Shtesë » Historia
Gjon Frani Ivezaj: Ulqini dëshmi e shekujve
E shtune, 06.09.2008, 08:07 PM
Ulqini dëshmi e shekujve
Nga Gjon Frani Ivezaj, historian
Ulqini, është ndër vendbanimet më të hershme të trevave ilire. Kjo dëshmohet që në periudhat parahistorike. Emri i tij, me sa duket, lidhet me emrin Colcbinium (Kolkin apo Kolbin të ardhur nga Azia) kolkët si themeluesit e parë i Olcinium. I famshmi shkrimtar Tit Livi, e përmend Ulqinin si Olcinium, kurse vendasit si olcinatas, që mendohet se i përkasin fisit ilir të labeatëve, që gjendeshin rreth liqenit me të njëjtin emër në Shkodrën e sotme. Në shekujt në vijim, emri i qytetit të Ulqinit ka evoluar nga lashtësia e deri sot…
Epoka e bronzit, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në këtë qendër të hershme historike. Kështu nga zbulimet arkeologjike, që janë berë në periudha të ndryshme nga arkeologët vendas dhe të huaj, është përcaktuar se në dyshemetë e dheut janë zbuluar gjurmë të hershme të jetës dhe zhvillimit në përputhje me kohën, duke filluar nga tombulat dhe veglat e punës, që natyrshëm kanë përdorur të parët e këtij vendbanimi.
Nga ekspertët paleohistorik, këto gjetje arkeologjike, kanë ruajtur vijimsinë e tyre përgjatë bregdetit adriatik ose ndryshe, bëjnë pjesë në të ashtëquajturen vegla të tipit shkodran – dalmatin.
Treva e pasur ilire, përbën padyshim edhe bazamentin në të cilin është zhvilluar historia mijëravjeçare e këtij qyteti të lashtë bregdetar. Në këtë truall të lashtë historik, janë përshkruar kultura të ndryshme civilizimesh gjatë shekujve. Gjithashtu, këtu kanë kaluar ose qëndruar në kohëzgjatje të ndryshme pushtues, të cilët, në një farë mase kanë lënë gjurmët e tyre të dukshme në lëmin e arkeologjisë, përshkrimet historike, emrave të vendbanimeve, artit figurativ mural dhe tipeve të banesës të ndertuar nga ana e stilit arkitektonik.
Mes Tivarit dhe Ulqinit (Ada e Krruçit), thuhet se ka ekzistuar Ulqini i Vjetër. Megjithatë duhet pranuar për hir të së vërtetës ose dëshmive historike, se këtu nuk janë ndeshur gjurmë jete të periudhës së lashtësisë, sikurse natyrshëm mund ti gjemë në zonën e Kështjellës së Ulqinit.
Sigurisht, këtu ka gjurmë të antikitetit dhe mesjeta. Për herë të parë Ulqini i Vjetër përmendet në vitin 1376. Afërsisht gjashtë shekull e gjysëm më parë, në qendrat e banimit, të favorizuar nga kushtet e pozitës gjeografike dhe kushteve të favorshme, mendohet se është zhvilluar jeta rurale, përmes vendbanimeve të mesjetës buzë brigjeve të detit Adriatik.
Nëse do të shohim me kujdes edhe ndërtesat e mesjetës, që i përkasin kësaj treve, bie në sy lashtësia e këtij qyteti në Kalanë e Ulqinit. Bedeni ilir, i zbuluar në shtresat e truallit në pjesën e sipërme të kështjellës, ka gjurmë karaktersitike të mureve qiklopikë, ndërtuar me blloqe të mëdha guri të mirëfilltë, çka përforcon edhe më shumë bindjen e vijimsisë së lashtë rurale të saj.
Nga ana e tjetër, duke parë hollësi ose detaje të gjurmëve të hershme arkeologjike, shohim se këtu ekzistojnë blloqe guri mbi gjirin dhe Molonë e Ulqinit, që pasqyrojnë në këtë mënyrë konturet e kulturës primitive e arkaike ose e thënë në gjuhë tjetër paraqet perendinë lokale të detit, Zotin mbrojtës të Ulqinit. Kjo është e shprehur edhe përgjatë bregdetit tjetër shqiptar ose më në jug të Adriatikut, përgjatë vijës bregdetare, ku kanë qenë ndërtuar qytetet e vjetra ilire, si Dyrrahu, Butrinti, Valova, dhe deri në brigjet e lashta mesdhetare helene etj.
Qyteti ilir i Ulqinit, ka pasur famë të madhe në kohëne shtetit ilir. Zbulimet arkeologjike e dëshmojë dhe përforcojnë këtë argument, gjatë kohës së sundimit të mbretit të fundit ilir Genti në qytetin antik të Scoda (Shkodra).
Natyrisht, duhet thënë se qyteti i Ulqinit, ruan origjinalitetin e vet, sepse është ndërtuar në përshtatjen sipas objekteve të terrenit që e rrethonte, ku, më sëshumti bie në sy pjesa ballore e jashtme e murit qiklopik e ngjashme kjo me ndërtimet pergam, që është përdorur në zgjerimin e mëtejshëm të qytetit në fjalë.
Lulëzimi i tregtisë dhe lundrimeve bregdetare në këtë trevë, kanë vijuar edhe pas përfundimit të luftës raskapitëse iliro – romake, kur dhe tjetërsohet mbretëria e Gentit. Gjatë kësaj periudhe deri në shek. XI, qyteti bregdetar, gëzonte një lloj pavarësie në formë e “republike”.
Qysh nga lashtësia e sot në brigjet e adriatikut nga bregdeti dalmat e deri në atë jonian helen, kemi të ruajtur si dëshmi të historisë fragmente të civilizimit të hershëm në periudha të caktuara historike, por që për arsye të ndryshme, ato sot gjenden të braktisura rrënojat e qyteteve antike. Mirëpo ato shfaqen me rrënojat e tyre si muze natyralë ose pasaporta të autoktonisë së banorëve vendas, që brez mbas brezi i ruajtën, duke dëshmuar vijimësinë e jetës dhe qytetërimit prej epokës antike, mesjetë e deri sot. Në këto themele parahistorike bën pjesë edhe treva e Ulqinit.
Fortifikimet antike e mesjetare që përfshinë në periudha të ndryshme brigjet e e kaltra të Mesdheut, mbijetuan kundrejt fenomeneve apo dukurive gjeografike që përfshinë sipërfaqen e tyre. Edhe pse herë mbas here gjatë u përfshi nga tërmetet dhe lëvizjet ngritëse e ulëse të truallit bregdetar, erozioni gërryes dhe vërshimet e ujit në brendësi të territoreve bregdetare, në zona të caktuara përgjatë bregdetit dalmat e deri në atë jonian helen, u ruajtën ndër shekujt gjurmët e shkrimeve, themeleve të fortifikimeve etj.
Edhe pse këto qendra të hershme banimi u braktisën, ato sërisht nuk e humbën origjinën e tyre, emrin e qytetit që nga antikiteti dhe mesjeta e hershme dhe e vonshme. Kështu me ndarjen e Perandorisë Romake në dy pjesë, ajo perëndimore me qendër Romën dhe lindore me kryeqendren Konstandinapojen, Ulqini, u gjend në provincën Prevalitana të Perandorisë Lindore dhe prej shekullit IV, fillojnë të shuhen ngadalë kultet e besimet pagane të popullsisë dhe në vend të saj fillon të përhapet feja e re e krishtërimit nga vetë apostujt… nga viti 1250 derinë fund të shek. XIV në zonën e kalasë së Ulqinit gjenden disa kisha si vijimësi e krishtërimit të hershëm në këto treva.
Qyteti i Ulqinit, përballoi me stoicizëm sulmeve dhe lutrave të shumta të perandorit maqedon Samuilit në shekullin IX, sulmet e mongolëve në vitin 1242. Në qytet asokohe (1252), ka mbretëruar nipi i Nemanjës Gjorgji. Ndërsa në harkun kohor 1282 – 1309, ka sunduar vejusha Helena e Anzhuinëve, ndërsa prej vitit 1281, motra e saj Maria njihet si domina Ulcinii. Gjatë kësaj periudhe në vitin 1288, dy motrat Helena dhe Maria kontribuojnë në ndërtimin e Manastirit Françeskan.
Rëndësia politike, tregtare, detarisë, financiare dhe kulturore e qytetit zgjerohet dhe përjeton kohën e lulëzimit të plotë, mbas tjetërsimit të Rashës, në kohën që kurorën e sundimit e mbajnë princërit e dinastisë së familjes bujare Balshajve. Tashmë rruga e tregtisë ishte zgjeruar për vendasit jo vetëm përgjatë vijës bregdetare të Dubrovnikut, por edhe me Venedikasit, të cilët, kishin në qytetin e Ulqinit edhe konsullin e tyre. Për më tepër, vetë sunduesi Gjergj Stras Balshës (1385 – 1405), për aftësitë e tij ushtarake dhe administrative njihet si Princ i Ulqinit dhe kur mbyll sytë varroset në Ulqin.
