Kulturë
Nexhat Halimi: Më vrit mami
E marte, 29.01.2019, 08:17 PM
Nexhat Halimi
Më vrit mami
Mami, m`i nxirr gishtat nga zjarri
M`i kruaj buzët e çara me satër;
Dhe, sapo të vijë pranvera
Lojën time nise ti para derës së oborrit
Mami, më vrit mami
Për hir të ëndrrës së vdekur
Pisha ka thyer të gjitha degët
Me gjak të ruajtura ndër vite
Ujku shikon qiellin e ulërinë në kodër
Në harkun e errët tymon një kasolle
Hëna e djegur fle mbi degë.
II
Shtrydhi gjinjtë e shterur
Pak tambël për buzët e mia mami
Pak bukë për qenin e shurdhër
Thyeje prej krahut tënd
Mami, vraje qenin mami
Kuis i çartur mami, apo mami
S`më le të ëndërroj mëngjesin
Tamblin e gjinjve të tu që s` është
Tamblin që kurrë s` do të kthehet
Në harkun e errët një fjollë tymi
Një ofshamë që rrënon shpirtin
Një dhembje që thyen eshtrat e vjetër
Pisha ka thyer tëra degët.
III
Baba s`patëm kurrë, mami
Vetëm emrin ia patëm për farë
E vraftë koha e vet e verbër
E vraftë largësia, mami
M`i fut gishtat në gjinj, mami
E pasi të më ngrohen më vrit,
Ky është çasti i përjetshëm yti
Të ma plotësosh dëshirën, mami
Se kurrë më, kurrë më, e gjora ime,
Nuk do të më gjesh të ngrohtë
Vraje qenin njëherë, mami
E pastaj, mami, më vrit mua!
IV
M`i fut gishtat në gjinj, mami
E pasi të më ngrohen më vrit
Ujku do t`ua ngul dhëmbët reve
Tymi i oxhakut të kasolles së vogël
Vizaton ëndrra në qiellin e zi
Pisha ka lëshuar degët e vjetra
E heshtur laget në shi të ftohtë
Dhe, asgjë më pos syve të vogëlushit
Në pritje memece të babait të ikur
Që i ka premtuar bukën e largësisë
Dhe, asgjë më pos qenit të vrarë
Nga ende kuis i uritur mbi hije
Me sy të çelur nga qielli i verdhë.
fyelli dhe hiri
duke e kujtuar beqar musliun
a është e zezë bukuria njëmend
qiri nga digjet bri trëndafili
The është e zezë dhe qe ngaqë ra dhe syri
iLiria nga tërhiqej në zinxhirë të rëndë
ndërmjet figurës së vjetër dhe metaforës
tokës së rizgjuar nga mishi e fluturimi
deri te kroi i gjakut memec
një metaforë për fyellin e hirin
një figurë për ujin që s` pik gurit
bukuria natyrisht është e zezë gjithnjë
po qe se s`do ta ketë kokën e vet
po qe se s` do t`i ketë duart kurmin
gjithsesi sytë e zemrën domosdo këmbët
pa shpirtin nuk lëviz rrota Them
kot digjesh kaq vjet dhe zgjon hirin
a është e zezë njëmend bukuria ngaqë ra ja
gjakut ra deri te varri yt i gjallë
e çeli bozhuri i ashtëruar i fjalës