E shtune, 21.12.2024, 04:49 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Si u përjashtova nga gjimnazi, si e fsheha këtë ‘tragjedi’

E hene, 20.05.2019, 08:09 PM


Fragment nga libri i posa botuar, “Njeriu ‘pa’ vendlindje”

“Lotët që përcëlluan faqet e mia dhe të plakut tim madhështor...”

Sejdi BERISHA:

SI U PËRJASHTOVA NGA GJIMNAZI, SI E FSHEHA KËTË “TRAGJEDI” DHE SI E KUPTOI BABAI SE ISHA PËRJASHTUAR NGA SHKOLLA...!

LOTËT QË PËRCËLLUAN FAQET E MIA DHE TË PLAKUT TIM MADHËSHTOR...

Një ditë prej ditësh, në një “lojë” me shokun e bankës, Xh. M., duke vrapuar shkallëve për në katin e parë të ndërtesës së gjimnazit, morëm “n’thua” në bustin e një prej figurave politike të ish Jugosllavisë. Dhe,... ndodhi më e keqja: busti u bë copë e grimë. Ishte kjo ngjarje që ndodhi “pa dashje”. Pas kësaj, sikur i tërë gjimnazi u trondit, dhe, normalisht pasoi përjashtimi im (me 04 janar 1967) dhe i shokut të bankës nga procesi mësimor!

Isha maturant, dhe më së shumti më dhembte zemra e shpirti, kur për këtë ngjarje do ta merrte vesh babai. Por, pasi na kumtuan përjashtimin përmes librit të shpalljeve dhe njoftimeve klasë për klasë, sikur e “zgjodha” problemin me babanë: për çdo mëngjes dilja nga shtëpia si gjithnjë kur shkoja për mësim në gjimnaz. E bëja këtë, për ta mos kuptuar babai këtë, sepse, më kishte djalë hasreti, dhe më kishte thënë se do ta hiqte nga goja edhe kafshatën e bukës vetëm e vetëm që të shkollohesha unë dhe të mos vuaja si ai që ishte punëtor krahu por bujk i përkryer.

Është interesant të theksohet se  gjimnazi i Pejës konsiderohej një ndër shkollat e mesme më të forta dhe më në zë për mësimin dhe gjeneratat që shkolloheshin aty. Por, thënë të drejtën, nëse vetëm pak analizohet puna e personelit mësimor, nuk ishte edhe ashtu. Ndoshta këtë e “ndrydhte” edhe frika nga regjimi i atëhershëm, por kishte edhe mësimdhënës që nuk kishin kualifikim përkatës për lëndën që ligjëronte. Kurse, për sjelljen pedagogjike mbase edhe edukative, edhe kjo ishte lëngim dhe çalim në vete, i cili ndoshta edhe sot ky sindrom e përcjell arsimin tonë.

Për këtë që theksova, dëshmon edhe dëshmia-shënimet nga ditari për suksesin dhe nivelin e notave, e cila dëshmon për gjendjen e atëhershme në mësimdhënie...!

Lotët që përcëlluan faqet e mia dhe të plakut tim madhështor...

Por, pas disa ditësh që isha përjashtuar, i kishte “shkuar” haberi se unë isha përjashtuar nga gjimnazi. Por, babai im, si gjithnjë ishte shumë i kujdesshëm dhe ruhej që të mos ma lëndonte as karakterin, as zemrën, as shpirtin dhe as rritën time në lulen e rinisë! Kështu, atëbotë ishte ditë e hënë, ditë vjeshte e vitit 1968, dhe, si çdo ditë, dola nga shtëpia kinse po shkoja në shkollë. Por, kur arrita tek Shatërvani”, ose, atëherë tek pompa e benzinës “Jugopetrol”, pa ndonjë qëllim, veç hajt, ktheva kokën pas dhe kur e pashë babanë që më vinte pas, më përcillte se a më të vërtetë shkoja në shkollë, apo ishte vërtetë ajo që kishte dëgjuar: isha përjashtuar nga shkolla?!

