Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hazir Mehmeti: Ministri Dardan Gashi në Austri

| E hene, 27.11.2017, 01:20 PM |


Ministri, Dardan Gashi, takoi përfaqësuesit e shoqatave në Austri

“Në koordinim me Ministrinë e Diasporës të Shqipërisë do ta financojmë mësimin shqip në diasporë dhe të teksteve të posaçme  për diasporë. Projekt, themelimi i 32 qendra kulture shqiptare, njëra ndër të parat në Vjenë kur dihet ndihma e Austrisë në historinë e kulturën shqiptare,

Rreth akcizës; do të shkurtohet pritja në kufi, pagimi -O-line i sigurimit pa pasur nevojë të pritet në radhë në kufi”

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Zv. Kryeministër dhe Ministër për Diasporë Dardan Gashi, Arian Daci, zv.minister, Avdyl Lipveci, drejtor dikasteri, biseduan në Vjenë me përfaqësues shoqatash në Austri. Takimin e drejtoi    Z.Imer Lladrovci, kryekonsull, ai përshëndet mysafirët nga Kosova dhe përfaqësuesit e shoqatave. E pranishme ishte  zj.Aida Sakja, sekretare në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Austri. Ajo në emër të dikasterit përshëndeti mysafirët dhe në fjalën e saj mbështeti kontaktet e tilla me mërgimtarë për të mirën e organizimit dhe funksionimit si shoqata dhe forma tjera.

Ministri Gashi mes tjerash tha: “Programet e Ministrisë së Diasporës në të gjitha mandatet që nga themelimi i kësaj ministrie ishin të rëndësishme, disa nga të cilat nuk u realizuan për shkaqe të ndryshme. Disa nga pikat prioritete që ne i konsiderojmë t’i realizojmë në koordinim me Ministrinë e Diasporës të Shqipërisë me të cilën do nënshkruajmë së shpejti marrëveshje. Njëri prej tyre është kartoni i gjelbër të cilin nuk ia kemi arritur ta heqim pagesën për sigurime, por e kemi ulur pagesën aq sa kemi mundur dhe tani synojmë pagimin O-line të sigurimit pa pasur nevojë të pritet në radhë në kufi.  Prioriteti tjetër është mësimi i gjuhës amtare në diasporë për të cilin jemi ra në ujdi me Ministrinë përkatëse në Shqipëri që tani e tutje të marrim për sipër financimin e përbashkët të mësimit amtar dhe teksteve të posaçme  për diasporë.  Këto marrëveshje do votohen në kuvendet e dy vendeve tona dhe do mbetet e detyrueshme për çdo qeveri që vjen.

Marrëveshja tjetër do jenë themelimi i qendrave kulturore shqiptare të përbashkëta, rreth 32 qendra, njëra ndër të parat në Vjenë kur dihet ndihma historikisht e Austrisë në të kulturën shqiptare, një projekt jo aq i lehtë financiarisht për të dy shtetet tona jo të pasura.  Këto pika prioritete, besoj se tregon për rëndësinë që të dy qeveritë i japin diasporës.  Me ministrin, z. Pandeli Majko e kemi diskutuar se kemi të bëjmë me gjysmën e kombit tonë jashtë trevave etnike dhe kjo është një domosdoshmëri kohe”. Anton Marku, nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë ”Aleksandër Moisiu” në Austri dhe Klubi i Shahut “Arbëria” në Austri, dha një raport rreth aktiviteteve konkrete dhe mbështetjen nga Ministria e Diasporës. “Ne kishim vështirësi në komunikim me zyrtarë rreth kërkesave tona me projekte konkrete, tani është më mirë. Ishte synimi ynë i mbajtjes së një takimi letrarë e artistik me krijuesit nga e gjithë diaspora i cili mbetet i hapur për mbështetje të projektit, këtë Vjena e meriton me gjithë historinë e saj në rrjedhat tona kombëtare dje e sot”  Hazir Mehmeti, kryetar i Shoqatës së Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Austri foli mbi aktivitetet e realizuara dhe falënderoi institucionet të atdheut për mbështetjen e vazhdueshme. „Projektet e përbashkëta të realizuara: Kuizi, Seminaret rajonal, vizitat në atdhe, shpërndarja e teksteve etj. nuk do ishin realizuar pa mbështetjen konkrete”. Në diskutime u angazhuan përfaqësuesit e Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri, mes tyre ishte Vinçenc Palushaj,   të cilët dhanë shënime rreth rrjedhës së përgjithshme të Javës së Kulturës Shqiptare në Austri, tani katër vite në vazhdimësi. Ata apeluan në komunikim më të mirë dhe aktivitete më gjithëpërfshirëse dhe cilësor. Në diskutime u paraqiten, përfaqësuesi i Unionit të Shoqatave në Austrinë e Epërme,  i cili pyeti rreth procedurës së përcaktimit të mësueseve për mësim plotësues, kush do vendos.  “Ne nuk jemi të kënaqur me punën e disa mësuesve e kam fjalën në Austrinë e Epërme”, tha ai.  Këtë pyetje e sqaroi z. Avdyl Lipoveci, duke shtuar se “Diaspora ka potencial të shumtë me intelektual nga lëmi i arsimit të cilët punojnë punë tjera jashtë profesionit të tyre, por do duhej të krijohen mundësi konkrete. Në rast nevoje ne marrëveshje me organet vendore mund të bëjmë diç më shumë varësisht nga specifikat e vendit nikoqir”. Përfaqësuesja e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”  dhe Shoqatës Kulturo-Artistike “12 Qershori” në Vjenë, zj Rolanda Limani, foli mbi sukseset e këtyre shoqatave në veçanti arritjet artistike në valle e këngë në disa decenie. “Sikur është zbehur mbështetja nga donatorët privat dhe shpresat e kemi në përkrahjen e institucioneve tona të cilat tani janë më aktive”. Adem Gashi, përfaqësues i Shoqatës “17 Shkurti” nga Bedeni foli rreth aktiviteteve të kësaj shoqate dhe pati vërejtje në Këshillin Koordinues rreth informatave, komunikimit dhe aktiviteteve. “Kur themi Këshill në nivel të Austrisë, na duhen informata rreth atyre shoqatave që janë pjesë e Këshillit Koordinues e jo të flitet për gjithë Austrinë”.

Të pranishmit shtruan pyetje rreth procedurave të dokumenteve për viza, me theks tek të rinjtë në procedurat e bashkimit bashkëshortor e familjar. Në diskutimin e tij z.Avdyl Lipoveci sqaroi se koordinimi i bashkëpunimit varet nga organizimi i shoqatave tuaja, projekteve konkrete që ju i dërgoni. Si shembull të mirë përmendi Shoqatën e Mësuesve në Austri.

Nga takimi të pranishmit dolën me shpresë se do realizohen të gjitha projektet e premtuara, krejt kjo për afrimin e gjysmës së kombit me mëmëdheun.

Vjenë, 18 nëntor 2017.