Mendime
Xhylije Ibrahimi: Pse amerikanët meritojnë statusin e kombit të privilegjuar tek shqiptarët?
E shtune, 10.11.2018, 06:03 PM
Pse amerikanët meritojnë statusin e kombit të privilegjuar tek shqiptarët?
Roli i SHBA-ve, si atëherë me Shqipërinë (1919), si më vonë me Kosovën (1999), ishte vendimtar për shqiptarët. Shpresat e shqiptarëve janë mbështetur te Amerika edhe tani kur pritet të vendoset e ardhmja e Kosovës. Pa Amerikën, rreziku për humbje, është i madh. Evropa po manifeston mos unitet dhe jo vendosmërinë e saj si përherë.
NGA XHYLIJE IBRAHIMI
Merita të mëdha për ekzistencën e shtetit shqiptar si dhe për themelimin e shtetit të Kosovës, dy këto ngjarje të mëdha të kombit shqiptar në këtë shekull, kanë SHBA-të, që nga presidenti Uillson e këndej. Të gjithë presidentët amerikanë, cili më shumë e cili më pak, mbajtën qëndrim korrekt në raport me shqiptarët, duke filluar nga ekzistenca e shtetit shqiptar, pavarësia e Kosovës, forcimi i faktorit shqiptar në Maqedoni si dhe proceset tjera që kanë të bëjnë me shqiptarët në Ballkan.
Evropianët, për dallim prej amerikanëve, asokohe kishin mendime të ndryshme për Shqipërinë dhe për ekzistencën e popullit shqiptar dhe dilema të tilla tani po shprehin edhe ndaj Kosovës, njëqind vjet më vonë, ndonëse jo gjithaq në formë të hapur.
Qysh në Konferencën e Paqes në Paris (1919) kishte prej atyre që mendonin se Shqipërinë duhet ndarë ndërmjet Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Po të realizohej ky skenar, nëse Amerika do të pajtohej me disa shtete të Evropës, pjesa veriore e Shqipërisë, përfshirë edhe Shkodrën, do t`i jepej Malit të Zi, pjesa qendrore, përfshirë edhe Durrësin, do t`i jepej Serbisë, ndërsa pjesa jugore, përfshirë edhe Vlorën, do t`i jepej Greqisë. Kjo arsyetohej duke thënë se shqiptarët janë një popull jo i qetë, malësor dhe pa një shoqëri të organizuar mirë.
E njëjta lojë pak a shumë po luhet edhe sot me Kosovën. Një pjesë e territorit iu dha Maqedonisë, një pjesë tjetër – Malit të Zi, ndërsa tani po i imponohet ndarja e pjesës më të territorit të saj më të vlefshëm, për Serbinë, si kusht për normalizimin e marrëdhënieve dhe pranimin në OKB.
Copëtimi i Shqipërisë, asokohe u kundërshtua nga amerikanët. Xhejms Shotvell, kryetar i Shoqatës së gjeografëve amerikanë, konstatonte se zgjidhja e këtij problemi duhej t`i besohej drejtpërdrejt SHBA-së, pasi që shtetet e Evropës dhe monarkitë e Ballkanit, nuk gjenin gjuhë të përbashkët rreth këtyre problemeve, për shkak të interesave të tyre. Shotvelli është i mendimit se çështja shqiptare është dyfish e rëndësishme për SHBA-në dhe se zgjidhja e saj mund t`i besohet Amerikës, si një forcë që nuk ka interesa të drejtpërdrejta në rajon.
Në Paris ishin mbledhur burra shteti, diplomatë, bankierë, ushtarakë, profesorë, ekonomistë dhe gjykatës nga të gjitha anët e botës për të vendosur për çështje të mëdha dhe vënien e paqes botërore. Një prej këtyre çështjeve, ishte edhe ajo shqiptare, ngase pa vënien e paqes në Ballkan, nuk mund të kishte paqe në Evropë.
Francezët po përpiqen ta marrin këtë rol edhe tani, pas gati 100 vitesh, në raport me Kosovën.
Roli i SHBA-ve, si atëherë me Shqipërinë (1919), si më vonë me Kosovën (1999), ishte vendimtar për shqiptarët. Ishte Amerika ajo që përkrahu lirinë e Kosovës dhe pavarësinë e saj nga Serbia. Shpresat e shqiptarëve janë mbështetur te Amerika edhe kësaj here, 100 vjet pas konferencës së Parisit, kur pritet të vendoset e ardhmja e Kosovës. Evropa po manifeston mos unitet dhe jo vendosmërinë e saj si përherë.
Për shkak të qëndrimit të qartë në raport me shqiptarët, Amerika meriton statusin e kombit të privilegjuar në Shqipëri e Kosovë.
Pa përkrahjen e Amerikës, Kosova nuk mund ta përmbyllë procesin e anëtarësimit në OKB dhe organizatat e mekanizmat tjerë euro-atlantik dhe ndodhet përballë një rreziku për zhbërje të pavarësisë, nëse hynë në kurthin e korrigjimit të kufijve.
Forcimi i shqiptarëve në Ballkan, nuk po mirëpritet nga disa shtete fqinje, sidomos nga Serbia dhe aleatët e saj. Pa Amerikën, rreziku për humbje, është i madh.
---------------------
(Autorja është master për diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare)