E hene, 30.12.2024, 05:51 PM (GMT)

Kulturë

Pierre-Pandeli Simsia: Nusja nga Tirana

E hene, 18.09.2017, 06:40 PM


NUSJA NGA TIRANA

Tregim nga Pierre-Pandeli Simsia

Nxehtësia e stinës së verës atë mbasdite sikur nuk donte të largohej nga qyteti edhe pse Dielli pas një dite të gjatë kishte marrë udhën e tij drejt malit me vija në perëndim të qytetit.

Dalëngadalë u ul mbi kreshtën e malit duke lëshuar rrezet e tij të purpurta drejt qiellit si krahë të hapura përshëndetëse për t'u fshehur pastaj prapa malit dhe për të rifilluar ritualin e tij të përditshëm, lindjen, në agimin tjetër të ditës së re.

Qyteti dukej se po zgjohej nga ajo përgjumje mbasditore.

Njerëzit filluan të dilnin nga shtëpitë e tyre për të bërë ritualin e përnatshëm, shëtitjen në bulevardin kryesor të qytetit që në gjuhën e qytetarëve njihej; xhiroja e mbrëmjes.

Atë mbasdite, të shumtë ishin djem e vajza të të njëjtës moshë tek ecnin drejt qendrës së qytetit; ishin njoftuar se në një nga stendat në qendrën e qytetit kishte dalë lista me emrat fitues të maturantëve që kishin aplikuar për vazhdimin e studimeve në shkollën e lartë.

Midis nxënësve të ndryshëm që ecnin drejt qendrës së qytetit ishte edhe Mihali.

Pasi e lexoi emrin e tij si i përzgjedhur për të vazhduar studimet në shkollën e lartë, mendoi të shkonte në shtëpi, t'i jepte lajmin e shumëpritur edhe mamasë së tij.

Mihali jetonte në një nga shtëpitë e vjetra muzeale karakteristike të atij qyteti të vjetër dhe historik.

Shtëpia e tij nga qendra e qytetit nuk ishte shumë larg, por, rruga për të mbëritur sa më parë në shtëpi, Mihalit po i dukej e gjatë.

Mbante një gëzim të madh brenda vetes që ia shprehte edhe fytyra e tij e qeshur.

Ishte djalë i pashëm, shtatlartë, trup elegant. Njerëzit që e njihnin, thoshin, se i kishte ngjarë të atit.

Kur ecte udhëve të qytetit të gurrtë ku ishte lindur dhe ishte rritur, pamja e tij mashkullore tërhiqte shumë shikimin e vajzave; shumë nga ato edhe mendonin që të ishin përkrah tij.

Ishte djalë i sjellshëm, me një edukatë të lartë për ta patur zili.

Fati i keq i jetës, e kishte dënuar; në moshën e tij 6-të vjeçare, kishte humbur njeriun më të dashur të jetës, babain!

Tetë vite jetë bashkëshortore kishin kaluar bashkë prindërit e tij duke iu gëzuar fëmijës, djalit të tyre të vetëm me emrin e bukur, Mihal, që vetë i ati ia kishte zgjedhur atë emër.

Pas vdekjes së bashkëshortit, e ëma e tij e kishte lidhur jetën me birin e saj duke iu përkushtuar çdo gjë të shtrenjtë të jetës si të gjitha nënat për fëmijët e tyre.

Rrobat e zeza, që nuk i hoqi asnjëherë nga trupi gjatë gjithë jetës së saj pas humbjes së bashkëshortit, i jepnin hijeshi duke e treguar grua fisnike ashtu edhe siç ishte vërtetë.

Ishte vendase në atë qytet. Në atë shtëpi të madhe karakteristike siç janë të gjitha shtëpitë e lagjeve muze, ishte lindur dhe ishte rritur. Ishte bijë e vetme, pa vëlla dhe pa motër. Për këtë arësye, prindërit e saj kishin dashur që bija e tyre edhe pas martesës të vazhdonte të jetonte aty me bashkëshortin dhe pasardhësit e tyre si trashëgimtarë të asaj shtëpie.

Kur Mihali po i afrohej shtëpisë, shtëpi e gurrtë dykatëshe, në taracën e madhe të shtëpisë, dalloi të ëmën që sapo e kishte parë nga larg, me dorën ngritur po e përshëndeste.

Edhe Mihali i qeshur, ia ktheu përshëndetjen me dorë.

- Shpirti i mamamasë! T'u bëfsha kurban, sa i mirë që je! Sa të bukur të ka mamaja! - mërmëriti me vete Gena duke shoqëruar ecjen e të birit derisa ai iu afrua portës së madhe të shtëpisë.

Mihali hapi portën dhe hyri brenda. Sipër, në krye të shkallëve, e ëma po e priste buzagaz.

Ngjiti shkallët e gurrta; u përqafua me të ëmën, ndërsa ajo e puthi në faqe.

- Hë, - e pyeti ajo duke ndjerë frymëmarrjen e tij.

- Po, mama! Kishte dalë lista me emrat fitues për studentët që do vazhdojnë studimet e larta universitare. Jam i gëzuar. Lexova dhe emrin tim. Ekonomi financë - shpejtoi ai të thoshte.

- Si? - e pyeti e ëma e habitur.

- Më ka dalë e drejta e studimit për ekonomi financë, në universitet në Tiranë - përsëriti ai të njëjtat fjalë.

- Shumë mirë, të keqen mamaja. Zoti ta bëftë mbarë kudo që të shkosh edhe atje në shkollë në Tiranë.

Gena u mundua të mos e japë veten. Dëshira e saj ishte që i biri të studjonte për inxhinieri. E thoshte shpesh herë me veten e saj fjalën, inxhinier, dhe i tingëllonte kaq bukur ajo fjalë, saqë edhe ajo vetë e mendonte djalin e saj inxhinier.

- Shumë mirë, të keqen mamaja - përsëriti ajo. Hapi krahët e përqafoi prap të birin pa harruar edhe ta puthë në faqe.

* * *

Gjatë viteve studentore në universitet, Mihali u njoh me një vajzë të bukur kryeqytetase; e quanin Natalja.

Përveç bukurisë, Natalja shquhej si një vajzë e edukuar me kulturë të lartë qytetare, kulturë, e trashëguar edhe nga vetë familja e saj.

Në çdo bisedë që Mihali dhe Natalja bënin, fjalët e tyre të ngrohta, buzëqeshja e tyre e ëmbël, tregonin se i kishin kuptuar ndjenjat e njëri tjetrit.

Një mbrëmje të bukur pranvere, në shëtitjet e tyre në fundjavë, të ulur në një nga stolat në kodrat e Liqenit Artificial, kur Mihali ia kishte kapur dorën dhe po ia ledhatonte, vendosi ti shprehte hapur ndjenjat e tij që ajo të bëhej shoqja e tij e jetës.

Natalja nuk mundi dot ti bëjë ballë tundimit për t'iu përgjigjur.

Me syt të mbërthyer me njëri tjetrin, në atë gjysëmerrësirë të asaj mbrëmje të argjendë pranverore, Mihali priste fjalën e shenjtë, siç po e mendonte ai në atë çast.

E tundonte vetëm mendimi, nëse Natalja, si bijë e lindur dhe rritur në kryeqytet, nuk mund ta linte Tiranën njëherë e përgjithmonë e të jetonte në një qytet tjetër krejt të panjohur për të edhe pse kishte dëgjuar dhe Mihali i kishte folur shpesh për bukurinë, traditat e bukura të atij qyteti, për mikpritjen që tregonin vendasit, veçanërisht për të huajt, të ardhurit nga qytetet e tjerë.

Ndërsa në përkatësitë e tyre fetare që ishin të ndryshme nga njëri tjetri, Natalja ishte lindur dhe rritur në familje të besimit musliman, ndërsa Mihali i lindur dhe rritur në familje të besimimit të krishterë, nuk e kishte menduar asnjëherë si pengesë.

Natalja edhe pse kishte shumë kohë që ndjente për Mihalin, në atë çast, ndjenja sikur ia trazoi edhe më shumë shpirtin e saj. Ajo ndjenjë u bë më e zjarrtë në të gjithë qënien e saj.

Buzëqeshi, afroi kokën pranë kokës së tij derisa buzët e të dyve ishin shumë pranë njëra tjetrës. E hoqi dorën nga dora e Mihalit që vazhdonte ta ledhatonte, e përqafoi duke shqiptuar bukur dhe pastër fjalët: "Edhe unë të dua Mihal, sot dhe për gjithë jetën. Jam dhe do jem e jotja sonte dhe përgjithmonë. Do jetojmë bashkë të dy, në familjen tënde, me mamanë tënde, me fëmijët tanë të ardhshëm. Ndjehem e lumtur pranë teje, Mihal".

* * *

Edhe familja e Nataljas e priti më kënaqësi zgjedhjen që kishte bërë bija e tyre.

Po me të njëjtën kënaqësi e priti edhe Gena, mamaja e Mihalit zgjedhjen e të birit për nusen e ardhshme të shtëpisë.

Në vitin e fundit të mbarimit të shkollës së lartë, dashuria e tyre u kurrorëzua me fejesë.

Lajmi i fejesës së Mihalit me një vajzë nga Tirana, pati jehonë të madhe në qytetin e tij. Vetë banorët ndjeheshin si të privilegjuar që një vajzë po linte kryeqytetin për të jetuar në qytetin e tyre.

Ishte ndër rastet e rralla.

Kurioziteti për të parë vajzën tiranase, të fejuarën e Mihalit, ishte i madh sa shpesh herë, gratë e lagjes e pyesnin Genën se kur do ta shihnin nusen e Mihalit.

Një ditë të bukur fundjave, Mihali u pa të vinte në shtëpi përkrah të fejuarës së tij, Natalja ishte vërtetë një vajzë shumë e bukur, me një nur folklorik, truprregullt me tipare të zeza, pothuajse si të gjitha vajzat e reja, të bukura të atij qyteti. Vetëm koncepti që është vajzë kryeqyteti i shtynte njerëzit që ta shikonin me kërshëri.

Buzagaz i përshëndeste edhe ajo njerëzit që Mihali i përshëndeste.

* * *

Ceremonia e martesës së çiftit bshkëshortor Natalja - Mihal u organizua ashtu siç edhe pritej nga të gjithë; dasmë e madhe.

Pothuajse, të gjithë banorët e atij qyteti ndjenin gëzim në zemrat e tyre.

"Lavdi Zotit që Gena ia arriti kësaj dite të bukur të gëzojë djalin e saj, dritën e syve, që vetë ajo me mund e sakrifica e kishte rritur dhe edukuar atë djalë, pa patur pranë dhe pa ndjerë dashurinë dhe kujdesin e ngrohtë atëror" - shpreheshin.

Që në javët e para e sapo ardhur nuse në atë qytet, Natalja u mundua t'i përshtatej jetës, traditave zakoneve të atyre njerëzve të mrekullueshëm.

Gena nuk gjente dot fjalë si ta shprehte atë gëzim dhe kënaqësi të madhe për nusen e djalit të saj që për të, siç shprehej vetë Gena, ishte jo vetëm nusja e djalit të saj, por i kishte dhënë gjithë dashurinë e nënës ndaj bijës së saj ashtu si edhe vetë Natalja ishte bërë për të bija e shtëpisë së munguar.

Ndjeje kënaqësi shpirtërore kur shikoje udhëve të qytetit, ato të dyja vjehër - nuse tek dilnin të kapura për krahu.

Pas njëfarë kohë kur Natalja kishte hyrë nuse në atë shtëpi, nga Tirana i vijnë prindërit e saj për vizitë; sigurisht edhe të takoheshin, të shmalleshin me bijën e tyre.

Gëzimin për ardhjen e prindërve të saj, Natalja nuk mund ta fshehte. Vetë buzëqeshja e saj ia lulëzonte fytyrën.

Sapo prindërit e saj u takuan me Genën, me Nataljan dhe me Mihalin, babai i saj, Dilaveri, me një pamje fisnike burrërore, ku rrezatonte kultura e tij e lartë e trashëguar nga familja e tij, u çua nga ndenjësja ku rrinte ulur në dhomën e pritjes.

Natalja iu afrua: - Ç'dëshiron, babi?

- Faleminderit bija ime, nuk dua asgjë. Krushkën Gena, dua ta pyes.

- Urdhëro krushk - iu përgjigj Gena që edhe ajo ishte çuar në këmbë nga vendi ku rrinte ulur.

Pas atij veprimi u çua në këmbë nga ndenjësja ku rrinte ulur edhe mamaja e Nataljas.

Mihali, që ndodhej në korridor, kur dëgjoi ato fjalë, hyri në dhomë pa kuptuar se ç'po ndodhte.

Dilaveri e hodhi shikimin në dhomë. U duk se diçka po mendonte të thoshte. Pas një heshtje të shkurtër, iu drejtua Genës.

- Krushkë! Unë dhe bashkëshortja ime kemi ardhur sot këtu, ndodhemi në shtëpinë tuaj, pranë jush, pranë bijës sonë. Më lejo, krushkë, të të pyes në emrin tim personal dhe në emrin e bashkëshortes sime si prindër të Nataljes. Ne, prindërit e saj, e kemi nderin ta kalojmë këtë prag? Na e ka lënë vajza jonë me sjelljen e saj ndaj teje, ndaj jush të gjithë, ta mbajmë kokën lart?

Në dhomë kaploi një heshtje!

Ishin të papritura ato fjalë të dalë nga goja e krushkut Dilaver.

Natalja vet u ndje e papërgatitr nga ato fjalë që dëgjoi nga ati i saj. U duk se diçka mendonte, syt i mbante përdhe.

Mihali eci disa hapa drejt tij; qendroi në mes të vjehrit dhe vjehrës. Nuk foli; hapi krahët, i përqafoi. Ashtu po rrinin ata të tre të përqafuar.

- Krushk i nderuar - filloi Gena të flasë. - I nderuar krushk Dilaver dhe ti krushkë. Më pyete në emrin tuaj personal dhe në emrin e familjes suaj të nderuar, nëse bija juaj Natalja, nusja jonë që është edhe bija ime e dashur dhe e shtrenjtë, me sjelljen e saj shembullore, me dashurinë, respektin që tregon, të paktën ndaj meje si vjehër, jo vetëm ua ka hapur juve të gjithë rrugën për të hyrë dhe për ta kaluar këtë prag me nder, por, të ndjeheni të lumtur dhe krenarë ta mbani kokën lart për bijën tuaj. E dëshiroj që, kështu dhe përgjithmonë do jetë bija jonë Natalja, nuk ka se si të ndodhë ndryshe.

- Faleminderit krushkë Gena - ndërhyri mamaja e Nataljas.

- Faleminderit krushkë, - foli Dilaveri. U afrua, zgjati dorën drejt Genës për t'ia shtrënguar në shenjë falenderimi.

Të njëjtin veprim bëri edhe mamaja e Nataljas.

Dy gratë krushka, si të mos mjaftonte shtrëngimi i duarve me njëra tjetrën, hapën krahët për t'u përqafuar.

Mihali i shikonte plot kënaqësi dhe një buzëqeshje shndriste në fytyrën e tij.

- Bija ime, Natalja - foli Dilaveri dhe iu afrua të bijës. Hapi krahët, e përqafoi. - Qofsh e bekuar gjithë jetën tënde Natalja. Paç përherë, në gjithë jetën tënde bashkëshortore e familjare bekimin tonë prindëror. Ndjehemi vërtetë të lumtur.

- Lumturia është e jona, e të gjithë neve - foli Gena. - Të njëjtin bekim prindëror ua kam dhënë edhe unë që në ditët e para të jetës së tyre bashkëshortore.

Ata të gjithë së bashku po përjetonin ndjenjën e lumturisë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora