E shtune, 23.11.2024, 06:00 PM (GMT)

Sport » Futbolli Shqiptar

Bravo Shqipëria, jemi të parët në grup!

E enjte, 11.09.2008, 06:12 PM


BRAVO SHQIPËRIA, JEMI TË PARËT NË GRUP!

Nga Alfred Lleshi

SHQIPERI-MALTE 3-0
(Bogdani 46’, K.Duro 84’, Dallku 90’)

SHQIPËRIA: Arian BEQAJ, Armend DALLKU, Lorik CANA, Debatik CURRI, Ansi AGOLLI, Klodian DURO (B.BERISHA 86’), Ervin BULKU (Elvin BEQIRI 55’), Jahmir HYKA, Ervin SKELA, Altin LALA, Erion BOGDANI (Hamdi SALIHI 72’). TRAJNER: Ari Haan (Hollandë)

MALTA: Justin HABER, Aaron XUEREB, Shaun BAJADA, Luke DINECH, Gilbert AGIUS (cap), Roderick BRIFFA (Clevan RENDO) 46’, Mischael MISFFUT, Kevin SAMMUT, Andre SCHEMBRI, Jamie PACE. TRAJNER: Dusan FITZEL (Sllovaki)

GJYQTARË: Robert Schoergenhofer, Egon Breuter, Raimund Buch (Austri)
Kartonë të verdhë: Dallku, E.Beqiri, Cana, / Bajada

Ndeshja me Maltën ka nisur me ndryshime në formacionin kuqezi. Trajneri Ari Han rikthen Bogdanin në sulm, ndërkohë që ka rezervuar vend edhe për Ansi Agollin dhe Ervin Bulkun. Kthehet në qendër të mbrojtjes Lorik Cana, që do të luajë përkrah Currit. Agolli zë vendin e Vangjelit në krahun e majtë. Ervin Bulku përkrah Lalës në mesin e fushës. Me këto të reja fillon ndeshja, ndërkohë që tanët janë hedhur në sulm, sepse para tyre ka vetëm një objektiv, marrjen e tri pikëve. Edhe pse në repartin e sulmit kemi vetëm një lojtar ofensiv, Bogdanin, kombëtarja jonë shikon përpara. Skela, Duro dhe Hyka janë në mbështetje të “Er-Bomberit”, por duket qartë se vuajmë në finalizim. Kuqezinjtë tanë humbasin dy-tri raste të pastra për gol, çka e rrit ndjeshëm ankthin tek të besuarit e Hanit. Maltezët janë pozicionuar me forca të shumta në mbrojtje, gjë që ua vështirëson shumë punën kuqezinjve për të dalë te goli. Nga ana tjetër, kombëtarja jonë duhet të mendojë edhe për kundërsulmin maltez, i cili, edhe pse sporadikisht, ka arritur ta vërë në provë të vështirë portierin Beqaj në disa raste. Vlen të përmendet forma mjaft e mirë e këtij të fundit, çka përbën një siguri më vete për përfaqësuesen tonë kuqezi. Duhej pritur minuta e parë shtesë e pjesës së parë, për t’u çliruar të gjithë psikologjikisht dhe nga ankthi, lojtarë, trajner dhe i tërë stadiumi “Qemal Stafa”. Pas një krosimi të Klodian Duros, është Bogdani, që fut kokën në kohën dhe vendin e duhur, duke e dërguar topin në rrjetën e miqve. Pjesa e parë mbyllet 1-0 për tanët, ndërsa pjesa e dytë do të përshkruhej nga ndërrime në formacionin kuqezi, nga kujdesi për të mbrojtur golin e avantazhit, të shënuar nga Bogdani, por nuk harrohet edhe kundërsulmi. Maltezët janë më të rrezikshëm se në pjesën e parë. Ata arrijnë deri në zonën e portës së Beqajt, por aty nuk finalizojnë dot, sa për “shënjestër” të gabuar të tyre, po aq edhe për meritë të “gardianit” kuqezi. Minutat kalojnë dhe ankthi shtohet, sepse vetëm goli i Bogdanit nuk jep siguri për të marrë tri pikët. Duhej pritur goli i Klodian Duros, që kurorëzon saktësisht një aksion model të kuqezinjve, që gjithçka të vihej nën kontrollin e kombëtares sonë. Tashmë miqtë janë dorëzuar, nuk kanë më besim në vetvete, ndërsa tanët kalojnë në veprime individuale, nga dëshira e madhe për të shënuar të gjithë. Kur pritej vërshëllima e gjyqtarit austriak, për mbarimin e ndeshjes, mbrojtësi Armend Dallku i surprizon të gjithë. Pas një ekzekutimi të një goditjeje këndi nga Skela, Dallku kërcen mbi të gjithë në mbrojtjen malteze, godet saktë me kokë dhe shënon golin e tretë. Stadiumi shpërthen në entuziasëm, Shqipëria fiton pastër 3-0, Bogdani i rikthehet golit kuqezi, ndërsa trajneri Han duket në “qiellin e shtatë”. Nuk mund të imagjinohej një start kaq i mbarë për kuqezinjtë, katër pikë në dy ndeshje, çka na siguron vendin e parë në grupin tonë kualifikues, me pike të barabarta, katër, me Suedinë dhe Danimarkën, por me golaverazh më të mire se nordikët.

Renditja e Grupit 1

1.SHQIPERIA 2 1 1 0 3-0 4 pike
2.Suedia         2 1 1 0 2-1  4 pike
3.Danimarka   2 1 1 0 3-2  4 pike
4.Portugalia    2 1  0 1 6-3  3 pike
5.Hungaria     2 0  1 1 1-2   1 pike
6.Malta         2  0  0  2 0-7  0 pike

Minutë pas minute

3?- Kuqezinjtë e kanë nisur në sulm. Hyka në krahun e majtë të sulmit tonë furnizohet me topa të gjatë nga mbrotja dhe mesfusha e Shqipërisë.
5? - Rast i artë për gol nga ana e Shqipërisë. Bogdani ul me gjoks një top për Klodian Duron, që, i vetëm me portierin maltez, gabon rëndë, e dërgon topin jashtë kuadratit kundërshtar.
10?- Goditja e parë nga këndi për maltezët, që vizitojnë po për herë të parë portën kuqezi. Zona kuqezi spastrohet me kokë nga Lorik Cana.
16?- Një top i gjatë për Dallkun në krahun e djathtë të mesfushës kuqezi, por miqtë e bllokojnë mbrojtësin në inkursionin e tij. Megjithatë, Skela bën një sllaom, duke futur një top në zonën mike, ku topi endet për gati 2 minuta, por nuk konkludojmë dot.
20?- Maltezët shohin më shumë drejt portës sonë. Mundohen me topa të lartë, por mbrotja kuqezi është në lartësinë e duhur, duke larguar çdo rrezik për Beqajn.
22?- Kundërsulm i maltezëve, që gjen të papërgatitur mbrojtjen kuqezi. Vetëm dalja e portierit Beqaj, në kohën e duhur, shmang një gol të sigurtë për miqtë.
29?- Bogdani vepron bukur në zonën mike, duke e mbrojtur topin, aty i ndërhyjnë në mënyrë të dyshimtë mbrojtësit maltezë, por gjyqtari austriak nuk është i mendimit për penallti. Loja vazhdon.
35?- Krahu i majtë i mesfushës sonë nuk funksionon si duhet. Agolli nuk përparon në ndihmë të sulmit, kështu që loja e tanëve është e zbehtë dhe pa rrezikshmëri.
37?- Gjuajtje predhë e Skelës nga rreth 20 metra largësi, pret në pozicion portieri maltez.
40?- 43?- Tri goditje këndi radhazi për tanët. Gjithçka mbyllet me një gjuajtje për t’u harruar nga Duro, përballë portierit mik. 44? Ervin Bulku vepron bukur në të djathtë të sulmit kuqezi, fut një top të artë në zonën mike për Bogdanin, i cili shtrihet tokazi për ta goditur “sferën”, por nuk e arrin dot.
45+1?- Goool Bogdani! Shqipëria kalon në avantazh. Krosimi i Klodian Duros goditet bukur me kokë nga “Er Bomber”, që gjen rrjetën e portës malteze. Pjesa e parë mbyllet me fitoren e Shqipërisë 1-0.
47?- 54?- Tanët luajnë disi të tërhequr, ndërkohë që miqtë shohin më shumë drejt portës së Beqajt, si duket për të barazuar. Sidoqoftë, ata mbeten larg zonën së rreptësisë kuqezi, pasi tanët janë në lartësinë e duhur.
55?- Del nga loja Ervin Bulku, futet në fushë në vend të tij Elvin Beqiri. Kjo lëvizje nxjerr përpara, në mesfushë, Lorik Canën.
57?- Rast i artë për golin e dytë kuqezi. Dallku fut bukur një top në zonën mike, ku Hyka, i vetëm me portierin maltez, bën të pamundurën, gjuan jashtë kuadratit, në të njëjtin pozicion ku shënoi ndaj Lihtenshteinit.
62?- Bogdani bën gjithçka bukur në zonën e maltezëve. Vallëzon me topin mes mbrojtësve miq, gjuan, por fatkeqësisht jo saktë, ngjitur me shtyllën pingule të portës së Maltës.
65?- Karton i verdhë për Beqirin, për ndërhyrje të gabuar, të verdhë edhe për Canën, për protestë.
72?- Ndërhyrje e gabuar e maltezëve ndaj Bogdanit, i cili e ka të pamundur të vazhdojë më tej lojën. Në vend të tij hyn Hamdi Salihi.
78?- Duro vepron bukur në zonën malteze, zbulohet i vetëm me portierin mik, gjuan fort, por goli evitohet nga portieri maltez, i gjendur në pozicion.
82-83?- Drithëria në portën tonë. Dy raste tejet të rrezikshme në portën e Beqajt, por ky i fundit tregon vlerat e tij të larta si portier, duke evituar gola të sigurtë.
84?- Gooool K.Duro, 2 -0! Kundërsulmi i tanëve. Hyka fut një top të zgjuar në zonën malteze, ku Klodian Duro, duke shfrytëzuar një dalje huq të mbrojtësit mik, gjuan tokazi dhe shënon golin e dytë për Shqipërinë.
89?- Berisha gjuan fort drejt portës mike, por grushton mrekullisht portieri maltez.
90?- Gooool Dallku, 3 0! Goditje këndi për Shqipërinë. Ekzekuton Skela, topi gjen kokën e Dallkut, që shënon golin e tretë, duke mbyllur ndeshjen me fitore 3 0 për kuqezinjtë tanë, që renditen të parët në grupin tonë kualifikues, me pikë të barabarta me Suedinë dhe Danimarkën, por me golaverazh me te mire se nordiket.
 