M’u bë se i tërë qyteti së bashku me Bjeshkët e Nemuna më ranë mbi mua dhe ma ndrydhen e shtrydhen çdo qelizë gjaku e trupi. Në atë moment sikur m’u kujtua e tërë jeta e babait tim, djersa e tij, qëndresa por edhe vuajtje që atë por edhe neve na bënë të fortë. Këtë moment, vetëm shpirti im e ka brenda të mbyllur si momentin më të rëndë, si momentin më të dhembshëm, por që brenda tij sikur ndriçonte diçka e lumtur dhe hyjnore.

Dhe, në atë moment, pa kontroll, pa marrë parasysh se kishim dallim të madh në moshë dhe që e doja shumë dhe pamasë, iu kam “vërsulur”: çfarë je zgjuar kaq herët,... Ku je duke shkuar...?!

Babai, nuk reagoi fare, por duke i buzëqeshur pleqëria e tij, më tha:

-Pashë të Madhin Zot, biri im, a je duke shkuar në shkollë apo të kanë përjashtuar?!!- dhe, përnjëherë iu kanë mbushur sytë me lot, kurse mbi mua edhe njëherë gjithçka dhe e tërë bota u rrënua mbi mua, ndërsa, lotët e babait i përcëlluan faqet e mia dhe të plakut tim madhështor...

Në atë mëngjes, te Shatërvani, ia shtrëngova duart dhe e përqafova duke i thënë:

-Për të Madhin Zot, më kanë përjashtuar nga gjimnazi, por po ta jap besën se do të diplomoj përnjëherë më shokët e klasës...!

Nuk e kisha idenë se si dhe çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por vetëm m’u dha t’i them dhe t’i premtoj ashtu. Shpirti ashtu ma diktoi t’i them plakut tim, themelit të jetës dhe të lumturisë sime.

U buzëqesh, dhe në ato faqe plot rrudha, m’u bë se pashë amanetin tim për fatbardhësinë e jetës dhe për kryerjen e obligimit ndaj zemrës, shpirtit dhe madhështisë së tij që e kishte edhe në mua.

Edhe njëherë e përqafova duke i thënë që të mos merakoset. Më shikoi gjatë pa ma thënë asnjë fjalë dhe u kthye për në shtëpi. Ndërsa, unë vazhdova rrugën për në qendër të qytetit, sepse nuk kisha ku të shkoja diku tjetër, por lotët më tradhtonin, siç e kanë shprehi gjithherë, e edhe tash!

Prej asaj dite, pasi kuptova se babai veç e kishte marrë vesh se isha përjashtuar nga shkolla, më nuk dilja në mëngjes nga shtëpia kinse shkoja në shkollë. Por, tash më doli një problem tjetër. Sikur ngulfatesha derisa përfundonte mësimi në gjimnaz, sepse, isha mësuar ta kaloja ditën në mësim së bashku me shokë. Kisha mendjen se si ta mbaroja gjimnazi ashtu siç i kisha premtuar babait, sepse, nga gjimnazi më kishin përjashtuar pa të drejtë regjistrimi edhe një vit tjetër. Kjo, me siguri ishte një metodë perfide, që pas një viti, praktikisht të rinjtë ftoheshin nga mësimi dhe kështu ngelnin pa u shkolluar, që ishte edhe synimi i pushtetit serb.

Megjithatë, provova ta vazhdoja shkollimin në gjimnazin “Hajdar Dushi” të Gjakovës, dhe, edhe përkundër ndalesave ligjore, drejtori i atëhershëm i këtij gjimnazi, i cili më duket se ishte Ekrem Murtezai (më vonë një intelektual dhe shkencëtar i përkryer, e që pastaj na ra që të punojmë së bashku në Radio-Prishtina), me gjithë rreziqet, ma mundësoi vazhdimin e shkollimit. Por, pas një jave, këtij drejtori iu falënderova dhe e njoftova se nuk isha në gjendje t’i vijoja mësimet për shkak të kushteve të vështira sociale; sepse, duhej të udhëtoja për çdo ditë nga Peja në Gjakovë dhe e anasjelltas. Kurrë nuk e harroj mirësjelljen e këtij drejtori, i cili, kur ia tregova shkakun dhe arsyen, u përmallua, bile edhe iu përvodhën lotët. Më tha: më vjen keq, në aspektin material nuk mund të të ndihmojë...!

Më tha edhe këtë: mendo edhe pak dhe mos i tërheq dokumentet! Por, isha i prerë, të cilën gjë i “kontribuonte” edhe rebelimi im shpirtëror.

I tërhoqa dokumentet. Edhe njëherë u përshëndeta me drejtorin, i cili më përqafoi si fëmijën e vetë.

U ktheva në Pejë, dhe tash kishte ngelur vetëm një shpresë; që ta lusja sekretarin e gjimnazit të Pejës, z. Xhevat Gjikollin, që disi të ma mundësonte që vitin e katërt ta kryeja privatisht, edhe pse, sipas vendimit të kësaj shkolle nuk kisha të drejtë.

Një ditë prej ditësh, ktheva në Gjimnazin “11 Maji” në Pejë, edhe pse tani, dorën në zemër, edhe shokët dhe shoqet frikoheshin apo edhe nuk kishin dëshirë të takohen me mua. Bile, edhe disa nga profesorët bëheshin sikur kurrë nuk më kishin parë edhe as sikur kurrë nuk kisha qenë nxënës i tyre dhe as ata profesorë të mi!

Hyra në zyrën e sekretarit të shkollës, dhe kur më pa, më duket se nuk i erdhi fare mirë pse kisha kthyer tek ai. Andaj, pak si i befasuar, më pyeti:

-Hë, çfarë ka të re?!...

I rrëfeva për tërë atë problemin tim dhe e luta se nëse ka ndonjë mundësi të ma mundësojë që privatisht t’i kryeja provimet e vitit të katërt të gjimnazit.

Ne fillim, desh i doli flaka.

-Nuk bën! E din se edhe një vit nuk ke të drejtë shkollimi në këtë gjimnaz?!...

Por, decidivisht i thash:

-E di. Por, nëse mund të bësh diçka në këtë drejtim, kurrë në jetë nuk do ta harroj! Për asgjë tjetër nuk do të lutesha dhe as nuk do të të përkulesha, por për këtë, po...! Sepse, i kam premtuar plakut tim se përnjëherë me shokët e mi do ta mbaroj gjimnazin.

Për disa minuta më shikoi, më dukej se sikur të tërin më maste, sikur ma shprushte mendjen e synimin. Pas një kohe, më tha:

-Nuk mund të të premtoj asgjë, por eja edhe njëherë nesër...!

Shumë u gëzova dhe m’u shtua shpresa se do të ndodhte diçka mirë.

U ktheva në shtëpi plot shpresa, por asgjë nuk i bisedoja plakut. Të nesërmen, edhe me gëzim, edhe me shpresë, që më ishin të mbërthyera në frikë, ktheva në gjimnaz te sekretari. Nuk më shikoi fare dhe sikur nuk ma vente në fare. Nuk bëzaja as unë, dhe deri sa i rregulloi disa letra mbi tavolinën e punës e pasi u ul, edhe pse as tash më shikoi mu sikurse dje, megjithatë më tha:

-Nuk kam çfarë të të bëj... Nuk kam kurrfarë mundësie, prandaj më vjen keq...!

