Përjetësi » Kadare
Ismail Kadare: Për të vërtetën kanë nevojë të gjithë
E enjte, 18.09.2008, 06:50 PM
Për të vërtetën kanë nevojë të gjithë
Ismail Kadare
Nga Ismail Kadare
“Gazeta shqiptare” botoi pak kohë më parë një letër të Arshi Pipës, personalitet i njohur i disidencës shqiptare, drejtuar botuesit anglez “Serpent Tail”, lidhur me përkthimin dhe botimin në anglisht të romanit “Kronikë në gur”.
E paraqitur nga studiuesi Myftar Gjana, kjo letër, sipas tij, është e fundit, në serinë e letërkëmbimit të Arshi Pipës me botuesin anglez. Ajo mban datën 27 tetor 1986, është nxjerrë nga arkivi personal i autorit dhe botohet për herë të parë në Shqipëri.
Pak kohë pas kësaj, më 7 shtator të këtij viti, e njëjta gazetë boton fragmente të një studimi tjetër të Arshi Pipës, të titulluar prej gazetës “Kundër Kadaresë”, titull gjithsesi i habitshëm, ngaqë ajo që shkruhet në këtë studim, jo vetëm që nuk është kundër, por është e favorshme, madje tepër e favorshme për shkrimtarin.
Pavarësisht nga kjo, studiuesi M. Gjana paralajmëron se do të botojë së shpejti shkrime të tjera të rëndësishme të Arshi Pipës për letërsinë shqipe, kryesisht për autorët që kanë qenë në qendër të vëmendjes së tij.
Është për t’u çmuar nisma e zotit M. Gjana që po vë në vëmendjen e publikut dokumente sa të rralla aq dhe të rëndësishme.
Siç del nga intervista shoqëruese e M. Gjanës, letra e A. Pipës drejtuar botuesit anglez, parathënia aq shumë e dëgjuar e tij për “Kronikë në gur”, botuar pas refuzimit anglez në revistën amerikane “Tellos” më 1987, si edhe shkrime të tjera, që do të shohin dritën e botimit, në një mënyrë ose një tjetër, kanë lidhje midis tyre.
Rrjedhimisht, ato kanë lidhje me një incident të njohur publik, për të cilin është folur shumë, por që ka mbetur i pazbërthyer plotësisht. Ngjarja, pjesë të së cilës janë këto shkrime, duke e pasur zanafillën në kohën e komunizmit, ka pasur një histori vijuese më pas, në kohën kur komunizmi po rrëzohej, e fill pas kësaj, në vitet e para të tranzicionit. Për të është folur shumë, është shkruar mbarë e mbrapsht, janë thënë të vërteta e gjysmë të vërteta, janë bërë spekulime, aq të pashmangshme në kësi rastesh.
Incidenti e kapërcen dukshëm vetveten dhe kronikën letrare. Ai ka lidhje me atë katastrofë morale që ndodhi në Shqipëri, kur regjimi i përmbysur arriti të prishë drejtpeshimin e jetës së vendit. Shumë ngjarje mbetën të errëta dhe të tilla vazhdojnë të mbeten, sepse në Shqipëri forcat që janë të interesuara për fshehjen e së vërtetës, madje për varrosjen e saj, janë ende zotëruese.
Lidhur me këtë dosje, një pjesë e së cilës sapo ka nisur t’i bëhet e njohur publikut shqiptar, si autor që është interesuar drejtpërdrejt ngaqë ka lidhje me veprën e tij, dëshiroj të ndihmoj në sqarimin e së vërtetës. Për të vërtetën kanë nevojë të gjithë, duke përfshirë edhe ata që nuk janë më, dhe zëri i të cilëve vjen nëpërmjet dokumenteve, siç është në këtë rast zëri dhe kujtimi i Arshi Pipës.
Historiku i ngjarjes
Në fillim të viteve ’80, Arshi Pipa, poet, studiues dhe disident i njohur, arratisur prej kohësh nga Shqipëria komuniste, i propozon botuesit londinez “Serpent Tail” përkthimin e vet të “Kronikë në gur”.
Pas një kontrate të rregullt, Arshi Pipa e dorëzon për botim dorëshkrimin anglisht të veprës, të shoqëruar me shënime të shumta e të vlefshme, si dhe një parathënie tepër të thellë e tronditëse. Është pikërisht kjo e fundit që shkakton një mosmarrëveshje të zgjatur midis tij dhe botuesit anglez.
