Editorial » Mehmetaj
Mehmetaj: Nikolla, Aleksandri e Mario u nisën në Mekë
E shtune, 24.02.2018, 07:00 PM
Kur Nikolla, Aleksandri e Mario u nisën në Mekë
Nga Gani Mehmetaj
Aeroporti i Rinasit, viti 1991, muajt e parë pas rënies së komunizmit. Rrëmujë e britma. Policët shtynin, njerëzit mësynin përpara. Ishte përhapur lajmi se arabët dërgonin turistë në Mekë, ua jepnin edhe nga 500 dollarë secilit.
Aeroplani saudit ishte mbushur, njerëzi s’ kishin ku të uleshin. Dy-tre beduinë jepnin e merrnin, por kurrsesi të merreshin vesh me udhëtarët. Të gjithë donin të shkonin në Mekë, në haxhillëk, të gjithë betoheshin se e duan allahun. Shtyheshin e bërtisnin. Aeroplani nuk nisej, s’kishte si me këtë ngarkesë të paparë. Dikur erdhi një arab me një shqiptar që përkthente:
-Dëgjoni këtu, ju të gjithë s'mund të shkoni në Mekë,- ua përktheu shqiptari.
-Pse s'mund të shkojmë, - u revoltuan ata.
- Në Mekë shkojnë vetëm myslimanët, - ia priti shqiptari, duke përkthyer beduinin. Kaurët s'bën, është e ndaluar!
Duke e parë listën e udhëtarëve arabi ua tha përmes shqiptarit që përkthente: - Nikolla, Aleksandri, Mario e të tjerët me emra kaurësh duhet të dalin nga aeroplani!
-Si more të dalim nga avioni? Kjo është e paparë! Nuk pranojmë, duam të shkojmë në Mekë. Pse na diskriminoni? - u revoltua Aleksandri, ndërsa ia mbante ison Mario e Nikolla.
-Çfarë ka myslimani e nuk e paskëshim ne? Ku e di ti që nuk jemi myslimanë? - pyeste Aleksandri i zemëruar. - Unë jam i biri i Hysenit, Mario është i Mevlanit, kurse Nikolla i Zefit, iu hakërrye në fytyrë Aleksandri, që ishte më emocional, ndërsa të tjerët ishin shushatur.
-Ju nuk jeni të bërë synet, - u fliste arabi përmes përkthyesit. - E çka pastaj? Bëhemi rrugës, - ia priti Mario.
Aleksandri, Mario e Nikolla kishin secili nga nje shishe konjak "Skënderbeu" dhuratë miqve që do t'i njihnin në Mekë.
Zhurma e protestat vazhdonin. Nikolla, Mario e Aleksandri nuk dolën nga avioni, nuk e pranonin diskriminimin, donin ta vizitonin Mekën e të merrnin lekët.
Arabi pëshpëriste i skandalizuar: allah, allah, çfarë mileti!