E shtune, 21.12.2024, 12:19 PM (GMT)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Bashkëbisedim me Mid’hat Bej Frashërin

E diele, 18.11.2018, 11:41 AM


Bashkëbisedim me Mid’hat Bej Frashërin

Nga Reshat Kripa

Më falni, i nderuar Mid’hat Bej Frashëri, më falni sepse nuk munda të vij për të vendosur një tufë me lule mbi varrin tuaj. Nuk munda, jo sepse nuk doja të vija, pasi për atë qëllim kisha ardhur, por nuk më lejuan korbat e zinj që kishin bllokuar rrugën për te varri juaj. Pranoheshin vetëm “njerëzit e shquar” që i kishin caktuar ata. Kur është parë ndonjëherë në historinë e njerëzimit që në një ceremoni mortore të përjashtohen admiruesit e personit që shkon në banesën e fundit? Cila ceremoni mortore zhvillohet me ftesa? Kush na i hoqi të drejtën për të marrë pjesë? Nuk isha vetëm unë. Ishin edhe shumë të tjerë të ardhur nga të katër anët e Shqipërisë, nga Vlora dhe nga Shkodra, nga Korça dhe nga Durrësi. Madje edhe nga vendlindja e juaj, nga Frashëri i historisë shqiptare.

E pra ne nuk u lejuam të marrim pjesë në përcjelljen tuaj për në banesën  e fundit, i dashur Mid’hat.  Megjithatë ne erdhëm. Erdhëm të nesërmen dhe vendosëm lule të freskëta. Erdhëm dhe biseduam me ju pasi kishim nevojë për mendimin tuaj.

Kush ishin të zgjedhurit që morën pjesë në përcjelljen tuaj? Natyrisht që midis tyre kishte edhe njerëz të shquar të fisnikërisë shqiptare.si dhe mjaft përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Ata kishin ardhur sepse e kishin vlerësuar figurën tuaj të pa arritshme në historinë e kombit tonë. Por aty kishte edhe shumë nga ata që deri më dje nuk kishin lënë baltë pa hedhur mbi ju dhe sot na qenkshin shndërruar çuditërisht në simpatizantë.  Ata, duke e quajtur veten politikanë apo historianë realistë, e ngritën lart figurën tuaj, por duke shtuar se në kohën e luftës së sytë botërore gjoja paskeni “gabuar”. Kush ishte gabimi? Sipas tyre, as me shumë dhe as më pak, por bashkëpunimi me pushtuesit nazistë në kohën e luftës së dytë botërore. “Hiç po Habili!” thotë një shprehje e urtë popullore.

Por kishte edhe një pjesë tjetër që nuk denjuan të ishin të pranishëm. Ishin ata, ekstremistët, ata që u ka mbetur ora më 8 nëntor 1941 që nuk u pajtuan me veprimin e liderit të tyre për sjelljen e eshtrave tuaja në atdhe. Ata kanë filluar një fushatë të egër kundër kujtimit të figurës tuaj, duke përdorur faqet e shtypit të shkruar dhe atij viziv dhe duke iu vënë epitete nga më të ultat.

Si përgjigje ndaj tyre, më lejoni i nderuar Mid’hat Bej t’ju paraqes shkrimin tuaj të njohur me titull ‘Thirrje Nacional-Çlirimtares”:

Armët që dikur i muerëm në dorë dhe që deri dje i përdorëm kaq bukur kundër armikut, fatkeqësisht sot i kemi të kthyeme njani kundra tjetrit. Tani që na erdhi gjermani, në vend që t’ishim të bashkuem ma shumë se kurrë për me luftue ushtrinë e tij, që asht shumë më e fortë dhe shumë ma e egër se ajo e Italisë, na ndodhemi të përçamë dhe, çka asht ma zi, në luftë civile!

Ndërsa në fund të saj ju shkruani:

Na të Ballit Kombëtar besojmë me kambëngulje se ka ende kohë me u marrë vesh përsëri dhe për këtë arsye ftojmë Nacional-?lirimtaren me na dërgue përfaqësuesit e saj brenda pesëmbëdhjetë ditëve nga data e sotme, ose me na thirrë neve për me shqyrtue me gjakftohtësi dhe Shqiptarisht hallet e atdheut tonë të shumë vuejtun.

Kjo asht thirrja e fundit që Balli Kombëtar i ban Nacional-Çlirimtares. Njikohësisht ftohet i gjithë populli që të na ndihmojë  tue bamë çmos që kjo thirrje të mos mbetet pa përgjigje.

Prej maleve të Shqipnisë së lirë.

20 tetuer 1943

Ky ishit juve Mid’hat Bej. Por Naconal-Çlirimtarja e kishte ndarë mendjen. Parullën “Pa dallim feje, krahine dhe ideje” e kishte zëvendësuar me “Pushteti buron nga gryka e pushkës” duke e kthyer luftën për çlirim në luftë civile, gjë e cila i shkaktoi këtij vendi shumë viktima të pafajshne.

I shtyrë nga ceremonia e kthimit të eshtrave tuaja në atdhe shkrova një shkrim me titull “Mirëserdhe Mid’hat Bej Frashëri!” kushtuar figurës tuaj të ndritur. E dërgova për botim në gazetat “Mapo”, “Panorama”, “Standard” dhe “Gazeta Shqiptare” duke shpresuar botimin e tij. Por asnjera prej tyre nuk denjoi dhe për më tepër, nuk më ktheu ndonjë përgjigje, gjë që është në kundërshtim me etikën e një gazete serioze. Kjo tregon mediokritetin e këtyre gazetave dhe drejtuesve të saj, tregon se janë pasardhës besnikë të gazetarëve hipokritë të periudhës së përmbysur dhe që nuk kanë vullnet për t’u rehabilituar. Megjithatë, sot jetojmë në shekullin e informatikës dhe rrugët e botimit në median online janë të hapura. Kështu veprova edhe unë.

Lidhur me sa më sipër dua të pyes:

Nuk paska Shqipëria një biznesmen të djathtë, një pasardhës denjë

frymës demokratike që inspironit juve, i dashur Mid’hat, që të financojë botimin e një gazete apo hapjen e një televizioni me të vërtetë të djathtë ku unë dhe shumë të tjerë si unë të shprehnim mendimet tona për të kaluarën dhe të tashmen e vendit tonë? Po partitë politike dhe shoqatat që pretendojnë se përfaqësojnë të djathtën e vërtetë shqiptare, si ka mundësi të mos kenë një organ shtypi? Ku do të dëgjohet zëri i tyre?

Duke qëndruar para shtatores tuaj, i nderuar Mid’hat bej Frashëri, më del para syve im atë që, kur mblidheshim në darkë rrotull vatrës, na fliste për juve duke ju quajtur figura numër një e historisë kombit tonë. Ishte fillimi  i  vitit

1949. Në atë periudhë shpesh herë dëgjoheshin aeroplanët ë NATO-s që hidhnin traktet e Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” të drejtuar prej jush. Një mbrëmje im atë na lexoi një trakt që kishte rënë në tarracën e shtëpisë tonë. Fliste për mënyrën e organizimit të grupeve antikomuniste. Por ajo që më tërhoqi vrejtjen dhe më ka mbetur në mendje edhe sot, ishte parulla “PËR LIRI, PËR SHQIPËRI, PËR FLAMURIN KUQ E ZI” shkruar në ballë të traktit. Ishte pikërisht kjo parullë që unë dhe shokët e mi e vumë në krye të trakteve që shpërndanim në qytetin e Vlorës dy vite më vonë.

Prehu i qetë Mid’hat Bej Frashëri! Prehu i qetë se tani shqiptarët e vërtetë e kanë një pikë pelegrinazhi për të vizituar sa herë që ua kërkon zemra e tyre. Unë jam i sigurtë se një ditë, nuk e di nëse do të jem gjallë unë, Shqipëria do të bëhet ashtu siç e ëndërronit ju, se do të triumfojë ideja jote e Shqipërisë Etnike.

I përjetshëm qoftë kujtimi juaj!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora