Kulturë
Blerim Rrecaj: Cakërrima cikërrimash
E hene, 04.03.2019, 07:16 PM
Cakërrima cikërrimash
Nga Blerim Rrecaj
Planeti i muajit mars zbriti me ca ditë të diellta. Të freskëta. Lirike. Që po vazhdojnë. Me ca vrulle të reja, të matura por që vihen re, te njerëzit, bimët, insektet, shpezët, shtazët, te ndonjë kaltëri e këndshme qielli, a nga lagështi e shkrifët toke si të ishte farë çokollate e nxehtë. Fjalët e tingujt muzikorë diku përzihen me fjalë fëmijësh e të rriturish në skenografinë me dritë-hije të diellit të sotëm. Kohë e bukur për të pirë diçka me nge. Diku në një qosh, e mbi krye të rri një gardh i hapur qielli, kjo hardhi e zhveshur me kokrra të rrushi të mbetura nga vjeshta, shumë prej të cilave janë tharë e përtharë. Ja, kështu, po u terka rrushi, mund të na shkojë mendja. Një kalavesh i tillë rri kacavarur në një tel të hollë e këto kokërrushe duken si akrobate që çudisin publikun me një akrobacion të provuar për herë të parë. Premiera vazhdon e "ngrirë" ndërsa ne kridhemi në ca valë paksa të turbullta imagjinate, të cilat i tremb zhurma e një shisheje lënggazuar që padashje bie nga dora. Tashmë ajo rri për pllakat e betonta me pipëzën si pipili që s'ndahet që s'ndahet e përthekon gjysmë e copërave të thyera. Ja, tashmë, thyhet dhe një shishe e tillë e zbrazët, të cilën e thyen dhe e heq njëri nga kamarierët e veshur me një këmishë fringo të bardhë. Vazhdon kjo ditë me cikërrima e cakërrima shishesh, gotash, lugësh e pjatash. Një gjyshe si zemër-roje shkon pas një vogëlushje të vockël me një fjongo të bardhë si flutur përmbi ballë. E puhiza hap e mbyll një fletë të thyer menyje në mes. Puhizësa përkund dhe degët e verdhëllimta ngjyrë ari të dy shelgjeve lotuese të cilat rrijnë si luanesha mikpritëse në dy skajet e portës. "Hajde, shkojmë", thotë një fëmijë i cili merr përgjigjen: "Tash, prit edhe pak..."