtrisë Çlirimtare,
Me kërrab’ zut’ vetëtimat
Për Kosovën legjendare.
Ndriçoni me rreze drite
Në monument përjetësimi.
Shkojnë vjet e vijnë vite
Për ju më lart’ nderimi.
Yjet e bukur të botës,
O ballëlarët me diell,
Jetën ja falët Kosovës!…
Dhe emrin flamur në qiell.
3. BEKUAR NGA MAL’ I ÇIKËS!
-valle e kënduar grash-
Teksti: Albert Habazaj
Valle si nga anët tona,
Do hedhim bashk’ me shqiponja.
Ju, shqiponja fluturoni,
anemban’ shqipet uroni.
Flamur i trojeve tona
Nuk njeh kufij për shqiponja.
Ismail Qemal Flamuri
Gurin në themele vuri.
Urimet nga Këndrevica
Çoini tutje nga Drenica,
Që nga Tuzi në Tetovë,
nga Preveza në Gjakovë.
Ju shqipe që fluturoni,
anemban’ Shqipen uroni.
Kush bie rrezet e dritës
U bekoft’ nga Mal’ i Çikës!
Prin vallen: Shpresa Çelaj
Marrëse: Lirjana Kapaj,
Kthyese: Liri Shkurtaj
Hedhëse: Vito Veraj.
Vlorë, qershor 2019