Thelbi i mosmarrëveshjes, më tepër se vërejtjet e kësaj letre kanë qenë të një natyre më të rëndë dhe thelbësore. Ato duhet të jenë pasqyruar në letrat e tjera, të cilat ende nuk janë botuar, ose ende nuk janë gjendur.
Për thelbin e mosmarrëveshjes jam njoftuar prej botuesit tim francez. Sipas tij, botuesi anglez e refuzonte parathënien e Pipës, për arsyen e vetme se, sipas mendimit të tij, ajo e rrezikonte autorin, që ende jetonte në vendin e tij komunist.
Ende sot mendoj se botuesi anglez kishte pasur të drejtë. Mjaftonin dy-tre paragrafë të parathënies, atje ku shkruhej se në këtë roman bëhej aluzion i hapur kundër shefit komunist të Shqipërisë, i cili, sipas parathënësit, paraqitej si vrasës dhe pervers me deviacione seksuale, që autori të vihej në një kushtëzim fatal.
Të shumtë do të ishin autorët e ish-Lindjes që mund të mikloheshin sot, pas rrëzimit të komunizmit, nga një interpretim i tillë, tepër i favorshëm politik i veprës së tyre. Për hir të së vërtetës, më duhet të pohoj se në librin “Kronikë në gur” nuk ka dhe nuk mund të kishte aludime të tilla, e sidomos kaq të skajshme. Ndërkaq, zbërthimin e prof. Arshi Pipës, unë e kuptova në atë kohë si fryt të pezmit të tij të thellë e të ligjshëm kundër regjimit komunist dhe shefit të tij. Në interpretimin e veprës sime, ajo projektonte trazimin e vet intelektual dhe një projektim i tillë njihet në fushën e letrave. Ndërkaq, ky përjetim subjektiv nuk pengonte që sprova e tij në trajtë parathënieje të mbetej gjer më sot studimi më i mirë për “Kronikë në gur”.
Nuk e kam vënë në dyshim dashamirësinë e Arshi Pipës. E kuptova atë interpretim si një dashamirësi të tepruar, për të rritur dhe vënë në pah vlerat e një shkrimtari shqiptar, që jetonte në një vend kaq të vështirë.
Vite me radhë kam pasur këtë mendim, shoqëruar me ndjenjën e mirënjohjes dhe dëshirën për ta takuar një ditë këtë njeri kaq të vuajtur e inteligjent, me të cilin më lidhte, veç të tjerash, qyteti ynë i përbashkët, Gjirokastra, zanafillë e kësaj historie.
Kjo shpresë u bë reale në fund të vitit 1989, fillimi i 1990-ës, kur komunizmi po jepte shenjat e krisjes.
Befasimi
Pikërisht në këtë kohë, në kohën kur shumë shqiptarë, e aq më tepër shumë intelektualë të Shqipërisë e të diasporës, të ndarë nga fati dhe nga kufijtë e pamëshirshëm, mezi ç’prisnin rastin të takoheshin më në fund, për të këmbyer idetë e për të bashkuar vullnetet në të mirë të vendit, midis meje e Arshi Pipës ndodhi një përplasje që, pa e tepruar, mund të cilësohej katastrofike.
Në kohën që prisja konfirmimin e qëndrimeve të mëparshme dashamirëse të tij, për të cilat e ndjeja për detyrë t’i shfaqja mirënjohjen time, ndodhi diçka tepër e rëndë dhe befasuese. Në dy-tri emisione të “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe, emisione që dëgjoheshin në atë kohë aq shumë në Shqipëri, A.Pipa, në mënyrë të papritur e krejt të papërligjur, formuloi sulme shumë të ashpra kundër meje. Thelbi i sulmeve ishte ky: shkrimtari I.Kadare nuk ka asnjë të drejtë morale të flasë sot për nevojën e demokratizimit të Shqipërisë, sepse ai ka qenë kundër demokracisë.
Me fjalë të tjera, autori I.Kadare, që për shumë vite është konsideruar prej Arshi Pipës aq antikonformist, saqë në një botim publik ka guxuar ta karakterizonte shefin e komunistëve shqiptarë vrasës e pervers, tani nuk paska as të drejtën elementare të bëjë diçka për demokratizimin e Shqipërisë!
Nuk e fsheh që zhgënjimi im ka qenë tepër i madh. Dhe bashkë me zhgënjimin ishte e rëndë pikëpyetja se çfarë kishte ndodhur dhe cili ishte shkaku i kësaj kthese kaq të mbrapshtë.
Duke mos gjetur dot asnjë logjikë të kthesës së tij, erdha në një mendim të keq: dyshimin në dashamirësinë e tij të mëparshme. Nën trysninë e emocionit, besova se parathënia e tij e dikurshme e “Kronikë në gur”, atë që botuesi anglez e kishte refuzuar, kishte qenë thjesht një provokacion.
Në atë kohë kisha në duar korrekturat e librit “Ftesë në studio” dhe, nën nxitjen emotive, shtova disa paragrafë tepër të hidhur, si përgjigje për sulmin e tij te “Zëri i Amerikës”. Thelbi i përgjigjes ishte ky: parathënia e A.Pipës, ndryshe nga ç’më qe dukur më parë, paskësh qenë një “kallëzim në polici”.
Përgjigjja ime ka qenë e shpërpjesëtuar. Pendimin tim për këtë shpërpjesëtim e vërteton fakti që, pak kohë më pas, në botimin frëngjisht të “Ftesë në studio”, i vetmi ndryshim që kam bërë ka qenë pikërisht heqja e fyerjeve kundër Arshi Pipës.
Ndërkaq, keqkuptimi midis nesh ishte i rëndë. Njerëzit që e sajuan atë, e shfrytëzuan dhe vazhdojnë ta shfrytëzojnë ende sot, duke spekuluar me emrin e Arshi Pipës. Kam përshtypjen se pas sinjalit tim prej botimit frëngjisht, Arshi Pipa ka qenë i dëshpëruar prej incidentit dhe, në udhëtimin e tij në Shqipëri, nuk ka treguar ndonjë dëshirë të flasë për të.
Në raste keqkuptimesh të tilla dramatike janë dy faktorë që ndihmojnë në kapërcimin e tyre: koha dhe ndërmjetësit dashamirës të të dyja palëve. Për fat të keq, kanë munguar të dyja. Arshi Pipa e la shpejt këtë botë. Sa për ata që duhej të ndihmonin në shuarjen e keqkuptimit, në shumicën e rasteve bënë të kundërtën. Dhe kjo ishte në logjikën e gjërave: ishin ata që, me sa duket, kishin fabrikuar intrigën. Dhe kryesorja, ishin ata që kishin frikë zbulimin e së vërtetës.
Shpjegimi
Kthesa drastike e Arshi Pipës lidhur me autorin, që pasi e kishte çmuar me tonet më të larta, ishte përpjekur befas ta rrëzonte, e ka kërkuar prej kohësh një shpjegim. Shpjegimi, natyrisht, nuk mund të pritej prej atyre që kishin qenë pjesëtarë të kësaj historie, në dukje absurde, por në thelb dramatike, siç janë historitë e intoksikimit. Duke hapur arkivin e tij, familjarët kanë nxitur daljen e së vërtetës, që është, në fund të fundit, qetësimi dhe dëshira e fundit e çdo njeriu që largohet nga jeta, pa sqaruar dot disa gjëra.
Në të vërtetë thelbi i së vërtetës, më mirë se kudo, gjendet në veprën e një shkrimtari. Kështu dhe në rastin e Arshi Pipës, pështjellimin e përkohshëm të tij, e ka kundërshtuar, në radhë të parë, vepra e tij, pra, ai vetë.
Shpjegimi i incidentit nuk mund të shpjegohet jashtë kuadrit të asaj që po ndodhte në Shqipëri, në fund të vitit 1989, fillimi i 1990-ës, kur udhëheqja komuniste, e mbërthyer nga ankthi, po kërkonte mënyrat si të ruante ende pushtetin. Në rast të humbjes së tij, ajo do të përpiqej si të mbulonte krimet, meraku i fundit i çdo diktature. Regjimi përpiqej të siguronte njëfarë vazhdimësie të tërthortë të vetvetes nëpërmjet njerëzve të vet, që memaska në fytyrë do të shpejtonin të zinin radhët e para të shoqatave, partive, kulturës, biznesit e mediave.
Një veprimtari e ethshme karakterizoi stinët e fundit të regjimit për të ngritur figura e personazhe të llogaritur qysh më parë për këto ditë të këqija e, paralelisht me këto, për të diskretituar personazhe të tjera, që i gjykonte të rrezikshme. Pjesë e këtij programi ishte përçarja e intelektualëve, një mjeshtëri që komunizmi e njihte në mënyrë të përsosur. Dhe pjesë e kësaj ishte një tjetër përçarje, ajo midis intelektualëve që jetonin brenda vendit, me intelektualët e tjerë, shkrimtarë, publicistë, historianë të diasporës së gjerë shqiptare. Bashkimit të këtyre dy forcave i trembej më së shumti regjimi komunist. Ndaj, në panik e sipër, gjeti kohë të niste jashtë shtetit emisarë të veçantë, me misione të veçanta.
Regjimi shqiptar nuk ishte pa përvojë në këtë fushë. Edhe më parë, të dërguar të tij, ca të hapur e ca të maskuar kishin arritur ta bënin lëmsh një pjesë të diasporës intelektuale. Emisarët e rinj vazhdonin të njëjtën traditë. Kronika e kësaj tradite është tepër e gjatë. Asnjë shkrimtar, shkencëtar, historian, publicist, veprimtar politik a klerik i shquar nuk i ka shpëtuar përgjimit shqiptar.
Dezinformimi dhe intoksi do të ishin arma themelore të tij. Në prag të rënies së komunizmit, në vëmendje të veçantë kanë qenë, pa dyshim, Martin Camaj dhe Arshi Pipa, i pari i gjykuar i rrezikshëm për autoritetin e tij të lartë si shkrimtar, i dyti, edhe më i rrezikshëm, për energjinë e palodhshme antikomuniste. Emisarët e mbërritur në Munih të Gjermanisë do të përpiqeshin të ndikonin në fillim te Martin Camaj, e më pas, falë miqësisë së tij me Arshi Pipën, të kishin qasje te ky i fundit.
Rasti e ka sjellë që nëpërmjet dëshmitarëve të besueshëm e, sidomos nëpërmjet kontakteve me Martin Camaj, njërin të drejtpërdrejtë e dy të tjerë nëpërmjet ndërmjetësve, të krijoj një ide se si vepronte makina e njohur e intoksit komunist, një nga më të pabesat që ka njohur njerëzimi.
S’ishte fjala vetëm për shpifjet vulgare të tipit se si shkrimtari Kadare i ka quajtur refugjatët shqiptarë kështu apo ashtu, shpifje që përpiqeshin ta armiqësonin shkrimtarin jo vetëm me refugjatët, por me gjysmën e popullit shqiptar, që kishte lidhje me ta. As ishte fjala për sajime si ai i komisionit të ndalimit të Fishtës në Shqipëri, që kinse përbëhej nga treshja Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha, I. Kadare, i cili, ndonëse ishte fare i palogjikshëm, për arsyen e thjeshtë se kur Fishta u ndalua I. Kadare ishte më pak se 10 vjeç, prapëseprapë mund të dëmtonte shkrimtarin, sipas parimit të njohur: credo quia absurdum (e besoj ngaqë është absurde). Të tilla sajime nuk mund të pinin ujë te njerëzit si Camaj e Pipa. Ndaj për ta duhej të fabrikoheshin, dhe natyrisht që u fabrikuan, sajesa të tjera më dinake dhe sidomos tepër personale.
Është interesante, siç do të shpjegohet më poshtë, se ndërsa Martin Camaj nuk ra në kurthin e intoksit shqiptar, Arshi Pipa, për fat të keq, së paku për njëfarë kohe, ra.
Një parantezë për Martin Camajn
Në kushte krejtësisht të paparashikueshme e kam takuar Martin Camajn në tetor të vitit 1981, një nga periudhat më të errëta të diktaturës shqiptare. Takimi ndodhi në Frankfurt, ku isha i ftuar në Panairin e Librit. Pas konferencës së shtypit, ku kisha folur përpara gazetarëve, në koktejin e zakonshëm të organizuar më pas, m’u afrua një burrë i hijshëm që më foli në shqip: Jam Martin Camaj, ndoshta më njihni, kam ardhur nga Mynihu për t’ju dëgjuar.
I thashë se e njihja fare mirë nga shkrimet që botonte në “Shejzat”, gjë që ishte e vërtetë. Revista e Koliqit “Shejzat”, që dilte në Romë, vinte rregullisht në Bibliotekën Kombëtare dhe ndonëse ishte në indeksin e shtypit të ndaluar, me pak vështirësi mund ta lexoja në sallë.
Më tha se nuk donte të më vinte në pozitë të vështirë me praninë e tij, por, me sa kishte vënë re, mendonte se në sallë nuk kishte shqiptarë.
I thashë se ashtu më qe dukur edhe mua dhe ky komplicitet i thjeshtë, shoqëruar me buzëqeshje, bashkë me bisedën e çiltër disaminutëshe, më krijuan bindjen se i lamë përshtypje të mirë njëri-tjetrit. Pas kësaj njohjeje, interesimi im për të dhe për veprën e tij u shtua se tepërmi, por rasti nuk e solli më të takoheshim.
