Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Kosova e mallkuar dhe Shami i shenjtëruar
E premte, 01.02.2019, 09:56 PM
Kosova e mallkuar dhe Shami i shenjtëruar
Nga Gani Mehmetaj
Kosova është vend i mallkuar, ta braktisim sa më parë, flisnin pareshtur hoxhallarët në fëmijërinë time. Dhe këto biseda pastaj ua bartnin në xhami, në dreka morti a varrime.
Njerëzit rrinin të shushatur, të pikëlluar, nuk ishin të gatshëm ta braktisnin vendin, nuk kishin pse shkonin në tokën që s’dinin si është, edhe pse hoxhallarët ua përshkruanin parajsë ku rrjedh qumësht e mjaltë. Disa e kundërshtonin, shumica heshtnin, ndonjëri ia tumirte Unë hapja sytë dhe ndiqja bisedën, ndërsa ata vazhdonin të tregonin fjalët e hoxhës: - aty ku nuk ka shkel këmba e Muhametit nuk është vend për myslimanë, u thoshin atyre që përndizeshin pas marrëzisë fetare. Krahas hoxhës vepronte terrori i policisë serbe që i gjymtonte shqiptarët me tortura.
Mulla Jusufi, një hoxhë nga Peja, sikurse qindra hoxhë të tjerë organizoi shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. UDB-ja i premtuan se do ta kthenin me t’i vendosur fatkeqit në Stamboll. Mirëpo nuk ia lejuan kthimin, sepse nuk u duhej më. Edhe sot bëjnë humor me fatin e këtij hoxhe që deshi t’ua bënte varrin të tjerëve, ndërsa ra edhe vet në te.
Hoxha tjetër e lavdëronte qytetin “e shenjtë” Shamin (Damaskun) , ëndrrën e beduinëve. Dhe mijëra shqiptarë ikën në Damask si beduinë. Secili prej tyre kur i takova dy herë në Damask e Alep para tridhjetë vjetësh e kishin prapa rrëfimin për hoxhën e katundit a të qytetit që i kishte mashtruar. Të njëjtin veprim të pistë e kishin bërë edhe hoxhallarët nga Shkodra, sepse takova edhe shkodranë të mashtruar nga mbetjet otomane.
Damaskun e lavdëruan pas çlirimit (1999) edhe nipat a bijtë e hoxhallarëve spiuj të UDB-së. Por tash i rekrutonin në një luftë të pistë fetare, ku këta shqiptarë nga Dardania e Shqipëria lanë kokat në luftë e gratë e reja në duart e pista të arabëve. Fëmijët po ashtu ua morën arabët.
Shumica e hoxhëve si nën pushtimin serb si tash bëjnë veprime të pista.