| E hene, 11.12.2017, 01:54 PM |
Ibrahim Gani
Haiku shkruar në vjeshtë 2017
Gjergj Kastrioti në Himarë,
Këngë e Jonit nëntë ballë:
-Jetojmë dhe vdesim shqiptarë!
Labëri, djep i stuhive,
Kurorë e blertë dafine,
Shqiponjë në këngën time.
Varg i këngës së bekuar,
Naimjane përjetësuar
Pishtari i saj s’njeh të shuar.
Kosova det dallgëharbuar,
Asnjë sekondë e gjunjëzuar…
Ende kuis bishë e tërbuar.
Në ligjërime duf i rrëmetit,
Fjala e tij tmerronte mbretin…
-Litari vetëm për Ismetin!
Nora bijë e Kelmendit
Shqiptarçe mbi radhoj shkëmbi,
Doli në ballë të Kuvendit.
Elenë, e dinim do të vije
Te kjo vatër dashurie,
Që ndez vetë diell e yje.
Këngë det i Tepelenës,
Lodërmadhja e pranverës,
Fluturon me zogjtë e erës.
“Shesh i Eshtrave” “Vaja e Shpatës”,
Pagëzuar përmes flakësh,
Stuhi copat e granatës.
Ja edhe një haik Japonie,
Në një valle Shqipërie,
U lodh s’doli dot në krye.
Emigrim qenke lubi,
-Sa do kthehen? –Nuk e di…
Blerim me një brez të zi.
Himn për deputetët tanë,
Lindur, rritur në doganë,
Këmbë e kokë pashallarë.
Trasta plot me fiq për miq…
Pranë shefit lakuriq,
Rastësisht e gabimisht.
Disidenti i opozitës,
Në majë të Këndrevicës,
Mblodhi mjaltin e gorricës.
Mbesa ime shtatdafinë,
Lumë netësh mbi libra gdhirë,
Merr flamurin, shkund Greqinë.
Vatra jonë një det me halle,
Në dokrrat parlamentare,
Katandiset një cigare.
Gështenja e Bilbilenjve jeton,
Pranvera vjen, ajo bleron…
Në syrin tim loti lodron.
Sot era qan, deti gjëmon
Mall i kahershëm përvëlon
Në vargun tim një divizion.
E lodhët kjo udhë ushtari…
Befas një melodi longari,
Harrojmë të ndezim cigarin.
Vasha që printe në valle,
E bukur e lozonjare,
Brof papritur sekretare.
Hapi ynë një mal i rëndë,
Pasaportë djall paske qenë,
Një muaj qiri më këmbë.
Mezhgoran sosi haberi,
Kaluar mbi harqe ylberi,
Te ti po vjen Asim Zeneli.
Nata pa hënë e pa yje,
Një tjetër lapidar u thye
Malet përcjellin rënkime zie.
Vargu për Gjergj Kastriotin
Dhuratë e shenjtë prej Zotit,
Daltuar me pikën e lotit.
Vlora me lavdi mbuluar,
Asnjë dekik e gjunjëzuar,
Pishtari i saj s’njeh të shuar.
Dianë, e bukura Dianë
Më dysh e ndave kasabanë
Më prit do të them dy fjalë.
Valle që ngjitesh në yje,
Në çdo vatër Shqipërie
Blaton urim begatie.