Vendasit dallohen për llojet e ndryshme të punëve të zejtarisë, duke spikatur më së shumti si skalitës ose mjeshtër të përpunimit artistik të drurit dhe ndërtimtarisë asokohe. Vetë princi Strazimiri, u interesua përmes një projekti të bëjë ndërtime të reja në qytet.
Këto projekte arkitekturale, sikurse dëshmojnë burimet e shumta historike, i vijojnë me sukses edhe Ballasha III. Nga viti 1413 – 1421, kemi sërisht sundimin e dinastisë së familjes princore Balshaj. Me vdekjen e tij, shuhet edhe sundimi i princërve të mirë arbëror dhe gjurmët e tyre i ndeshim tashmë në toponimimet e ndryshme. Më e njohura është Kulla e Balshajve, e cila gjendet në pjesën e sipërme të qytetit e rindërtuar disa herë.
Rritja dhe zgjerimi i sundimit venedikas bëhet kur pushon se ekzistuari dinastia arbërore e Balshajve. Ulqini, tashmë bie nën sundimit e Republikës së Venedikut në vitin 1423 –1571. Mbas 150 vjetve, sërisht qyteti bie nën sundimin e pushtuesve osmanë të Perandorisë Turke të Bosforit. Gjatë kësaj kohe në qytet, kemi në fillim futjen e elementeve dhe ndikimit të kulturës latine në fillim dhe më pas atyre lindore aziatike osmane, gjurmët e së cilës ndeshen deri në ditët tona.
Kultura dhe urbanizimi venedikas, shprehet në rindërtimin e ndërtimet e bedeneve, portave, kullave, pallateve, kishave latine e shesheve. Si klasike mund të përmendet si shembull hyrja veriore e Kalasë së Ulqinit, ku bien në sy tullat e kuqe të murosura. Këtu gjithashtu gjendet edhe mbishkrimi me emrin Jubani Bolani, që mendohet se ishte restaurues e kapelan i Ulqinit dhe që vinte nga një familje princore e Venedikut. Ai i përket periudhës së mesit të shek. XV. Po ashtu e kësaj periudhe është edhe kisha e Renesancës që i përket vitit 1510.
Ulqinin e kanë vizituar dhe shkelur me këmbë dhe studiuar shumë tradita dhe zakone, disa nga figurat kryesore të botës kulturore, të sferës ushtarake, lundërtar, klerikë të lartë të krishterë nga disa shtete të Europës dhe më së shumti nga Italia.
Ndër figurat më të spikatura humaniste të kohës ishte franceskani At Marin Biçikemi, që arriti të bëhet edhe rektor i shkollave raguziane dhe më vonë shërbeu në Venedik, Mantove dhe Padovë, në të cilin e emëruan edhe si profesor i rregullt universitar.
Shembull tjetër është edhe kalorësi gjerman Arnold von Harff (1496), i cili, gjatë udhëtimit të tij ndaloi edhe në Ulqin. Për këtë fakt historik, na njofton studiuesi e historiani i njohur klerik françeskan nga Shkodra At Marin Sirdani O.F.M. (1885 – 1946), përmes një shkrimi botuar në vitin 1936 në revistën prestigjioze të kohës “Hylli i Dritës” (1913). Ai gjatë një vizite që bën në Ulqin në vitin 1904, boton përshtypjet e veta për qytetin bregdetar, në faqet e revistës në fjalë, një ndër me autoritativet në trojet enike shqiptare gjatë asaj kohe.
Më vonë Ulqinin e vizituan udhëtarët e shkrimtarët francez Zheron e Zhan Taro, albanologu italian Dr. Antonio Baldacci, piktori e akademiku Paja Jovanoviq, shkrimtarja Isidora Sekuliqi, letrari kroat Petar Skoku, shkrimtari Kapllan Kallushi etj.
Këtu përshkruhen shumë detaje të jetës dhe ekonomisë vendase, zhvillimi i zejtarisë, lundrimit dhe traditat shqiptare. Ajo që spikat, është se autori thekson, se vendasit nuk kanë dëshirë të jetojnë të sunduar nga të huaj dhe janë dashamirës dhe përkrahës të përparimit.
Me një tjetër pamje e fizionomi zhvillimi paraqitet Ulqini, gjatë kohës së sundit të Perandorisë Otomane, qysh prej vitit 1517, kur ky qytet bie në dorë të pushtuesve mizorë turq. Ajo që bie në sy, është se Ulqini pushtohet më vonë se disa qytete të tjera të trojeve etnike shqiptare, kjo me sa duket më së shumti lidhet më pozitën e saj strategjike, si dhe rëndësia që kishte për Venedikun vetë Ulqini.
Qyteti sulmohet barbarisht dhe me të gjithë fuqitë ushtarake turke nga komandanti i ekspeditave Ahmet Pasha, i cili, më në fund mundi të mposhtë qëndresën e hekurt antijeniçere të vendasve, që drejtoheshin me meritë nga kryekomandanti Serra Martinegro. Trimëria e vendasve tregohet edhe tek dhe dhjetë motra të një kuvendi françeskan (murgesha), të cilat, për të mos rënë në duart e barbarëve turq hidhen nga Kalaja e Ulqinit në det. Kjo të kujton historinë e grave suliote që hidhen nga shkëmbi për të mos rënë në duar të haremxhive otomanë. Dhe historia e vendasve, gjithnjë e më shumë është e mbushur me shembuj trimërie e luftrash të vendosura, kundër ekspeditave ndeshkuese turke.
Qetësia dhe zhvillimi i gjithanshëm i qytetit shkatërrohen dhe qengji, që ishte simbol i paqes për ulqinasit zëvendësohet minare islame me yll e hënën turke të pushtuesve. Nga ana e tjetër, në Ulqin, filloi të rigjasllërohet kultura e piratërisë ose e grabitjes, që gjatë sundimit turk mori përpjestime alarmante. Nga kjo kohë, ulqinakët, fillojnë të dallohen si kusarë të famshëm, që sulmonin anije të ndryshme nëpër detin Adriatik dhe detin Mesdhe dhe luftonin kundër anijeve të krishtera të Republikës së Venedikut, të Bokës së Kotorrit dhe të vendeve të tjera të Dalmacisë.
Kusaria e Ulqinit me anije piraterie, ka ekzistuar që nga koha ilire dhe gjatë kohës së ndërrimit të sunduesve të ndryshëm dhe sipas interesit për pasurim të shpejt të tyre herë është zvogëluar e herë është zgjeruar, duke qenë një problem serioz për të gjithë bregdetin dalmat dhe at adriatik e jonian.
Vijimësia e jetës detare dhe lulëzimi i piraterisë (vjedhjeve dhe grabitjeve në det), tashmë u bë një pengesë serioze edhe për vetë turqit, që filluan të merren seriozisht me luftën kundër piraterisë detare. Kjo për faktin, se shumë nga anijet e tyre bëhen pre e grabitjeve të kusarëve ulqinakë. Piratët e detit, mendohet se deri në shekullin XVII kishin arritur të zotëronin një flotë detare deri në 170 anije, dhe që të gjitha ishin të ankoruar në brigjet e Ulqinit.
Hovi i madh që mori dejtaria dhe lulëzimi i piraterisë, krijoi kushte që qyteti të zgjerohet dhe të largohet ngadalë nga dyert e muret e Kalasë së Ulqnit,. Fillojnë kështu të krijohen lagje dhe qendra të reja banimi, sheshe, hamame, kroje, xhamia, teqe, që dallohen për karakterin oriental turk të tyre. Gjurmët e botës islame fillojnë të shihen më shpesh. Ata ishin ngritur mbi themelet e botës kristiane, që lulëzoi shumë shekuj më parë në këtë trevë. Islamizimi dhe kultura e saj e shpatës, filloi “lulëzimin” dhe të japë frytet e veta shkatërruese të vlerave autoktone iliro - abrërore dhe kristiane.
Por shumë nga vlerat e kulturës së lashtë kristiane mbijetojnë, falë qëndreses së hekurt të vendasve, të cilët gjithsesi rezistojnë me të gjitha mënyrat. Një pjesë e vendasve që kishin pasuri, për të mos i humbur ato i nënshtrohen islamizimit, duke vijuar të ruajnë sundimin e tyre, tashmë si shërbetor të Perandorisë Otomane të kohës. Të lëkundurit, me natyrën e tyre servile dhe telit të përdredhur u bënë vasal të pushtuesve, duke i shërbyer atyre në administratë, për nënshtrimin e pjesës tjetër ulqinake jo islame.
Administrata e re turke për të bërë konvertimin e popullsisë së krishterë në islame, aplikon ligje të dhunshme shtypëse. Një ndër këta është edhe taksa e gjizes për të krishterët, gjë që e shpejtoi procesin e konvertimit në fenë islame. Në disa raste u shfaq edhe dukuria e përhapur askohe, që njihet me emrin laramanizimit, ku të krishterët ditën në rrugë dalin me emra muslimanë, kurse në shtëpi ushtrojnë ritet e besimit të ritit katolik. Por jo të pakët ishin edhe besimtarët katolikë, që me sakrifica e mbijetesë shembullore ruajtën gjuhën shqipe, kulturën, traditat e lashta shqiptare dhe sot janë shembull i shkëlqyer i vijimsisë së traditës së hershme kristiane e iliro – arbërore në trojet stërgjyshore shqiptare.
Gjatë kësaj periudhe Ulqini, kishte një kantier detar, ku ndërtoheshin me material druri anije të tonazheve të ndryshme, që dallohen për shpejtësinë e tyre, në përshtatje me kohën. Anijet më të njohura ishin ato që njihen me emrin galeota.
Për të mbijetuar dhe ruajtur tregtinë me produkte të ndryshme ushqimore dhe blegtorale, tregtarët ulqinakë shpesh nën maskën e flamurit të piraterisë bënin tregti me vendet e ndryshme, duke iu fshehur piratëve shumë të rrezikshëm, që jo vetëm u merrnin shpesh mallin por edhe krejt anijen ose e digjnin ne mes të detit.
Në vitin 1718 u vendos paqja nga sulmet e furishme të anijeve pirate, që në histori ka hyrë me emrin Paqja e Pozharevcit. Më vonë shqiptarët e ulqinakë nuk zbatuan më vonë as Paqen e Beogradit (1739). Këtu u trajtua çështja delikate e piraterisë, që ndalohej sipas ligjeve të kohës dhe çështja e dytë ajo e Kalasë së Ulqinit. Ata që vijonin të grabisnin në det të hapur, ishte parashikuar që t’u merreshin galeotat (anijet) dhe nuk kishin liçencë (të drejtën e lejës), për të ndërtuar anije të tjera. Jo gjithçka që thuhet e shkruhet zbatohet. Marrëveshjen e Paqes së Pozharevcit, nuk e zbatuan as piratët shqiptarë ulqinakë, të cilët, vijuan zanatin e tyre të vjetër. Nga këto grabitje si gjithnjë vazhdonin ta pësonin anijet tregtare të Republikës së Venedikut, bregdetit dalmat dhe vetë ato të Perandorisë Otomane.
Në shekullin XVII, pirateria aq e përhapur në detin Adriatik fillon të shuhet dhe gradualisht filloi të vendoset jeta tregtare normale në limane dhe shkëmbimi i mallrave me anije tregtare në detet e hapura. Në Ulqin vijon tregtaria, zejtaria, peshkimi, kultivimi i ullishteve, bujqësia, blegtoria etj. Por sërisht kishte raste piraterie, por ato ishin të shkëputura dhe të rralla. Nga ana e tjetër, u bënë shumë përpjekje për të ndaluar tregtinë e skllevërve zezakë dhe se në Ulqin, mendohet se kanë jetuar 100 familje zezake.
Nëse do të shohim gjithë këtë udhë të sukseshme dhe peripecish, që i është dashur të kalojë Ulqini, rezulton se qyteti, prej kohërave të lashta deri në ditët tona mbeti si simbol i qëndresës së orekseve grabiqare të pushtuesve të ndryshëm që kaluan në këtë trevë, duke mbijetuar dhe ruajtur kulturën e vet autoktone iliro – arbërore – shqiptare me origjinalitet, ndonëse shihen edhe gjurmë të ndikimit të kulturave të huaja në shumë lëme. Me gjithë tramvajet e jetës, qyteti nuk u kthyer në gërmadhë ose në një qytet të vdekur, sikurse rëndomë kanë ndodhur me shumë qytet bregdetare lindore të bregdetit Adriatik e Jon apo më tej në Mesdhe.
Ulqini, mbeti simbol i vijimsisë së jetës ose i lulëzimit të detarisë, peshkimit, tregtisë, piraterisë për disa shekuj me radhë e zejeve të tjera etj., duke ruajtur veçantësinë e jetës autoktone. Nëse do të flasim për kohën e sotme, shohim se qyteti, i përshtatet shumë shpejt kushteve të ekonomisë së tregut. Këtu nis dhe lulëzon me përpjestime të shpejta turizmi bregdetar, kondrinor, arkeologjik, sendeve artistike antike etj., e favorizuar edhe nga kushtet e favorshme klimatike dhe ekonomike në të cilën gjendet asokohe ish - Jugosllavia. Në mesin e shekullit të kaluar (XX), shumë turistë nga Europa Perëndimore, bëhen frekuentues të rregullt sezonal, të ujërave të kaltra dhe të pastra, të klimës së shëndetshme bregdetare ulqinake dhe vizitor të kalasë së Ulqinit e vlerave të tjera historike të qytetit, duke u bërë shumë shpejt ndër më të njohurat në Europë.