Kulturë
Kadri Tarelli: Mos e thyej vargun, poet!
E merkure, 10.04.2019, 05:40 PM
MOS E THYEJ VARGUN, POET!
Mos e thyej vargun, të lutem poet!
Poezia, nuk është lojë.
Në do të mbretërosh si mbret,
Lere fjalën, të këndojë!
Pse e thyen vargun, të lutem poet!
Lëre burimin të shkojë.
Gurgullon në udhën e vet,
Dashuri në zemër të zgjojë.
Mos lëndo vargun, të lutem poet!
Pse e bën atë të vuaj?
A e ndjen dhimbjen, si kërcet,
Sikur shkel në dhe të huaj?
Fjala nuk ka faj, të lutem poet!
Pse e bën të çalojë?
Në udhën me gropa, pse e nget,
Dhe kënga t’i mbetet në gojë?
Pse e thyen vargun, të pyes poet?
Për hir të mendimit të lirë.
Modern nuk je, kur vargun e vret,
Si këngë zogu në hapësirë.
Mundon shpirtin kot, poet!
Mos krijo vargje me zor!
Pse ndjek rrugë nëpër det,
kur humb udhën në oborr?
Mos godit vargun, i dashur poet?
Përkëdhele, jepi melodinë!
Në je fisnik dhe mbret mbi mbret,
Dëgjo mbretëreshën violinë!
Kadri Tarelli
Durrës më: 03, fillim Prilli, 2019.