E shtune, 21.12.2024, 12:57 PM (GMT)

Kulturë

Murat Gecaj: Driteroi ishte edhe tropojan

E diele, 03.02.2019, 12:00 PM


Dritëro Agolli, me Sadijen e M. Gecaj  (Tiranë, 15 dhjetor 2010)

Nderim, në 2-vjetorin e ndarjes nga jeta:

DRITËROI  ISHTE  EDHE  TROPOJAN…

Nga Prof. Murat Gecaj, Publicist e studiues

1.

Ndërsa po shkoja drejt lokalit  “Vatra” të kryeqytetit, bashkë me kolegun e mikun përmetar Sejdo Harka, po mendoja fakte e ngjarje, që më lidhnin me popetin dhe shkrimtarin e shquar të letrave shqipe, “Nderin e Kombit” Dritëro Agolli. Na kishte ftuar në një veprimtari,  në prag të 83-vjetorit të ditëlindjes së tij, Shoqata atdhetare-kulturore “Devolli”. Vërtet të dy nuk jemi devollinj, por, të paktën mua, më dukej se kësaj here isha nga ajo krahinë.

Përmes  një njoftimi në Internet , kishim mësuar  se, datat 1-13 tetor 2014, ishin caktuar “Ditët e Dritëroit”. Pra, dhe ajo mbrëmje ishte pjesë e veprimtarive të parashikuara. Gjithashtu, do të organizoheshin festime të larmishme dhe të bukura, që nga fshati i tij i lindjes Menkulas. Aty, shkollës 9-vjeçare iu dha, me me ceremoni, emri tij, shoqëruar me një film dokumentar, me përurime librash të rinj etj.

Kur hymë brenda, në një sallë të madhe, të mbushur plot, kryesisht  me të ftuar devollinj, vërejtëm se ajo gumëzhinte dhe secili prej tyre po afrohej përreth tavolinave rrumbullake, mbushur me mezera, pije e fruta. Ky mjedis shoqërohej edhe me muzikë gazmore.

Kur u rehatuam pranë një tavoline, me Sejdon dhe poeten elbasanase Lida Lazaj, erdhi të na përshëndeste poetja tjetër Eli (Eliverta) Kanina. E takonim për herë të parë atë, por me çiltërsinë dhe gazmendin e mikpritëses, na u duk se njiheshim prej kohësh. Pastaj, ajo na solli aty e na njohu me  vajzën, Sabinën dhe një djalë të saj vogëlush. Sakaq, duke na kërkuar lejë të uleshin, tavolina jonë u mbush me çifte devollinjësh ose jo. Ndër ta, ishte edhe Seladin Ago, i cili m’lut t’i bëja një fotografi-bust,  sa më të mirë, pasi do t’ia dërgonte së bijës, që jeton në Paris. Se foto të tjera bëmë shumë, si në tavolinën tonë, por dhe te të afërmit e Elit, të anëtarëve të kryesisë “Devolli”,  kur pjesëmarrësit hidhnin valle e këndonin etj. Si gjithnjë të papartuar ishin edhe Ervehe Baruti, që kujdesej për botimin e gazetës së  krahinës, “Devolli” dhe Enveria, motra e publicistit e kineastit të njohur, Fuat Memeli, që tanimë jeton në Boston të Amerikës.

Ishte mbrësëlënëse, kur  këtë veprimtari e hapi kryetari i Shoqatës “Devolli”, Guri Seferi dhe, pas tij, përshëndetën disa të tjerë. Ata përmendën, sigurisht shkurt, meritat e shumta të birit të madh të krahinës së tyre, që është dhe i tërë Shqipërisë, Dritëro Agolli.

2.

Siç e shkrova më lart, në veprimtarinë e mësipërme vërtet e ndieja vetën sadopak edhe devolli, por edhe personazhin kryesor të saj, pra kryetarin e nderit të Shoqatës “Devolli”,Dritëroin  e ndieja se ishte edhe tropojan. Me të drejtë, dikush mund të pyesë: “Mirë, pa na e sqaro pak më shkoqur këtë mendim tëndin?” Dhe ja,  pa m’u ndalur goja e pa u menduar gjatë, do të nisja t’i rreshtoja ndodhitë e ngjarjet, që e afronin aq shumë atë me vendlindjen time, Malësi e Gjakovës (Tropojë).

E kam njohur birin e  shquar të krahinës së Devollit, publicistin, poetin dhe shkrimtarin shumë të afirmuar, Dritëro Agolli (13 tetor 1931-3 shkurt 2017), qëkur isha i ri dhe ai ishte redaktor në gazetën e kohës, “Zëri i Popullit”. Me prirjen për të shkruar sadopak, kisha nisur dhe unë të dërgoja aty njoftime të shkurtëra, nga jeta shkollore në kryeqytet. Pastaj, kur shërbeva vetë në gazetat e kohës, “Pionieri”, “Bashkimi” e “Mësuesi”, lidhjet tona ishin të pashkëputura. Por edhe kur më dërguan “vullnetar” në vendlindje, në vitet ’60-të të shekullit të kaluar dhe punova mbi 7 vjet me rininë e kulturën, Dritëroi erdhi atje me shërbim dhe, sigurisht, kjo gjë na solli kënaqësi të përbashkët, kur u ritakuam.

Kur punoja redaktor në gazetën “Bashkimi”, Dritëroi shërbente në Lidhjen e Shkrimtarëve e Artistëve. Pra, ishte një vend, ku edhe bashkëkrahinasit e mi krijues gjetën përkrahje dhe mbështetje prej tij, që të shkruanin e botonin. Më kujtohet një rast, kur isha me punë në gazetën “Mësuesi”, ku kishte qenë pararëndëse bashkëshortja e tij, Sadija. Gjatë një vizite të këndshme dhe të paharruar në shtëpinë e tyre bujare, Dritëroi iu drejtua asaj: “Sadije, na sill nga një gotë raki!…”.  Sigurisht për të bërë humor, që ai e kishte gjithnjë dëshirë të vetën, fola: “Unë nuk e pi rakinë, Dritëro!…Pra, a e ke për veten a për mua?” Ai nuk u mendua gjatë dhe ma ktheu, aty për aty: “Për të dy, së bashku…”. Qeshëm të tre dhe pastaj biseduam për tema të ndryshme. Ndër të tjera, ai më foli me shumë dashamirësi për krijuesit tropojanë. Shumë prej tyre i njihte me emër dhe disave ua kishte lexuar librat ose kishte bërë shënime për ta. “Janë mjaft të talentuar tropojanët,-u shpreh Dritëroi.-Dhe jo vetëm të rinjtë, por dhe paraardhësit e tyre, ndër të cilët respektoj dhe po përmendi rapsodin Sokol Arifi, këngëtaren  Fatime Sokoli e të tjerë.  Është ajo natyrë aq e bukur dhe ai popull aq trim  e liridashës, fisnik dhe mikpritës, që i frymëzon ata…”.

3.

Nuk dua të zgjatem, në këtë shkrim timin modest, në nderim e kujtim të  emrit dhe veprës së p-aharruar të Dritëro Agollit.. Po, përkitazi me mendimin e fundit, dëshiroj ta tregoj edhe këtë fakt. Si shprehje të nderimit dhe respektit të veçantë, që ka patur e ka gjithnjë edhe piktori, poeti e shkrimtari Agim Mërturi,nga një krahinë e thellë malore e Tropojës, ai ka hartuar  një poezi të frymëzuar, me 23 strofa. Atë e ka titulluar “Zemër që nuk plaket”. E ka shkruar në vitin 1998, pra kur Dritëro Agolli ishte 67-vjeçar. Ajo është e thjeshtë, në dukje si rapsodi, por vargjet i kanë dalë nga zemra poetit malësor. Përmes tyre ka përmendur edhe titujt e librave kryesorë të Dritëroit:

“Gjithë Shqipërinë/ ka shëtitur, bredhur,/ rreshta dhe vargje,/ në letër duke hedhur…”.Ndërsa më tej: “Gjithçka për  Atdheun,/lavdinë e këtij trolli,/me firmën e madhe:Dritëro Agolli”.

Pra, parandjenja e Agimit, në titullin e asaj poezie, ishte e saktë. Se, më pas, Dritëroin e kemi pare, sa e sa herë, si në veprimtari letrare ose jo në kryeqytet; ai ka publikuar në shtyp dhe ka folur aq bukur në televizionet tona etj. Ndër të tjera, bashkë morëm pjesë në festën e 80-vjetorit të ditëlindjes (tani të ndjerit), prof.Alfred Uçi-Akademi.Aty ai ishte me Sadijen dhe aty fiksuam një fotografi, me të cilën po e shoqëroj këtë shkrim të thjeshtë..

Në mbyllje të këtyre radhëve, pa përmendur shumë dëshmi e fakte të tjera, përsëri po nënvizoj me krenari të ligjëshme se: “Dritëro Agolli ishte edhe tropojan…”.

Tiranë, 1  shkurt 2019



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora