E shtune, 21.12.2024, 11:55 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Furtuna në gotën e ujit të Lindjes së Mesme

E enjte, 14.12.2017, 08:30 PM



Furtuna në gotën e ujit të Lindjes së Mesme

Nga Elvi Sidheri

Duke dashur që pikësëpari t’u bëjmë të ditur atyrë që akoma nuk e dinë se Lindja e Mesme është pikërisht e tillë, dhe jo “E afërt” siç mëton ndokush të pohojë duke përkthyer tekstualisht termin sllav “Bliski Istok”), ndërkohë që ka edhe një Lindje tjetër, që quhet e Largët (Kina, etj), ndërsa Lindja e Afërt në kontekstin shqiptar mund t’i binte të ishte veç Pogradeci apo maksimumi Struga e Ohri në Maqedoni, ndërkaq tashmë dalim edhe në temë.

Jo pak është folur këto ditë për vendimin historik të Presidentit amerikan Tramp për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytetin (siç është fundja “De Facto” prej kohësh) e shtetit të Izraelit.

E pikërisht në këtë pikë do të niste edhe furtuna e zakonshme mediatike kryesisht, po edhe politike, cunami në tas apo stuhia në sahan, lidhur me këtë vendim të guximshëm e largpamës të presidentit amerikan.

Që Jeruzalemi në qenësinë e tij të pamohueshme si vend i shenjtë për të treja fetë e mëdha monoteiste, është gjithësesi kryeqyteti i hebrenjve prej 3500 vitesh, ky është një fakt që kushdo që ka lexuar 10 faqe librash historie, nuk arrin ta mohojë dot, mjafton të njohë Salomonin, Davidin e tërë mbretërit e mëdhenj hebrenj, përfshirë edhe gjakatarin Herod.

Kështu do të dimë për Tempullin e Salomonit, të rrënuar nga romakët përfundimisht në vitin 70 pas Krishtit, pas kryengritjes së madhe të hebrenjve, ku do të niste edhe eksodi madhor i këtij populli drejt të katër këndeve të botës, që do të mbyllej me kthimin në atdhe veç me krijimin e shtetit të Izraelit rreth 2000 vite më pas në 1948-ën, ndërsa rrënimi i parë i tempullit qe kryer nga babilonasit afërsisht 6 shekuj para Krishtit.

Nga ky tempull sot ka mbetur Muri Perëndimor, apo Muri i Vajit ku hebrenjtë vajtojnë rrënimin e tempullit të tyre mijëvjeçar.

Ca më lart ndodhet Xhamia Al Aksa e Islamit, ndërsa në Jeruzalem të krishterët e gjithë botës kanë vendin e kryqëzimit të Krishtit, e shumë vende të tjera të shenjta.

Do të mjaftonin këto shenjtëri pafund, që në një botë normale ky qytet të shënonte pikëtakime, të kremtonte paqen ndërfetare, aq më shumë mes tre feve monoteiste me origjinë jo pak të përbashkët, por meqënëse bota nuk është aspak e përkryer, atëherë gjendemi sot në “Cul de sac” (rrugë pa krye) të zakonshëm, duke u çartur, kërcënuar e u mbytur në pikën e përhershme të ujit.

Gjithësesi, vendimi i Presidentit Tramp përbën një gur thelbësor në themelet e shtetit hebraik. Por edhe më tepër rëndësi kanë vet reagimet që ky vendim ngjalli në Lindjen e Mesme, gjë që shërben si tregues i faktit sesi kanë ndryshuar qëndrimet në këtë rajon qysh nga koha e luftës Izrael-Hezbollah të vitit 2006, aq më shumë pas Pranverave Arabe.

Fakti se reagimet më të fuqishme u shprehën veç nga Teherani dhe Ankaraja në vend të vendeve arabe, ose qoftë edhe nga shumica e përbërësve të shoqërisë palestineze, shpërfaq haptas rolin thelbësor të përplasjes Iraniano-Arabe që tanimë mbizotëron ndaj përballjes Izrael-Arabë, ashtu siç bien qartë në sy ambiciet dominuese të dy ish fuqive imperialiste rajonale, Iranit dhe Turqisë, kundrejt fqinjve të tyre arabë dhe vet konfliktit Palestinezo-Izraelit.

Titulli më i ashpër mediatik, “Vdekje Izraelit”, tipik në këto raste, haset këto ditë veç në një portal mediatik të afërt me Hezbollahët, që në vetvete sponsorizohen nga Irani. Sakaq, përdorimi i këtij titulli ekstrem, nuk bën pjesë këto ditë “post-vendim” aspak në repertorin retorik përkatës të mediave arabe, apo edhe vetë atyre palestineze. Gjithaq, aspak nuk është dëgjuar gjatë këtyre ditëve ndonjë kërcënim arab, si ai i Ankarasë, për të ndërprerë çdo lidhje, diplomatike ose jo, me shtetin Hebre.

Përkundrazi, reagimet në botën arabe qenë të vakta e krejt formale. Ministria e Jashtme e Egjiptit vuri në dukje se Egjipti qe kundër kalimit të ambasadës Amerikane në Jeruzalem nga Tel Avivi, ndërkaq presidenti Al Sissi nuk ngurroi t’i telefononte Mahmud Abbas-it për t’ia shprehur këtë qendrim. Gjë që mund të konsiderohet pikërisht si një furtunë në gotë.

Dhe ky qëndrim egjiptian padyshim që mund të konsiderohet si një konfirmim i mëtejshëm i kursit tërësisht të ndryshëm me qëndrimet e Ankarasë, për shkak të rivalitetit të mirërrënjosur mes dy liderëve të këtyre dy vendeve të mëdhaja, qeverive të tyre, si dhe pozicioneve të ndryshme ideologjike lidhur me ish regjimin jetëshkurtër fondamentalist në Egjipt pas rrëzimit të Mubarakut.

Jordania u tregua pak më serioze, dhe Mbreti Abdullah e ftoi Abbas-in në Aman, duke shprehur kundërshtimin zyrtar ndaj këtij vendimi.

Qoftë edhe presidenti libanez Michel Aoun, një i krishterë i vendosur në atë post nga votat e Hezbollahëve filo-iranianë, pavarësisht presioneve të Teheranit, do të reagonte sërish në një mënyrë tejet të butë dhe të rëndomtë duke kërkuar thjesht që të ruhej karakteri arab i asaj pjese të Jeruzalemit që është e tillë, duke i kërkuar SHBA ta rikonsiderojë këtë vendim.

Por surpriza më e madhe do të ishte veçanërisht heshtja e shumicës së heshtur të palestinezëve, gjë kjo e shprehur edhe në gazetat më të mëdhaja të tyre.

Disa orë para deklaratës së Tramp për Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit, lajmi i vetëm që fliste për ndonjëfarë stuhie të pritshme në shtypin palestinez, ishte një syresh që fliste për një stuhi klimatike, për shiun dhe vranësirat. Ndoshta autoritetet palestineze në Bregun Perëndimor dhe Gaza do të mund të kishin dashur që populli të vërshonte në rrugë dhe të përlesheshin e vdisnin për kauzën, ndërsa zyrtarët palestinezë ngrohnin kolltuqet e tyre në zyra apo ministri, sa në Ramallah, apo Gaza, por nga rrugët u duk qartë se populli ishte fort ngurrues t’i çonte fëmijët e vet të luftonin betejat e liderëve të tyre që janë rivalë për vdekje njëri me tjetrin, kundër Izraelit dhe amerikanëve.

E pavarësisht vendimit të autoriteteve palestineze për të mbyllur edhe shkollat për t’i shtyrë të rinjtë palestinezë të përplasen me ushtarët izraelitë, duke shpresuar kështu në shtimin e dhunës, përsëri pak palestinezë e hëngrën grepin. Sepse Autoritetet Palestineze shtyjnë të rinjtë e tyre në përleshje e jo forcat e veta të armatosura të sigurisë, duke e mbajtur në nivelin më të lartë gjithashtu bashkëpunimin me Izraelin kundër Hamasit, armikut të përbashkët.

Sepse tashmë palestinezët e dinë shumë mirë se rreziku me të cilin përballen duke u përplasur me ushtarët izraelitë është një sakrificë veç e tyrja, që nuk ka të bëjë me Autoritetet Palestineze të Bregut Perëndimor apo Hamasin e Gazës, të cilët armët i ruajnë për luftën e pritshme mes tyre për pushtet, në vend që të humbin kohë me Izraelin.

Palestinezët e kanë humbur besimin te vendet arabe prej kohësh, por tanimë ata po kuptojnë të vërtetën e madhe edhe për Ankaranë dhe Teheranin. Kërcënimet e flakta të Iranit dhe Ankarasë vështirë se do ta ndihmojnë rininë palestineze për të mirën e Jeruzalemit të anës arabe në përballjen me forcat izraelite, duke kuptuar kështu se e keqja për ta qëndron tjetërkund, te ata që i përdorin palestinezët rregullisht si mish për top për përfitimet, dënglat, hegjemoninë iraniane apo neo-otomane dhe axhendat e tyre politike personale.

Pikërisht për këtë arsye, vendimi i Presidentit Tramp, qysh brenda kaq pak ditësh u tregua kaq i mençur dhe rrugëhapës, duke i dhënë realisht një mundësi të artë Lindjes së Mesme për të dalë nga ky “Impasse” i deritanishëm, dhe u shkëputur nga retorikat e zbrazëta. 



(Vota: 9 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora