Shtesë » Lajme
Zyhdi Morava, ish - kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve kapet me 9 kg kokainë
E diele, 28.09.2008, 05:28 PM
Zyhdi Morava kapet me 9 kg kokainë
Zyhdi Morava
Gerti Xhaja
ITALI Poeti i dashurisë Zyhdi Morava, ish- kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve kapet në kufirin italian me Austrinë, me 9 kilogramë kokainë. Lajmi konfirmohet nga agjencia e lajmeve ANSA, sipas së cilës, shkrimtari e kishte fshehur në dyert e makinës, të cilën e transportonte me një karroatrec. Arrestimi është kryer të enjten nga një patrullë e policisë italiane në Brennero, disa kilometra pa mbërritur në Bolzano. Poeti disident i kohës së komunizmit, tashmë 62 vjeç, është siguruar në ambientet e izolimit të policisë në Bergamo. Policia italiane nuk ka dhënë detaje rreth dëshmive apo alibisë së Moravës, për shkak të hetimeve për të zbuluar rrjetin e trafikut të lëndëve narkotike. Ndërsa vlera e drogës së sekuestruar, sipas autoriteteve italiane kapte shumën prej 4 milionë eurosh.
Itinerari
Shkrimtari Zyhdi Morava dyshohet ta ketë marrë drogën në Holandë. Sipas agjencisë ANSA, ai ishte nisur me makinën e tij nga Holanda në drejtim të Italisë. Në Gjermani, konfirmohet që Morava të ketë bërë një ndalesë, pasi ka pësuar një defekt në makinë. Automjeti i tij ka lëvizur me karroatrec në Zvicër prej kufirit në Brennero, ka hyrë në territorin italian. Në Brennero, një patrullë e policisë ka ndaluar karroatrecin për të kontrolluar dokumentet e kamionçinës dhe makinës që ndodhej në të. Disa kontradikta në këto momente mes shoferit të karroatrecit dhe shkrimtarit, reagimet nervoze dhe një gjendje paniku i këtij të fundit, kanë nxitur agjentët e patrullës për një kontroll të hollësishëm. Kanë goditur në shenjë në këtë rast policët e patrullës, pasi në dyert e makinës së Moravës mbi karroatrec kanë gjetur të ambalazhuar 9 kilogramë lëndë narkotike të tipit kokainë.
Policia
Në rajonin e policisë lokale kanë përfunduar fillimisht shkrimtari Morava së bashku me shoferin e karroatrecit. Pas procedurave të intervistimit dhe ballafaqimit, policia ka lënë të lirë drejtuesin e karroatrecit dhe ka mbajtur në gjendje arresti shkrimtarin Morava.
Të pyetur nga Gazeta, të afërmit e Moravës janë shprehur të shokuar për lajmin e arrestimit. Sipas tyre shkrimtari kishte kohë që ishte nisur për një vizit
Dy vite mes akuzave në krye të Lidhjes
Thuajse dy vjet mes akuzash, dhe lufte të vazhdueshme në postin e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve, Zyhdi Morava shënoi një varg incidentesh sidomos në fund të vitit të kaluar. Në fund të dhjetorit të 2007 Lidhja e Shkrimtarëve ishte përfshirë sërish nga debatet. Pika e nxehtë ishte kryetari i saj. Ai akuzohej për shkelje të ndryshme që sipas akuzave e kishin shpënë lidhjen e shkrimtarëve drejt gremisjes. Hysen Sinani e akuzoi Moravën për shkelje të statusit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe abuzime financiare. Sipas tij, Morava kishte përjashtuar nga Lidhja piktorët dhe muzikantët, duke e kthyer në funksion të një rrethi të ngushtë dhe që përfitonin të mirat që sillte godina e Lidhjes. Siç pohonte Sinani, menjëherë pas shkarkimit të Moravës se 20 zyra të Lidhjes së Shkrimtarëve qëndronin të mbyllura dhe kishte përpjekje për ta shitur këtë godinë. “Lidhja e Shkrimtarëve nuk ka pasur asnjëherë makinë, ndërkohë që tani janë blerë dy makina Mercedes Elegancë. Ku janë gjetur këto lekë, kur institucioni ishte në borxhe që nga koha e Dizdarit”, akuzonte në media Sinani. Por në anë të kundërt, Morava i kundërpërgjigjej se përjashtimi i artistëve të arteve figurative dhe muzikantëve kanë qenë të planifikuara që në fillim në platformën e tij. Pas shumë sulmesh, akuzash e kundërakuzash, Lidhja e shkrimtarëve u la në dorë të shkrimtarit Hysen sinani, i cili e drejtoi atë deri para pak muajsh, kur të Lidhjes së shkrimtarëve iu mor Godina dhe u shndërrua në Ministri të turizmit, kulturës, rinisë dhe sporteve”. Në janar të këtij Viti, emri i Zyhdi Moravës u rishfaq në media, kur ai prezantoi një ide dhe organizim të ri për shkrimtarët. Zyhdi Morava shpalli zyrtarisht kirijimin Unionit të Shkrimtarëve Shqiptarë, ku ishin anëtarësuar dheë ftoheshin rreth tij të gjithë shkrimtarët që ishin shkëputur nga Lishja e Shkrimtarëve dhe Artistëve.
Vuajtjet në Spaç dhe divorci me gruan
Poeti që bëri punë të rëndomta në diktaturë Poet, shkrimtar dhe një prej emrave më të lakuar sa i takon Lidhjes së Shkrimtarëve në vitet e demokracisë, Zyhdi Morava lindi me 14 mars 1946 në fshatin Gracë të Devollit. U dënua në vitin 1971 me burgim me akuzën “agjitacione propagandë” si shkak i poezive që shkruante. Këtë dënim e vuajti për 5 vjet në burgun e Spaçit. Atëkohë si shumë poetë të rinj, shkruante krijimtari letrare që binte ndesh me vijën e realizmit socialist. Kësisoj Moravës iu hoq e drejta e botimit për 30 vjet. Pas kryerjes së dënimit në burgun e Spaçit, Morava u dëtyrua të punojë në profesione nga më të rëndomtat. Nga viti 1982 deri në vitin 1991 punoi si punëtor ndërtimi, punëtor ngarkim-shkarkimi, punëtor në fermë bujqësore dhe roje nate në një stallë kuajsh. Pas vitit 1991, me ndërrimin e sistemeve në Shqipëri, ai mundi të rikthehej tek pasioni për librat e paralelisht me to, edhe te veprimtaria publicistike por edhe në pozicione të tjera drejtuese. Në prill 1991 punon si gazetar tek gazeta “Sindikalisti”. Në vitin 1992, kryeredaktor i gazetës “E vërteta”, gazetë e sindikatave të pavarura të Tiranës. Në vitin 1993 emërohet drejtor i “Hotel Dajtit”, ndërsa në 1994, drejtor i Ndërmarrjes së Prodhimeve të imta plastike. Nga vitit 1995 deri në 2000 punon si zëdhënës shtypi në Bashkinë e Tiranës. Ndërsa në prill të vitit 2005 emërohet kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ai e drejtoi këtë institucion deri në 7 dhjetor të vitit 2006. Krijimtaria e tij letrare u zhvillua kryesisht në vitet pas rënies së komunizmit. Libri i tij i aprë, një vëllim em tregime i titulluar “Në rrugë” u boptua vetmë nëj vit para se të burgosej. Nga 1991 e deri më sot ka botuar mbi 14 libra, romane, vëllime me tregime dhe poezi. Në 1991 botoi vëllimin me poezi “Autoportret”,i pasuar nga “Dashuritë e mia”, vëllimi me tregime “Shpirtra të uritur”, romani “Armiqtë e dashurisë”, vëllimi poetik “Puthje pa fund”, ai me tregime “Vjeshtë e një burri”, romanet “Ujku i natës së fundit”, “Dashuri në dy stinë” “Tërbimi”, “Udhë të humbura”, “E veçanta e një dashurie”,etj.në planin personal jeta e Moravës u shoqërua nga dy lidhje martesore. I ndarë nga bashkëshortja e tij e parë, u njoh, u dashurua dhe lidhi martesë me Ardita Moravën, me të cilën lindi dhe një vajzë Ana-Maria, së cilës i ka dedikuar një pjesë të librave të tij. Por edhe kësaj lidhje i dha fund vetëm një vit më parë, duke u divorcuar në Gjykatën e Tiranës.