Dhjetë vite më pas, në fund të vitit 1991, një miku ynë i përbashkët, që vinte shpesh në Paris, do të më sillte lajme dhe përshëndetje nga Martin Camaj. Ishte Ëerner Daum, shkrimtar, eseist dhe diplomat i shkëlqyer gjerman, që e kisha njohur gjatë shërbimit të tij në Tiranë, kur kishte postin e zëvendësambasadorit gjerman, dhe që u bë i njohur si personazhi kryesor midis diplomatëve perëndimorë, që luajtën rol gjatë krizës së ambasadave.
Gjatë një dreke, Ëerner Daum më foli për miqësinë e tij me Camajn dhe më pyeti ç’mendoja për veprën e tij. Për fat të mirë, sapo kisha mbaruar dy novelat e shkëlqyera “Pishtarët e natës” dhe “Rrungaja e marsit” dhe ia thashë mendimin tim për to, si dhe për vjershat që i njihja prej kohësh.
Ëerner Daum, i shquar për elegancën e sjelljeve dhe të folurit, më kërkoi leje se a mund t’ia transmetonte këtë bisedë Camajt. E dinte takimin tonë të dikurshëm dhe shtoi se Camaj do të gëzohej shumë për këtë vlerësim. Nga shtjellimi i bisedës së Daumit, si unë, si ime shoqe, patëm përshtypjen se Camaj, kishte, me sa dukej, një informacion të kundërt, thellësisht të gabuar, lidhur me atë çka mendoja unë për të.
Një javë më pas, Ëerner Daum më mori në telefon për të më thënë se Camaj kishte qenë shumë i lumtur nga ato që kishim folur dhe se do dëshironte shumë, nëse rasti e sillte dhe nëse unë gjithashtu e dëshiroja, të takoheshim. U përgjigja menjëherë se do të ishte për mua një gëzim i rrallë dhe kjo mund të krijohej në marsin e vitit që sapo kishte hyrë. Më 20 mars isha i ftuar pikërisht në Munih, në një forum ndërkombëtar shkrimtarësh. Përgjigjja nga Martin Camaj erdhi si përherë e shpejtë dhe fisnike. Do të dëshironte shumë të na ftonte të dyve, Daumin dhe mua për drekë, në shtëpinë e tij gjatë ditëve të forumit.
E prisja me padurim këtë takim, por nuk ma merrte mendja se Martin Camaj po jetonte javët e tij të fundit. Sëmundja, që ishte shpallur ndërkaq, po përparonte me shpejtësi dhe ai e la këtë botë pak kohë përpara takimit tonë.
Në një nga ditët e forumit i kërkova shoqërueses sime gjermane të më ndihmonte për t’u lidhur me familjen e Camajt, për të çuar një tufë lule në varrin e tij. Kontakti i saj me një nga familjarët ishte më se befasues: I. Kadare ka qenë armiku kryesor i Martin Camajt, ndaj nuk ka të drejtë morale t’i çojë lule në varr. Gazetarja gjermane nuk po u besonte veshëve. Në formulimin e përgjigjes ndjeva shijen e hidhur të diçkaje të njohur. Shoqëruesja gjermane mori prapë në telefon për të pyetur se a ishin në dijeni në familjen Camaj se në 23 ose 24 mars I. Kadare dhe Ë.Daum ishin të ftuar për drekë prej vetë Martin Camajt? Në telefon u përgjigjën se kjo ishte e vërtetë, por kjo s’donte të thoshte asgjë, ngaqë “Martini ishte naiv dhe disa herë nuk u jepte rëndësinë e nevojshme disa gjërave”.
Ishte mjaft e qartë për të kuptuar se si kishte punuar intriga shqiptare nëpërmjet emisarëve të dërguar në Munih. Ajo që mund të vrisje mendjen e nuk e gjeje dot, siç qe kthesa e pashpjegueshme e Arshi Pipës, kishte një shpjegim të thjeshtë: keni shkruar pozitivisht për Kadarenë, ju doni të takoheni me të? Synimi juaj është fisnik, por ju, me sa duket, nuk jeni në dijeni se Kadare nuk është mik, por armik numër një i juaj. Dhe kështu triumfonte e keqja, ashtu si në historinë e shëmtuar të kinse përbaltjes së refugjatëve prej I.Kadaresë, ashtu si në shpifjen e kinse komisionit trepalësh që kishte ndaluar Fishtën, ashtu si në shumë fabrikime të tjera, për të cilat punonin ditë e natë zyrat e Sigurimit Shqiptar.
Duke mos u zbuluar arkivat, dosjet dhe lidhjet e fshehta, gjithë mekanizmi i vjetër, ndonëse i rrëzuar, e rrezaton të keqen. Ajo mund të shfaqet në forma groteske, sidomos në fushën e kulturës, siç ndodhi me paralajmërimin e çuditshëm për një shkrimtar, botuar në faqen e parë të një gazete: “Dyqind mijë evgjitë bëhen gati të sulmojnë I. Kadarenë”. Ose me forma më tinëzare, por më helmuese, si ankesa shoqatash në organizma europiane, ku i njëjti shkrimtar akuzohet si vllahofob, ose kur, në të njëjtën kohë akuzohet si antikatolik, antimysliman e antisemit, një koleksion “anti”-sh tepër i vështirë për t’u besuar, por fare i lehtë për t’u reklamuar.
Mozaiku i së keqes
Incidenti me Arshi Pipën nuk është veçse një katror përbërës në mozaikun e madh të mbrapshtisë, çka është në të vërtetë jeta jonë e sotme shqiptare. Siç u tha në krye të këtyre shënimeve, pas rënies së komunizmit, pikërisht në kohën që u duk se shumë gjëra do të viheshin në vend ose, së paku, do t’i nënshtroheshin një procesi sqarimi e lustracioni, faza e parë e qortimit të fajit historik, ndodhi e kundërta. Një mjegull e një pështjellim që sa vinte dendësohej u shtri në mënyrë këmbëngulëse në të gjitha fushat e jetës.
Fakti që sot, në kohën që po shkruhen këta rreshta, Shqipëria, për turp të saj, ende po lëkundet t’i hapë ose jo arkivat e fshehtë, të dënojë ose jo krimet e komunizmit, dëshmon më së miri katastrofën morale që ky vend e pranoi si një kalendar të përditshëm. Një vend që refuzon të shqyrtojë ndërgjegjen e vet, tregon se nuk ka asnjë vullnet t’i thotë lamtumirë së keqes, rob i së cilës ka qenë.
Para ca kohe ende na dukej se ende e kishim të drejtën të krenoheshim që përmbysja e diktaturës ndodhi te ne pa përplasje. Dyshoj se së shpejti, në qoftë se ende nuk do t’u japim plotësisht të drejtë atyre që mendonin se një përplasje do të ishte, ndoshta, më e shëndetshme se ky flirt i shëmtuar më të keqen, së paku do t’i dëgjojmë me vëmendje. Flirti ka qenë dhe vazhdon të jetë tepër i rëndë. Ai po thyen në mes moralin shqiptar dhe thyerja e këtij morali është baza ushqyese e korrupsionit, kundër të cilit flasim aq shumë e bëjmë aq pak.
Për t’u kthyer në fushën e kulturës, kemi qenë të gjithë dëshmitarë se si druajtja e ditëve të para u kaloi shumë shpejt njerëzve që ishin zhytur në krim, denonciatorëve, ata që pa asnjë mëshirë kishin çuar drejt burgut ose pushkatimit kolegët e tyre, ata që as vendet e quajtura “borgjeze”, demokracitë europiane, nuk i falnin. Druajtja iu doli shpejt, sepse shumë shpejt e kuptuan se ata, jo vetëm nuk dënoheshin, por, përkundrazi, filluan të çmohen. Të dy krahët e politikës i quanin thesar të paçmuar dijenitë që kishin për militantët e përlyer të krahut kundërshtar (dijeni të grumbulluara gjatë kohës që kishin qenë në pushtet), sepse në këtë mënyrë do të mund te shantazhonin krahun tjetër, sipas parimit: ti mos prek të mitë, unë s’prek të tutë.
Kjo ndodhi në të gjitha fushat, e sidomos në kulturë. Dhe kështu, llumit të kulturës shqiptare jo vetëm i doli droja, por u ndie i inkurajuar si dikur dhe, si dikur, me oreks të shtuar nisi të kërkojë poste, ndere, dekorata, tituj akademike etj., që qeveritë shqiptare të të dy krahëve, me një bujari të paparë po ua jepnin dhe vazhdojnë t’ua japin ende sot.
Zërat që u ngritën kundër një flame të tillë, shkrimet dhe librat që u botuan, ndër të cilat vepra monumentale, si “Rrno vetëm për me tregue” e At Zef Pllumit, ose vepra të rëndësishme e tronditëse, si “Lufta civile në Shqipëri” e Uran Butkës, “Disidentë të rremë” e Sadik Bejkos, e të tjera si këto, nuk e ndalën dot përroin e turbullt që nga rrënojat e diktaturës po ngrinte prapë në sipërfaqe njerëzit e saj.
Në sulmin e saj e keqja sa vente bëhej më e pafytyrë. Jo vetëm s’dukej asnjë shenjë e ndëshkimit për denonciatorët e veglat e terrorit komunist, por postet që ata zinin arrinin përherë lartësi të reja. Gjithë Shqipëria e dinte, ndërkaq, se ata kishin zënë vend në parlament, në partitë politike, në qeveritë e të dy krahëve, por Shqipëria e lodhur ose e papërgjegjshme u pajtua me këtë shëmti. Gjithë Shqipëria i shikonte dhe vazhdon t’i shikojë përnatë në ekranet e televizorëve, ose edhe më keq, në tribuna festive, ku, shëmturisht të mallëngjyer, marrin tituj nderi, ata, shumë prej të cilëve do ta kishin vendin në burg. Dhe Shqipëria, e lodhur, prapë hesht dhe mësohet me të keqen.
Rekordet e saj sa vete rriten. Për t’u kthyer në fushën e kulturës, ndodhin gjëra të papërfytyrueshme: si dekorimet e prokurorëve, që e çuan në litar një poet, për të cilin shtypi foli, për fat të mirë, gjerësisht, por që, për fat të keq, nuk u kujtua kush të kërkonte shnjohjen (anulimin) e dekoratave. Në librin “Disidentët e rremë” autori tregon shembuj tronditës, se si pikërisht pas rënies së komunizmit emra shkollash, rrugësh e fondacionesh janë pagëzuar me emra denonciatorësh. Dhe ndonëse shtypi ka dhënë alarmin, asgjë nuk ndodh.
Për të mos u zgjatur, në këtë libër jepet, midis të tjerash, shembulli që duhet të jetë unikal në kontinentin europian, në mos në gjithë botën, ku vërtetohet katërcipërisht prej dokumentesh se, një njeri i letrave, ish-oficer sigurimi, ish-kryetar dege të brendshme, jo vetëm e ka falsifikuar jetën dhe veprën e vet, por ka vrarë njerëz me dorën e tij, dhe vrasjen e ka kryer jo për shkaqe private, emocionale, qoftë dhe psikotike, por i ngarkuar nga Sigurimi Shqiptar, pra jemi përpara një vrasjeje politike, asaj mbi të cilën u ngritën themelet e diktaturës shqiptare. Në librin “Lufta civile në Shqipëri”, Uran Butka flet për vrasjet politike prapa krahëve, qysh në luftë, pra brenda llojit. Këto, bashkë me vrasjet me motiv klasor, përbëjnë aktet fondatore të versionit shqiptar të komunizmit.
Ajo që është shqetësuese në këtë histori, nuk është vetë personazhi vrasës, por shoqëria shqiptare që kundron me shpërfillje atë që po ndodh. Të mbrosh një krim fondator, do të thotë ta mbrosh në tërësinë e tij rendin kriminal. Dhe mbrojtësit janë po ata që gjer më sot kanë penguar hapjen e arkivave dhe të dosjeve të turpit, ata që kanë shërbyer si denonciatorë ose që kanë glorifikuar denonciatorët, e kështu me radhë, gjer tek emisarët që u dërguan te Martin Camaj, tek Arshi Pipa e të tjerë personalitete të diasporës, për të mbjellë përçarje dhe helm.
Krimi frikësohet nga e vërteta, nga dëshmitarët e, sidomos, nga dokumentet. Kjo është arsyeja që në Shqipëri ka një mosdashje, për të mos thënë një tmerr të vërtetë prej dokumentacionit. Abaz Ermenji, kryetar i Ballit Kombëtar në mërgim, shumë herë i ka rënë kambanës së alarmit për emisarë spiunë të dërguar në Perëndim nga Shqipëria komuniste. Balli Kombëtar ka pasur me dhjetëra organizata e celula në botën e lirë. Nuk është bërë e ditur që nga këto organizata të jenë botuar letra e materiale, që do të ndihmonin aq shumë për të hedhur dritë mbi një të vërtetë të fshehur me aq kujdes, sidomos në fushën e kulturës. Nuk janë të paktë shqiptarët që në vitet 1990-1992 janë takuar e kanë biseduar me personazhet që u përmendën në këtë shkrim, Camaj e Pipa.
Ndërkaq, nuk janë parë gjëkundi dëshmitë e këtyre takimeve. Në botën e qytetëruar, dëshmi të tilla bëhen pjesë e kulturës dhe e kureshtisë pozitive, asaj që e çon përpara emancipimin e një shoqërie. Të gjithë duan të dinë ç’kanë menduar personazhet e shquara, sidomos ata që s’jetojnë më. Te ne ndodh e kundërta. Një heshtje e papërligjur i rrethon, heshtje që nuk kuptohet ku e ka zanafillën: tek paaftësia e vizitorëve për të komunikuar me personazhet, tek arsye meskine apo te ndërgjegjja e papastër.
Në këtë kah, çdo botim, çdo dalje në dritë, çdo pjesë e arkivit të njerëzve të shquar, e nxjerrë nga institucionet ose familjet, si në rastin e fundit, përbën një akt të fisëm e emancipues.
Për t’u kthyer tek emisarët, për të cilët flet zoti Ermenji, qoftë klasikët, qoftë modernët, ata të epokës së internetit, duhet ta mësojnë më në fund se koha e mjeshtërisë se tyre, mjeshtërisë për t’u futur në shtëpi shkrimtarësh të njohur, për t’i shitur pastaj pabesisht, ka kaluar. Mjeshtërinë e infiltrimit, përpara se ta praktikonin në Munih, judët e kanë mësuar në Tiranë. Atje, të maskuar si admirues, ata kryen tradhtinë më të madhe ndaj moralit njerëzor.
Judët e kulturës shqiptare, sipas një zakoni të fundit dhe mjaft të keq shqiptar, kujtojnë se sa më shumë të dalin në ekrane, aq më lehtë do t’u harrohet ajo që kanë bërë. Ata kujtojnë se kjo ekranomani, e shoqëruar me ca ecejake nëpër ca forume a kinseforume europiane do t’ua bëjë më të lehtë purgatorin. Ndërkaq, ata harrojnë se dënimi i judëve ende bën pjesë dhe, me sa duket, do të bëjë pjesë gjithmonë në doket e qytetërimit europian. Kështu që sa më shumë që Shqipëria i afrohet Europës, aq më e papërshtatshme bëhet ndërgjegjja e tyre për këtë kushtëzim. Në këtë gjendje, e vetmja rrugëdalje mbetet lehtësimi i saj. Dhe për njerëzit që janë mësuar të punojnë në terr, e vetmja mënyrë e lehtësimit të ndërgjegjes, është kërkimi, qoftë dhe me vonesë, i dritës dhe i pozitivitetit të munguar.
SHËNIM I REDAKSISË (Shekulli)- Më poshtë është një pjesë e studimit të Arshi Pipes, nxjerrë nga arkivat qe ka botuar e po boton ende Myftar Gjana.
Arshi Pipa: “Kadare shkrimtar heretik”
"Nuk dyshoj se Kadareja eshte nje shkrimtar heretik. Nuk eshte e mjaftueshme ta quash atë, siç kam thënë dikur, Jevtushenko shqiptar. Jevtushenko eshte thjesht nje rebel. Dallimi midis nje rebeli dhe nje heretiku eshte se, i pari, shpreh zemërimin e tij në mënyrë spazmodike, i cili mund te përmblidhet pas pak, ndërsa heretiku është i qëndrueshëm në kundërshtimin e tij, ka një vijë të veprimit dhe një strategji të sjelljes, që buron nga parimet.
Duke jetuar në një shoqëri besimtarêsh ai duhet të veprojë jashtë rregullave dhe riteve të saj. Por ndërgjegjja e tij i kundërshton qëllimet e besimit të saj, duke bërë sikur u shërben atyre me fjalë. Ndërsa është trupërisht pjesë e asaj shoqërie, ai jeton shpirtërisht jashtë saj, i udhëhequr nga parimet dhe besimet e tij.
Ai ka, prandaj, një personalitet të çarë, pjesën e tij të jashtme, që bën pjesë në mbështjelljen e shoqërisë, ndërsa mendjen e tij, që mbetet e huaj për të. Dhe nëse ndodh që ai është një shkrimtar, stili i tij duhet të karakterizohet nga ambiguiteti dhe dykuptimësia.
Nuk ka mënyrë tjetër pêr heretikët për të mbijetuar në një shoqëri që ata e urrejnë dhe e përbuzin, përveç se të jenë dinakë dhe veshtullorë, mendjehollë dhe të tërthortë, duke fshehur bishtin e tyre të akrepit."