E shtune, 21.12.2024, 02:29 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Radovani: Prof Simon Rrota nuk i vjen ma Shkodrës

E diele, 29.10.2017, 10:44 AM


Nga Fritz RADOVANI:

PROFESOR  SIMON  RROTA

NUK I VJEN KURRMA SHKODRES !

130 VJETORI I PROF. SIMON RROTA... NA KUJTON !

?Artistin e madh të piktures në Shkoder, Qytetarin model të Kështjellës plakë Rozafat, Mësuesin e perkushtuem të rinisë Shkodrane, Etnografin e kultures sonë kombtare, Historianin e saktë të ngjarjeve të lavdishme, Prindin e kujdesëshem aty ku mungonte dhe, skalitësin e papersëritshem të edukatës dhe moralit Europjano – Përendimor.

Shqipnia me Malet e fushat e Saja kreshnike ishin Shpirti dhe jeta e Veprave të Tij...

Penelat nder duertë e Tij vezullonin si fijet e mëndafshta të rizave të papersëritshme dhe tingllonin mbi shkrepa të Maleve si çakçirët e trashigimtarëve të pathyeshem të Viseve të Lekë Dukagjinit dhe Herojve të pavdekshem të Gjergj Kastriotit. Ata penela trokisnin nder dyertë me harqe guri të Shkodres, ku ruhej ajka e vjeter e kostumeve të lashta Ilire...

?Profesor Simoni asht lé në Shkoder me 23 Tetor 1887. Asht shkollue po në qytetin e lindjes nder Françeskanë, ku edhe asht zbulue talenti i Tij në artin e pikturës. Njohja me piktorin Kol Idromeno i jep shtysen me vazhdue Akademinë e Arteve të Bukra në Brera, Itali, deri në vitin 1920. Gjatë asaj kohë vizitoi Francën dhe Austrinë, pra të tri mbretnitë e njohuna të artit Perëndimor, ku u brumos me kulturën e artit moderne.

Mbasi perfundoi studimet per pikturë para se të kthehej në Shqipni, u martue atje, dhe krijoi një familje model, gja që e pasoi edhe nder të gjithë trashigimtarët e vet.

Ka banue në rrugen Badra, per të cilen shkruen në librin e Tij “Rrethimi i Shkodres” romancieri i parë Shqiptar Don Ndoc Nikaj, në vitin 1913 kur tregon se: “Rruga ma në shej nga malazezët kur gjuenin me gjyle... Ishte rruga Badra e Shkodres...” Ishte pra, ajo rrugë ku, jo ma larg se 100 ml., jam le dhe rritë e njohë me Profesorin tim...

?Me hapjen e Gjimnazit Shtetit në Shkoder në vitin 1922, nder të parët edukator të atij gjimnazi asht edhe Prof. Simon Rrota, dhe që vazhdon profesionin e mësuesit të vizatimit në Shkollen Pedagogjike deri në pak kohë para se të mbyllin edhe jeten e Tij prej edukatori të nderuem dhe të palodhun me 27 Janar 1961.

Profesori ka lanë vepra që me dinjitet perfaqsojnë me saktësi Rilindjen Shqiptare, tue i perjetsue karakteristikat e saj në veprat e Tija të historisë kombtare, etnografike dhe gjithmonë të shprehuna me një frymzim origjinal. Ka lanë shumë vepra në vaj, karbon, lapsë, akuarel dhe kryeveper e Tij mbetët boceti i vepres ma të madhe që ka zbatue në vaj “Vuemja e Gurit të Parë” në Kishen Katedrale të Shkodres, në 1958.

?Kjo asht nder të paktat vepra që ka shpetue pa u zhdukë nga “Revolucioni Kultural 1967”. Sejcili penel aty asht i lidhun me një nga episodet e Historisë së Shkodres.

E, pa u gabue aspak mund të them se Prof. Simoni per nga saktësia nder veprat e Tij nuk i lente asgja mangut vllaut të vet, shkenctarit gjuhësisë sonë At Justin Rrotës.

Prof. Simoni ishte një mjeshter i papersëritshem në punimet me lapsë dhe karbon. Kujtoj njëherë që me mori në shtëpinë e Tij dhe më tregoi një dosje me disa vizatime. Edhe sot ruej në kujtesën time një punim me karbon “Borë në Rrmaji”, ndersa nder punimet me vaj pikturat e prindve të Tij me kostumet e vjetra shkodrane, mbesin një thesar i etnografisë Shqiptare, tue mos harrue asnjëherë veshjet malësore dhe ato zadrimore, që të duket se në gjokset e tyne nuk janë pikturue por janë montue vargjet e monedhave të arit me motivet e mbrekullueshme kombtare të qindisuna nder ta.

?Veprat e Profesor Simon Rrotës janë gurtë e themelit të veshjeve tona kombtare, dhe asnjëherë nder ta nuk ndeshet njeriu para dyshimit, mbasi saktësia ishte gjithshka e paraqitun me aq mjeshtri dhe dashni nga Piktori i madh i Shkodres nder ato piktura.

Atëherë kur shkolla Pedagogjike e Shkodres ishte ba streha e studentave “Mëkatnorë të deklasuar”, asht një mësues që mendon per me shpetue jeten e sa të rinjëve nga rrugët e vështira e plot rreziqe nder skajet ma të largëta dhe të humbuna të Shqipnisë komuniste, e Ky asht Prof. Simon Rrota. Atje ku rinia shkodrane shkonte me perhapë “driten e partisë”, nuk ishin vendasit që mendonin me ua ba keq, sa ishte “motivacioni i dosjes së degës së mbrendshme” të  Shkodres që i ndiqte mbrapa deri në vdekje.

Kam pasë fatin në vitin 1953 me kenë nxanës në shkollen pedagogjike dhe me pasë një Mësues dhe Prind shumë të Nderuem dhe fisnik, që më dha i pari në jeten time, “mjaltin e ambel” të artit të bukur të pikturës, kryesisht në gjininë e grafikës me bojë kine “bardh’e zi”, e Ky ishte pikrisht Ai Burrë që kalonte perditë para shtëpisë sime, e që porsa fillova me marrë mend, unë ishe krenar kur Ai më pershëndette me aq perzemersi... Ishte Prof. Simon Rrota...që banonte në atë shtëpinë karakteristike, me një pullaz thik, që të dukej ma shumë se ishte ndertue me perballue boren e madhe, sesa nga vetë shija e veçantë artistike e arkitektit që jetonte nen kulmin e saj.

Sa fillonte pranvera, Prof. Simoni ishte gjithnjë në një copë të vogel toke ku me capin e tij ringjallte gjelbrimin e shermashekut e të shemshirëve rrethues të shtëpisë.

?Ishte një mbasdreke kur na thirri në sallen e vizatimit të shkollës mue dhe Dorotea Serreqin, kishim të dy kaligrafinë e bukur e biografinë... (nuk po shkoj ma gjatë).

U ulëm në një tavolinë ku ishin disa copa kallami me pambuk të lidhun ndër maje. Në mungesë të brushave kishte përgatitë ato copa kallamash për me shkrue me to. Kujtoj si tashti fjalët e Tij: “Për shka po ju tham mos i tregoni asnjë njeriu, ju kam thirrë me ju mësue me shkrue bukur mbasi të dy keni kaligrafinë e bukur, por due me ju mësue me shkrue “parulla”, mbasi tue dijtë me shkrue parulla kanë me pasë nevojë për ju, e keni me kenë të kërkuem, mbasi komunizmi nuk asht gja tjetër veç propagandë!” ... Profesori, nuk ishte i pakujdesëshëm në të folun, njihëj mirë me familjët tona. Kjo ndihmë bujare e Tij shoqnue me një dashni prindore të pakufi mue më ka shpëtue jetën, prandej edhe i jam mirënjohës... Kur nxanësit e Tij i kanë shkrue këta rreshta kanë dashtë me shprehë një moment fantazije fëminore, por kanë thanë një të vërtetë:

Deri sa të sillet bota,

Edhe hyjt’ rreth rruzullimit,

Do të rrnojë Simon Rrota,

Profesor’i vizatimit!

***

Muzeu i Shtetit në Shkoder asht kenë një shtëpi e dytë e Prof. Simonit, ku gjithnjë mendonte e punonte si me mujtë me nxjerrë nga podrumet e errta “materialet” e At Shtjefen Gjeçovit dhe dijetarëve të tjerë, që mykeshin e po kalbeshin vetem se ishin kenë pronë e muzeumeve të gjimnazeve të Françeskanëve apo Jezuitëve në Shkoder.

?Në ballin e një shkalle më pat dhanë me shkrue një citat të Gjergj Kastriotit. E kishte të ruejtun që nga punimet e para të Buzukut, botue në “Hylli i Dritës”... Kujtoj në Muzeun e Shkodres një punim me vaj, ku një malsor po i jepte me pi ujë kalit tek Ura e Mesit. Nder të gjitha veprat e Tij shihet kujdesi per të tregue landen e veshjes, tue fillue nga rizat e mëndafshta, sumllat metalike të xhamadanave, brandavekët e grave shkodrane, çakçirët e malësorëve, ksulat e leshta të fshatarëve e gurët e pathyeshem të Rrozafës.

Do të shkonte njëditë në Kala Rozafat me drejtorin e muzeut, Vasil Llazarin dhe disa puntorë, një natë perpara erdhi e më ftoi me shkue me ata. Ishte vizita e parë me një dijetar të vertetë në Kështjellen Rozafat. Kur arrijtem atje nalt më çoi tek një beden guri nga Veriu ku shihej Shkodra, Kiri, Drini e deri larg malet rrethuese... Aty më shpjegoi: ?“A sheh një dishka që nuk e ka rreth vetes asnjë Kështjellë në Botë, nga Veriu dhe Lindja të dy Xhamijat dikur ishin kenë Kisha, si kjo e Selvisë dhe ajo e Plumbit...turqit i shkatrruen... ndersa, atje poshtë perballë Urës së Bunës, pak meter mbas thertores së vjeter, asht një hark që dimnit mbytet n’ujë, asht dera e një Kishës nga Perëndimi që lidhej me një tunel që vinte deri tek kjo shpellë, që na e kemi këtu krejt pranë, e në rasë rreziku kur rojet e Kështjellës rrethoheshin nga ushtria turke, Shqiptarët uleshin neper tunel, hynin në Kishë dhe prej aty, me lundra e barka iknin naten neper liqenin e Shkodres, në drejtim të Veriut nder Male e bashkoheshin me malësorë. Ndersa, nga Jugu asht Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë, Kisha shekullore, që kujtohet Mbrekullia e Figures së Zojës në 1467...Edhe Ajo në vitin 1913 u gjuejt me top nga malazezët dhe kishte nalt kompanjelin e këputun...Ndersa Kisha, perballë nesh këtu në Kala asht e pesta në qender të kater të tjerave poshtë, që ruejnë të paprekuna tash sa shekuj Kështjellen dhe Qytetin tonë të bukur e heroik po, edhe të martirizuem të Shkodres...”

Në vitin 1969 në Shtëpinë e Kulturës së Shkodres, drejtori i saj agjent i sigurimit Angjelin Kumrija, më pat zhdukë disa vepra në dhomen e piktorit Ferdinand Paci. Më vjen keq shumë per dy nga portretet e punuem me një pasion të madh prej meje, që i pata punue per ekspoziten personale të vitit 1966, Portretin i Prof. Simonit dhe Ai i piktorit Zef Kolombi, një tjeter kolos i artit pikturës në kujtimet e mija per vlerat e Shkodres!

Në këte 130 vjetor nuk dij a do të kujtohet Bashkia e Shkodres per Prof. Simon Rroten!

?Fjalët e Atyne dijetarëve që patëm fatin me njohë në vitet e rinisë, na nguleshin nder tru e ndoshta, “Ata ishin shinat që Mësuesit tanë na dhanë drejtimin e gjithë jetës!”

E pra, unë nuk jam i vetem që u rrita e mësova nga Profesori i Madh Simon Rrota, e prej Tij ndoshta... jam ky që jam, po, piktor jam vetem nga i paharrueshmi i rrugës Badra: Piktori Simon Rrota, që nuk i vjen kurrma Shkodres...



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora