E shtune, 21.12.2024, 05:56 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Gjumi i gjumit

E shtune, 07.04.2018, 07:17 PM


R e f l e k s i v e

Sejdi BERISHA:

GJUMI I GJUMIT, APO ÇFARË ISHTE AJO QË MA TREGONTE PRINDI IM ME PLIS TË BARDHË...!

Sa herë që kam dëshirë të shkruaj apo të them diçka në shkrimin tim, në të njëjtën kohë ndjej një dridhje por edhe kënaqësi, e kur të bashkohen këto, sikur më bëjnë më të lumtur për guximin që kanë njerëzit. Ndoshta, një gjë e tillë edhe të detyron të futesh në brendinë e njeriut dhe të nxjerrësh gjëra që i ngjajnë misterit, apo ta hasesh dritën, e cila rri në terr dhe ashtu me ngjyrë ndryshku dhe erë myku. Dhe, pikërisht për këtë arsye, më kujtohet Gabriel Garcia Marques, i cili thotë: “Çdo gjë që del nga goja ime, më shqetëson mua”! Po, natyrisht se ashtu është, kur ende ka shumë gjëra pa u thënë ashtu si duhet. Por, kjo (s)ka rëndësi...

1.

Nganjëherë, nga dinamika e jetës edhe i harron njerëzit. Ani, kur gjërat janë apo bëhen të kapërthurta. Por, për to nuk ka llogari të elaborosh dhe as të zhvillosh debat...

Kishim biseduar gjerë e gjatë për letërsinë e për historinë, e veçmas për poezinë, që miku im R. B., i cili e pëlqen historinë, për çfarë ka bërë disa libra, shumë i adhuron vargjet dhe poezitë e mia. Nuk e di se pse, dhe gjithnjë rrihnim pykën se njeriu ynë ende ka nevojë për ushqim të shëndoshë shpirtëror. Kjo edhe u bë shkas për bisedën dhe debatin në restorantin “Nositi”. Bisedën e begatoi ardhja edhe e një mikut tjetër, i cili jeton në Londër të Anglisë. Atëherë, u “nxemë” edhe për libra e vepra që tregojnë, ndrisin e dëshmojnë për historinë, për vlerat shpirtërore, të cilat, duhet pranuar, disa sosh me vrap është duke i “sulmuar” harresa, ai pluhuri që maskon e shlyen gjithçka. Andaj, u zu në gojë edhe Monografia “Teatri i Pejës”, me të cilën vërtetë kisha bërë përpjekje që të lë diçka për madhështinë e këtij teatri. Dhe, të dy miqtë e mi më inkurajuan duke më përgëzuar: Pejës, dhe jo vetëm këtij qyteti, i ke lënë një rreze drite për historikun e kulturës jo vetëm të artit skenik.

Unë, përpiqesha që këtë punë ta zhvendos në binarët e gjërave dhe të punëve që duhet bërë e kontribuar secili, mirëpo, pasi kishte ikur bukur shumë koha, u quam dhe ia mësymë drekës secili për në shtëpinë e vetë. Por, posa dolëm nga restoranti, na afrohet një burrë në moshë të mirë që mbante syza dielli. Na u afrua, hoqi syzet dhe u përshëndet së pari më mua e pastaj edhe më dy miqtë e mi.

Me përzemërsi më pyeti se ku gjendem. Kur i thash se për çdo ditë jam në “vendin tim”, në restorantin “Nositi”, menjëherë më tha:

-Ka kohë që nuk të kam parë! – më flet me përzemërsi dhe m’i kishte ngulitur sytë thua se sikur donte për të më studiuar, apo kishte aq etje për t’u takuar me mua.

Ky njeri, i cili një kohë kishte qenë edhe kryetar gjykate, më pyeti edhe për krijimtarinë time dhe na luti të kthejmë sërish në restorant për nga një kafe. Por, ishte vonë dhe që të tretë iu falënderuam. Në shenjë përshëndetjeje, ma zgjati dorën:

-Sërish po të them, se ka kohë që nuk të kam parë, dhe, të ta them të vërtetën, kur të shoh dhe kur të takoj Ty, disi të identifikoj me Pejën...!

Ngela i nemitur, por vetëm arrita t’i them: Ju faleminderit! Ndërsa, në ndërkohë, njëri prej miqve të mi, posa u larguam pak nga ky njeri, me admirim shtoi:

-E sheh, çfarë do të thotë të bësh e të krijosh vepra... Të shkruash monografi si atë “Zejtarët e Pejës” dhe “Teatri i Pejës”?!

Pas kësaj, të tretë ngelëm pa thënë asnjë fjalë, pa dhënë koment për këtë, por unë vetëm ngrita supet, që ishte shenjë se megjithatë thoshte diçka... Kështu u ndamë me dëshirën për t’u takuar sërish nesër apo një ditë tjetër...

2.

Por, ky rrëfim ma kujtoi edhe një ngjarje tjetër. Për çdo ditë, sa herë që dal në qytet, rruga ma “detyron” pamjen e njerëzve të cilët mblidhen para një ordinance e cila ofron shërbime falas për fizioterapi. O Zot, po sa njeriu shndërrohet në pritje pranë kësaj ambulance. Kuptohet, të gjithë për t’i “rregulluar” eshtrat e tyre, kurrizin e çfarë jo tjetër. Dhe, pa dashas më del mendimi i frikës: athua, po kaq shumë lëngon populli nga ileti i eshtrave?!... Dhe, më hyn mendja thellutave për t’i nxjerr unë faktet: po, pse kaq i vuajtur ky njeri, ky popull i kësaj toke? Kuptohet, pas pyetjeve të tilla dalin njëmijë telashe rrugëtimi e historie...

Një ditë, sërish duke kaluar atypari, por tani duke u kthyer në shtëpi, pranë asaj ordinance grumbuj njerëzish. Bënte vapë, kurse ata në pishë të diellit. Duke shikuar pa cak, dëgjoj një zë duke më thirr me emër. Kthehem dhe shikoj. Nga turma ndahet njëri i cili më përshëndeti me: mirëdita!

E shikova, por nuk e njihja dot. Ishte një plak thatak me një kasketë në kokë, që ma qonte mallin e atyre pleqve nga Kalabria. U ngrit në këmbë dhe duke kaluar këndej rruge ku isha unë, ma shtrëngoi  dorën duke më thënë:

-Ndoshta nuk më njeh, por jemi takuar para një viti e sa, në të pame me rastin e vdekjes së gazetarit N. L. Prej aty, kurrë nuk të harroj dhe shumë të respektoj,... Ishe njeri i madh! –pa përfunduar tërë atë që kishte pas ndërmend, lotët ia përlanë faqet thatake. Edhe njëherë ma shtrëngoi  dorën me të dy duart e veta, duke mos mundur të flas nga dridhja e buzëve. Iku atje ku kishte qenë duke pritur për ta “relaksuar” kurrizin e tij të shtrembëruar nga koha.

Ngela mu sikurse njeriu i varur në ndonjë gozhdë të madhe, që rri kacavjerrë, dhe duke u luhatur si lavjerrës pret se ç’po ndodhë me te. Ashtu, i shtangur vazhdova rrugën për në shtëpi. Vapa e kishte bërë të vetën. I tëri isha bërë qull nga djersët. Më digjnin sytë. Nuk e di, nga djersët apo nga kripa e lotëve të atij plakut që më kishte përshëndetur, dhe me fjalët e tij ma hapi edhe një plagë, dhe ec e gjëje ilaçin për ta shëruar atë! Nuk e di, por për ngushëllim vetvetes, thash: “po, sa njerëz e njerëzi, po sa butësi i nevojitet këtij populli, kësaj toke...!

Të jeni të sigurt, edhe mua,... po sa shumë më shtrëngon kurrizi,... sa më dhembin eshtrat,... si të isha i rrahur, maltretuar dhe i vuajtur prej ditës kur më lindi nëna!

3.

Dua t’i tërheq dy paralele, nëse mund të puqen ato dhe nëse mund të qëndrojnë bashkë. Por, jam i bindur se do të shkaktojnë “polemika” dhe gjithfarë mendimesh. Megjithatë, unë këto dy “budallaki” do t’ua “servoj”, kurse ju bëni debat me vetveten apo edhe me dike tjetër.

Gjithkush gëzohet për gazmende, e sidomos kur është në pyetje dasma. Dhe, në këtë kohë, në këtë stinë, dasma sa të duash... Bile, disa u ngjajnë garave se kush është i “pari”! E, këto gara ta kujtojnë kohën e feudalizmit, apo edhe diçka edhe më përtej... Këtë, nuk e them nga inati as për inat.

Të shkojmë radhazi. Në një restorant apo në një hotel, pak duken se janë pesëqind ulëse. Ndërsa, menyja e darkës, edhe pse është më e shtrenjta-nuk e kalon njëqind euron për një person, nuk peshon as aq sa qon miza në krah... Vijnë të ftuarit. Nuk është as garë as sfilatë mode, por,... për shitje mend nuk garantoj. Dhe, femrat tona, atë natë, sa “kushtojnë”. Sa fustani e gardëroba,... nëse llogaritën, kushtojnë një dreq e gjysmë. Por, s’ka gjë. Nuk jemi të varfër,... Tash, ushtojnë muret, vallet e vallëzimet nuk ia lëshojnë radhën njëra-tjetrës. E, ndoshta më vonë, në sallë tupanët po se po, por,... dikur trashet “zullumi”, edhe femrat e “specializuara” për çyçek, për dridhje trupi, nuk kursejnë mundin dhe djersën e tyre. Thjeshtë, dasmë e rrastë, a? Si në kohën e sulltanëve...

Por, tani kthehem dhe e pyes vetveten e jo dikë tjetër: Po, ç’të keqen ka kjo?! Urime!...-më del fjala vetvetiu nga goja...

Dhe, jo paradoks, por si paradoks. Nuk e di, se nuk e kam parë.

Atë mbrëmje, pranë kontejnerëve atje ku ishte dasma, qentë dhe macet kishin bërë aheng. Bile, atë natë në këtë “festë” ishin kyçur edhe disa lypsa të qytetit. Mirëpo, ata,... të gjithë e kishin prishur ahengun e tyre tek kontejnerët. Ishin shtyrë se kush do ta ketë “pjatën më të rëndë” kur t’i sjellin mbetjet nga pjatat që nuk i kanë ngrënë dasmorët.

Nuk kishin pasur harmoni,... Po, sa keq. Gjithmonë kjo harmonia,... ky uniteti, kudo ka shkaktuar probleme. Deri kur kështu, besoj se nuk e di kush...

4.

Nuk ka shumë kohë që në Tiranë isha në një manifestim, në një dasmë, por kjo dasmë kulturore. Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë u promovuan disa vepra të krijuesve dhe krijueseve nga Shqipëria dhe nga Kosova. Ishte madhështi dhe kënaqësi, që frymonte me aromën e bashkimit krijues e shpirtëror. Për këtë, edhe unë fjalën time përkitazi me disa nga veprat që promovoheshin e fillova kështu: “Dikur, kur babai im ma përmendte Tiranën, krahinën e Tropojës, kur më fliste për Shqipërinë, më dridhej trupi, shpirti s’më zinte vend; athua çfarë ëndrre është kjo që ma tregon prindi im me plis të bardhë, kurse babait tim duke folur i përvidheshin lotët nëpër të qarat e faqeve.

Dikur, kur u rrita, fjala Tiranë, Shkodër, Tropojë,  m’u bënë flakë shpirti, ëndërr e parealizuar, etje e pashuar. Edhe atëherë babait i përvidheshin lotët, por edhe lotët e mi ma përcëllonin rininë.

Dikur më vonë, Tirana, Vlora, Shkodra, Elbasani,... m’u bën fjalë e ngujuar në zemër, edhe varg poetik që e ruaja në shtatë palë tokë, në shtatë palë qiell, atëherë kur babai nuk ishte më.

Kurse tash, po të ishte sot gjallë im at, do t’i thosha: Ja, o prindi im, rrëfimet tuaja, etja për atdheun, por edhe ëndrrat e mia u bën realitet. Tash, Tiranën dhe tërë Shqipërinë e përqafoj si dua vetë...”.

Gjatë fjalës sime, disa herë më ndërpriten me duartrokitje. Ndërsa, pasi mbarova fjalën, redaktorja e një shtëpie botuese në Tiranë, nuk ia mësova emrin, ma kërkoi fjalën time të shkruar:

-A ka mundësia të ma jepni shkrimin Tuaj, së paku atë pjesën e parë, që ishte e padëgjuar kështu ndonjëherë, aq me peshë e me domethënie...

Ia dhashë shkrimin, por ngela duke medituar, athua me të vërtetë kisha thënë diçka të mençur... Athua, sikur të ishte babai im gjallë, çfarë do t’më thoshte sot, dhe, a do të më përqafonte për shuarjen e etjes sime, për shkrumbin e tij. Por, më së miri Ju jepni vlerësimin për këtë gjë, e cila edhe sot e kësaj dite ende nuk është puthitur në binarët e jetës. Fjalën e kam për unitetin e mendjes dhe të veprimit,... E dini ju fort mirë...!

5.

Nuk është për t’u çuditur. Në secilin repart, në çdo dhomë spitalore shërohen të sëmurët nga sëmundje të ndryshme, por shumë prej tyre nga aty dalin vetëm si trup, si peshë, si emër që harrohet apo s’harrohet! Andaj, ndonjëherë, dhomat e spitalit i ngjajnë trishtimit, akullit, por edhe dhomave të burgjeve famëkeqe. Në këtë temë, bisedonin dy veta, dhe me llafet e tyre krijonin histori për dhomën në të cilën shëroheshin, për spitalin, për njeriun, por edhe rrjedhat e jetës, nëse doni ta dini. Çfarë nuk u binte ndërmend...

-Mu në këtë dhomë ku jemi ne, në kohën e vetë, është shëruar njëri i cili kishte flijuar çdo gjë për liri!...

-Po, po. Por, në këtë dhomë është shëruar edhe ai trupshkurtri që ua priste njerëzve gjuhën,... edhe ai tjetri që me një fjalë e fëlliqte një mëhallë,... një qytet...

-Po, pse nuk thua troç se në këtë dhomë është shëruar dreq e i biri!

-E, nëse do ta dish, në këtë dhomë nuk ka vdekur askush!...

Këtë dialog të parëndësi dhe anemik, e kishte ndërprerë plaku me të nëntëdhjetat mbi supe, i cili në atë moment kishte hyr në dhomë, kishte ardhur për t’u shtrirë në spital, sepse kërkonte shërim edhe për ndonjë vit jete:

-E,... ju çfarë folët, nuk është e saktë. Në këtë dhomë kanë dhënë shpirt qindra njerëz...!

-Ku e di ti, o plak?!

-Ja, disa t’i numëroj unë. -nisi pikë për pikë t’i numërojë emrat e njerëzve beng e beng, të cilët kishin vdekur në atë dhomë, në të cilën sa e sa herë vetë kishte rastisur për shërim. Duke i numëruar plaku edhe shumë e shumë të tjerë, e kishte zënë gjumi,... ai gjumi i gjumit...!

Dy bashkëbiseduesit kot e prisnin vazhdimin e fjalës së plakut. Ai ishte bërë nur...

-Nuk është e vërtetë! Në këtë dhomë nuk ka vdekur askush!... -të dytë thanë si në kor dhe filluan të dridhen. Ia kthyen shpinën njëri-tjetri dhe ia futen “gjumë”!

Se çfarë rrëfimi është ky, as unë nuk e di. Por, m’u kujtua fjala e Marquezit, që e thash në fillim të shkrimit, e cila ma kujtoi edhe mendimin e Thomas Mann-it: “Fjala e bukur e krijon veprën e bukur”!

Ashtu qoftë! Mos mendoni për dhomën e spitalit, as për vdekjen... Ose, më së miri, mos mendoni për asgjë...!



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora