E shtune, 21.12.2024, 04:59 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (VII)

E diele, 21.09.2008, 04:24 PM


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

 

VII

 

Shenjat e para të agimit u dukën në Lindje, ndërsa nga Perëndimi, shiheshin dritat akoma të ndezuna në terrin e tokës, që premtonte të mos ishte larg. U afruem. Ishte porti i Brindizit. Dalja në tokë u ba shpejt, si dhe kontrolli i dokumenteve. Madhësia e qytetit, zhurma e jetës, e sidomos stacionit hekurudhor me nji numër të madh trenash të rreshtuem në binarë të ndryshëm, më banë përshtypje të madhe. Blemë biletat “e studentit”, e zumë vend në vagonët e fundit.

Treni kalonte nëpër fusha të gjana të punueme me mjeshtri. Shtëpitë e katundeve që pamë nga dritaret, ishin mjaft të mira. Kudo shiheshin njerëz në punë të ndryshme, sidomos bujqët në ara. Koha ishte e mirë, e ndiejsha nji kënaqësi të veçantë nga kjo pamje bukolike e natyrës tërheqse. Ishte e pamundun të mos bahej krahasimi me katundet e vendit tonë, me mjetet e tyne të punës, me banesat e tyne dhe me mënyrën e jetesës së tyne, shumë të vështirë. “Sa larg është Shqipnia e pazhvillueme nga bota e Perëndimit” mendojsha me vete, “e megjithatë, sa afër saj!”

Udhëtimi ishte i gjatë e mbas nji nate syçelë në anije, më zuni gjumi i mbështetun në xhamin e dritares së trenit. Nuk më trazuen, derisa zani i konduktorit filloi të përsëriste: “Roma, Roma, Stazione Termini, Roma”. U zgjova, mora valixhen e kalova në binarin e trenit për Firenze. Tre orë e gjysëm ma vonë hymë në stacionin e ri të qytetit të vjetër e artistik, që do të më strehonte për nji vjet shkollor. Pritja e ngrohtë e studentëve shqiptarë në klubin e tyne, ishte ogur i mirë për mue. Ata më treguen restaurantët e lirë për studentë, e gjetën ma vonë nji “pensione”, ndërsa për ditët fillestare, njeni nga ata më ofroi nji krevat në dhomën e tij. Atmosfera e ngrohtë që më rrethoi, ndihmoi shumë për adaptimin tim pa vështirësi, e dha mundësi me fillue klasët e caktueme menjiherë.

Sallat e mëdha universitare ishin impozante e qetësia e tyne, sikur u jepte nji pamje solemne. Brezni mbas breznie, në këto salla ishte edukue rinia italiane, tue rritë potencialin krijues e shkencor të popullit italian. Këtu duhet të jetë sekreti i përparimit. Në ndërtesën pranë gjindej biblioteka e universitetit që fillova të ndjekë me kambëngulje e orë të gjata, për mungesë të hollash me ble librat. Megjithatë, vullneti im nuk lëkundej. Studimi, deri në njifarë pike, po zëvendsonte edhe boshllëkun që më kishte krijue largimi nga aksioni politik në Shqipni. Takimi i parë politik u ba në nandor, me rastin e festës së pavarësisë. Ma shumë se dyqind studentë shqiptarë u mblodhën në sheshin “Michelangelo”, në nji kodër që mbikqyrte qytetin. Ajo që më tërhoqi vrejtjen ishte grumbullimi i nji numri kaq të madh studentësh, pa ra në sy të policisë fashiste. Celebrimi u kthye shpejt në nji manifestim politik. Fjalimet e zjarrta ndoqën njeni-tjetrin. U shpalos flamuri i pastër kuq-e-zi e u këndue hymni kombëtar. Me gjithë entuziazmin e përgjithshëm, dukej qartë se ky tubim spontan nuk ishte monolit. Edhe këtu ishim të ndamë! Kuptova lehtë frymën që paraqitën dy rrymat e mëdha politike të vendit, e përpjekjet e folësve me bindë ndigjuesit. Përvoja më la nji shije të hidhet. Kur u shpërndamë me evitue ardhjen e policisë, unë u largova së bashku me Qemalin, nji koleg që kisha njohë në liceun e Shkodrës. Ai ishte ma i vjetër dhe padyshim, njeni nga studentët ma të përgatitun dhe ma të aftë. Gjatë rrugës anësore që zbriste në qytet, i tregova shqetësimin tim. Ai buzëqeshi në fillim e ma vonë më tha me nji ton zemrimi të papërmbajtun: “Unë i njoh shumë mirë “ata”, e kam bashkëpunue me “ta”. Zhgënjimi im nuk ka kufij. Mos u ban viktimë. Ke ardhë për studime? Po. Atëherë ndjek studimet me seriozitet. Vendi ka nevojë për kuadër të edukuem në Perëndim. Sa për fashizmin për mue asht nji kalë i ngordhun. As këtu në Itali nuk ka zanë rranjë. Ashtë nji formë qeverisjeje e imponueme me forcë, e që do të rrëzohet me forcë. Por kjo asht nji detyrë politike e vetë popullit italian...”

I tregova Qemalit pjesë të përvojës sime në Shqipni dhe gjendjen time shpirtnore. Tregimi ishte i dhimbshëm për mue. Megjithatë, më lehtësoi shpirtnisht e ndjeva sikur kisha shkarkue nji barrë të randë. Ai më ndigjoi me vëmendje, e mbas nji heshtje të shkurtër, më tha: “Nuk je i vetëm. Shumë prej nesh kemi kalue nëpër atë fazë. Tashti, kushtoju studimeve! Mos harro se vendi jonë nuk do të jetë kurrë i lirë, përsa kohë që nuk do të ketë nji klasë intelektuale të formueme e të ndërgjegjshme. Kjo klasë asht ndërgjegjja e kombit. Ajo drejton ose mashtron nji popull. Por pa atë, nji popull nuk ka perspektivë.”

Në kontaktet e përditshme me kolegët shqiptarë, shkëmbejshim mendime mbi situatën në Shqipni. Shumica ishin të bindun se lufta do të përfundonte shpejt, e Italia do të largohej nga Shqipnia. Por pak ishin ata që kishin nji ide të qartë se cka do të bahej mbas largimit të pushtuesit. Ishte nji enigmë që krijonte frikë.

Me kolegët italianë nuk kisha shumë diskutime. Shumica dërrmuese e tyne jetojshin nën fashizëm, pa e njohë atë dhe pa asnji influencë nga ai. Kur zihej me gojë emni i Duçe-s, shoqnohej me fjalë vulgare ose tallje. Nuk dëshirojshim diskutime, as edhe për të ardhmen. Kujdesi kryesor i tyne ishte mbarimi i luftës, heqja e triskave të ushqimit e rrobeve, e fillimi i nji jetë të re. Por nuk shtrohej pyetja se si do të përfundonte lufta, megjithëse ishin të bindun se Italia kishte humbë. I gjithë ky proces tregohej me njifarë mosinteresimi, që më lente me gojë hapët.

Nji ditë, nji student italian i klasës, m’u afrue, përshëndeti njerëzishëm, e pyeti:
- Albanese?
- Si! – përgjegja.
Biseda që vijoi u suell rreth mësimit të ditës. Në mbarim të orës, ai më ofroi të dalim së bashku, e gjatë ecjes, pa asnjë parathanie, më tha: “Si e shikoni okupacionin italian në Shqipni?”
Në fillim, nuk dijta çka të thojsha. Kisha frikë nga provokacionet e policisë. Por dalëngadalë, djaloshi italian më frymëzoi nji mirëbesim pothuejse të parezistueshëm. Tue përfitue nga pyetja, i thashë: “Çdo okupacion asht i papranueshëm!” Ai buzëqeshi.

U ulëm në nji kafe. Pritsha dicka ma shumë prej tij, sepse kureshtja nuk e lente të qetë. Me qëllim që të fitonte besimin tim, ai më tregoi se baba i tij ishte i internuem në Ventottene si antifashist, e se ai me nanën jetojshin në Fiesole, nji qytet i vogël afër Firenzes. I besova të gjitha! Mbas asaj dite, u afruem, e për cdo ditë, ai më jepte lajmet e transmetueme nga BBCja e Londrës. Të dy së bashku kalojshim orë të tana me diskutime të karakterit politik. Nga ai mësova se në tre kryeqytetet e fuqive aleate, ishin lëshue deklarata që konfirmojshin pavarësinë e Shqipërisë, mbas mbarimit të luftës. Gëzimi im nuk njihte kufij e horizonti politik, u zgjanue me lindjen e shpresës së justifikueme për nji të ardhme ma të mirë në nji atdhe të lirë e të pavarun.

Për fat, kisha gjetë nji shok me të cilin mund të flitsha hapët. Ai më rrëfeu se kolegët italiane i rrijshin larg, nga frika e “kompromentimit”. Filluem studimin e përbashkët. Vizituem qendra kulturore e artistike të qytetit e jashtë qytetit, që ai i njihte mirë. Nga ai mësova se në nji teatër të vogël mund të shiheshin shfaqje nga aktorët ma të mirë, e me çmime studenteske. Kur, me kërkesën e tij, vizitova nanën, nji zonjë e vërtetë me flokë që po zbardhoheshin, e veshun në të zeza, që ajo i mbante qysh nga dita e arrestimit të burrit të saj, u prita me nji përshëndetje jo të zakonshme: “Falemnderit zotni që shoqnoheni me djalin tim!” “Signora!”, i thashë. “Djali juej asht i mrekullueshëm!”

Zhvillimet ushtarake në Afrikë e Europë, tregojshin qartë se koalicioni aleat anglo-amerikan kishte marrë inisiativën e se përfundimi i luftës, ishte nji fitore e plotë kundër fashizmit. Forcat e Boshtit do të mundeshin. Kolegu im e unë fluturojshim prej gëzimit. Megjithatë, nuk ndërpremë studimet tona e përgatitjet për provimet e qershorit.
Në këtë kohë, pritej invadimi aleat i Italisë. Kalimi i Adriatikut ishte ba i rrezikshëm, por ishte e vetmja rrugë kthimi në atdhe. Shqetësimi jonë rritej çdo ditë. Ishte mendimi i përgjithshëm që, Italia fashiste do të fillonte tërheqjen e trupave nga Shqipnia, në rast të invadimit aleat në Sicili. Të gjithë dëshirojshim kthimin, me shpresën e lirimit të vendit. Qershori u tregue nji muej i tensioneve të pandërpreme: studime të vazhdueshme, raporte me shkrim, provime me gojë, projekte e mbi të gjitha, problemi i kthimit, me të gjithë të papritunat që do të përballojshim.

Në këtë tension, kolegu italian më ftoi për drekë në shtëpi të tij. Mbas nji diskutimi të gjallë e të frymëzuem nga zhvillimet politike e ushtarake, zonja e shtëpisë më pyeti për planet e mia, mbas kapitullimit të Italisë. I përgjegja se do të kthehesha në atdhe, menjiherë mbas provimeve të qershorit. Ajo heshti. Të gjithë heshtëm. Zonja u ngrit, u afrue, vuni dy duert mbi supet e mia, e tha me nji za plot autoritet: “Mos u shqetësoni! Në çdo situatë kritike, këtu tek ne, keni shtëpinë tuej. Mbasi të qetësohet situata, mund të ktheheni në Shqipni. Tashti, kthimi asht i rrezikshëm”.

Nji ofertë e këtillë, në nji çast aq kritik për mue, krejtësisht e papritun, bani efektin që nuk e pritsha. Ideja se nuk do të ballafaqohesha me nji situatë kritike në nji vend të huej, më ngriti shpirtnisht. Megjithatë, qëndrimi në Itali në nji kohë kur të tjerët ktheheshin në atdhe, më dukej i papranueshëm. Falenderova zonjën bujare e kolegun tim, por isha i vendosun me u kthye. Çlirimi i shpejtë i atdheut ishte i parezistueshëm! Pak ditë ma vonë, me përfundimin e provimeve vjetore, u ktheva në atdhe, me anijen e fundit që lundroi nga Italia në Shqipni, që u çlirue gjatë kthimit në Itali. Ma shumë se pesëqind udhëtarë, shumica shqiptarë, humbën jetën...!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora