E merkure, 13.11.2024, 06:24 AM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Senatorja amerikane jep alarmin për rrezikun rus ndaj Kosovës

E marte, 31.07.2018, 08:07 PM


SENATORJA AMERIKANE JEP ALARMIN PËR RREZIKUN RUS NDAJ KOSOVËS

Nga Frank Shkreli

Senatorja e Shteteve të Bashkuara e shtetit Ajova (Iowa), ç’prej vitit 2015 republikanja Joni Ernst, pas takimit të nivelit të lartë pak më heret këtë muaj, midis Presidentit amerikan, Donald Trump dhe Presidentit rus, Vladimir Putin, lëshoi një deklaratë për shtyp me të cilën reagoi duke thënë se, “Rusia nuk ka qenë kurrë dhe nuk është mike e Shteteve të Bashkuara” dhe se Moska vazhdon të, “Jetë një kërcënim për Amerikën dhe për aleatët e saj.”  Ndër këta aleatë, Senatorja e shtetit Ajova - shteti si motër i Republikës së Kosovës – ka përmendur drejt për drejt Kosovën si vendin që ajo thotë se, “Vazhdon të kërcënohet nga taktikat e luftës hibride të Rusisë, nepërmjet Serbisë.”

Senatorja e Partisë Republikane, Joni Ernst nga shteti Ajova ka shërbyer në radhët e forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara për më shumë se 23 vjetë dhe është veteranja e parë femër e zgjedhur në Senatin Amerikan.  Ndërda nga viti 1993 deri në vitin 2015, ajo ka shërbyer në Gardën Kombëtare të Ushtrisë së shtetit Ajova.  Në Washington, ajo është anëtare në tre komisione me rëndësi të Senatit: Në Komisionin që merret me Punët e Forcave të Armatosura, në Komisionin për Sigurinë e Atdheut dhe në Komisionin për Punët Qeveritare.

Në deklaratën e saj mbi takimin Trump-Putin, ligjvensja e lartë amerikane, Joni Ernst ka kritikuar qëndrimin e Presidentit Trump ndaj Rusisë duke u shprehur se, “Duhet të jemi tepër të kujdesshëm për mënyrën se si i zhvillojmë marrëdhëniet tona me Rusinë.  Shpresoj që Presidenti Trump të ketë dhënë një mesazh të fortë pas dyerve të mbyllura, se Rusia do të vazhdojë të ndëshkohet për aneksimin ilegal të Ukrainës në vitin 2014, për mbështetjen e neveritshme që Kremlini i jep regjimit vrasës të Bashar al-Assad-it në Siri, si dhe për veprimet dhe ndërhyrjet agresive ruse në politikën e mbrendëshme të Shteteve të Bashkuara.”  Në një intervistë, më heret, në programin e rrjetit të telelvizionit amerikan, “Face the Nation”, Senatorja e shtetit Ajova ka deklaruar shprehimisht besimin e saj se “Rusia nuk mund të jetë kurrë as mike dhe as aleate e Shteteve të Bashkuara”.

Ndryshe nga Presidenti Trump, i cili është shprehur fillimisht si i dyshimtë ndaj zbulimeve të enteve amerikane të inteligjencës në lidhje me ndërhyrjet ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, Senatorja Ernst ka theksuar mbështetjen e saj të fortë për entet amerikane të zbulimit të fsheht, duke u shprehur në deklaratën e saj për medien se ajo, “Ka besim të plotë në komunitetin e fshehtë të Shteteve të Bashkuara, si dhe në vlerësimin e arritur të këtij komuniteti se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane tëvitit 2016.”   Në vazhdim të deklaratës së saj për medien amerikane, pas takimit Trump-Putin në Finlandë më heret këtë muaj, Senatorja republikane ka theksuar shpresën e saj se, në takimin e tij me udhëheqësin rus Vladimir Putin, Presidenti Trump të ketë biseduar edhe për rolin e Rusisë në Ballkan, në përgjithësi dhe në Republikën e Kosovës, në veçanti.

Ndoshta dikush mund të pyes se pse një senatore nga një shtet amerikan si Ajova, ku mund të ketë shumë pak ose aspak shqiptaro-amerikanë, të jap alarmin për rolin dhe influencën e Rusisë në Kosovë dhe njëkohësisht të jetë e interesuar për Republikën e Kosovës dhe për ndërhyrjet ruse në atë vend dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.  Ndoshta nuk dihet gjerësisht, por disa mund të kenë dijeni se Republika e Kosovës ka marrëdhënie të veçanta shtetesh motra me shtetin Ajova, ç’prej vitit 2013.  Si përfundim i kësaj lidhjeje, Senatorja Joni Ernst ka vizituar Kosovën më 2016 dhe njihet si një nga politikanet amerikane me qëndrimet më miqësore ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe ndaj Kosovës në veçanti.

Marrëdhëniet e veçanta midis Republikës së Kosovës dhe shtetit amerikan Ajova kanë filluar ç’prej vitit 2003, kur në Kosovë janë dërguar më shumë se 700- ushtarakë të Gardës Kombëtare të Ajovës, si pjesë e misjonit ushtarak të Aleancës Perëndimore, NATO në mbështetje të një Kosove stabile, demokratike dhe në paqë.

Këto marrëdhënie midis shtetit Ajova dhe Republikës së Kosovës kanë ardhur e shtuar gjithnjë gjatë viteve, sidomos marrëdhëniet midis Gardës Kombëtare të Ajovës dhe Forcës së Sigurisë të Republikës së Kosovës.  Përveç lidhjeve në fushën ushtarake, janë shtuar kontaktet edhe në fusha të tjera, me prëfitime reciproke midis Kosovës dhe Ajovës, sidomos në bujqësi - pjesë e të cilave janë edhe vizitat e shpeshta dhe të ndërsjellta të zyrtarëve të lartë të dy shteteve.  Ish-governatori i shtetit Ajova (tani ambasador i Shteteve të Bashkuara në Pekin), Terry Branstad është shprehur se bashkpunimi ushtarak dhe marrëdhëniet për zhvillimin bujqësor të Kosovës – si pjesë e partneritetit të shteteve motra Kosovë-Ajova – do të hapë dyer të reja edhe në fusha të tjera bashkpunimi, jo vetëm shtet-me-shtet, por edhe në baza të ndryshme individuale.  E gjithë kjo ka të bëjë me miqësinë midis dy popujve, është shprehur ish-governatori i Ajovës, Branstad dhe ka shtuar se “Nepërmjet forcës së kësaj miqësie është venë themeli për të ardhmen e marrëdhënieve të mrekullueshme midis Ajovës dhe Kosovës.”

Ndërsa gjatë një vizite të një delegacioni të shtetit Ajova në Prishtinë kohët e fundit, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se vizitat e ndërsjellta janë shumë të rëndësishme për të avancuar bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, në të gjitha fushat. Duke shtuar se, “Raportet tona me SHBA-në përjetësisht do të jenë të veçanta.  Bashkëpunimi jonë me Iowa është vetëm reflektim i këtyre raporteve.  Ky bashkëpunim është duke forcuar shtetin tonë”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Në balancë është pra fati i kësaj miqësie të veçantë midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës në përgjithësi dhe të lidhjeve të shteteve motra të Ajovës e Kosovë në veçanti, ajo që ka alarmuar Senatoren amerikane të shtetit Ajova, Joni Ernst.  Çfarë shqetëson Senatoren Ernst është pikërisht influenca ruse dhe masat destabilizuese që ka ndërmarrë Moska vitet e fundit në Ballkanin Perëndimor, përfshirë sidomos Kosovën, nepërmjet mbështetjes së Moskës ndaj Serbisë dhe politikave të saja kundër Republikës së Kosovës - në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, si pjesë e politikave të saja pan-sllaviste.  Është ky një shqetësim që Senatorja Ernst, së bashku me disa zëra të tjerë, po përpiqen të japin alarmin, para se të jetë tepër vonë, mbi rrezikun që paraqet influenca ruse, jo vetëm për Kosovën por edhe për Ballkanin Perëndimor.  Është një alarm që i drejtohet klasës politike të rajonit që më në fund të rregullojnë punët e shtëpisë së vet, por është edhe një thirrje Washingtonit zyrtar dhe Evropës Perëndimore që të merren masat e nevojshme për mbylljen e derës së strategjisë ruse dhe të kërcënimit të Moskës për të inflitruar vendet e Ballkanit, përfshirë Kosovën - politikisht dhe ekonomikisht – para se të jetë tepër vonë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora