Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjekë Gjonaj: Themelimi i Komunes se Mevetesishme te Tuzit, suksesi i vetem i shqiptareve ne Malin e Zi ne vitin 2018

| E hene, 07.01.2019, 09:00 PM |


Themelimi i Komunes se Mevetesishme te Tuzit, suksesi i vetem i shqiptareve ne Malin e Zi ne vitin 2018

Nga Gjeke Gjonaj

Shqiptarët në Malin e Zi, bashkë me qytetarët e tjrerë e përcollën  vitin 2018.  Trevat etnike ku jetojnë ata, si në Ulqin, Tivar, Podgoricë, Malësi- Tuz , Plavë , Guci e Rozhajë,  në vitin që lamë pas nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim pozitiv .  Shqiptarët as  ne vitin e kaluar  nuk arritën ndonjë sukses që meriton të shënohet e të vlerësohet,përveç themelimit të Komunës së Pavarur të Tuzit, si në planin ekonomik, politik, kulturor, ashtu edhe në fushën e    drejtave elementare si popull autokton, të drejta këto të parapara me Kushtetutën e Malit të Zi dhe të garantura me Konvetën Ndërkombëtare.

Në vitin e krizës politike, të polarizimeve, arrestimeve për tentim te grushtetit, per  krim të organizuar, vrasje të klaneve të ndryshme,  protestave, ndarjeve, përçarjeve   të mëdha të shoqërisë   pozita e shqiptarëve në Mal të Zi  si pakicë autoktone jo vetëm se nuk ishte e  kënaqshme, por  dhe  për fat të keq   vazhdon të jetë shqetësuese dhe e pazgjidhur.

Shqiptarët  , pra, në mjaft aspekte kanë mbetur   me halle e shqetësime te vjetra. Ata  kanë shumë probleme të pazgjidhura.   Statusi  tyre  politik dhe socio-ekonomik nuk po përmirësohet në masën e duhur. Andaj shqiptarët me të drejtë  shprehen  të pakënaqur me të arriturat  e tyre në vitin e kalaur. Domethënë viti 2018 për  shqiptarët  pothuaj nuk solli  diçka të  kënaqshme  në aspektin zhvillimor. Kanë munguar investimet e reja. Madje edhe ato të premtuara në fillim të vitit  nga klasa politike.  Shumë pak për të mirë ka ndryshuar.  Shumë   çka për të keq ka mbetur pa u realizuar, si rritja e pauneëise së popullatës shqiptare, varfëria, migrimi dhe emigrimi, zvogëlimi i numrit të nxënësve në shkollat e qytetit dhe nëpër fshatra, rrugët e paasfaltuara lokale, mungesa e ujëjellësit në shumë lagje, zona fushore e malore,  mungesa e qarkullimit te transportit ndërurban, mungesa e pjesëshme e energjisë elektrike, mosfunksionimi si duhet i  sistemit të kanalizimeve gjatë shirave e problemeve që i rëndojnë me vite qytetarët shqiptarë dhe të tjerët.

Në aspektin politik mund të thuhet  pa hezitim se viti 2018  për shqiptarët nuk ishte i suksesshëm. Edhe në këtë fushë, u përsëritën problemet e vjetra në mes klasës sonë politke të cilat  tashmë janë të njohura dhe s’ka nevojë tëtheksohen  nga viti në vit.  Politika shqiptare   vazhdon  të meret më shumë  me vetvete se  sa te arrijë të  jetë e bashkuar në shumë kërkesa të shqiptarëve. Këtë ndasi e përçarje të faktorit politik shqiptar po ashtu vazhon ta  shfrytëzoje  pushteti  dhe opozita që të zbusin, respektivisht të mos realizojë  kërkesat  e shqiptareve.

Shqiptarët në  Malin e Zi në vitin 2019 trashëguan   shumë probleme të pazgjidhura. Po përmendim decentralizimin e pushtetit në shumë fusha, veçmas në arsim, Liigjn zgjedhor me të cilin  shqiptarët në zgjedhjet parlamentare të 16 tetorit 2016  kanë arritur të marrin vetëm një deputet,  Ligjin  mbi përdorimin e lirë të simboleve kombëtare,  kthimin e   pronave shqiptare, asimilimin,  shpërnguljen  e shqiptarëve, punësimet proporcionale të shqiptarëve  në institutucionet shtetërore, shkollimin në gjuhën amtare në nivelin uuniversitar, investimet  e qëndrueshme në trevat ku jetojnë shqiptarët etj. Prandaj viti  2019-të  është një mundësi e re, një shpresë e re për të bërë gjërat e duhura në drejtim të përmirësimit të jetës së shqiptarëve dhe të popujve të tjerë në këtë shtet multietnik. Është koha që pushtetarët dhe i gjithë spektri politik të  jenë më afër  qytetrëve të vet dhe të sjellin ndryshime pozitive në jetën e tyre.

Shqiptarët , megjithatë, shpresojnë  se ky vit që erdhi do  të jetë  vit i shërimit të plagëve të vjetra   të vitit që sapo e përcollëm  dhe të sjellë më shumë mirëqenie ekonomike, më shumë punë,  më shumë  të drejta,  më shumë dialog konstrktiv,  më shume vullnet   e guxim që    vëjmë në lëvizje të gjithë potencialin  që posedojmë  e të bashkohemi  në një të vetmin qëllim  që ta bëjmë Malin e Zi  vend  të mundësive  dhe të drejtave të  barabarta, ku mund të jetojnë të gjithë qytetarët e tij pa dallim kombi, kombësie religjioni,  gjuhe, a përkatësie tjetër.