| E hene, 11.12.2017, 08:00 PM |
Vjollca Tiku Pasku
SHPIRTI I ANA KARENINËS
Është mëkatare dora e dashurisë,
kur prek yllin e kuq lindur nga zemra,
zjarr djegës nga engjëjt e fshehtësisë,
përvëlon realitetin e fjetur në ëndrra.
Valsi i natës lind gonxhe të panjohura ndryshe,
buzët zbulojnë misterin e botës së lashtë,
sytë lëshojnë xixa e krijojnë dallëndyshe,
zjarri rritet në qiellin e ngopur me dritë të artë.
Ana e donte atë në mëndafshin e borës së erërave,
ku në buzët e saj tretej e shndërrohej pranverë,
e donte si dallga që formohet në gjoksin e ndjenjave,
ngrihet e përplaset nëpër trup, e vibron rrezet në diell.
Pasion i dehur me qëllime të paarritshme,
lëshoi errësirën e zezë në shpirtin e saj pa ulurimë.
Vdekja e mori, si natë pa hiret e yjesive të ndritshme,
se guxoi të prekë yllin e ndaluar. që u shua me hidhërim.