E shtune, 21.12.2024, 12:30 PM (GMT)

Kulturë

Nebi Dragoti: Optimizmi migjenian - Shpirti i ri

E diele, 24.09.2017, 10:33 AM


NEBI DRAGOTI

OPTIMIZMI MIGJENIAN: “SHPIRTI I RI “

“Vështirë të caktohet ç’vlerë kuptimore i është dhënë pjesëzës- vallë. Në kuptimin e mirëfilltë të saj nuk shkon”. Kështu shprehej hartuesi dhe redaktori kritiku Razi Brahimi në volumin “Migjeni” (poezia shqipe ). Në krijimin “Shpirti i ri kjo pjesëz është përdorur pesë here:…”vall shpirt i plagosur”…”vall shpirt i therun”…”vall shpirt i molisur!”…O vall se ç’ idhnim!”…”O vall u fik një hy!” Përdorimi i kësaj pjesëze nuk ka ardhur si rezultat i të qënit në ekstazë frymëzimi i Milloshit, por i mendimit të thellë, i përdorimit të një fjalori sa më të gjërë e të kujdesshëm. Në gjykim të kësaj pjesëze, se ç’anë kuptimore ka, e marrim të plotë vargun: “Shqiponjë me krah të thyer, vall’ shpirt i plagosun!” Për një moment e hekim pjesëzën “vall” dhe lexojmë:”Shqiponjë me krah të thyem, shpirt i plagosun!”. Pohohet në mënyrë direkte si shkak pse shpirti është i plagosur. Atëherë pse përdoret…”vall shpirt i plagosun”!. Këtu pjesëza merr ngjyrime pohim-mohimi. Pse? Poeti edhe nuk do që ta besojë këtë pasojë. Në pikëpamje vizionare për poezinë “Shpirt i ri “, ai e ka filozofinë tek e reja për të cilën vazhdon:…” vall shpirt i therun… fli e një lteri të ri”, pra, për të renë sociale, kur kërkohet, duhet sakrifikuar që ajo të vijë. Edhe pse është me krah të thyer, poeti është optimist dhe i drejtohet :”Qëndro, qëndro krenar mu si një zot i stolisun/ me diell të artë në ball’, me qiella të azurta në sy”. Kjo dritë fantastike e dy vargjeve, është kulmi, bukuria e krijimit. Dhe ç’ka shprehem ma aprovon vargu: “Qëndro si vaj skamnori!”… Ende ka frymëzim në ty!...Këtu jipet qart dykuptimësia e kësaj pjesëze mohim-pohim. Kjo është e pranueshme për spjegim. Për këtë , pa e zgjatur, sjell shembuj nga përditshmëria:” Vall a do të na vijë për të na takuar? Vall a e mori vesh, se nesër e presim për t’u nisur në veri? Pra, edhe vjen, edhe s’vjen, por shpresa është se vjen, se për këtë optimizëm shkruan poeti. Mogjeni ka diapazon të gjërë leksikor të fjalës dhe fjalorit që përdor. Në këtë prizëm është i vetmi autor që ka bërë hapa gjuhësore. Fjalën e fut në varg duke e betonuar në kontekst të mendimit që shpreh vargu dhe poezia. Po t’i futesh e të komentosh titullin e vjershës “Shpirt i ri” del, se, konfirmon edhe plotësisht kuptimin e pjesëzës “vall”. E keqja është se në krijimtarinë e Migjenit është vënë dorë tek pikësimi e ndonjë sqarim dialektor. Po të ishte origjinale, do të kishte shumë lehtësira interpretimi dhe ekzaktësie e sqarimi. Përfundimisht “vall” është pjesëz mohim-pohimi, siç është edhe pjesëz dyshimi për veprim, por, në thelb ka ose anon më shumë në kuptimin pozitiv: “O vall u fik një hy!” Po në vend të pikëçuditëses të ishte pikëpyetje?... Atëherë ndryshonte gjithçka në anën që ftillova sa sipër. Këtë gjë përfocon edhe tema “Shpirt i ri” dhe shpirtët e rinj migjenian kanë ngjyrën simbolike të shpresës, të fitores dhe jo të disfatës.. Madje, gjithë krijimi, psikollogjikisht, këtë ka për konkluzion. Dhe, për këtë poetit i shkëndijon pena. Shkëndijat bashkohen e bëhen dritë migjeniane rrugëtimi.

 

NEBI DRAGOTI

THIKA

Tregim

Tinëzisht, e vendosur, mendonte ta përdorte thikën Nazmija, të nëmurën  nga të gjithë, kur përdoret për keq. Sigurisht, për të arritur qëllimin final ndaj fuqisë së një mashkulli, ku , dihet, femra nuk ka aq forcë. Ishte divorcuar me burrin  jo për fajin e saj. Djalin e vetëm që kishte me Samiun, gjykata e kishte vendosur nën kujdestarinë e saj për ta rritur. Grindjet kishin ardhur për problemet ekonomike. Qe pika kritike, kur të dy qenë të papunë. Ziheshin, grindeshin. Samiu ishte pakëz dembel, por e keqja më e madhe e tij ishte se edhe atë të paktë lekë që kishte e harxhonte me pijen alkolike. Dhe, kur fillonte të pinte, klubet i mirrte ma radhë saqë edhe kur nisej në shtëpi i merreshin këmbët sa andej këndej mend përplasej me kalimtarët. Nazmija kërkonte punë, por nuk po gjente. – Mos rri më në shtëpi, - i bërtiste Samiu.- Puno, gjej punë ku të duash! Ku të duash siguroje lekun!...Grindjet shtoheshin e ai i mërzitur vrap të kthente gatat me raki. Edhe i pëlqente, edhe s’i pëlqente kjo mënyrë veprimi. Nuk i analizonte mirë që të ndryshonte sadopak ekonominë e shtëpisë duke kërkuar rrugën dhe mënyrën e këtij ndryshimi të domosdoshëm. Karakteri i dobët po e vinte nën këmbë, saqë mori vendimin e shpejtuar për t’u ndarë nga Nazmija. Dhe kështu bëri edhe pse të afërmit e qortuan me plot të drejtë. As Nazmija nuk e donte këtë veprim, madje ajo e quante edhe të turpshëm. Nuk dinte çfarë të bënte e gjumi nuk e zinte natën. Kujtonte thënien popullore: “Jeta është luftë, nuk është bahçe me lule”. Natyrisht, kështu është. Nayrisht, njeriu duhet të jetë i fortë  që të përballojë gjithçka të vështirë që i del përpara. Nazmija arriti përfundimin më të keq: ia la thikës zgjidhjen. Unë i kisha komshi dhe nuk më vinte mirë përçka po ndodhte. Unë e Samiu hipëm në urbanin e plazhit që ishte mbushur plot. Samiu shkonte për të kërkuar punë, ndësa unë për të takuar një shok nga Kosova që kishte ardhur për plazh bashkë me familjen. Në stacionin  tjetër u shfaq Nazmija dhe ,mbasi hipi, me bisht të syrit u panë me Samiun. Unë ndiqja këtë skenë. Nazmijes një fytyrë i vinte, një fytyrë i ikte. Unë bëja sikur nuk i shihja dhe iu afrova dy hapa. Konstatova një dridhje të duarëve të saj. E merrja me mend se diçka i vlonte në tru. Hapi çantën që kishte në sup dhe diçka kërkonte…Nxorri një thikë një pëllmbë të gjatë që shkëlqente. – Mos,mos,- bërtita me të madhe. Ajo “armë” është humbje për të dy! Nazmijes i ra thika nga dora. Kur u përkul që ta mirrete, unë i vura këmbën pësipër thikës. E shkela fort, se duhej shkelur thika…Thika merr dy jetë: atë që e pëson dhe atë që e përdor…

 

NEBI DRAGOTI

VJEN RILINDJA

Bie një curle e  çifteli gjithë shend,

gjithë populli shtet ligjor po pret.

 

Bie një daulle e vlon kënga në veri,

Reformë pret populli në drejtësi…

 

Presim Rilindje, shtet ligjor vërtet,

Ku Vettingu vulë e qartë të jetë.

 

Një jemi bërë: veriorë e jugorë,

çastin presim,çastin madhështor.

 

Duam  rrugën, rrugën që ka dritë.

çast Rilindjeje, festo, Republikë!

 

KODOSHE E KODOSH MILIONERË

 

Një palo politikë

ka livadhisur keq

duke u shitur në publik.

Shitja…

Mall skarco. Pikë.

 

Me makina lluksoze,

makina qindmilionshe(…)

Orë ,byzylyqe, çanta,

vila super komode

këta kodoshë,

këto kodoshe.

 

Zonjat e tyre tundin vithet,

zotrinjtë e zonjave

baluke lëpirë

Janë pushte e pusht

hajdutërie.

 

Qindramilionshet

ku i gjetën?

I gjetën në qiell

a i gjetën në rrugë!?

 

Me djersë asgjë nuk kanë:

një dorë në tavë me mish,

në tepsi dorën tjetër

kollofitin bakllavanë…

Me dy duar hanë

këto luvgate,

këta luvgetër djajë.

 

Lumi Antikorrupsion,

lumi i Vettingut

të pasurat kodoshe,

të pasurit kodoshë

i marrtë, i çoftë në det,

në fund të detit, poshtë:

t’i hanë

e sytë t’u nxjerrin

peshkaqentë!

Shtator, 2017.

 

NEBI DRAGOTI

TELEFONI DHE DAJAKU

Tregim humoristik

Telefoni mjet komunikimi dhe kërcënimi. Qetësisht, paqësisht, në harmoni të plotë ishte me gruan e tij H. E, kështu duhet kuptuar jeta, se, ndryshe, nuk fiton asgjë. Mirëpo H. kishte një natyrë serioze, por në intimitet kjo natyrë kishte doza të mira humori, që, here-herë nuk i zbulonte këto ose me vështirësi i shfaqte përpara bashkëshortes L. Atë kohë lajme tronditëse përcillte televizori. Shumë gra bënin denoncime për burrat e tyre që sillnin  dhunë në familje. H. i dëgjonte dhe qeshte. L. çuditej pse i shoqi shpërthente në të qeshura., kur dëgjonte këto marrëzira. “Budallallëqe” me okë i quante ai, se, fundja, familja krijohet për të rrokur çaste lumturie, se…fundja, nuk arrin dot në këtë pike. Po, për këtë çështje ka shumë rrugë për të mos arritur në ekstrem. Dhe, rruga më e mire është divorci: secili shikon punën e vet. Ky është proçesi më i moderuar për atë që ka mend. Ndryshe, janë pavlerë dënimet me privim lirie ose përdorimi i armës… tragjedi e fëmijëve të lënë jetim…shkatërrim jete edhe i mashkullit që praktikon dhunë. H. i dinte këto. i urrente, i dënonte si individ në këtë shoqëri. Madje këto ide shpërndante në biseda me shoqërinë. Por edhe shoqëria nuk ishte e gjitha për përdorim dhune në familjer. Familja është vatër e shenjtë dhe e shtrenjtë. Këtë vatër është i zoti ai që e bën sa më të gëzueshme. Në këtë atmosferë H. e nisi lojën, që i shkrepi në tru duke iu drejtuar gruas: - Këmishën nuk ma ke hekurosur, pantallonat shumë keq, - duke ngritur tonin e zërit. L. u tromaks nga kjo e papritur: ”Nuk të pëlqen hekurosja e ime, ja tek e ke hekurin, bëje vetë dhe mos më dërdëllit duke ngritur zërin qiqra në hell, se nuk ta kam kohën. U lodha duke fshirë gjithë shtëpinë e duke tundur e shkundur rrugicat. Në fakt L. ishte  duke larë shtëpinë mbasi kishte mbaruar punë me banjon. Ajo as kafen nuk e kishte pirë atë mëngjes. H. gjeti momentin. Ngriti zërin më fortë duke i tundur dorën:- Do dajak, do dajak ti, - dhe seriozisht duke iu afruar kërcënueshëm. L. nuk ishte në humor edhe pë të kuptuar gjithçka. Përnjëmend gjëndjen shpirtërore e fizike e mori realisht të vërtetë. L. po me ton iu përgjigj si për të mbrojtur veten:- E kapa telefonin. Lajmërova policinë të të vijë të arrestojë. Nuk dua unë dhunë në familje. Një pauzë qetësie ra në shtëpi. H . kishte bërë provokim dhe kujt gruas së tij të dashur që me të kishin dy fëmijë si dy pëllumba. Duhej ndryshuar situata psikollogjike. H. po shfaqte anen tjetër të karakterit humoristik, karakter i njohur në këtë familje: atë të humorit, e, duke vënë në brinjë dy duart ia plasi gazit me të madhe. Iu afrua L. dhe i tha:- Ah, ta dija këtë punën e telefonit…do ta kisha fshehur dhe do të jipja dajak, dajak, dajak… Duke e puthur e kap fort duke e shtërnguar mbas vetes e duke e ngritur hopa, veç qeshte:- O shpirti im, o ylli im i jetës, si moj do t’do t’më fusje në burg?! Dhoma u mbush me të qeshurat e të dyve duke qënë ashtu të përqafuar… Fundja , fundja një jetë është për t’u kaluar.

 

NEBI DRAGOTI

RRETH ARTIT TË POEZISË

Vëzhgim

Ç’ka po cek, rreth kësaj dukurie, negative e quaj, nuk mund të qëndrosh indifferent, nëqoftëse e duam poezinë pa u degjeneruar e pa u kthyer në prozë krejt të rëndomtë.Rreth artit të poezisë kam lakuar dhe ftilluar nëpër shkrimet e mia kritike disa here. Mendoj se jam në pozicion të shëndosh politik, artistik për ta fokusuar krijimtarinë poetike drejt objektivit social, pra, çfarë do, si e do shoqëria, që, ne poetët ta gatuajmë këtë art. Pra, mendja e poetit për të rrok frymëzime nuk duhet të livadhiset në ëndrra boshe, që, në këtë sens, nuk kanë vlerë. Besoj, për atë që merr penën dhe shkruan , nuk ka objektiv tjetër që ta zëvëndësoj idenë që shpreh. Këmbëngul kështu, pavarësisht nga natyra e çdo individi, ( secili ka netyrën e vet të përceptimit të botës ku jeton), por nga kjo fushë përceptimesh duhet përcaktuar ose rrokur këndi i proçedimit të frymëzimit në letër që rrezaton njerëzoren, të dobishmen e vet njeriut. Pra, shkurt, mos të shkruajmë kot, se shumë poezi po t’i lexosh nuk qëndrojnë në prizmin e filozofisë ideore që jam duke trajtuar. Domethënia e frymëzimit tim për këtë e ka tek vjersha “ Era fryn          përjashta” botuar tek Nacional, e diel, 10 shtator 2017. Autori është i përmendur edhe në fushën e përkthimit për të cilën ka merita të padiskutueshme. Ka shkruar edhe poezi të bukura. Në këtë poezi, që hasa rastësisht, ka ngutje, ka rrëmbim të kotë frymëzimi saqë unë pyes: ç’farë të lexoj, pse e lexoj, çfarë kuptoj, ç’mesazhe jep, ç’kënaqësi ideore dhe estetike përjetoj ? Përgjigja ime : vetëm  “Era fryn përjashta/ përjashta fryn era/ fryn era përjashta”. Dhe, ajo që kujtoj nga teksti i gjuhës është: fjala e shqipes në fjali ndrron vend sipas theksit llogjik, pra , është e lirë dhe në funksion të kësaj që shpreha. Po tani këto tri fjali t’i quaj vargje poezie?! Thjesht, kjo lojë fjalësh nuk është poezi si edhe në vargu prozaik: “E vetmja gjë që ka dëshirë era/ është të fryjë”. Këtë problem, pa u zgjatur në detaje të tjera, e ceka fare shkurt për t’i thënë kujtdo: “ Të dimë çfarë shkruajmë, përse shkruajmë dhe , kryesorja, a bëjmë art poezie, në kuptimin gjithpërfshirës të temës që trajtova, (besoj se shprehem bindshëm). Botuesët e poezisë duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të vëmendshëm. Botuesët e gazetës “Nacional” punojnë me dy standarde gjuhësore, kur gjithë shtypi, media fonike shqiptare punon me standardin lertrar. Harrohet drejtshkrimi e pikësimi që mësohet në shkollë. Ky është absurditet , ku nëpërkëmben rregullat gjuhësore dhe shpërfillet objektivi politik final i gjuhës: “Një komb, një gjuhë”. Mos të harrojmë, se poezia është fjalë e shkruar që lexohet në çdo kohë dhe mbetet si tekst.

 

NEBI DRAGOTI

POET, THYEJE GUACKËN TËNDE

Esse

Poet, thyeje guackën tënde me kuptimin e mirëfilltë që të mos rrish i mbyllur, i cekët, i turbulltë, i sëmurë patollogjik në fushën e letrave të shqipes. Duke thyer guackën integrohe me botën, sidomos në fushën sociale duke rrokur tema esenciale, tema me diell ndriçues për të rritur funksionalitetin e krijimtarisë tënde. Ka bamirës ekonomik që ndihmojnë të pamundurit, të varfërit që edhe këta të jetojnë si gjithë të tjerët. Një objektiv të tillë lëvrimi në krijimtari duhet ta ketë edhe poeti, edhe shkrimtari e jo të rrijë indiferent, i mbyllur, jashtë problematikave që ka grumbulluar koha dhe politika drejtuese e vendit. Në këtë gamë, që është edhe burim frymëzimi, çdo krijues duhet të jetë aktiv, sepse shikoj e lexoj krijime të paarrira, pa standard, të dobëta, tepër të ngushta, pa mesazhe, pa domethënie, pa u fokusuar shëndetshëm, që, pastaj, për lexuesin  dalin krijime si foto flurudhë pa qartësi dhe ide. Jo, jo nuk na duhet të jemi për këtë. Këtë dobësi duhet ta ndjejë poeti tek vetja, se ka shumë poetë që janë mbështjellur fort mbas këtij koncepti që dëmton letërsinë dhe e bën atë të palexeshme e krejt celebrale. Shprehem kështu, se po e shikoj krijimtarinë poetike ku futet krijuesi e peshkon (nuk di çfarë peshkon ) në labirinte të errëta ëndërrash pa pikë sensi jetësor. Ka volume poetësh ku merren vetëm thjesht me peizazhin. Shumë keq kështu. Dhe aq më keq këta tipa krijuesish të gënjyer e quajnë veten famozë, pa pasur pikën e famës në koncept të idesë të ftillimit që bëj. Këta të tillë, kanë dalë me shumë volume dhe , sipas mendimit tim, shkruajnë kot sa që harrohen edhe shumë shpejt. Prandaj… Dil dhe thyeje guackën, shihe botën siç duhet shikuar,…dhe me sytë e tu.  Integrohu për të qënë realisht famoz dhe i dobishëm në këtë jetë.

Durrës, 2017.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora