Editorial » Entela
Entela Binjaku: Intervistë me Thoma Binjakun, 'Mësues i Merituar'
E shtune, 26.05.2018, 06:29 PM
Thoma Binjaku: “Komuniteti arumun njihet shumë nga shoqëria shqiptare e cila e respekton për cilësitë dhe virtytet që ai ka”
Nga Entela Binjaku
Maji është një muaj i shënuar për arumunët kudo ku ata jetojnë. Në maj ata festojnë: Ditën e Arumunëve. Në nderim të saj komuniteti përkushtohet dhe e feston në mënyra të ndryshme. Një ndihmesë të madhe në njohjen e traditave arumune japin veçanërisht njerëzit e letrave nga ky komunitet. Përmes punës së palodhur intelektuale dhe artit të çmuar të komunikimit ata i vijnë në ndihmë mbarë shoqërisë për një njohje më të mirë të diversitetit kulturor. Një ndër figurat më të shquara bashkëkohore të këtij komuniteti në Shqipëri është Thoma Binjaku. Ai njihet për përvojën e gjatë në fushën e pedagogjisë shqiptare. Thomai është pjesëmarrës në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë në vitin 1972. Ai mban titullin “Mësues i Merituar” dhe është i dekoruar me urdhërin “Naim Frashëri” të klasit I, II, III. Thomai lindi në fshatin Peshtan të qytetit të Fierit, qytet ku mori edhe mësimet e para. Ishte koha kur në fshatin e tij të lindjes, nuk kishte ende një shkollë 7-vjeçare. Me përfundimin e shkollës pedagogjike në vitin 1959 ai u emërua mësues në shkollën e Peshtanit. Me nismën e tij në Peshtan u ngrit shkolla “Hamdi Metaj”, shkollë e cila vazhdon edhe sot. Thomai ka punuar për dy vjet 1972-1974 si inspektor në Ministrinë e Arsimit kur ministria drejohej nga Tefta Cami, por përshkak se shteti nuk i siguroi strehim, ai u rikthye në Fier. Në vitin 1974 ai nisi punë në Komitetin Ekzekutiv në seksionin e Arsimit dhe të Kulturës në Fier ku punoi për 14 vjet si Inspektor i Arsimit. Me ndërrimin e sistemit largohet nga ky institucion në vitin 1990 dhe deri në daljen në pension punoi në drejtimin e disa prej shkollave më të njohura të qytetit duke kontribuar në çeljen e shkollave të reja. Një ndër çastet kulmore të karrierës së tij është viti 1998 kur ai u emërua drejtor në shkollën “Andon Xoxa”, shkollë të cilën e drejtoi për 10 vjet. Ishte një kohë e vështirë për kombin. Shkolla që ai drejtonte ishte më e madhja në Republikë e kohës me 2000 nxënës. Qyteti i Fierit hapi dyert për shumë familje kosovare. 474 prej fëmijëve nga Kosova, Thomai i mori të studionin në shkollën që drejtonte dhe në 15 shtator ai dhe trupa e mësuesve të kësaj shkolle i përcollën fëmijët në Kosovë, të gjithë të pajisur edhe me deftesë. Pas viteve 90 ai nisi të kontribuojë në mënyrë aktive në njohjen e komunitetin arumun në Shqipëri. Kontributi i tij në këtë drejtim ishte konkret që në vitet e para pas ndryshimit të regjimit: me emisionet në TV lokal “Apollon” në dhënien e mësimit të gjuhës arumune ai ka dhënë një kontribut të çmuar në edukimin e shoqërisë me respektin e traditave për minoritetet.
Z. Binjaku, në maj festohet Dita e Arumunëve. Sipas mendimit tuaj, sa e njeh shoqëria shqiptare komunitetin arumun?
Th. Binjaku: Ditën e arumunëve ne e kemi festuar tek pika e besimit të krishterë në majë të kodrës në Patos. Takim kemi patur në Portëz, ku ndodhen edhe pakica arumunësh. Disa takime çdo vit në maj janë bërë në Divjakë me arumunë nga e gjithë Shqipëria dhe me pjesëmarrje të ambasadorit, konsullit dhe Ilia Gjokës. Kjo është një ditë e shënuar. Komuniteti arumun njihet shumë nga shoqëria shqiptare dhe respektohet shumë për cilësitë dhe virtytet që ata kanë.
Po gjatë kohës së komunizimit cila ishte situata e arumunëve në vendin tonë? A i ruanin traditat dhe a e flisnin gjuhën?
Th. Binjaku: Gjatë periudhës së komunizmit, për gjuhën arumune, nuk kishte ndonjë çensurë shumë të fortë. Ajo, në familje dhe në rrethe shoqërore arumunësh, flitej lirshëm. Në raste kur në një rreth shoqëror arumunësh ishte një shqiptar jo arumun, ishe i detyruar të mos flisje arumanisht.
Ku është i përqëndruar më së shumti komuniteti arumun në vendin tonë?
Th. Binjaku: Komuniteti arumun është i përqëndruar në Korçë, në fshatrat e saj si Voskopojë, Shipskë. Komunitet të madh arumunësh kishte në Grabovë,Tiranë. Edhe kishën e Shën Prokopit në Tiranë,e kanë ngritur arumunët. Arumunët ishin shtrirë në Durrës, Kavajë, Elbasan, Divjakë, Lushnje, Kutalli- Berat, Sqepur- Berat dhe vete brenda në Berat. Qytetin e Fierit e krijuan arumunët, të cilët u vendosen kur erdhën nga Voskopoja e djegur në Kolkondas, ku është sot kisha dhe manastiri i Shën Kozmait. Pasi ndenjën një periudhe kohe, ata u vendosën në Fier dhe krijuan qytetin e Fierit, që ishte një stan i tyre. Në Fier,arumunët u vendosen edhe në këto fshatra: Rreth Libofshe,Petovë,Mbrostar- Ferko,Vadhizë, Pojan, Afrim i Ri, Shtyllas, Drizë, Peshtan, Kraps, Dukas, Patosi qytet, Zharrëz, Luar, Strum. Arumunë ka shumë Frashëri i Përmetit, Erseka e Kolonjës,Vlora në fshatrat: Selenicë, Armen, Mekat, Bunavi, Bestrovë, Cerkovinë,Skrofotinë, Zvërnec, Beshisht.
Ju jeni një nga personalitetet më të shquara të komunitetit arumun.Sipas jush sa e njeh rinia (Arumune) trashëgiminë kulturore arumune?
Th. Binjaku: Arumunët dijetarë, shkencëtarë kanë qenë të shumtë. Ata studimet i përfunduan në Bukuresht të Rumanisë. Rinia arumune njeh trashëgiminë kulturore dhe e respekton atë dhe figurat si: Mihal Grameno, Nuçi Naçi, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Asdreni, Naum Veqilharxhi, Marigo Posio e cila,flamurin e qëndisur prej saj ia dha Ismail Qemalit për të shpallur Pavarësinë e Shqiperisë, Papa Kristo Negovani, Dhaskal Todri etj. Priftërinjtë e Korçës dhe të Voskopojës si Papu Llambro Ballamaçi, At Dhimitër Veriga etj.
Në perceptimin e përgjithshëm të rinjtë nuk e shprehin origjinën e tyre.Pse ndodh kjo sipas jush?
Th. Binjaku: Duke qenë të ndrydhur dhe për mos të ndjerë veten si pakicë kombëtare, atyre u vinte turp të flisnin gjuhën e nënës, të këndonin në gjuhën e nënës, të vallëzonin në gjuhën e nënes dhe të këndonin këngët e dasmës në gjuhën e nënës.
Në qytetin e Fierit cilat janë disa nga pikat më të forta të arumunëve?
Th. Binjaku: Pikat më të forta te arumunëve në qytetin e Fierit janë: Vetë Fieri si civitatem (qytet) ku te regjistruar kemi 585 familje armunesh. Çdo lagje e Fierit ka familje arumunesh si: Papuçiu, Koshovari, Gero, Bakalli, Kilica, Çaçi, Binjaku, Çibuku, Tavanxhiu, Nasto, Bufi, Bele, Pove, Jano, Bare, Semeu, Piperi, Jorgaqi, Zonja, Byzyka,Robo etj.
Dimë që ju keni punuar për programe të gjuhës arumune.Një abetare po punohet prej jush. Si mendoni se do të ndihmojnë këto për njohjen e traditës arumune?
Th. Binjaku: Gjuha arumune po shkon drejt asimilimit. Ajo flitet sot në brezin e dytë dhe të tretë dhe më pak në brezin e fëmijëve dhe të rinisë. Arsyeja ka qenë martesat e bëra ne fe të ndryshme dhe fakti që në kohën e komunizmit ndalohej e folura në gjuhë të tjera që s’ishin shqip. Kështu ka qene edhe per arumanishten. Është e vërtetë, që unë kam shkruar shumë dhe kam hartuar disa abetare në gjuhën arumune, kam kumtesa, takime, videokaseta në gjuhën arumune, të cilat janë të shumta në shtëpinë time. Si abetare model është marrë ajo e profesor Saramanda, rumun dhe libra të tjerë të përshtatur në arumanisht nga Franca, Maqedonia. Disa emisione radhë në DVD ka për Voskopojën, të cilat një ditë prej ditësh do të paraqiten për t’u parë nga të gjithë. Mësimi i gjuhës arumune bëhet me këto librat e mi nëse do të shumëfishohen nëpër shtypshkronja.
Mendoj se duhen: qendër televizive në Vlorë, Fieri e ka prej disa vitesh, Berat dhe Lushnje,me kohe dhe dite të caktuar. Të ngrihen shkolla në Dukas Patos, që është një komunitet i tërë arumunësh dhe dy shkolla të tjera në rrethin e Vlorës; një në Selenicë dhe një në fshatin Mekat, fshat pothuajse i tëri me arumunë, ku ka filluar në mënyre vullnetare edhe një shkolle arumune me 22 fëmijë, të cilët kanë përparuar shumë në këtë gjuhë. Fieri ka shumë kërkesa për studentë në Bukuresht.