Kulturë
Islam Gegaj: Fetah Sheholli - Akull e zjarr
E shtune, 09.03.2019, 10:26 AM
RECENSION PËR VËLLIMIN POETIK ‘AKULL E JARR’ TË POETIT FETAH SHEHOLLI
NGA PROF. ISLAM GEGAJ
Fetah Sheholli është emër i njohur prej mësimdhënësi që ka shkëlqyer në edukimin e shumë brezave në anën e Llapit dhe ka lënë gjurmë si një nga diejtë ndriçues e ishte lajmëtari për ditë më të mira e për lirinë që do të vinte. Ndjenjës atdhedashurore, prof. Fetah Sheholli ia fali ditët e vitet më të mira të jetës së tij prej mësimdhënësi e krijuesi letrar, si trumbetues i vlerave. Vjen në dorë të lexuesit një vepër e rrallë për vlerat që përmban e për mesazhet përçuese. Në tërësinë konceptuale e përmbajtësore shpërfaq un-in poetik me ndjenjën atdhedashurore të shprehur katërcipërisht, pothuajse në çdo poezi me vargun e ngjeshur e gjuhën estetike. Parë në këndvështrimin e gjerë, vepra ka si lajtmotiv atdheun, lirinë dhe të ardhmen e brezave.
Vëllimi poetik ‘Akull e zjarr’ është i ndarë në pesë cikle, të cilat e përmbushin veprën si një tërësi:
I. Shqiptarizmi-flakadani ynë i lirisë
II. Kafshimi në mjegull
III. Në dhé të huaj ... as lulet s’kanë erë
IV. Çlirimi ... tjetërsimi i madh
V. Prapë shqiptarizmi
Në ciklet e këtij vëllimi poetik përvijohet dashuria e madhe që ka autori për vendlindjen, atdheun me tërë viset arbërore, të cilave u këndon me dufin që e karakterizon prej poeti me formim atdhetar.
Shqiptarizmi-flakadani ynë i lirisë është cikli i parë, filli ndriçues i un-it përcaktues liridashës, që poeti ua kushton rilindësve tanë që e kishin shënjuar. “Përvijimin tonë nëpër portat e shekujve” të shqiptarizmës-flakadanë ndriçues ndër breza me zjarrin prush të ndezur në mendje e në zemra: “gjithmonë gjallë e nuk shuhet”, shprehet poeti që në krye të radhës. Por se vëllimi poetik “Akull e zjarr” jep tërë kuptimësinë e atij zjarri luftarak që shkrin akullin e asaj robërie të pllakosur ndër shekuj në gjithë viset tona iliro-arbërore. Kjo ndjesi përvijohet qartë dhe estetikisht në poezinë: “Shqiptarizmi”, që për mijëra vjet e kishte mbajtur ndezur zjarrin luftarak liridashës. Shpirti luftarak i shqiptarit i shpërfaqur me heroizëm, ndizej e përflakej kur e kërkonte koha, momenti historik i ngjarjeve për t’u bërë: “tmerr e hata” për armiqtë pushtues deri në vetëmohim. E poeti u këndon trimave e trimërive të panumërta, kokave të ndritura të kombit, si Hasan Prishtinës, që kishte lënë kolltuqet në Stamboll dhe parlamentin turk për t’u vënë në ballë të kryengritësve me: “besë e betim, se duhet larguar zgjedha nga qafa, plagë e vrragë e në Dardani, aty të bëhet Dasma e Madhe, aty ku korret gruri, aty të valojë Flamuri” me shkabën dykrenore. Pasuesi i denjë i rilindësve tanë ishte edhe bacë Adem Demaçi, për të cilin poeti thotë:
Eci rrugëve të pashkelura
Gjokshapur ndalte furtunat
Me sy përthekoi hartën e grisur
E duke qenë “beden fortifikate në oborr”, mu atëherë kur “akull e zjarr, s’pipëtinte askush i gjallë”, - thoshte guximshëm me program të shkruar në skëterrën rankoviqiane se: do të bashkohemi me fjalë, o me flakë!- vargje nga edhe rrjedh titulli i veprës. Rrugëtimi i Bacës qe i gjatë e i vështirë: “pash më pash i ra ferrit për të gjetur fillin e për t’u bërë Flakadan lirie, Frymë (frymëzim), besë, shpresë e legjendë”, se qe “Epoka vetë”, shprehet poeti me bindje duke i kushtuar vargjet më të ndjera këtij vigani sypatrembur. Poezia: “Flijimi planetar” kushtuar Adem Jasharit e familjes së tij heroike që: “Nga thellësia e Tokës si vullkan zgjuar trimëria për Diellin e ëndërruar, Tre Breza Legjendarë, bëhen Emblemë e pavdekësisë, Dritë e Flakë në Panteonin e Lavdisë...” një poezi plot duf i kushtohet edhe Heroit, Ali Ajeti, të cilin e kujton: “ulur në bankë i heshtur e përbrenda gacë, vullkan, që s’pajtohej dot me robërinë e zezë katran”, pastaj i rënë dëshmor në krye të Çetës së Llapit. Cikli përmbyllet me poezinë: “Jehonë e gjallë trimëria...” kushtuar Zahir trimit, që: “Pamatshëm të madh e bëri koha me krismat e tytës jehonë, mbetur legjendë frymëzimi e besimi në përjetësi”. Flijimi i trimave qe ideal i përmbushur për liri ngadhënjim, por se një Nëntor i Tretë do që më se i përmbushur, kur Dielli i Lirisë do të na ngrohë si tërësi etnike në një Shqipëri natyrale. Poeti shtron pyetjen:
Gurët etnikë, kush do t’i vërë?
Kush lidh hartën prerë me gërshërë?
Të lumtë ata?
Se: - Gjithmonë do të kenë
Nëntor të Tretë
Shpresë...
Kafshimi në mjegull, nis me prozë poetike: “Bisedë me babën”, shkruar në vitin1966, një muaj pas rënies së Rankoviqit famëkeq, që mban vulën e kohës, por se poeti e ka të freskët rrëfimin e të atit për aksionin e mbledhjes së armëve (1956) dhe maltretimin që u bëhej në shkollën e fshatit, aty ku duhej të ishte rrezja e diturisë, aty kërcistë dajaku. Biseda me të atin “Nën hijen e mollës”, ku i tregohej dhurata me një libër shpërblyer nga mësuesi Osman, i ati do ta ndjente se zgjuarsia e të birit mund t’i sillte probleme: “me atë hyqymet të huaj”, kur të mësonte historinë tonë, për flamurin e shumëçka tjetër ndodhur në robëri. Kafshimi në mjegull, pasqyronte ndjeshëm aspekte të një realiteti të zymtë që po kalonte populli ynë nën trysninë e një politike diskriminuese e terrori të pashembullt që po ushtronte Serbia (Jugosllavia) në kohën rankoviqiane me kufizime të të drejtave tona. Poetin do ta revoltojë edhe moslejimi i valëvitjes së flamurit tonë në vitin jubilar të pesëqindvjetorit të vdekjes së Skënderbeut (1968). Poeti Sheholli me afsh u këndon edhe trevave shqiptare që na ishin shkëputur padrejtësisht nga trungu amtar, si: Ulqinit, - kësaj perle bregdetare; Çamërisë së shenjtëruar mbetur - plagë e hapur në gjymtyrët e atdheut; Iliridës sonë, Shkupit e Manastirit, aty: “ku nisëm rrugën e ndritur me shkronjat tona të alfabetit të shenjtë”; Kështjellës “Rozafa”, nga shihen si në shuplakë të dorës: Kosova, Çamëria, Ilirida, Malësia e Madhe me Krajën, Plavën e Gusinë; Lugina e Preshevës, që: “veç një emër ka: Shqipëri”, - thotë poeti. Së këndejmi dhe vargjet popullore:
Ty Shqipëri të qofsha falë
të kam nënë e më ke djalë
Rrjedhin krejt natyrshëm.
Në ciklin Në dhé të huaj as lulet s’kanë erë, shprehet malli i zhuritur i autorit larg atdheut, i cili kujton me dhimbje në shpirt shumëçka të përjetuar. Kujton mbylljen e dy shkollave të mesme (12.12.1990) në Besianë, të parat në Kosovë etj.
Te cikli Çlirimi… tjetërsimi i madh, jepet shqetësimi për rrjedhjen e jetës me kahje devijante për keqardhje me dukuri negative, si: ligësia, lakmia, hajnia e grykësia. Sikur janë harruar vuajtjet nën robërinë, ndaj bën thirrje për syçeltësi, se: “Përsëri Veriu po fryn e shigjeta helmi po vijnë”. Prapë shqiptarizmi, nënvizohet botëkuptimi i poetit, se:
Nëse të harroj, atdhe
fshima emrin
e nëse të tradhtoj
më digj në zjarr
e mos më jep as tokë për varr
Janë këto fjalë betimi në vetën e parë të autorit.
Vepra “Akull e zjarr” përbën sihariq për lexuesin e pasionuar, se pasqyron një gamë të gjerë ngjarjesh e personalitetesh të kombit në etapa të rëndësishme e shtrirje të gjeografisë së viseve arbërore duke i përshkruar bukur e ndjeshëm me një gjuhë të pasur letrare-artistike, idejshmërisht e përmbajtësisht. Poeti ka përdorur vargun e lirë dhe, herë-herë edhe me rimë, ritëm e thekse thirrmore, si në shprehjet: heu…!, of, medet!, eu.. po, etj si p.sh Heu, Kosovë!
Dhe krejt në fund, vjen urimi: Shëndet e të tjera vepra të vlerës së njëmendtë, i uroj me zemër, Fetah Shehollit, kolegut e shokut tim të idealit!