Tash, m’u bë se m’u mbyllen të gjitha rrugët dhe dyert. Nuk di si më erdhi, dhe i thash:

-Sikur të ishit Ju si unë, e unë në vendin Tuaj, do të bëja çdo gjë dhe do t’i hapja rrugët e shpresës dhe të ardhmërisë, edhe sikur të më kushtonte shumë një gjë e tillë...

Nuk më ecnin këmbët për të dalë nga zyra e tij. Por, çfarë ndodhi. Nuk e kisha të qartë se si iu ndërrua mendja, dhe më tha:

-Prit!... Sjelli nesër dokumentet për gjysmën e lëndëve-provimeve!

U dridha. Tash, nuk di si u s’lirova, dhe i thash:

-Jo gjysmën, por të gjitha lëndët-provimet...

-Si?!!... A je në vete...!

-Unë, nesër do t’i paraqes të gjitha provimet...

-Shiko, pra. Për këtë, askujt asnjë fjalë, dhe kur t’i sjellësh dokumentet, hynë atëherë kur nuk të sheh askush...

Ashtu edhe ndodhi. Kur erdhi koha e provimeve, asnjë prej profesorëve nuk bëri pyetje se pse e si për çështjen time.

Të gjitha provimet i kalova për mrekulli. Dorën në zemër, disa profesorë edhe e kishin në konsideratë edhe çështjen e rastin tim, për çfarë edhe atëherë por edhe tash u jam mirënjohës dhe u falënderohem.

Tash, i erdhi radha temës së diplomës. Kishin ikur të gjitha temat nga gjuha dhe letërsia shqiptare, në ç’drejtim unë jetësisht isha i interesuar, sepse, edhe kisha afinitet të jashtëzakonshëm nga kjo fushë.

E, për temën e diplomës kisha problem, sepse, arsyetimi ishte se i tërë viti i katërt i gjimnazit dhe diploma të jepeshin privatisht, nuk kishte kuptim që të përfundonte kështu. Megjithatë, edhe ky problem u zgjidh. Por, nga gjuha dhe letërsia shqiptare kishte ngelur vetëm një temë, të cilën, si duket nuk kishte pasur guxim ta merrte askush, ishte tema “Fati i femrës dhe i nënës në letërsinë shqiptare”.

Me të vërtetë ishte temë e gjerë por edhe kërkonte leximin e shumë veprave. Për atë, për te edhe nuk ishte për caktuar askush. Vërtetë ishte temë e rëndë, por shumë interesante dhe joshëse, që linte përshtypjen e diçkaje si nismë për një studim të mirë dhe të rrallë në letërsinë kombëtare. Më provokonte dhe më grishte me të vërtetë fati i nënave, i motrave, i vajzave dhe i gruas shqiptare.

U përcaktova për te dhe se një muaj e kam “humbur” duke e përgatitur këtë temë, sepse, libra dhe vepra kushtuar femrës sonë kisha lexuar bukur shumë, për të mos thënë edhe më shumë se që e kërkonte tema, dhe, isha shumë i lumtur, sepse, për mua tema kishte rëndësi të dyfishtë; një, sepse diplomoja në të njëjtën kohë me shokët e klasës, ashtu siç i kisha premtuar edhe babait tim. Dhe dy. Sepse, ishte një temë për mua monumentale, një temë e prekshme, aktuale, mbase ndoshta edhe shumë e veçantë.

Gjatë tërë kohës, për çdo ditë kam kthyer në Patrikanën e Pejës, dhe aty përbri Dudit Plak, atëherë 200-vjeçar, e pranë ujit që kalon përmjedis oborrit të Patrikanës. Aty, që nga mëngjesi e deri vonë lexova, studiova dhe u kënaqa por edhe u frymëzova për shumëçka duke punuar në temën e diplomës së maturës. Kisha material të bollshëm, bile bile, edhe më shumë se që ndoshta do të kërkonin profesorët dhe komisioni gjegjës.

Një muaj, që nga mëngjesi për çdo ditë qëndrova në oborrin e Patrikanës, të këtij kulti historik i tokës shqiptare, dhe askush asnjëherë nuk më ka pyetur se përse isha aty aq i rregullt. Nuk më ka pyetur askush as nga personeli i Patrikanës por edhe askush nga ndokush jashtë. Bile, përshëndetja ime e mëngjesit sikur e kënaqte personelin e këtij tempulli me histori të veçantë, me histori interesante, të drejtë, të shtrembëruar, mbase edhe jo të saktë...!

Në këtë Patrikanë, si nxënës i gjimnazit kisha punuar edhe në cilësinë e punëtorit fizik për ndërtimin e Kambanarit, për çfarë kishte financuar Dimitrije Funduc, një gjakon që atëherë kishte shkuar për të jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky njeri, e kishte financuar ndërtimin e këtij objekti, dhe prej themelit e deri në kulm të këtij kambanari, derdha edhe djersën time, për njëzetë e pesë dinarë të atëhershëm në ditë. Kuptohet, kjo ishte kënaqësi imja, sepse, edhe unë, përveç babait, e fitoja një “grimë” bukë për familje. Por, për këtë do të flasë më vonë.

Diplomimi në temën : “Fati i femrës dhe i nënës në letërsinë shqiptare”

Dhe, mori fund përgatitja e temës së diplomës. Gjatë mbrojtjes së temës, në komision ishin pesë profesorë, më shumë se zakonisht deri atëherë! Më sa më kujtohet mua, në komision ishin: prof. Xh. B. (Kryetar komisioni), prof. Sadik Berisha(anëtar komisioni), prof. Sveta Gjurishiq (profesor i gjuhës serbokroate-anëtar komisioni), prof. Ismet...(profesor i arrtit figurativ-anëtar komisioni) dhe një tjetër profesor, i cili ishte sa për formalitet, sa për ta kënaqur numrin e anëtarëve të komisionit.

Më pyeten se a isha përgatitur për të mbrojtur temën. Po, u thash. Dhe vazhdova: unë sot përgjigjem vetëm për notën pesë, ose për notën e dobët-njësh!

Edhe pse nuk ishte i mirë nga ana ime ky “kushtëzim”, unë këtë ua thash me gjithë mend. Po ashtu, u thashë se brenda temës mund të pyesnin gjithçka dhe çfarë të donin, ndërsa, jashtë temës nuk do të përgjigjem!

Pas kësaj, kryetari i komisionit ndërroi në fytyrë, por nuk foli. Më pyetën për gjithçka e për çdo gjë. Por, pa modesti po them se isha shumë i përgatitur. Dikur, nuk patën se çfarë të pyesnin gjë tjetër, por, Kryetari i komisionit më pyeti: cili personazh tek letërsia serbe mund të krahasohet me Hajrijen e romanit “Malësorja” e Nazmi Rrahmanit?!...

I thash se kjo pyetje që ma kishte drejtuar ishte jashtë temës, por megjithatë, po të përgjigjem: është Sofka te romani “Gjaku i papastër” i Bora Stankoviqit. Atëherë, profesori i gjuhës serbokroate, Sveta Gjurishiq, tha: “Pse po e mundoni djalin, a nuk po e shihni se temën e ka përgatitur për mrekulli!

Atëherë, sikur të gjithë anëtarët tjerë të komisionit që ishin shqiptarë u shliruan, kushedi nga ndonjë ankth i mundshëm. Dhe vetë, S. GJ. Tha: unë e vlerësoj me notën pesë! Atëherë “krisën” pesat edhe nga anëtarët tjerë të komisionit, dhe diplomova në Gjimnazin “11 Maji” në Pejë, me rezultat të shkëlqyeshëm përnjëherë me shokët e klasës me të cilët, para përjashtimit tim, e kishim vijuar mësimin e rregullt. Bile, unë diplomova dy-tri ditë më përpara.

Pas këtij akti, mëzi prisja të shkoja në shtëpi dhe ta gëzoja babanë duke ia komunikuar se kisha diplomuar ashtu siç ia kisha dhënë fjalën.

Ashtu, pjesë të shpirtit dhe shok siç e kam pasur por e kam edhe tani, edhe pse nuk është në këtë jetë, iu afrova dhe i thash:

-Babë, zgjate dorën!

Ma zgjati dhe ia shtrëngova e ia shtrëngova tej mase dhe e putha në të dy faqet, atëherë ia komunikova premtimin të cilin në atë moment nuk e kishte në mendje:

-Babë, unë sot diplomova!...

-Si...?! –ngeli pa tekst, por në vend të fjalëve e shoqëruan lotët, prapë të dyfishtë; lotët e tij që kishin aromën e peshën e moshës dhe të harresës së kohërave, dhe lotët e mi, që ishin si larje e borxhit ndaj babait, nënës dhe motrës Sofije.

Ishte një gëzim i përzier, i bërë “katralëmsh”, që sikur tani ndezi dritën e rrugës sime por edhe të familjes, e cila familje e tëra më bëhej se më ishte përkushtuar mua dhe vetëm mua...!

Tash, angazhimi dhe problemet për t’u regjistruar në fakultet...

25 mars 2018, kur po e nis këtë vazhdim të shkrimit pas gjashtë muajsh “pauzë”, paraprakisht por edhe në fillim sikur diçka ma rëndonte mendjen dhe shpirtin dhe u përmallova pa ditur as arsyen dhe as shkakun se për çfarë ndodhte kjo?! Ndoshta pse tash në kokën time kisha problemin e regjistrimit në fakultet, problemet dhe dhembjet e mëdha që i kisha për motrën Sofije, e cila tani ishte e sëmurë dhe ndodhej në Spitalin për Shërimin e Mushkërive në Pejë, dhe e treta, problemet sociale që m’i ngushtonin të gjitha rrugët. Këto çështje i merrja mëme “ngushtim”, sepse tani jetën e kuptoja ndryshe, isha më i pjekur, por edhe mosha rinore, normalisht, m’i “turbullonte” ndjenjat dhe përjetimet që ishin të pashmangshme.

I kompletova të gjitha dokumentet dhe u regjistrova në Fakultetin Filologjik, dega gjuhë dhe letërsi shqipe. Në fillim assesi nuk mund e përthekoja se do të mund të kalova jetë  normale studentore pa para dhe mjete për të jetuar. Por, para se të fillonim me ligjërata në fakultet, unë më shokun tim të ngushtë nga shkolla, Prend Markun, në vitin shkollor 1968-1969, u punësuam në Shkollën fillore “Boro Millatoviq” në fshatin Zllakuqan të Klinës, për të marrë disa paga derisa sa të fillonin studimet. Unë, ligjëroja gjuhën shqipe, kurse Prendi, lëndën e kimisë.

Ishte hera e parë që takohesha me ditarin e shkollës, me ligjërimin, me orën mësimore, të cilat gjithnjë i kam konsideruar dhe i kam ëndërruar si diçka të shenjtë por edhe të paarritshme për mua!

E kisha ëndërr që gjeneratën e re ta edukoja me atë mendjen dhe tharmin e shëndosh të diturisë, atdhetarisë dhe të njerëzores. Dhe, ashtu edhe fillova, por nuk doli siç kisha ëndërruar. Mësimi dhe puna në arsim ishte shumë më komplekse se që kam menduar, dhe atë për shumë arsye, duke filluar nga kushtet në shkollë, nga kushtet dhe gjendja ekonomike e nxënësve, por edhe nga marrëdhëniet në mes të personelit mësimdhënës, të cilat shumë reflektojnë në suksesin e punës, por edhe në edukimin e gjeneratës së re në baza të shëndosha dhe të padjallëzuara...



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora