Kulturë
Viron Kona: Intervistë me mësuesin dhe gazetarin e njohur Fran Gjoka
E diele, 28.10.2018, 01:49 PM
Pasioni i jetës sime
-Intervistë me mësuesin dhe gazetarin e njohur Fran Gjoka-
Intervistoi Viron Kona
Fran Gjoka, mësues dhe gazetar i njohur shqiptar, që në bankat e shkollës e deri sot që po afron të 70-tat, jetën dhe veprimtarinë krijuese ai ia ka kushtuar arsimit dhe gazetarisë. Lexuesi ka në duar qindra artikuj të Franit, që rrokin tema dhe probleme me përmbajtje të thellë ideore, atdhetare, kulturore, letrare dhe artistike. Ato dallojnë edhe për mendimin e thellë dhe të mençur, për vizionin e qartë dhe të përparuar, për bukurinë e shprehjes dhe formën artistike, për fjalorin pasur dhe standardin e lartë gjuhësor e letrar.
Artikujt e këtij mësuesi gazetar janë të panumërueshëm, janë me qindra. Ato zënë faqe të tëra, veçanërisht të gazetave apo revistave brenda dhe jashtë vendit: “Mësuesi”, “Nacional”, “Koha Jonë”, “Tirana Observer”, “Republika”, “Lisalba”, ”Prishtina Press”, “Kuvendi” Miçigan, “Dituria” Suedi, por edhe faqet e portaleve të internetit: “Fjala e lirë”, “Zemra Shqiptare”, “Albemigrant”, “Tribuna shqiptare”“Voal”, “Albstrit”,”Bota sot”... Për Franin, për personalitetin, figurën dhe veprimtarinë e tij shkruajnë emra të njohur të vendit, mes tyre akademikë, profesorë të fushave të ndryshme, poetë dhe shkrimtarë, mësues, drejtues shkollash, specialistë e deri njerëz të thjeshtë të punës, cilët shprehin vlerësime dhe konsiderata të veçanta për këtë mësues dhe gazetar të pasionuar të letrave shqipe.
Z. Fran, mund të na thoni diçka për veten tuaj?
-Kam lindur më 24 qershor 1949 në Ishullin Lezhë. Prindërit e mi, Dod Prek Gjoka dhe Gjyste Gjoka janë me origjinë nga Malësia e Madhe. Të parët e mi janë vendosur këtu rreth dy shekuj më parë. Kur isha i vogël mbaj mend se ishim familje e madhe e përbërë prej afro 20 vetë, më pas familja u shpërbë në familje të vogla. Fëmijërinë dhe rininë i kam kaluar këtu në “Ishull Lezhë”, po këtu kam mbaruar shkollën 7-vjeçare, kurse shkollën e mesme në Pedagogjiken “Shejnaze Juka”, Shkodër. Jam diplomuar në Universitetin ”Luigj Gurakuqi” në degën Gjuhë – Letërsi Shqipe. Sot jetoj këtu në “Ishull-Lezhë” me familjen time, me bashkëshorten dhe me vajzën e vogël Benedetën, kurse dy vajza të tjera Ortenca dhe Tilda kanë krijuar familjet e tyre në emigracion, në Itali. Gjatë jetës sime kam kryer detyrën mësues i gjuhës dhe i leximit letrar, kurse 10 vitet e fundit, para daljes në pension, në DAR Lezhë.
-Çfarë mbani mend nga fëmijëria dhe rinia juaj?
-Pavarësisht kufizimeve të kohës, prindërit tanë kujdeseshin që të ushqeheshim mirë, të rriteshim fëmijë të shëndetshëm, por ata kishin merak dhe kujdeseshin edhe për sjelljen dhe pamjen tonë të jashtme. Për shembull mbaj mend që të dy prindërit më donin të veshur me kostum të ri për festat që bëheshin atëherë, edhe për festat fetare, të cilat lejoheshin deri në vitin 1966, edhe për festën e pavarësisë, të çlirimit, të Vitit të Ri etj. Por ata dëshironin që, ne, ndonëse të vegjël, duhej të njihnim zakonet e mira dhe t`i zbatonim ato. Për shembull të respektonim të rriturit, t`i përshëndetnim banorët e fshatit kur i takonim në rrugë, të mos grindeshim me fëmijët e tjerë, por ta donim njëri-tjetrin, të mos përvetësonim apo dëmtonim pronën e fqinjit. Kur rastiste të gjenim diçka në rrugë, shkonim dhe e dorëzonim menjëherë, pra, edhe sipas porosive të prindërve dhe shkollës, por edhe vet, ne të vegjlit shfaqeshim fëmijë të edukuar mirë, të sjellshëm dhe të mbarë.
Mund të na tregosh diçka të veçantë nga jeta jote këtu në Ishull-Lezhë?
-Këtu kam shumë kujtime. Mbaj mend isha vetëm njëzet vjeç kur u zgjodha Kryetar i Këshillit të Ishull-Lezhës. Banorët më donin dhe më respektonin. Këtu mësova shumë nga jeta, nga shoqëria, por dhe nga komunikimi me shumë njerëz, veçanërisht në shkollë ku punoja mësues, por dhe në marrëdhëniet mësues-nxënës, mësues-mësues dhe nxënës-nxënës, marrëdhënie këto që më pas nisa t`i pasqyroja e t`i shprehja edhe në artikujt e mi. Ndonëse në atë periudhe shtypi konceptohej jo vetëm si veprimtari shoqërore, por më së shumti politike, nuk rrash në batakun e politikës së kohës, por e orientova veten si njeri profesional e shkencor veçanërisht në fushën e arsimit. Nuk mund të them se jam “disident” i asaj kohe, por u përpoq që të thellohesha brenda nevojave dhe domosdoshmërisë që kishte arsimi. Në këtë mënyrë arrita ta krijoj fizionominë time gazetareske, duke mos i lejuar vetës “ngjyrime” politike, pasi ato ishin profesionale e shkencore.
-Kur dhe ku ke filluar punë si mësues për herë të parë. Çfarë mban mend nga ajo kohë?
-Mësuesinë e kam filluar në shtator të vitit 1970 në fshatin Tresh të Lezhës dhe, pas një viti mësimor, kam ardhur në shkollën 8-vjeçare Manati. Në tetor të vitit 1972 u transferova në vendlindjen time “Ishull Lezhë”, përsëri mësues i i ciklit të ulët dhe pastaj i gjuhës dhe leximit deri në viti 2006. Nga viti 2006 e derisa dola në pension punova në DAR- Lezhë.
-Kur i keni shkruar dhe botuar artikujt e parë? Mund të na tregoni ndonjë mbresë të veçantë? Po për vendin që zë tek ju pasioni për të shkruar e botuar?
-Qysh në vitet e para të mësuesisë, duke lexuar gazetën “Mësuesi” në shkollë, po ashtu dhe revistën pedagogjike, revistat “Pionieri”, ”Horizonti” etj., duke lexuar artikujt e tyre, si dhe krijimet artistike, më lindi natyrshëm pyetja: -Pse të mos shkruaja edhe unë? Të isha edhe unë një nga emrat që shfaqeshin në ato gazeta dhe revista, të cilat për hir të së vërtetës më tërhiqnin dhe zgjonin interesimin tim..Kështu, kujtoj se një ditë, shkuam me nxënësit e klasës së tetë në fabrikën e letrës në Lezhë. Teksa dëgjoja inxhinierin që na shpjegonte proceset e prodhimit të letrës dhe shihja kureshtjen dhe interesimin e nxënësve, më lindi dëshira ta përshkruaja atë proces prodhimi por edhe reagimet dhe përshtypjet e nxënësve të mi. Në fillim, të shkruarit m`u duk punë e lehtë, por kur e lexoja me zë atë që kisha shkruar, shihja që s`kisha arritur të shprehja atë që duhej. Kështu, shkruaj e prish, pas disa orëve të asaj ditë dhe, ditën tjetër, mu duk se e realizova artikullin. E dërgova dhe prisja me ankth botimin. Kur artikulli doli, fluturoja nga gëzimi, isha i lumtur tej mase dhe, pas atij artikulli, mu rrit besimi se edhe unë mund të shkruaja. Ja, kështu nisi ajo rrugë e gjatë e shkrimeve që më përfshinë edhe sot e gjithë ditën dhe që do ta kem pasion deri në fund të jetës sime.
Artikujt që shkruaje atëherë ishin të natyrës bardh e zi,pra ti si dhe të tjerë i bëje jehonë direktivave të partisë-shtet?
-Jo, kjo do të ishte një mënyrë që nuk ia dëshiroja vetes, por unë i përqendrova të gjitha energjitë në respektin ndaj figurës së mësuesit dhe shkollës,ndaj metodave të mësimdhënies, të përgjithësimit të shembullit të përparuar në punën e mësuesisë, duke shkruar dhe portretizuar figura mësuesish dhe kolektivash të dalluar, por dhe për lidhjen e mësimit me jetën, në luftën e të mësuarit mekanik, në ndikimin e edukimit në jetën sociale etj. Disa nga këto tema ishin lexuar e komentuar në çdo anë të Shqipërisë, pasi gazeta “Mësuesi” ku unë shkruaja më shpesh, ishte gazetë kombëtare. Ishin ata artikuj që më bënë me plot miq e shokë, me njerëz të shquar të arsimit dhe edukimit, miqësi që e ka ruajtur deri më sot
Kur nisi demokracia, cilat ishin disa nga temat dhe problematikat që përbënin boshtin e shkrimeve dhe artikujve tuaj?
-Me ardhjen e demokracisë, edhe shkolla shqiptare u çlirua nga pushteti i politikës dhe politizimet. Shkolla filloi një proces të ri reformimi dhe standardizimi sipas përvojave të shkollave më të mira evropiane. Natyrisht që edhe gazetaria duhej të paraqiste një fytyrë të re.
-Cilët nga penat e trevës lezhjane do të veçoje më shumë?
-Lezhë është një truall i begatë dhe vend i kuvendeve të mëdha dhe njerëzve të mëdhenj. Është vendi i Kuvendit të Madh Historik që u mblodh më 2 mars 1444, ku morën pjesë princat e famshëm shqiptarë, që krijuan “Lidhjen shqiptare” me kryetar Gjergj Kastriotin; vendi i Kuvendit të Arbrit (Koncili i Arbrit) të mbledhur në vitin 1703 në fshatin Mërqi, me nismën e Papa Klementit XI Albani, Papë i njohur me origjinë shqiptare. Por edhe vendi i Frang Bardhit (1606-1643), që ishte ipeshkëv, shkrimtar, leksikograf, etnograf dhe folklorist; vend i poetit Pjetër Zarishi (1806 - 1866), Nikollë Gazullit albanolog, gjuhëtar, historian(1895- 1946), vendlindja e Gjergj Fishtës (1871-1940).
Kurse, nga bashkëkohësit, veçoj poetin Ndoc Gjetja, i cili, për nga vlerat artistike dhe përmasat, i kalon kufijtë e një rrethi, ai është një poet kombëtar. Pastaj, janë edhe shumë të tjerë personalitete të letërsisë dhe të kulturës: Prec Zogaj, Rudolf Marku, Agim Isaku, Nikoll Lesi, Aleksandër Frangaj, Agim Isaku (me veprimtari në Lezhë), Kujtim Dashi, Ndue Dragusha, Shpresa Rama (Kapisyzi), Remzi Lani, Tonin Çobani, piktorët Pashk Përvathi, Ymer Metaliaj etj. Edhe nëpër kohë, edhe sot Lezha ka njerëz të mirë dhe të ditur, të kulturuar dhe të qytetëruar, e që udhëhiqen nga parime të shenjta të lirisë dhe demokracisë, kështu që kjo trevë kaq e begatë, doemos që është shumë frymëzuese edhe për mua...
-Te shumë njerëz është përshtypja se ju keni qenë ndër redaktorët e gazetës “Mësuesi”, pse është kjo përshtypje?
-Edhe të tjerë ma kanë shprehur këtë mendim. Në fakt, unë s`kam qenë asnjëherë punonjës shtetëror i redaksisë, por bashkëpunëtor i saj. Mendimi është krijuar si rrjedhojë e shkrimeve të shpeshta dhe të vazhdueshme në gazetën “Mësuesi”. Përfitoj nga rasti t`i falënderoj ata që më kanë nxitur dhe vlerësuar në punën time shkrimore për të pasqyruar veçanërisht çështje të arsimit, të cilat i kam shumë për zemër. Unë nuk rri dot pa shkruar dhe pa botuar...
-Çfarë ndjenje ju ka shkaktuar mbyllja e gazetës “Mësuesi”?
-U ndjeva shumë keq. S`kam pushuar së kërkuari që ajo të çelet përsëri pasi është e nevojshme dhe e dashur për mësuesit. Duket se po lodhem kot, por gjithsesi nuk ndalem...
-Shpreson?
-Shpresa “vdes” e fundit.
Artikujt i shkruan nga zyra,nga shtëpia...?
-Nuk mund të shkruhen artikujt nga zyra sepse as zyrtarëve nuk do t`u vlenin. Thuajse i kam shkelur me këmbë të gjitha shkollat e Lezhës, kam kontaktuar dhe njohë shumicën e mësuesve dhe të drejtuesve, por njohë dhe problemet e tyre dhe të vetë shkollave. Edhe godinat, edhe kushtet etj, por edhe bazën didaktike, e, sidomos, aftësimin dhe zotësinë profesionale të mësuesve për të kryer sa më mirë detyrën,në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të kualifikuar. Njerëzit dhe mësuesi në rastin konkret s`duan teori dhe llafe boshe, por problematika që u interesojnë dhe përfshijnë jetën e tyre në shkollë, sigurisht ata kërkojnë edhe vizione të reja e rrugëzgjidhje...
-Krahas pasionit të gazetarisë, keni dhe ndonjë pasion tjetër të veçantë?
-Tan që jam në pension jam futur punës së fermerit, merrem me blegtori dhe me bujqësi, natyrisht në një zonë të kufizuar rreth e qark shtëpisë. Por e kam me pasion dhe përpiqem të bëj diçka edhe në këto fusha, ku po shohë se paskam ca aftësi që edhe vetes nuk ia kam njohur më parë...
-Disa nga miqtë tuaj, që duket se ju njohin mirë, thonë se për Franin nuk ka pengesa që nuk i kapërcen.
-Mendoj se çelësi i gjithçkaje është puna me pasion, me vullnet dhe këmbëngulje. Unë respektoj shumë punën, por dhe njerëzit e punës.
-Keni pasur një miqësi të veçantë me Prof. Mark Vujin dhe me Prof. Shefik Osmanin. Ku konsistonte kjo lidhje dhe miqësi?
-Me Prof. Mark Vujin kam qenë pranë kurdoherë. Ishte si një vëlla më i madh për mua, në ditë të mira dhe në ditë të vështira. Më rrinte pranë, më nxiste dhe më mbështeste në vizionet dhe nismat e mia shkrimore. Mendoj se Mark Vuji është Kryemësuesi i Lezhës. Ai njeri, që gjithë jetën iu përkushtua arsimit, meriton doemos një bust apo një shtatore këtu në Lezhë. Edhe një shkollë duhet të mbaj emrin e tij.
-Kam qenë mik i afërt edhe me Prof. Shefik Osmanin. Ishte një mësues dhe pedagog i madh, njeri me parime të larta, një prej didaktëve më në zë të arsimit shqiptar, udhëheqës i disa brezave të fushës mësimdhënies, ideator i disa eksperimenteve, autor i shumë librave me karakter historikë, didaktikë, mësimorë, autor i qindra shkrimeve në gazeta e revista shkencore dhe kulturore, orator në dhjetëra konferenca e simpoziume shkencore e arsimore të mbajtura brenda dhe jashtë vendit, bashkëbisedues i pasionuar i problemeve dhe ardhmërisë se arsimit dhe pedagogjisë.
Ju keni edhe shumë miq nga diasporë, cilët do të dëshironit të përmendnit në këtë intervistë?
-Po, kam shumë miq në diasporë, disa i takoj, me të tjerë këmbej mesazhe të vazhdueshme.
Nuk i harroj asnjëherë takimet me leksikografin, poetin dhe atdhetarin Sadulla Zendeli-Daja dhe poetin dhe përkthyesin Sokol Demaku, që banojnë dhe punojnë në Suedi. Gjithashtu dhe me Hazir Mehmetin në Austri. Të tre këta shqiptarë, i konsideroj edhe miq të mi.
-Kur ju shkruani prisni mirënjohje dhe shpërblim nga shoqëria dhe shteti?
-Unë në gjithçka shpreh vetveten dhe asgjë nuk e kam bërë dhe nuk e bëj që të përfitoj diçka në këmbim.
-Çfarë bënë sot Frani që është në pension? Mund të na përshkruash një ditë tuajën?
-Në pamje të parë duket se jemi një familje e vogël: unë bashkëshortja dhe vajza e vogël Benedeta, por në mendje gjatë gjithë kohës kemi dhe dy vajzat Ortencën dhe Tildën, të cilat sot banojnë me familjet e tyre në Itali. Gjatë verës, kur edhe dy vajzat me bashkëshortët dhe fëmijët, vijnë këtu, atëherë jemi e tërë familja. Gjithsesi po i përgjigjem pyetjes suaj, se si e kaloj ditën: Ngrihem në mëngjes, përcjellë bashkëshorten dhe vajzën në shkollë dhe vetë sillem nëpër shtëpi e oborr duke parë dhe duke u marrë me kafshët dhe shpendët. U hedh ushqim, kujdesem për ta, pastaj bëj diçka me bimët e kopshtit, gjithnjë sipas stinës, qejf kam të merrem më gjatë me pemët, shegët, rrushin, mollët, portokajtë, mandarinat... Natyra ime është se i dua gjërat të bukura në pamje, por edhe që të jenë funksionale. Pasi shoh mirë e mirë gjithçka, dalë në xhade dhe me mjete rrethanore shkoi në Lezhë. Vendi i parë është kioska gazetave, ku blej ato ku kam dërguar artikuj, por edhe të tjera i shikoj sepse dua të marrë informacion se çfarë ndodh në vend, por edhe të shohë veçanërisht ndonjë artikull të veçantë që tërheq vëmendjen e ditës. Prej këtej shkoj në internet, hap faqen time, shohë mesazhet dhe komunikojë me shokë e miq. Ndërkaq dërgoj mesazhe dhe artikuj të rinj në gazeta dhe revista, brenda dhe jashtë vendit, pi kafe me ndonjë shokë në Lezhë, bëj ndopak pazar dhe kthehem në shtëpi, në pritje që të kthehen nga shkolla bashkëshortja (që është mësues) dhe vajza, Benedeta, e cila vazhdon klasën e pestë. Vijojmë jetën normalisht, ndërkohë që përfytyrojmë çdo çast dy vajzat që jetojnë dhe punojnë familjarisht në Itali dhe që, thuajse çdo ditë, herë njëra dhe herë tjetra, na marrin në telefon...