Kulturë
Kristaq Turtulli: Poezi për babanë
E marte, 26.03.2019, 06:23 PM
Poezi për BABANË
Rrodhën dyzetepesë vite,
Baba, që nuk je më.
Shumë vendlindjen e doje,
Gjithçka dhe, për vete asgjë s’kërkoje.
Hijerëndë, me bukuri fisnike
Kur ecje.
Qyteti me respekt kokën përkulte.
Mbasi falje mirësi, bujari, bamirësi nga vetja jote,
Si familje e madhe,
Doje,
Korça të ishte e para ndër shoqe.
Edhe pse mezi të dhanë një varr të thjeshtë...
Por në murin e rrëzuar të ndrydhjeve,
Në shungullimën e shuplakës së kujtimeve,
Në guaskën e mendimeve,
Rrëkeja e djersës pikëlonte si kristal në kalldrëme.
Së bashku me pengun e pathënë.
Dritën e paparë,
Shpresën e vrarë.
Luhatej, përkulej hija jote e gjatë,
I lodhur, i munduar ngjiteshe,
Në rrugicat e kalldrëmta, zemërvrarë...
I heshturi,
i ndershmi,
i vuajturi,
Fisniku, Bamirësi,
Ti: IM ATI.
Natë e ditë si Ante mbartje
Pallton gri, të reve,
Të halleve,
Të persekutimeve.
Qytetasit të verbër, memecë,
Në shkallët e padijes, injorancës ngecën.
Nuk çanë kryet për ty që u dhe bujari,
Krenari, dritë dhe dituri.
Të nëpërkëmbën,
Të mohuan,
Të tradhtuan.
Sa shpejt të harruan!
Të zymtë si nata,
U mbështollën me pelerinën e mërisë.
Gjuhëtharë, sydalë.
Mosmirënjohja më e liga e poshtërsive.
Sëmundje e keqe e zvarranikëve.
Dielli shtyhej në qiell, ngucej mes yjeve.
Heshtje...
Rrodhën dyzetepesë vite,
Baba, që nuk je më.
Ne ikëm kurbeteve...
TI ATJE mbete.
Prandaj më behet sikur palltoja jote,
E gjatë, gri e halleve,
Lëviz të qytetit rrugicave.
Palltoja e vjetër, nuk ka vetëm ty baba nën vete.
Por gjithë botën e madhe...
KRISTAQ TURTULLI