E merkure, 30.10.2024, 06:39 AM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: 'Muslluku?!'

E diele, 24.09.2017, 10:20 AM


"Muslluku?!" *

Tregim

Nga Përparim Hysi

Lajmin që Bardha nuk do ishte më ndihmsja ime, ma dha komandanti i kompanisë,Vasili. Siç e shihni, po flas me fjalor ushtarak. E bëj enkas për ta bërë edhe më të"prekshëm" tregimin tim. Qeshë në zbor dhe qemë disllokuar mu buzëdetit,në Seman, kur Izraeli kish sulmuar Egjiptin  dhe ne, ngaqë armiqtë i mbanim në grykë të topit, kishim lënë pozicionet tona dhe stërviteshim si në"kohëlufte". Nuk qenë pak ditënet, por kokërr për kokër 17-të dhe fjetjen e bënim po aty buzëdetit, duke përgatitur "dyshekë" me mjete rrethanore. Komandant Vasili, pasi më solli një ndihmëse të re, më tha:- E more vesh? Bardha u emërua sekretare e Komiteti Ekzekutiv të  rrethit!!!

*    *    *

Unë qeshë mësuar me këso lloj emërimesh të befta (sot, të tilla emërime quhen nepotike), por, kur mora vesh për Bardhën, u çudta me të vërtetë. Bardha Resuli, sa për të shuar kuriozitetin e lexuesit, para se të bëhej ndihmsja ime tek  toga e drejtimit (unë qeshë telemetrist), ishte jo vetëm kolege (jepnim gjuhë-letërsi në shkollat ku punonim, por, veç tjerash,qemë pak a shumë miq. Pra,sa u çudita me këtë emërim, aq dhe më erdhi mirë; se, në fund të fundit, tani që Bardha është goxha e madhe, nëse do më lindë nevoja, patjetër që ajo do më ndihmojë. Kishim vjete që njiheshim dhe, sikur mos mjaftonte kaq, kishim 5-vjet që e bënim zborin në një togë. Tek çlodhesha me nge, mendoja për këtë emërim si rrufe së kthjellti të Bardhës dhe më lindnin shumë hamendësime. Pak nga pak, po çmësohesha me kësi lloj emërimesh,por, në fund të fundit, emërime sI: një ish-nxënësja ime, mësuese mbi 30 km  larg nga qyteti, vjen dhe emërohet drejt dhe kryetare e komitetit ekzekutiv të qytetit apo ish-kolegia ime që nuk ia thoshte fare nga punët me organizatën e pionierit,emërohet drejtore e Shtëpisë Pionierit në qytet. Kësaj i thonë: ty nuk të qasin në fshat dhe ti kërkon shtëpinë e priftit. Po, kur bëhesha racional, e zgjidhja enigmën e këtyre emërimeve: qoftë ish-nxënësja ime dhe qoftë kolegia ishin komuniste. Po për Bardhën ndryshonte puna. Bardha, sado nga ato familjet me përbërje të mirë politike, nuk ishte komuniste. Si ndodhi?- lodhja veten unë.

*     *     *

Tek kërkoja të gjeja një përgjigje për këtë emërim, m'u ravijëzua portreti i xha Myrtes, një bashkëfshatarit tonë. Ky më thotë një ditë:- Digjo xhixhan, more evlat! Të kam parë nëpër mbledhje që e çon gojën azat. Nuk lë të bardhë e të zi pa goditur. E ke kabim dhe digjo xhixhan. Kjo dreq jallane sa e madhe është, po dhe aq e vogël. Vjen seneja që ai, i"ligu", nga i"flakur në kopsht, tak dhe e gjen mu në qoshkë". Do doganë fjala, evlat, se ropi të ligën s'e harron kollaj. Duke u kapur pas fjalëve të xha Myrtes, u dhashë fund këtyre hamendësimeve fare të kota. Ajo që kish rëndësi, ishte  që Bardha, kolegia dhe "ndihmsja" ime kish bërë hop me këtë emërim dhe unë, si mike që e kisha, do kisha ndonjë përfitim qoftë dhe të vogël.

Qëkur u emërua në detyrën e re, nuk e kisha parë dhe as që më ishte dhënë mundësia që ta uroja për këtë ngritje në detyrë. Bardha, relativisht, qe mësuese e mirë që as nuk shquhej mbi të tjerët, por as nuk qe nën nivelin e tyre. Por detyrat shtetërore nuk është se ziheshim nga meritat, nga niveli apo nga zhjuarësia. Kish një emërues të përbashkët: sa të kish pëlqyer ai që të propozonte.

Bardha mbulonte arsim-kulturën e sportet në dikasterin e pushtetit dhe, shpesh, ndonjëherë me gjykimin e saj aq "racional" qe bërë aq shpotitëse,sa e lakonin mbarë e prapë. Kish ndodhur që pushteti e partia në rreth ishin në"alarm",se një futbollist nga më të mirët që kish nxjerrë Fieri në gjithë historinë e futbollit fierak, po ngre në këmbë e ka bërë për vete qindra e qindra tifozë që, mend betohen për kokën e tij; e ndjekin pas dhe broharasin: Majaci! Majaci!

Jo vetëm e ndjekin, por kanë filluar dhe të vishen si ai: pjesa dërmuese kanë veshur një këmishë me kuadrate që quhet"këmisha Majaci!" (dhe unë që po shkruaj kam patur një këmishë të tillë). Shkojnë pas tij (apo nuk është kosovar?!!!), prandaj kujdes! I gjithë ky"alarm" (furtunë në gotë) vetëm e vetëm se kosovari KUJTIM  MAJACI ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës fierake.  Dhe, kur e thirrën Majacin për"fajin" e madh të tij: (se shënonte gola!!!)

Bardha me autoritetin e saj si sekretare, e zbrazi:- Majac,- tha sekretarja e komitetit ekzekutv,- është më mirë mos shënosh gola!!!  Me kaq, ma merr mendja që e kuptoni se kush qe Bardha.

*    *   *

Por, në fund të fundit, Bardha ka qenë kolege dhe "ndihmsja" ime dhe, në u bë e madhe, mua nuk ka se si më harron.

Aha,- thoshte xha Myrtja,- evlat, karrikja të prishë. Ja, për këtë dhe që do na hajë! E kam me prova una dhe nuk flas badjava.

Sidoqoftë, pse do ta paragjykoj miken time. Puna nuk më kish çuar në zyrën e saj dhe e ndjeja veten mirë që nuk po i bija  në qafë. Po, kur ka thënë Çurçilli:- Kurrë mos thuaj kurrë.

*    *    *

Erdhi dita që unë,"ustai" do takoja "çirakun" tim. E quajta si punë të zgjidhur dhe vetëm formalitet hallin që kisha. E kisha hall, por ajo që vendoste për këtë lloj "halli",qe kjo"çirakja" ime e dikurshme. Po drejtohesha me mendjen top për tek zyra e saj, kur shoh që kish zbritur tek zyra e  arsimit. Hyra, përshëndeta dhe, pa e zgjatur, i them Bardhës.

- Bardha,- shyqyr që të gjeta këtu,se kush vinte deri lart tek zyra. Dhe i thashë hallin:-Kam një nipin e gruas invalind të lindur dhe interesohem për një shkollë ekonomike,sipas porosive nga lart.

E pashë që nuk i pëlqeu kur i fola si në kohën e"çirakllëkut" drejpërdretj me emër, pa atë ndajshtimin"shoqe" dhe, ngaqë kish vënë fletë dhe qe bërë dragua, ma priti me sëpatë dardhari:

-Oh,-  tha tërë mllef,- unë nuk jam si ajo fjala"shyqyr, o muslluk, që paske ujë!!!"

Unë jam tip i nxehtë dhe rebelohem shpejt dhe, aty për aty, dessh e lëshova gojën azat. Po të linte Xha Myrtja? Ika nga sytë këmbët dhe nuk doja as t'ia shihja bojën.

*     *     *

Një ditë prej ditësh, Bardhën e hoqën nga detyra dhe u kthye në fis: mësuese në një shkollë fshati. Kur u kthye në arsim Bardha, unë isha inspektor pranë Drejtorisë Arsimore. Kur shkova për inspektim,e pashë që mbante kokën ulur sikur do hapte një gropë e të futej brenda. Për t'ia hequr sadopak sikletin, në sytë të tërë kolektivit i them:- Bardha, mos e fut veten në pandehma të kota. Unë për ty, edhe tani që jam eprori yt, jam një"muslluk" që sa herë të kesh nevojë, do të gjesh  ujë.

* përkimi me  emër është krejt rastësi.

Tiranë, 8  shtator 2017



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora