Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Luan Myftiu: Nën terrorin komunist (II)

| E marte, 09.09.2008, 05:27 PM |


NËN TERRORIN KOMUNIST (II)

(ose një radiografi e mekanizmave të regjimit komunist)

Nga Luan Myftiu

SIGURIMI I SHTETIT

Sigurimi i shtetit qëndronte mbi të gjitha. Ai bënte edhe shiun, edhe diellin në Shqipëri. Ai qe maja e shpatës së diktaturës dhe unë që aty fillova të përbuz jetën, kur pashë se ajo qe në duart e një bande kriminelësh. Për të treguar këtë, nënkryetari ulërinte: "Ne jemi Perëndi! Perëndi ! Perëndi !…" dhe dilte nga vetja duke goditur pa parë se ku. Kur menduan se koha e "përpunimit psikologjik" kishte mbaruar, d.m.th. ma kishin "thyer hundën", më kishin mësuar se pa përkrahjen e tyre jeta e çdo njeriu qe një hiç, bile më keq, atëherë e ndërruan qëndrimin. Një mëngjes nuk më goditën më. Rrinin shtrirë nëpër shezlonë duke lexuar secili nga një roman, ndërsa unë në këmbë, i lidhur në duar me hekura, prisja shpërthimin e papritur të rrufesë. Mirëpo dy prej tyre u larguan, kurse i treti që më njihte, se kishte punuar si "operativ" në zonën ku unë kisha qënë mësues, me zë të "butë" e "dashamirës" që m'u duk si një fërshëllimë gjarpëri, më kërkoi t'i shpjegoja unë arsyen përse më mbanin të fshehur nga sytë e njerëzisë. U shtira aq shumë nga neveria sikur nuk kuptoja, sa u detyrua të më thotë haptazi se gjoja duke pasur për mua një opinion të mirë, i qënkësh lutur Kryesisë së Degës së Sigurimit të mos më hidhnin poshtë, mbasi, si njeri i zgjuar unë mund t'u bëhesha i dobishëm, pa qënë nevoja të ndëshkohesha me burg. Kërkohej nga unë diçka e "vogël", gadishmëria për të bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit. Dhe si për t'i dhënë prestigj kësaj detyre të ndyrë, më tha se për këtë qe në dijeni edhe ish ministri i brendshëm, Kadri Hazbiu, i cili bile, po priste përgjigjen time në telefon. Natyrisht, këto nuk i tha menjëherë, por i nxori një nga një si duke u menduar, i detyruar edhe nga roli i naivit që mua m'u desh të luaja. U revoltua, kur i thashë pa takt se e kishin adresuar gabim tek unë mbasi vuaja nga kompleksi i fajësisë dhe një mani e fshehtë persekutimi, se kjo punë do të më mbyllte shumë shpejt në psikiatri, a do të më shpinte në vetvrasje. Kjo u muar si tallje dhe pa ardhur mirë të tjerët në dhomë filluan goditjet, veç këtë radhë me sharje që nuk m'i
kish zënë ndonjëherë veshi. Mes shkelmash dëgjoheshin britmat e tyre: "Po ne ç'jemi, more qen bir qeni"!
Dhe më kthyen në Berat, qytetin tim të lindjes, ku nisën një sistem tjetër torturash me qëllim që unë të detyrohesha të pranoja "akuzën" që e kishin vetëformuluar pa fakte.
Një krevat hekuri, duke e tërhequr zvarrë prej tyre 24 orë në ditë në çimenton e tavanit të birucës sime, krijonte ca zhurma të padurueshme, kurse tre policë që ndërronin njëri-tjetrin çdo tetë orë, më kontrollonin lëvizjet që nga sporteli i derës së birucës, të mbyllur me dy palë hekura. Dhe, meqë nuk e kishin humbur shpresën e ndonjë "kthese" të papritur, më ruanin akoma nga sytë e njerëzve, sa edhe në banjë natën më shpinin të mbuluar me batanie.
Në mesnatë "bishat" ishin mbledbur si një kope në dhomë, ku unë u futa i lidhur dhe i shoqëruar nga një polic. Tentova të bëj një mbrojtje të tillë që do t'i detyronte të kuptonin se, edhe sikur pa dashje të kisha bërë ndonjë gabim, kisha pasur njëmijë arsye që më detyronin, por Kryetari i Degës, që më kish thirrur të jepte vendimin tha: "Ç't'i bës zemërgjerësisë së Partisë, pasi personalisht do të të hapja kafkën me bisturi dhe do të t'i haja trutë me kripë! Ne të treguam dritën, ti zgjodhe errësirën"!. Dhe lëshoi kundër meje një sharje që nuk do të shkonte as në gojën e një rrugaçi.
Pastaj nisën hetuesinë e zakonshme, gjoja për vërtetimin e "akuzës". Ata s'kishin nevojë për një të tillë, sepse fajësitë tona ishin prodhime të fantazisë së tyre të sëmurë. Ata mund të thurnin disa "akuza" në ditë pa pasur në dorë asnjë fakt, pale sikur të rrëmbenin ndonjë pohim sado të vogël nga i pandehuri. Ata ishin manipulatorët dhe kombinuesit më të paturpshëm të proçeseve hetimore që ka njohur historia.
Pa më bërë as pyetjen e parë rreth "fajësisë" sime, më komunikuan se kishin marrë vendim të më dënonin me dhjetë vjet burg. Dhe, kur nënkryetari lexoi habi në sytë e mi, u çorr me sa zë që
kish: "Ne kemi disa shkopinj haleje që i quajmë gjykatë popullore, të cilët do t'i urdhërojmë të të japin një "dhjeçe". Dhe thoshte të vërtetën, sepse giyqi im qe tamam një komedi me përmasa qesharake me qëllim që dënimi të dukej i mëshirshëm. Pohimi i të pandehurit lipsej vetëm për të inskenuar një giyq propagandistik, i cili të "justifikonte" terrorin që ushtrohej mbi popullin çdo ditë. Asnjë interesim që deponimet e dëshmitarëve të akuzës të ishin të vërteta. Shpifia në praktikën e punës së hetuesisë quhej art profesional.
Kur një agjent i solli hetuesit që po merrej me mua një anekdotë që e
kish treguar personi që ndiqej prej tyre dhe me zë të ulët i tha se ajo nuk tingëllonte reaksionare, ai e pa me habi dhe i tha i kënaqur me veten: "I vë unë një "kokë" (hyrje) anekdotës që të tingëllojë ultra armiqësore"! Dhe e falenderoi për shërbimin. Me dhunë a me dinakëri ata përpiqeshin t'i shkëpusnin viktimës pa përvojë një tingull, një fjalëzë që të ndërtonin pastaj me të një deklaratë të tërë. Një deklaratë kundër vetë viktimës, a kundër vëllait të tij. Kështu kryhej një vdekje morale dhe lindte vëllavrasia. Dhuna dilte me duar të pastra para historisë dhe krimi merrte përmasat e një reaksioni zinxhir, pasi viktimat suleshin kundër viktimave, ndërsa "timonierët" ndërhynin vetëm për të vendosur "drejtësinë".
Sa njerëz të mashtruar prej tyre kanë prerë damarët e duarve, o nëpër kampe janë hedhur në tela për t'u vrarë nga rojet, nga që pa e ditur e kanë parë veten në një pozicion të poshtër?...
Por
kish edhe njerëz që për kallzimet e tyre shpërbleheshin dhe për këtë mburreshin; të degraduarit. Këta ishin njerëzit me vese, të cilëve Sigurimi ua falte krimet për "shërbime speciale", ambiciozët që, të goditur nga diktatura, nuk duronin humbjen e privilegjeve dhe kërkonin me çdo kusht një vend të pamerituar, ata me karakter të dobët që nuk u rezistonin presioneve të ndryshme, etj..
Të gjithë këta u përcollën 50 vjet të përbuzur në arkivolin e turpit edhe prej atyre që i shfrytëzonin. Veçse të gjithë këta qenë një makth i vërtetë për njerëzit e ndershëm, të cilët edhe kur nuk binin pre e ligësisë së tyre, i ndjenin si një hije që i ndiqte pas për t'i bërë të ngjashëm me veten. Vesi kurrë nuk pajtohet me virtytin.
Hetuesia për Sigurimin Shqiptar nuk përbënte aspak atë luftë njerëzore të drejtësisë për të shpëtuar njeriun, për të flakur frymën e krimbit dhe për të ruajtur të pastër ndërgjegjen qytetare të shtetasve, që ata me përgjegjësi të kryejnë gjithë detyrimet ndaj shoqërisë. Hetuesia e Sigurimit synonte shkatërrimin e personalitetit të njeriut. Komunistët nuk mendonin për të ardhmen e kombit, por për të ardhmen e tyre. Ata i tmerronte ndëshkimi që morën në Indonezi dhe Hungarinë e përgjakur dhe gjithë kohën e ushqyen veten me ndjenjën e një hakmarrjeje të verbër. Një tjetër paradoks: Hakmarrës ndaj "viktimave" të tyre. Por për të ruajtur fomën e jashtme, fasadën e "harmonisë" dhe "lumturisë", hakmarrja e tyre ndiqte rrugë aq të liga, sa zhdukja fizike shpesh do të ishte një nder që do t'u bëhej viktimave. S'ka poshtërsi që unë do ta bëja, po të më thosh Partia - u shpreh një prokuror në një mbledhje lagjeje për të treguar devotshmërinë e tij dhe bindjen se Partia Komuniste ishte mishërimi i drejtësisë dhe i së mirës.
Më në fënd hetuesia duhej të "vërtetonte" se kundërshtarët e diktaturës ishin pjella e keqe e kombit, prandaj cilësoheshin "armiq të popullit".
Me akuza të paqëna dhe dëshmitarë të rremë zhvilloheshin me solemnitet gjyqe ushtarake për t'i treguar popullit se si duhej të kyçte gojën dhe të mos mendonte për një jetë më të mirë. Hetuesia, nën kthetrat e Sigurimit qe ai aparat gjigand i specializuar, me të cilin injoranca dhe mediokriteti më i zymtë i zinin pritë kulturës së vërtetë dhe artit, që të trembur të hynin në vathën e uniformizmit dhe t'i shërbenin pushtetit diktatorial.
Sigurimi i kishte shtrirë kthetrat në çdo qelizë të shoqërisë dhe
kish paralizuar mendimin dhe veprimin e njerëzve duke i kthyer në robotë. Duke qënë syri dhe veshi i Partisë, ai gjurmonte këdo, i nisur nga motoja: "Beso dhe kontrollo".
Shefat e kuadrit ishin tiranët e ti të vegjël; dora e tij që bënte ligjin në çdo qendër pune, a institucion nëpërmjet "karakteristikës" që u hartonte punonjësve. Ata të zbrisnin nga kategoria profesionale me mekanizmin e vendeve të punës, të ngrinin në përgjegjësi me anë të gjoja aftësive të tua, organizuese, të pushonin nga puna, o aprovonin dekorimet, bënin demaskime publike, a jepnin shpërblime etj. të gjitha duke u nisur nga parimi më i lartë që udhëhiqte jeten në socializëm: Politika në plan të parë, e cila, e zbërthyer në qëllimin e saj final do të thotë besnikëri ndaj çështjes së Partisë, ose shkurt spiunim.
Spiunimi ishte ai alarm i fshehtë që i duhej dhënë kësaj shoqërie të sëmure që nga lindja e saj për të ndalur proçesin e natyrshëm të shpërbërjes. Komunistët u përpoqën që këtë alarm ta siguronin duke e bërë spiunimin një ves të shoqërisë. Por ky ves ndoshta shpejtoi proçesin e dekompozimit, mbasi preku edhe ata që bënin ligjin dhe ushtronin dhunën. Syri dhe veshi i Partisë kontrollonte fejesat dhe miqësitë, dasmat dhe këngët, veshjet dhe shijet,dramat dhe filmat, biografitë e fëmijëve në shkolla që do të dilnin në stendat e të dalluarëve dhe bisedat e anëtarëve të KQ, pushtetin, partinë, madje edhe vetë Sigurimin. Në çdo gjë misterioze qe dora e Sigurimit, prandaj njerëzit nuk bisedonin për asgjë tjetër veç rezultateve të ndeshjeve sportive dhe shëndetin e njeri-tjetrit.
Sigurimi shqiptar vuante nga mania e persekutimit, siç vuante lideri i Partisë, Enver Hoxha. Ai qe thika e këtij banditi dhe dora e tij e zezë. Ai qe burimi i çdo ankthi e pasigurie që e bëri azmatike Shqipërinë.

GJYQI

Dëshmitarë të akuzës nxorën kolegët e mi që nuk pranuan të më largonin nga arsimi, duke lëshuar edhe atë karakteristikë pune dhe qëndrimi, me të cilën një një tjetër në vendin tim, mund edhe të dekorohej. Por me ballafaqimin me mua në hetuesi thanë shpifje aq të turpshme, sa duhet të kenë ndenjur shumë kohë për t'i mësuar përmendësh, pasi më paraqitën edhe si kriminel që ëndërroja të therja komunistë me thikë.
Në fund hetuesi më pyeti në kisha njeri që doja të më mbronte në gjyq, pasi këtë të drejtë ma jepte ligja dhe, kur unë i thashë që s'kisha, qeshi me të madhe, i kënaqur që isha i bindur se përballë Sigurimit nuk
kish forcë që mund të të mbronte.
Megjithëse ishin të sigurt që kisha një natyrë aspak agresive, në gjyq, pasi më lidhën me hekura, më shpunë të shoqëruar me shefin e policisë dhe dy policë të armatosur me pistoleta dhe pushkë, tamam sikur të isha një terrorist i rrezikshëm.
Brendia e akuzës duhej të ishte në harmoni me inskenimin e gjyqit. Duke iu drejtuar pak sedrës sime të sëmurë që e zgjuar papritur nga ndonjë fyerje dhe e revoltuar mund t'u prishte punë, "shkopinjtë" qenë porositur të procedonin në gjyq "butë" me mua, kurse unë që e dija tashmë se do të dënohesha me maksimumin e nenit të agjitacionit, e pranova që në fillim në heshtje, platformën e kësaj komedie, bile duke mos kundërshtuar ndonjë fakt që mund të ish i pranueshëm për këdo, me qëllim që masa e dënimit në fund të tingëllonte sa më barbare. Ata duket e kuptuan në sallë taktikën time, prandaj përcollën të ftuarit e seancës së parë, mbushën mbasdite sallën me punëtorë që s'kishin dëgjuar asgjë nga zhvillimi i gjyqit dhe, pasi dhanë të përmbledhur "veprimtarinë armiqësore" dhe theksuan "rrezikshmërinë e lartë shoqërore" më komunikuan vendimin e dënimit tim me dhjetë vjet heqje të lirisë, konfiskim të pasurisë si dhe heqjen e të drejtave elektorale për pesë vjet mbas kryerjes së masës së dënimit.
Si kusarë, ndonëse më dënuan për propagandë, më konfiskuan lekët e kursyera, teshat e trupit, radion dhe librat.
Si injorantë xhahilë më kërkuan në gjyq t'u shpjegoja unë ndikimin që kisha pasur nga leximi i veprave të shkrimtarit rus F. Dostojevski dhe në vetë pyetjet që bënin, ngatërronin moralin me humanizmin kristian. Kur ua shpjegoja, zemëroheshin dhe të fyer përplasnin dorën në tavolinë, duke lëshuar sharje kundër Krishtit dhe Dostojevskit që qe frymëzuar prej tij.
Në "aktin" e paraqitjes së dëshmitarëve, të kënaqur që më kishin mbërthyer "me shpatulla për muri", gabuan kur më kërkuan t'u përgjigjesha për ato akuza. Kur unë u ngrita e thashë se këta dëshmitarë duhej të ishin aty, jo akuzuesit, por mbrojtësit e mi si para disa muajsh, trupi gjykues i habitur; u pendua menjëherë që ma
kish sjellë "lepurin në shteg". Kërkesës sime që të pyeteshin dëshmitarët në qenë takuar me mua, mbas asaj dite, kur më mbrojtën denjësisht për të mos u larguar nga arsimi, trupi gjykues iu shmang duke kërkuar ai prej meje në kisha pasur ndonjë grindje, a konflikt me ta dhe me të dëgjuar përgjigjen time të sinqertë se me ta kisha shkuar shumë mirë, deklaroi i çliruar se, atëherë deponimet e tyre ishin të vërteta. Ndonëse ky qe kulmi i kësaj komedie groteske, salla kaloi një çast terrori të vërtetë. Sa më shumë të bindet njeriu se mund të jetë viktimë e një shpifjeje që e mbron nga ligja, aq më tepër pasiguria për të nesërmen, në formën e një frike të errët, zë rrënjë në vetëdijen e tij.
Dhe për t'i dhënë gjyqit karakterin "popullor" caktonin që më parë persona që e njihnin të pandehurin, të cilët duke hedhur në sallë mbi të gurë "vërtetonin" akuzën e paqënë dhe dënimin e padrejtë. Mbrojtja e të pandehurit ishte në duart e vet gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët, sipas sofizmave komuniste, ishin aq të prirur për të dënuar, sa edhe për ta mbrojtur atë. Si mund të përfytyrohej një avokat mbrojtës ndaj një "armiku populli", të cilin vetëm po ta përshëndesje në rrugë, kur të kish dalë nga burgu, tregoje kundërvënie të hapur ndaj qëndrimit të Partisë, e cila, duke e dënuar, kërkonte izolimin e tij politik.
Hetuesi seleksiononte dhe klasifikonte viktimat, kurse gjykatat ishin "kasaphana" ku atyre juridikisht u pritej koka.
Si organe të drejtësisë ato përkundrazi, në praktikë vërtetonin se ishin ngritur për të mbrojtur padrejtësinë. Si aparat i dhunës ato shtypnin pa mëshirë viktimat e saj. Si shpatë e diktaturës mbillnin terror dhe talleshin me drejtësinë. Me shumë vështirësi mund të gjendet në ndonjë rast, ku në konfliktet shtet individ, të ketë fituar ky i fundit. Shprehja "Hidhe në gjyq !" ishte një tallje e egër që i kujtonte viktimës se duhej të nënshtrohej. Prandaj gjyqtarët kishin pak punë me përgjegjësi. Ata s'kishin asnjë luftë me ndërgjegjen e tyre, asnjë skrupull, ata nuk bënin asnjë përpjekje për kulturë. Krimi që kryenin me vendimet e padrejta, ishte kolektiv dhe ata e qetësonin ndërgjegjen duke lexuar veprat e Enver Hoxhës.
Kriteri klasor qe shkolla e parë ku ata mësuan padrejtësinë, sepse çdo goditje kundër nesh quhej e drejtë. Gjyqtarët i pranonin me dëshirë gjyqet kundër nesh, se aty ata tregonin "erudicionin" e tyre politik dhe papajtueshmërinë me armiqtë e mirëfilltë të revolucionit.
"Biografia e keqe" i jepte qëllimin armiqësor çdo "krimi" të të pandehurit dhe rriste fajësinë e tij. Në gjyqin tim u ridënua im atë dhe të afërmit e mi të pushkatuar prej tyre, se sa unë. Ata i "ngritën" të vdekur nga varret, i sollën si fajtorë në sallën e gjyqit për të treguar se unë nuk mund të isha veçse
vazhdues i veprës së tyre "kriminale".
Sipas tyre unë trashëgoja të keqen në gjakun tim, mbartja mentalitetin reaksionar të një ambienti armiqësor, mbartja interesa themelore që më lidhnin me botën e vjetër, etjen e paduruar për privilegie, përbuzjen ndaj popuilit, me një fjalë isha insekt i rrezikshëm që infektoja trupin e shëndoshë të një shoqërie të lumtur, i cili duhej izoluar, riedukuar dhe mbajtur vazhdimisht nën mbikqyrje.
Dhe ata u ndanë prej meje me ndërgjegje të qetë e "duke qeshur" siç poetizonin këto lloj dënimesh shkrimtarët e realizmit socialist.
Tani unë isha një numër me një dosje që më vinte pas dhe ndiqte fatin që më caktonin rregulloret e burokracisë policore. Por, duke qënë i pafajshëm, isha për ta më i rrezikshëm se një fajtor, prandaj duhej të dënohesha Si i tillë nga të gjithë, ndërsa vetë të reflektoja mbi "fajësinë" time, duke dënuar i penduar krimet e mia imagjinare.