E shtune, 21.12.2024, 11:57 AM (GMT)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Copëza jete

E hene, 13.08.2018, 03:06 PM


Nga libri “Dhimbje”

 

COPËZA   JETE

 

Me të  jetës hap, eci i menduar,

Rreth e rrotull vetes, vështroj i trishtuar,

Botën tonë të madhe, mbushur halle plot,

Medet s’jam në gjendje, ta përmirësoj dot.

 

GONI  DHE  BENI

 

Goni edhe Beni, shokë fëminie,

Shokë të pandarë, në shtëpi dhe shkollë,

Bashkë ëndërronin, me pasion rinie,

Ëndrra dashurie, me dëshira plot.

 

Goni bir tregtari, një tregtar me nam,

Vrarë nga fashistët, si nacionalist,

Babai i Benit, dalë partizan,

Bie atë ditë, si një komunist.

 

Ranë që të dy,  njëri-tjetrit pranë,

Se të dy së bashku, kërkonin lirinë,

Ranë që të dy, kurrë nuk u ndanë,

Se të dy së bashku, donin Shqipërinë.

 

Por kohët ndryshuan, nuk kishte më mik,

Ndihej mosbesimi, besa ish harruar,

Në çdo individ, gjeje një armik,

Luftë borgjezisë, në parulla shkruar

 

Goni hiqej zvarrë, në fusha, kanale,

Thellë në një fshat, atje internuar,

Beni si  gjykatës, me mendje të madhe,

Çdo fatkeq dërgonte, burg a pushkatuar.

 

Në një ditë të bukur, të dy u takuan,

M’u në sallë të gjyqit, të dy ballë për ballë,.

Goni i pandehur, hekurat ndër duar,

Beni ky gjykatës, porsi trim me pallë.

 

Gjyqi po vazhdonte, me shpatën e zhveshur,

Egërsi e tonit, trimin nuk e tundi,

Atëherë Minosi  ,  me vështrim të ndezur,

Ngrehu i pandehur, thuaj fjalën e fundit!

 

Unë e dua jetën, dua edhe mikun,

Dua dashurinë dhe fisnikërinë,

Kur në vend të tyre, unë gjej armikun,

Jeta nuk më dhimbset,  mermani lirinë!

 

Po kush i dëgjon, kush i dëshëron,

Këto fjalë të arta, thënë me guxim?

Me një zë të akullt, zëri po dënon,

Pafajsinë vetë, vdekje pushkatim.

 

Kështu iku Goni, me ballin përpjetë,

Duke ëndërruar, vendin në liri,

Krismat mëkatare, në një vend të shkretë,

Ra duke thërritur: Rrofsh moj Shqipëri!

 

Për Benin mizorin, s’mbeti gjë në jetë,

Të zhytej më thellë, në krimin e tij,

Gjersa Perëndia, me gjyqin e vetë,

E dërgoj në ferr, në ferrin e zi.

Vlorë, tetor 1996

 

Në kërkim të lirisë

 

Liri, ku ishe?

Për shumë vjet të  kam kërkuar,

Vite dhimbje, vite zjarri,

Për çdo ditë ëndërruar,

ditë shprese, ditë malli.

 

Liri, ku ishe?

Për Liri, për  Shqipëri,

Ishte besa jonë e parë,

Për flamurin kuq e zi!

Për një Shqipëri të mbarë.

 

Liri, ku ishe?

Të kërkonim në errësirë,

Të kërkonim ditë e natë,

Donim jetë më të mirë,

Donim një kohë të artë.

 

Liri, ku ishe?

Kur në pranga robëruar

Dita ditës të shpresonim,

Shpirtin, trupin sakatuar,

Veç për ty, Liri, mendonim!.

 

Po sot, Liri  ku je?

Mos vallë prapë na braktise,

Të kërkoj po s’të gjej dot,

Prap në ferrë na gremise,

Mos vallë po mundohem kot?

 

Liri, ku je?

Përsëri duke kërkuar,,

Thellë në zemër ty të ndiej,

Zemra ime turbulluar,

Po ty vallë ku  mund të gjej?

 

Liri, ku je?

Ku të gjej kur s’të gjej dot,

Kur jetoj ngado rrethuar,

Nga çakenjtë fuqiplotë,

Me miliona të mbuluar.

 

Liri, ku je?

Kur në ballë të drejtësisë,

Kur në mes të parlamentit

Gjej ithtarët e robërisë,

Çveshur shpatën ndaj miletit.

 

Liri, ku je?

Kur në tele dhe gazeta,

Shoh gjithmonë ato fytyra,

Hedhin vallen tungjatjeta,

Sipas ritmit ngjyra ngjyra.

 

Liri, ku je?

Kur pronari s’është pronar,

Pronën gëzon dikush tjetër,

Derdhet  gjaku anembanë,

A thua s’jemi vëllezër.

 

Liri, ku je?

Nuk e pe se ç’ndodhi mbrëmë,

M’u në qendër të qytetit,

Ra një djalë për të qënë,

Si një yll i rënë nga qielli.

 

Liri, ku je?

A pyete: vallë përse,

A pyete pse e vranë,

Pse e shtrinë atë përdhe,

Po përse atij i ranë?

 

Liri, ku je?

Ndaj unë ty, sot nuk të shoh,

Ndaj unë ty sot të kërkoj,

Eja, eja të të njoh,

Këtë vend ta lulëzojmë.

 

Liri, ku je?

Po thërras në moshë të shkuar,

Ashtu si në moshë të re,

Kujtoj kohën e kaluar,

Ndaj thërras: Liri, ku je?

Tiranë, nëntor 2002

 

KËRKOJ  VARR  PËR  TIM  ATË

 

Kushtuar   vajzave  shqiptare 

diktatura i la jetime  dhe që nuk kanë një

varr ku    derdhin  dy  pika  lot  apo 

vendosin një tufë lule.

 

Përse vashë

rri trishtuar,

shpirtin ty

kush ta lëndon,

pse je kaq

e dëshpëruar,

syri yt

pse po  loton?

 

Mos vallë zemrën

ty ta theri,

flak’e zjarrtë

e dashurisë,

mos vallë shpirtin

ty ta teri,

çapkënllëku

vajzerisë?

 

Çfarë kërkojnë

syt’e tu,

n’ humbëtirën e pabesë,

a mos vallë

shpirti yt,

e ka humbur

sot çdo shpresë?

 

Ngriti kryet

vajz’e mirë,

loti rridhte

si ujvarë,

zemra thyer

hidhërimit,

pëshpëriti:

- Kërkoj varr.

 

Kërkoj varr

për tim atë,

nuk e di

ku dergjet vallë,

e rrembyen

një natë vjeshte,

i dhuruan

plumb në ballë.

 

Isha foshnje

un’aherë,

kur e vranë

e masakruan,

kur kainët

e pabesë,

lirin tonë

përdhunuan.

 

Pyes mamin

- Ku  është babi,

pse nuk vjen

më në shtëpi?

Ajo gjegjet,

pikëlluar,

- Fluturoi

se ku s’di.

 

Dhe tani

që jam e rritur,

kam një brengë

një dëshirë,

nuk kërkoj

as këng’as valle,

por veç varr

për një  martir.

 

Dua vetëm

të derdh lotët

përmbi varr

të atit tim,

të vendosë

një kurorë

plot zambakë

e trëndafilë.

 

Të gjithë miqtë

Po me thonë,

babi yt

ra për liri!

Të gjithë miqtë

Po më thonë

donte vetëm

Shqipëri!

 

Po aherë

pse s’më thonë,

ku ndodhen

eshtrat e tij,

që t’i mbledh,

ato në grushte

në parajsë

ato t’i shpie

 

Atëherë

zemra ime

do jetonte

qetësuar,

atëherë

syt’e mi

do pushonin

së lotuar.

 

Por kërkoj,

Kërkoj më kot,

të gjej vendin

ku ka rarë,

nuk e di

a ka në botë

një të vdekur

pa një varr?

 

Ngriji kryet

vajz’e dashur,

mbaji lart

me krenari.

derdhi lotët

vendos lulet

në çdo skaj

në Shqipëri.

 

Se kudo

aty do jenë

eshtra trimash

për liri,

se kjo tokë

e përgjakur

i shtrëngon,

i mban në gji!

Tiranë,  shtator 2010



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora