Kulturë
Armela Hysi: Milla Bala - Poetja, artistja, gruaja, nëna, mikja dhe njeriu i mirë që njohëm dhe dashuruam
E diele, 20.01.2019, 05:43 PM
Milla Bala
Poetja, artistja, gruaja, nëna, mikja dhe njeriu i mirë që njohëm dhe dashuruam
Nga Armela Hysi
Gjithmonë në këtë perjudhë fillimi viti, kujtoj me mall një mike që u nda shpejt nga ne, si dhe një poete pasionante që ka lënë gjurmë brenda meje. Kam pasur përherë një peshë borxhi në mendje dhe dëshirë, të shkruaj diçka për Millën, sidomos sepse, në botën e internetit, nuk gjej diçka për të, dhe rolin e saj në fillimet e organizimit të shkrimtarëve dhe artistëve emigrant në Greqi. Për poezinë e saj dhe për patriotizmin. Për dëshirën e madhe që kishte të takohej me miq që e njihnin si poete dhe si njeri të letrave, ndaj udhëtonte nga larg dhe na mallëngjente me dinamizmin përçues dhe çiltërsinë bujare. Në librin tim të katërt me poezi, “Ndoshta”(Toena 2010) disa vjetë pas largimit të saj i kushtova një poezi tjetër Millës. Bashk-udhëtojnë me ne njerzit e mirë, artistët e dashur, shpirtrat e dlirë... Sot shikoja disa faqe të zverdhura të Gazetës së Athinës, disa aktivitete të herëshme, disa foto bardhë e zi dhe shumë, shumë foto ku Milla është gjithmonë e qeshur dhe fisnike. Dhe sytë e saj të kaltër, të mëdhenjë aq të bukur! Diçiturat poshtë fotove nuk harrojnë t’i drejtohen kësaj buzëqeshjeje. Dhe gjithmonë cilësohej se Milla kishte udhëtuar 16 orë (nga ishulli Kos) me traget enkas për këtë aktivitet. Sa e sa aktivitete, sa e sa udhëtime dhe ajo përherë pranë nesh – përherë e qeshur. Dhe përherë e afërt. Edhe në faqet që iu kushtuan fiks 14 vjetë më parë në 15 janar 2004, një faqe e rrethuar me shiritë të zi, ku të gjithë ne miqtë e saj, shkruanim të mundur prej dhimbjes nga një lamtumirë fjalë-pake, ajo pozonte sërish me buzëqeshjen e saj dritësjellëse.
Nuk i kam të gjitha faqet që i përkushtoheshin kësaj date Millës. Koleksioni i plotë me gazetat që ruaja prej vitesh, si një dokumentacion historik që besoja se do i shërbente ndonjëherë të paktën fëmijëve tanë, për njohje; në një incident shumë të thjesht dhe të rëndomtë për shtëpitë pa shumë garanci të emigrantëve, humbën për t’i lënë vend një tjetër dëshpërimi; disponoj një pjesë të atyre faqeve që kam patur shkrime të mijat, që i kishte ruajtur ime më me dashurin dhe përkujdesin që e karakterizon, prandaj të më ndjejnë të gjithë letrarët dhe miqtë e Millës që s’mbaj mend se kush tjetër kishte shkruar për Millën atë ditë, por do përmend vetëm atë që disponoj. Shkrimet e faqes 12, ku drejtori i Gazetës së Athinës z. Robert Goro që njoftonte këtë lajm dhe këtë përkushtim për poeten dhe shumë shkrimtar të tjerë derdhnin pak nga kujtimet e tyre dhe shumë nga hidhërimi për humbjen e saj. Po i rikthehem plotë nderime për kujtesë. Është një shkrim i gjatë, por dhe një dëshmi për jetën e saj, sepse miqtë që bëjmë në jetë, janë ç’na karakterizon.
Milla Bala
Jetë poetike
Nuk kam kohë të zbukurohem
Të vë krem, rimel tek sytë
Brenda meje poezia
Grindet që të dal në dritë.
Që kur është në embrion,
Siç janë foshnjëzat në bark,
E mbërthyer këmbë e duar
Siç mbërthen gjahun një çark.
Dhe s’më le të bëj një çap,
Me një shoqe a një shok,
Kur të lindë e di mirë
Do hedhë dritë në këtë botë.
Më gjykon më bënë fërtele
Brenda ligjit poetik
Më thotë zhduku moj dembele,
Po më linde raketik!
Loz me mua lozonjarja,
Më merr gjumin, qetësinë,
Ja ashtu, siç bënë dhe foshnja
Në mesnatë kur do pijë.
Dhe më flet gjuhë të saj,
Në do mua, harro veten,
Brenda meje kur të rritem,
Do të gjesh Milla poeten!
MILLA BALA
Shkëputur nga Gazeta e Athinës nr.248; janar 2004
Petale të Bardha
Nga poetja
Eglantina Kume
Kushtuar Milla Balës
Ti ike e zemëruar me vetminë...
Udha të humbi,
siç kish humbur dashuritë e tua.
Agimi i ditës së re ish i çveshur
dhe pauzat e gjata të dëshpëritmit
u tendosën në mbretërinë e qetësisë...
Pak minuta heshtje për ty Milla!
Petalet e bardha të lules
i lëkund era e ftohtë e janarit,
ato çelin, bien në heshtje e çelin
përsëri...
Pak minuta heshtje Milla,
Për ty...
EGLANTINA KUME
Janar 2004
Shkëputur nga Gazeta e Athinës nr.248; janar 2004
Duke zbardhur
Vesa sot ka ardhur në formë petalesh të bardha
Lulesh. U dëgjua zëri i saj i qetë
Në dhomën e errët perde-puthitur.
Ajgëtova verbtasi siluetën e saj të ujshme
Pranë shpinës së krevatit ku isha falur
Ëndrrave. Djersët rrokulliseshin mbi ullukët
E vijëzuar të trupit tim kockeshkët.
Mbi gjakësinë e turptë, fjalët jehonëlehta
fshikullonin faqeve,
Duke u larguar butë, tej horizontit
Të mallëngjyer të faljes.
Zilja e telefonit thërrmoi mbi habinë time
të shtrirë
si parashutë, aureolën e mirazhdë të absurdit.
S’ka mundësi i ulërita i ndërkryer receptorit
Ajo...sapo qe këtu me mua.
ARMELA HYSI
Tetor 2002
Shkëputur nga Gazeta e Athinës nr.248; janar 2004
Botuar në librin “Amazonë prej reje” Armela Hysi Toena 2005
Gruaja e lindur poete
për poeten Milla Bala
nuk e la pikëllimin të valëzoi liqenet
qerpikëzinj
mbi ballin e saj të kthjellët
në zgripin e një historie të zbardhëllyer
dashurie
preku me bulëzat e gishtave
telin e tendosur të harpës
shtrirë mbi lashtësinë e ngurtësuar të Egjeut
dhe u largua mbi jehonën e butë të tingullit
si mbi një kal të bardhë flatra-praruar.
s’kemi për ta njohur ndoshta
kur të ulet si flokëz bore
por do ta duam gjithmonë njësoj
për të nxehur vargun e mardhur.
Janar 2006
Nga libri “Ndoshta” Armela Hysi; Toena 2010
Lamtumirë Milla
Këto ditë u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë, mikjadhe shoqja jonë e mirë, poetja Milla Bala. Milla e nisi udhën poetike nëpër faqet e gazetës “Pionieri” e “Letrari i Ri” i shkollës. Mbaroi studimet e larta për Gjuhë-Letërsi shqipe. Ka shkruar poezi, librete estradash dhe teatri për fëmijë: “Sy e zemër si shqiponjë”; “Boçëzat e bardha”; “Forca jonë” etj. Është fituese në konkursin kombëtar të letërsisë për fëmijë me poemën “Forca jonë”. Është anëtare e hershme e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë dhe për shumë vite, Kryetare e Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve të Krujës. Si shumë bashkëatdhetarë mërgoi dhe ajo në Greqi, ku u vendos nën ishullin Kos. Në vitin 2001, botoi vëllimin poetik “Mallëngjime”, ndërsa la në proces botimi librin tjetër poetik “Mbretëresha e Egjeut”.
Duke ndarë dhimbjen tonë të thellë për humbjen e Millës, i shprehim dhe familjes ngushëllime të sinqerta.
Klubi i Shkrimtarëve “Drita”
Shoqata “Miqtë e Fjalës së Lirë”
Shkëputur nga Gazeta e Athinës nr.248; janar 2004
Shumë larg vdekjes
Në Pragvitin e Ri 2004 iku nga jeta poetja Milla Bala ... ...* Luftoi me vdekjen për afro tre muaj në spitalin “Sotiria” të Athinës, duke patur besim tek jeta. Veç djalit e vajzës që s’iu ndanë asnjë çast, nuk i munguan as shoqet e shokët e saj të shumtë... Milla ishte poete, i donte njerëzit dhe e donte jetën si poete...Vdekja ishte shumë larg saj. Jo poezi, por asnjë varg i millës nuk e pranoi fjalën vdekje. Kishte frikë? Jo! Edhe ne miqtë e saj e dinim këtë... E nënvleftësonte? Po! Edhe vetë Vdekja e kish ndjerë, në gjithë vitet e jetës së saj, atë nënvleftësim përbuzës deri në harrim... Ndaj e rrëmbeu befas, kur donte më shumë se kurrë të jetonte. Në çantën e vogël mbante disa fotografi me portretet e dy fëmijëve të saj – prindër...mbante dhe bllokun e “këngëve të shpirtit” që s’i mungonin kurrë... “Ekziston vetëm një vdekje, Ajo që qarkullon me sandale gome brenda gjoksit” shkruan poeti... Dhe vdekja e Millës ishte më e fshehta, më e pathëna, më e pavlera... Në gjoksin e Millës ç’bënte vdekja? Ecte këmbëzbathur pa arritur dot që të hypte në fronin e pushtimit, pa arritur dot që t’i pushtonte frymëzimin...
“Nuk kam frikë, që të mbyll sytë
Dhe të prehem në qetësi,
Nuk kam frikë as arkivolin
Që të mbron nga erë e shi.
Edhe lulet me kurora
Do ma shtojnë bukurinë,
E përjetëshme aroma
Do të mbetet në çdo stinë...
E di mirë ku rron poeti,
Nuk ka forcë që ta treti...”
Akoma nuk po bindem se Milla nuk është më mes nesh. Inercia e jetës është më e besueshmja nga gjithë inercitë për njeriun... na duket se do e shohim diku, do e dëgjojmë duke recituar poezitë e librit “Mbretëresha e Egjeut”. Na duket se dëgjojmë ato fjalë që tha mes lotësh, para tre vjetësh, aty te “Kafe Gjirokastra” kur mori kartën e “Dritës”: “Tashti që jam mes shokëve-poetë mori kuptim jeta ime!” Ajo që i jep kuptim jetës, i jep kuptim dhe vdekjes. “Vdekja është e ëmbël si dashuria, prandaj nuk duhet të kesh frikë prej saj” shkruan Pushkini. Mos ajo që të mungoi në vitet e jetës nxitove ta kishe tënden në vitet e pasjetës?! Mos këtë sekret-jete e more me vete për ta pirë me fundë edhe atë “kupë dashurie”?! Apo që kur të vijmë ne aty ta gjejmë “tavolinën petike” të shtruar?! Ne shoqet e Tua të falenderojmë dhe nuk ta falim këtë nxitim.
*detaje nga jeta që u thanë në shkrimin e mësipërm dhe i hoqa për arsye ekonomije kohe të lexuesit – shënimi im a.h.
THANAS JANI
Kryetar i Klubit “Drita”
Shkëputur nga Gazeta e Athinës nr.248; janar 2004
Në një pikë loti...
Disa herë fillova të gërvisht letrën e bardhë me majën e stilografit. Gjurmët e tij më duken si lotë blu, kurse frazat “me një antar më pak...klubi “Drita”... , ...hidhërim i thellë”; janë aq të vrazhda e pajetë, sa dhe egërsia e honit ndarës. – Nuk është e mundur, - i thash zërit të dëshpëruar të Nase Janit nga telefoni. – Unë i kam blerë dhe dhuratë për Vitin e Ri... Ekzistojnë momente kur njeriu revoltohet ndaj ligjeve të qiellit dhe nuk mund t’i pranoi, ose vetë truri ndalon me dashje të besoi të vërtetat e mynxyrëshme duke i lënë ato të depërtojnë pak nga pak, që të mos shokohet e të prish balancat e perceptueshme. Pa dyshim që jemi të gjithë të vdekshëm, por nuk mund ta pranojmë në veten tonë të largohen njerëz që e duan aq shumë jetën, që luftojnë për të; njerëzit e bukur.
Aha! E ke ti Milla këtë – i buzëqeshi im shoq Dardani, një mbrëmje, në dhomën e spitalit, - mallëngjehesh kur flet për njerëzit, - ndërsa pamë një rrëzëllitje lotësh, në sytë e saj; duke u referuar në ato raste kur Milla merrte fjalën dhe përlotej me një mallëngjim të veçantë.
Sepse lumturohem, - tha ajo, - që ju shoh të gjithëve bashkë. Tek ajo pikë loti, jeni secili nga ju dhe malli im që jam larg e s’ju shoh çdo ditë, po dhe që ju kam brenda vetes në çdo moment.
...
Disa orë më vonë një thirrje e dytë telefonike më gjeti në atë zakonin egoist të njerëzve që qajnë kur hidhërohen. – Ledi lindi vajzë... jeta vazhdon. Milla la historinë e vet në të dhe ne do ta gjejmë sa herë të na mungojë, aty ku e njohëm për të parën herë, në librat, vargjet e saj.
ARMELA HYSI
Shkëputur nga Gazeta e Athinës nr.248; janar 2004
Kur Milla na mungon...
Milla ti nuk je më, ti zog që fluturove kaq papritur dhe le bosh një pjesën tonë duke ikur. E kam të rëndë të them këtë duke të pritur. Ti i doje të gjitha dhe baltën dhe gurët, detin e mbi të gjitha njeriun. Ti që i rrije Egjeut aq pranë dhe me pëllëmbët e tua i trazoje valët duke u quajtur “mbretëresha” e tij dhe ai të pranoi. Si ta përballojmë ikjen tënde, lamtumira na vret nga pak të gjithëve, kështu siç vjen e papritur, kapriçoze, inatçore dhe na rrëmben njeriun tonë nga krahët dhe fluturon në qiell. Sikur ikën deti nga ty Milla, ai Egje që të dha strehë për 12 vjet kur ike në kërkim të një atdheu tjetër. Por ne nuk lamë mallkim pas dhe atdheun e parë e deshëm sa jetën. Ti grua që rri tani në një shtrat ajri dhe fluturon si zog qiejve të pafund, ti grua që më bëhet të të krahasoj me poeten e luftës heroike për jetën Emili Dikenson. Ti ku je tani Milla – shoqja e të gjithë poetve, dashuria jonë që do na mungojë. Në ç’qiell dhe mbi ç’re vallë, ti që shkrove gjëra të mrekullueshme. Dhe pasioni i egër i të shkruarit na mbyti në atë lum të rrëmbyer që valëve të tij fare pak mundën t’i rezistonin.
Ti kishe një jetë që i ngjante aq tepër asaj të Cvetajevës dhe sfida të tëra i fitove përveç vdekjes. Por edhe atë tani pothuajse e ke fituar. Ja ne po të presim, Egjeu të dërgon një valë të ledhaton duart e tua dhe ne të dëgjojmë ato poezi të ëmbla e agresive njëkohësisht ndaj padrejtësive që ne me vargun tonë nuk i mundëm. Ti bijë e poezisë vetëm fle. Fli për t’u zgjuar Milla dhe ne kemi plotë kohë për të të pritur. Ti na dhe të gjithëve gjithçka pate, kohën që shkund pluhur duke vrapuar ne nuk e kemi dot në dorë. Ajo vrapon dhe na bënë nder duke na mbajtur në qiell si zogj.
Ti tani je ëngjëll. Dhe kjo në një farë mënyre është ngushëllimi ynë që do ta shohim në terr ikjen. Ti në një libër ngrite një perde dhe ne pamë botën tënde dhe duam më tepër të njohim. Ti duke nxituar nga Athina në Kos e anasjelltas, nuk e prisje dot kohën e ikje.
Milla, mikja jonë që të dhamë aq pak si shpërblim për dashurinë tënde të madhe që ti kujtdo pa kursim ia fale. S’kemi ç’bëjmë më tepër veç të të kujtojmë, ti çojmë fjalët e tua të bukura sa më shumë tek njerëzit, të kthej kohën nga ty atdheu i lodhur dhe t’i falet poezisë tënde, ti lirikë rrebele dhe e sinqertë gjer tek petalja e lules që dridhet nga era. Ti ëndërr e bukur e njeriut, e vuajtjes dhe e shprezës. Të kemi borxh shumë por ti na i fale të gjitha duke fluturuar në qiell.
Atëherë lamtumirë përgjithmonë dhimbja jonë e pashërueshme!
STEFAN MARTIKO