E marte, 24.12.2024, 12:19 AM (GMT)

Përjetësi » Mani

Fazli Maloku: Ejup Tahiri - Kadri Mani na njohu me Flamurin Kombëtar

E diele, 07.03.2021, 04:24 PM


Si e kujton ish nxënësi i profesor Kadri Manit (ish Osmani), z. Ejup Tahiri, profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare, 28 Nëntori-Festën e Flamurit Kombëtar shqiptar të vitit 1966.

Shkrim me rastin e pesë vjetorit të ndarjes nga jeta e profesor Kadri Manit

Nga Fazli Maloku

Thuhet se "rasti është mbret i botës", kështu më ndodhi edhe mua. Duke bërë gjimnastikën e mëngjesit, takoi një fqinjin tim, z. Ejup Tahiri, ish punëtor i arsimit dhe tani në pension. Duke më rrëfyer për vuajtjet e tija dhe të brezit të tij gjatë shkollimit në fshatin Keqekollë të Prishtinës, përmendi edhe profesor Kadri Manin. Në pyetjen time, ke ndonj kujtim për profesorin Kadri Mani, të asaj kohe? Pa hezitim më tha. "Po bile shumë kujtime, të cilat do të më përcjellin deri në frymën e fundit. Z. Ejupi, filloi njërin nga kujtimet e tija.

" Ishte 27 Nëntori i vitit 1966, ditë e shtunë. Unë isha nxënës i klasës së pestë në shkollën fillore "Rilindja" të fshatit Keqekollë. Një ditë më parë, profesor Kadriu na porositi që t'i informojmë prindërit, se nesër, pra ditë e shtunë, pas mësimit të rregullt do të bëjmë një shetitje në natyrë. Kështu edhe vepruam. Të nesërmen, pas mësimit, na rreshtoi për dy. Duke kaluar përmes fshatit Keqekollë, në afërsi të banesës së tij na ndali duke na porositur të prisnim pakëz. Nuk vonoi dhe doli me një torbë në shpinë. Vazhduam rrugën duke rrokur rrugën për në bjeshkën e lartë të Meqegllavës, e cila është mbi njëmijë metra lartësi, e pasur me drunj të lartë ku dominon Ahishta, me kullosa e burime uji të bollshme. Duke hecur rrugës së malit ashtu të rreshtuar, këndonim këngën "Bashkohuni O Shokë Me Ne Në Qetë", të cilën na e kishte mësuar prof. Kadriu, në orën e gjuhës shqipe.

Në një lendinë të bukur, na urdhëroi të uleshim për pushim. Dita ishte shumë e bukur si të ishte pranverë. Hapi torbën. Nxorri disa bukë furre. Secilit prej nesh ia dha nga një pjesë të bukës të shoqruar me nga një konzervë mish gjedhi të grirë. Na porositi që mishin ta ngrëmë dhe konzervat ti ruajmë. Ishim tepër të uritur. Në familjet tona mbretëronte skamja e varfëria e skajshme. Pasi ngrënëm bukën, hyri në pyll. Me thikë preu nga një shkop rreth tridhjetë centimetra të gjatë për secilin nga ne. Nxorri nga torba thumbat dhe qekanin. I përforcoi konzervat për shkopinj dhe i mbushi me hi duke i ulur me vaj apo benzinë. Na rreshtoi përsëri për dy dhe secilit nga ne ia dha nga një që ta mbaj në dorë. Kur iu ofruam fshatit kishte filluar me ra terri. Me shkrepsën e tij na i ndezi flakadanët të cilët për mrekulli lëshonin flakë. Kështu me flakadana në dorë përshkuam tërë fshatin duke kaluar rreth katër kilometra rrugë të shoqëruar me këngën e sipërpërmendur. U ndaluam në oborrin e shkollës. Shumë fshatarë dolën nga kurreshtja për të mësuar se ç'po ndodhte! Askush nuk kuptonte asgjë! Në oborrin e shkollës, profesor Kadriu, nxorri nga gjiri një letër vizatimi në të cilën kishte vizatuar Flamurin Kombëtar Shqipëtar. Me ata sy shkëndijë na foli për Festën e 28 Nëntorit- Dita e Flamurit dhe historinë e tij. Të gjithë kishim hapur sy e vesh. Më dukej se askush nga ne nuk merrte frymë. Nga kjo ditë, nga profesor Kadriu mësuam si duket pamja e Flamurit Kombëtar Shqiptar dhe cila është historia e tij. Na përqafoi të gjithëve duke na porositur të ktheheshim në shtëpitë tona. Profesor Kadriu ishte yll e hënë për ne! Lavdi veprës së profesor Kadri Manit! "

Kështu përfundoi rrëfimin e tij ish nxënësi i tij z. Ejup Tahiri. Dhe mua nuk më mbetet tjetër vetëm ta falënderoj z. Ejup për këtë rrëfim sa të këndshëm po aq edhe të prekshëm. Ky ishta profesor Kadriu, i guximshëm, atdhetar me taban kombëtar, i cili tërë jetën ia kushtoi popullit dhe Shqipërisë. Festimi i Ditës së Flamurit si dhe përdorimi i tij në Kosovë ishte i ndaluar rreptësisht në këtë periudhë kohore dhe rrallë kush se guxonte ta zinte në gojë. Vetëm të flisje për te, do të haje edhe dajakun edhe burgun! Por ky ligj diskriminues e fashist i satrapit Tito nuk vlente edhe për Kadri Manin. Të gjithë ne shokët, miqt dhe dashamirët e të madhit Kadri Mani, në këtë pesëvjetor, na dhembë  zemra e shpirti që nuk e kemi pranë, por edhe ndjehemi krenarë që patëm një mik të tillë.

Do të mbetësh në zemrat tona o bac Kadri Mani!

Lavdi jetës e veprës së Kadri Manit!

E dielë, 8 tetor 2017, Prishtinë

Lexoni: Mani Kombëtar

Zemra Shqiptare, 08.10.2017



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora