E premte, 27.12.2024, 12:07 AM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Një fshat që nuk e hedh dot në hartë

E hene, 15.04.2019, 12:27 PM


Një fshat që nuk e  hedh dot në hartë

"Imishtasit në Trojet Shqiptare"- Monografi nga YMER M.DOMI

(ese)

Nga Përparim Hysi

Paska një fshat që nuk e hedh dot në hartë. Se harta e Shqipërisë nuk e"nxë" dhe mos kujtoni se po zmadhoj,por kështu është e vërteta. Në këtë përfundim, do të arrijë cilido lexues që do ketë mundësinë të lexojë  librin "monografi" të YMER M.DOMIT. Kur e përfundova librin, isha nën mbresën e një kënge shpotitëse,andej, nga Skrapari (nga Skrapari, kam  rrënjët), që thotë: " Atje poshtë tek larushku/ më i madh dhëndërri nga krushku?!!!). Dhe anologjia shkon. Fshati që nuk e"nxë" harta,është IMISHTI në rrethin e KUKËSIT. "Kartografi" që e hedh në hartë këtë fshat të madh (më të madh se krushku?!!!), është një burrë nga IMISHTI që quhet YMER M.DOMI. Ky, YMER  M.DOMI, është me arsim të mesëm për ndërtim dhe,ngaqë i hanë duarët për ndërtim,  ka vendosur që këtë radhë, të ngrejë një"shtëpi të madhe" ku të strehohen të gjithë "imishtasit" me  kuç e me maç,brenda dhe jashtë trojeve shqiptare. "Shtëpinë e madhe", të madhe (pak si në përrallë) e ka bërë përmjet librit "monografi" që cituam më lart dhe që është objekt i esesë sime. Para se të flas për mbresat e këtij libri, në çmimin tim, duhet bërë një"koregjim": nuk ka shkruar monografi,por ka bërë "ekografinë" e  IMISHTIT dhe imishtasve kudo që rrojnë; kudo që janë vendosur; kudo që kanë lëvizur. Është për t'u çuditur me këmbënguljen, me energjinë fizike, me investimin intelektual dhe, pse mos,edhe me investimin individual financiar. Ka bredhur nga Veriu i Shqipërisë dhe deri në Shqipëri të mesme dhe atë të jugut vetëm e vetëm në gjurmë të bashkëvendasve të vetë. Ka ndjekur dinamikën e lëvizjeve demografike të tyre dhe ka qenë gjakftohtë dhe i paanshëm në qëndrimin e IMISHTASVE në momente kruciale të historisë. Pa qenë historian, është mbështetur në dokumente historike dhe,tek dëshmon në libër, si një studiues që ballin e ka të bardhë, tregon burimin nga e ka"vjelë" të dhënë historike:a është dokument autentik;a është rrëfim gojor nga njerëz të besuar. Tek e ndjek në këtë investim me kaq vlerë,vë re se"lupës së tij vëzhguese" nuk i shpëton asnjë familje e vetme nga  IMISHTI dhe,ndërsa IMISHTI rritet aq,sa kapërcen edhe kufijte e Shqipërisë, YMER M.DOMI, arrin pas tyre: i gjen diku,në KOSOVË; diku në SHKUP apo DIBËR të Madhe dhe jo vetëm kaq: si një shkencëtar i vërtetë (jo  nga ata që servirin "plagjiatura"),flet me siguri kur ka prova dokumentare.

*     *    *

Ai e fillon studimin e tij që nga shekulli  XV-të,paksa si kalimthi dhe me një apologji të sinqertë(nuk ka patur mundësi të shfletojë dokumente në Vatikan apo Stamboll), por nuk ka përtuar të shkojë fshat më fshat ku jetojnë. Jo vetëm ka shkuar,por i ka"skanuar". Si një"referent i gjendjes civile", ka bërë listën e trungut familjar dhe gati-gati ka bërë"ADN" e tyre. Në zonën e KUKËSIT, të Hasit, të Dibrës, të Matit dhe,mandej, në Elbasan,në Shijak,Sukth, në Durrës... për të vazhduar më tutjet në Kuçovë apo  Berat dhe deri në Fier. Kur them kështu, nuk duhet harruar Tirana ku kanë reshperuar shumë prej tyre në vitet e postdemokracisë. Ky është"intenerari" që ka ndjekur, në vija të trasha,brenda kufijve të Shqipërisë. Por ja që"imishtasve" u hanin "brirët" për një jetë të mirë dhe janë ngulur me gjithë familjet e tyre. YMER M.DOMI, nuk ka shkruar me apriori qoftë dhe për këto familje jashtë"trojeve shqiptare". Edhe ai, me qëllimin e  madh për t'i"skanuar" një për një,është vënë në ndjekje të tyre. I gjen dhe bën portretin moral  dhe kontributin që kanë dhënë në të gjitha fushat e jetës.

Ti lexon dhe i sheh në ballë të luftës kundër pushtuesëve sërbë,fashistëve dhe nazistëve. I sheh si punëtorë a bujq shembullorë; si  ndërtues apo si ushtarak; si njerëz të dijeve e të arsimit.

*    *   *

Unë lexoj dhe mbresohem se, për çudi, gjej në këtë monografi njerëz të njohur; njerëz që i kam dashur dhe dua,pa e ditur fare,se këta të"njohur" (nuk janë vetëm nga unë të njohur) qenkan nga IMISHTI. Nëse nuk kanë lindur apo nuk janë rritur në IMISHTË, origjinën e kanë prej andej dhe këtë e mëson nga YMER M.DOMI.

Dhe ja "dëshmia" ime për IMISHTASIT që njoh. PROFESORI I NDERUAR,MAHIR SULË DOMI, nuk qenka nga ELBASANI,por nga IMISHTI. Unë,para PROFESORIT, mu në mes viteve '50-të,si nxënës në ish-Normale të Elbasanit, kam njohur vëllanë e Profesorit,Avninë që luante futboll me Labinotin e Elbasanit. Kur isha ushtar,mesviteve '60-të, nuk harroj KOLONELIN-Shef Shtabi të AK, SULË DOMI që,sado nga Mati, qenka nga IMISHTI. NJë KOLONEL i barabartë nga pozita me gjeneral. Më vonë, jo vetëm unë,por gjithë Shqipëria,njohën një volejbollist me emër, HYSEN DOMI: volejbollist me emër dhe  PERSONALITET plot respekt.

Por mbresa ime zë  e rritet në kufitë e një të papriture të madhe. "Lupa vëzhguese" e skrupolozit,YMER M.DOMI mbrrin në Fier. Po unë jam  fierak dhe në Fier nuk ka "DOM". Nuk ka në Fier,por ka në fshatin  NDËRNËNAS (gabimisht ky i IMISHTËS,thotë Ndërmenas) të zonës së Libofshës. Epo kësaj i thonë:-Hajde, o baba, të të tregojë arat!!!. Popullësia e këtij fshati është e gjitha orthodokse,por YMER M.DOMI i gjen"DOMËT" e tij këtu dhe unë gati bërtas nga habia:-Që nga më të moshuarit e deri ata që rrojnë sot në NDËRNËNAS,janë të njohur të mi. Të vjetërit që kanë ndërruar jetë:LILI DOMI e JANI DOMI dhe pasuesit e tyre: Zariku, Themiu . Vagjeli e Miti Domi që kanë ndërruar jetë,relativisht më të rinj. Unë kam qenë mësues për tri vjet atje dhe nuk ka shtëpi që nuk më pret me krahët hapur.Tani "hipnoza" made in  YMER M. DOMI, më zë mua dhe gati dorëzohem,aq sa dua të bërtas:- Bravo të qoftë! Ke bërë një punë skurpuloze që të nderon!

Duke bërë një shkrim pak të sipërfaqshëm, për"monografinë-skaner" të YMER M.DOMIT. zë e meditoj. Vallë, ç'e ka shtytur, YMER M.DOMIN që të bëjë një"skanim" kaq të skatë për bashëvendasit e tij. Dhe përgjigjem po vet. YMER M.DOMI e do IMISHTIN dhe, pa  asnjë  shpërblim dhe sponsorizim, ka arritur të nxjerrë në dritë një libër me vlerë.Më kujtohet që  një nga ZONJAT e PARA të AMERIKËS,  ELEONORA ROZWELT, ka thënë:- Çfarë njeriu mund të jesh  ti,kur nuk vazhdon të mos japësh kontribut? Dhe ai jo vetëm vazhdon të japë kontribut,duke shfrytëzuar racionalisht kohën. Se jo më kot nuk thonë anglezët:- Gjithmonë ankohemi se kemi pak kohë, por e jetojmë atë sikur ta kemi me tepricë". Për YMER M.DOMIN nuk ka kohë me"tepricë" se, në çdo moment,është duke ndjekur,në dinamik,ku janë ata nga IMISHTI?   Sikur,kalimthi, më rroku syri se një (i vetëm),kish sousur andej,nga Bagdati.  Nëse s'ka vajtur deri  tani, do shkojë nesër. Se nuk lë IMISHTAS të humbë si sëpata pa bisht. Se sa vlera ka ky libër,se sa i domsodoshëm është, mjafton të lexosh  një parathënie nga një NJERI I NDERUAR,siç është PROFESOR SHEFQET HOXHA. Të bën përshtypje dhe të lë një shije të mirë se në libër gjen një shqipe të normës letrare dhe nuk gjen qoftë dhe një shmangie nga kjo normë. Pa dyshim, merita i takon,veç tjerash,redaktorit BESIM M.CENGU që e ka parë me seriozitetin e një profesionisti librin. Dhe në mbyllje: vallë, a ka ndonjë njeri me gjak nga IMISHTI që këtë libër mos  e ketë pronë në shtëpi,si një dëshmi të bukur të origjinës  së tij? Unë,sapo e mora, dhe e uroj autorin:- Me libër tjetër, o YMER M.DOMI nga IMISHTI,atij "fshatit të madh" që nuk e"nxë" harta!

Tiranë, 12 prill 2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora