| E merkure, 08.11.2017, 06:59 PM |
MALL PREJ ËNDËRRE
POEZI
PËLLUMB GORICA
SA KOHË KËRKUAM VETEN…
Ah, sa kohë pa puthur rrezen...
Përballë këtij qielli mospërfillës
Me spektrin e zjarrtë të ylberit
Tani i falem dashurisë, jo Ferrit!!
Sa kohë pa prekur qiellin…
I shkretuar horizontit tinëzar;
Tani me zemër shpirtit zhytemi
Për të prekur shkëlqimin kristal!
Sa kohë kërkuam veten…
Fshehur diku, diku rrezeuar;
E gjetëm çapkënen mes nesh,
Aty thellësisht, të dy dashuruar!
PRES...
Pres çdo prag mbrëmje për psalmin e ditës
Që nata të bëhet po aq e qartë
Por një mospërfillje aq e pafajshme e dritës
E humbas errësirës së pafat!
Kur zërat rënkojnë gëlltis çdo zhgënjim
E vishem tërësisht me të zeza
Muzgu mbetet gjysmë në perëndim
Unë vuaj për dy fjalë të thjeshta.
Eh, e dua dritën për vete, për njerëzinë
E dua dashurinë në qiellin e shkrirë,
E dua jetën e përfshirë në mua
E dua dhe e mbaj ndër duar!
RETORIKË URREJTJE
Përse o njeri i mjerë urrejtja të ka mbirë,
A thua bota, është letër higjenike e të përket ty,
Si një bishë prehën e radhës e shqyen me brirë
E ç’do pjesë të saj, e sheh verbërisht me sy...
Mes ditëve, nëpër vite, je hallkë e këputur,
Por vetveten kërkon ta afirmosh në jetë,
Ti aq keq, si akrepi nëpër mur ke mbetur,
Dhe e derdh helmin me fjalën më të sertë.
Si retë e zeza që lëvizin qiellit tinëzisht,
Mbi sfondin gri të atij shpirti me ligësi,
Ti të godet me rrufe, krejt pabesisht
O hije, o mirazh i ngarkuar me armiqësi.
Ty, rrugët të janë ngatërruan keq,
Në skuta të zymta si i molloisur në çark,
Miqësia flamurin gjysmë shtize s’e heq,
E mbi ty ka mbetur i varur çdo çast.
MALL PREJ ËNDËRRE
Do të ishte mirë, mos të kisha njohur
As sytë e tu, që s’janë më fshehtësi
Shtigjeve për të gjetur rrugën e humbur
Qiejve të ngarkuar me re dhe shi.
Çdo harrim shkërmoqet përkohësisht,
Limaneve të purpuruara pas një drite.
Fytyra e fsheh atë shenjtërisht
Për një zgjidhje nga ajri mbetet në pritje.
Prej sfondesh gri, jam kthyer me trishtim
Me të dashuroj ikjen larg në brigje.
Ti s’e di ç’farë kërkoj në shpirtin tim
Mall ëndrre që më ndjek në vite...