Shqipëria bën detyrën dhe merr kreun e grupit

Nga Eduard Ilnica

Pas dy ndeshjeve të para, kuqezinjtë marrin 4 pikë dhe, falë golaverazhit, janë para Suedisë e Danimarkës

Një nisje shumë e mirë për kombëtaren shqiptare. Katër pikë në dy ndeshjet e para në grup dhe vendi i parë, falë golaverazhit, natyrisht që nuk janë pak për një ekip si Shqipëria në këto eliminatore të Kampionatit Botëror 2010. E mira nuk ka fund, por të mos pësosh gol dhe të shënosh 3 në dy ndeshje është pa dyshim për t’u vlerësuar dhe për t’u përgëzuar. Për herë të parë në historinë e saj, kombëtarja jonë, edhe pse e ndihmuar disi nga kalendari, e nis kaq mirë, duke gëzuar pa masë tifozët e shumtë kuqezinj, që më drejtë e prisnin fitoren me Maltën. Natyrisht që këtu ka rolin e tij edhe strategu Han, i cili ndryshoi shumë gjëra në lidhje me ndeshjen me Suedinë, ndryshime që rezultuan efikase.

 Ndoshta Hani paska edhe fatin me vete, atë që jo pak herë i munguar kombëtares tonë dhe trajnerëve që e kanë drejtuar. Megjithatë, holandezi ka meritën e tij në të dy ndeshjet. Në lojë nga minuta e parë ishte i përfoluri Bogdani, i cili nuk u aktivizua asnjë minutë të shtunën e kaluar. Dhe Bogdani ia shpërbleu. Dha një asist për Duron, por që nuk u shfrytëzua siç duhet. Tentoi disa herë dhe ishte rreziku kryesor për mbrojtjen malteze. Për të ardhur në minutën e fundit të pjesës së parë, ku tregohet perfekt me kokë, duke shënuar golin e parë për tanët, që realisht duhet të kishte ardhur shumë më herët. Themi kështu, sepse mundësitë ishin, topi qarkullohej mirë, por në momentin final të gjithë nxitoheshin para portës, dikush krosonte keq, dikush tjetër godiste jo në mënyrën e duhur. Pa harruar edhe të çarat që krijoheshin prapa nga dëshira e madhe për të shënuar, por fatmirësisht edhe miqtë nuk qenë në lartësinë e duhur për të rrezikuar seriozisht portën tonë. Në të parin aksion që kuqezinjtë e ndërtuan me logjikë dhe me qetësi, erdhi goli, edhe pse në limitet e kohës për periodën e parë. Natyrisht, goli e çliroi shumë ekipin tonë dhe në pjesën e dytë ekipi hyri pa presionin psikologjik të gjetjes patjetër të golit. Pavarësisht kësaj, u vërejt një tërheqje e ekipit tonë dhe maltezët fillojnë të organizohen më mirë. Fundja, miqtë nuk kishin çfarë të humbnin.

Por kuqezinjtë fillojnë të reagojnë dhe sulmet e tanëve janë më të rrezikshme. Duro dhe Skela ishin sërish promotorët e lojës, të cilët shpërndanin topat mirë. Edhe zëvendësimet ishin të goditura nga trajneri holandez. Bulku, që edhe pse i fashuar, bëri një lojë pozitive, por edhe Beqiri i futur në vend të tij tregoi pjekurinë e ndeshjes me Suedinë. Me futjen e Beqirit, Cana kalon më para dhe mbrojtja sikur merr qetësohet dhe mesfusha merr më shumë hov, ku nuk duhet të harrojmë të palodhshmin Lala, kapitenit tonë, një tjetër ndeshje me nivel të lartë për të. Zëvendësimi i dytë, edhe duket i detyruar, në fakt ishte programuar nga Hani. Bogdani lodhet, pastaj dëmtohet dhe për pasojë i lë vendin Salihit, që i freskët lëviz më mirë. Loja fillon e bëhet më e gjallë, sidomos nga krahët, ku Hyka punon sërish mirë, por që në fakt duhet të kishte shënuar minuta më parë, sepse i kishte të gjitha mundësitë. Mos harrojmë edhe nervozizmin lojtarëve tanë, ku ndoshta edhe gjyqtari e teproi, por po merren kartonë të verdhë njëri pas tjetrit, duke rrezikuar shumë. Kapllani e pagoi nga Hani në heshtje ndërhyrjen e rëndë ndaj Currit në stërvitje.

Ndoshta holandezi edhe për këto kartonë do të kërkojë shpjegim, sepse është e pafalshme të nervozohesh kur je në avantazh. Për të ardhur pastaj në fundin e ndeshjes, atëherë kur të gjithë tifozët i kap ankthi. Të gjithë filluan të kryqëzonin gishtat të paktën për të mos pësuar. Hani mendon edhe një herë tjetër për sulmin, duke dashur të fusë Berishën në vend të Duros. Por Duro nuk mund të largohej pa shënuar dhe në fakt e meritonte një gol. Dy herë kishte gjuajtur fort në portë, por fati nuk e deshi, pa harruar krosin perfekt për Bogdanin që shënoi golin. Një gol ndoshta me fat, por që ishte pikërisht fati që e kishte dënuar gjatë gjithë lojës. Pas golit të dytë të gjithë marrin frymë, ekipi zhbllokohet totalisht dhe në minutat e mbetura ka vend të provojnë të shënojnë të gjithë. Provon Berisha e Salihi, por surpriza kësaj radhe ishte një tjetër lojtar, që askush nuk do të vinte bastin minimal që ai mund të shënonte. Dallku shënon i pashqetësuar me kokë, duke thelluar rezultatin. Ndeshja këtu mbyllet, pasi edhe minuta nuk ka më. Të gjithë të kënaqur në fund, edhe pse në pamje të parë ishte e detyruar kjo fitore. Por duke i shtuar ndeshjen me Suedinë, lojën e mirë dhe pikën e marrë, natyrisht që merr vlera të mëdha. Kjo fitore me Maltën merr vlera edhe për faktin se me katër pikë në dy ndeshjet e para Shqipëria hyn në histori të eliminatoreve të një botërori, pa llogaritur faktin që udhëheq grupin, duke lënë pas emra si Portugalia, Danimarka, apo Suedia. Le të jetë një ogur i mirë. Pas një muaji Shqipëria udhëton në Hungari dhe kalendari fillon e vështirësohet, por me këtë moral shpresohet sërish një lojë e mirë dhe një rezultat pozitiv. Fundja, Shqipëria ka të drejtë të kërkojë edhe me Hungarinë, sepse për momentin janë pak a shumë në të njëjtin nivel, për të mos thënë që ne kemi katër pikë dhe ata një.

Flasin protagonistët e fitores

Bogdani: Golat e mi, vetëm për fitore
Erion Bogdani çliroi veten dhe tifozët me atë gol në sekondat e fundit të pjesës së parë. Duke çaluar nga dëmtimi i pësuar në fundin e ndeshjes, sulmuesi foli për “Sportin shqiptar”.
“Eshtë mirë kur i nis me gol ndeshjet e para eliminatore, por më shumë rëndësi ka që ekipi kombëtar arriti dy rezultate pozitive. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, sepse Malta u mbrojt mirë dhe përdori kundërsulmin, por megjithatë shënuam tre gola dhe kjo ka më shumë vlerë. Katër pikë në dy ndeshje nuk janë pak. Tani për tani të gëzojmë këto rezultate, pasi e kemi kohën për të menduar Hungarinë. Për sa i përket dëmtimit, shpresoj të mos jetë serioz.”
Në lidhje me këtë zhbllokim, Bogdani shtoi: “Golat e mi vlejnë vetëm nëse fiton kombëtarja. E kam thënë edhe më parë, që në ekipin kombëtar gjithnjë kam luajtur mirë, por edhe raste nuk kam patur. Në ndeeshje të tilla, ku krijojmë më shumë, natyrisht që edhe golat e mi do të vijnë.” Në ndeshjen me Maltën, sulmuesi kishte ndryshuar edhe numrin. “Nuk ka problem se me çfarë numri luaj, pasi zakonisht në kombëtare kam luajtur me 22-shin, ndërsa sot me 16-tën. Ky ndryshim ndodhi, sepse sipas ligjit të ri, futbollistët duhet të mbajnë numrat, nga 1 deri në 18-të,”- përfundoi sulmuesi kuqezi.

Duro: Treguam se jemi në rrugë të mbarë
E mendoja që mund të shënoja, por në radhë të parë duhet t’i bënim hyzmetin fitores, sepse pak rëndësi kishte kush bënte gol.” Ishte kjo deklarata e Klodian Duros pas ndeshjes, autori i golit të dytë ndaj Maltës. Duro punoi shumë në krahun e djathtë, aty ku dhe u bazua më shumë loja e kuqezinjve. “Me këtë nisje të mirë që i kemi bërë edicionit, mendoj se ekipi është në rrugë të mbarë për vazhdimësinë. Nisur edhe nga kundërshtarët, dy ndeshje nuk mund të bëhen njësoj. Duke ditur që ne duhet të bënim lojën ndaj Maltës, ekipi mendoj se rrezikoi pak në mbrojtje dhe krijoji situata të mira në sulm, duke e merituar plotësisht këtë fitore. E rëndësishme është që e realizuam objektivin e parë. Tani nisin edhe provat e vështira për Shqipërinë. Megjithatë, ne jemi të përgatitur dhe kemi kohën e duhur për dy ndeshjet e radhës në transfertë,”- tha mesfushori kuqezi, i cili tregoi një formë të mirë në dy ndeshjet e para eliminatore. 31-vjeçari ka një dedikim të veçantë për golin. “Ia dedikoj Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Me vizitën që bëri në mëngjesin e sotëm (djeshëm), na motivoi shumë. Mendoj se Presidenti Topi e meritonte këtë gëzim, ashtu si të gjithë shqiptarët.”

Dallku: Të vazhdojmë me rezultate pozitive
Mbrojtësi Armend Dallku realizoi dje golin e tij të parë me fanellën kuqezi. I kudondodhur, kosovari i kombëtares vulosi në fund fitoren 3-0, që sipas tij ishte plotësisht e merituar.
“Jam shumë i gëzuar për golin, por më e rëndësishme është që fituam. Nuk e kisha imagjinuar kurrë se në këtë ndeshje mund të shënoja,”- tregon futbollisti. - Roli im është mbrojtës, por me Maltën trajneri më dha detyra të tjera. U përpoqa të ndihmoja sulmin. Mendoj se bëra më të mirën time dhe në fund arrita të shfrytëzoj topin e ardhur nga goditja e këndit. E dominuam lojën dhe si rezultat i kësaj, me meritë arritëm të shënonim tre gola.”

Dallku shikon një vazhdimësi pozitive të Shqipërisë, që luan dy ndeshjet e radhës në transfertë, fillimisht me Hungarinë, e më pas me Portugalinë. “Besoj shumë se do të vazhdojmë kështu, për të zhvilluar lojëra sa më të mira, dhe natyrisht për të arritur rezultate pozitive. Përpara kemi një transfertë shumë të fortë. Synimi ynë është të lëmë poshtë në renditje Hungarinë. Do të shkojmë për pikë atje dhe jam i bindur se do t’ia arrijmë qëllimit.”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora