Kulturë
Kadri Tarelli: Plaku, Vapa dhe Gushti
E merkure, 14.03.2018, 10:18 AM
Plaku, Vapa dhe Gushti
Gushti iku, shkoi vapa,
Unë vrapova, s’ pashë prapa.
Shkuan vitet një nga një.
Plak më lanë, s’ më bënë zë.
Pleqëri, moj me kusure,
Pse rininë ma përzure?
Si rrodhe prapa mu qepe
Unë u fsheha, ku më gjete?
Fuqi s’kam të kaloj gardhë
S’kafshoj dot mollë e dardhë.
Dhëmbë vënë, gjunjë prerë
Po ndjej dimër dhe në verë.
Mburrem pak në kafene.
Them, po ngrihem, se s’kam nge.
Drejtoj trupin, si qëmoti,
Këmbët shkojnë kot së koti.
Sytë hedh andej këndej,
Vend tek lulet, më nuk gjej.
Nuk m’u nda, ky huq për dreq,
Nuk më thoni, si ta ndreq?
Mbaj fjalime në kuvend,
U plaka e s’vura mend.
Ma kujton kjo koll e thatë,
Koh’ e shkuar, nuk vjen prapë
Rri në heshtje, mendjen vras
S’kam as zë, që të bërtas.
Mbledh krijimet në ca fletë,
Si thesar, për këtë jetë.
Dikur tha, një plak me mjekër,
porosi, nga mot i vjetër:
Mos shih vitet, që ke ngrënë,
Gëzo veprat, që ke lënë !
Kadri Tarelli
Durrës më: 09, të Marsit, 2018.