E diele, 22.12.2024, 02:58 AM (GMT)

Kulturë

Tahir Bezhani: Zeqir Lushaj, njeri i vlerave dhe traditës

E premte, 15.09.2017, 07:30 PM


ZEQIR LUSHAJ NJERI I VLERAVE DHE I TRADITËS SHQIPTARE

NGA TAHIR BEZHANI

Pas kthimit të Zeqir Lushajt, poet, gazetar, publicist , nga Amerika, tani e tre vite, kam qenë disa herë në shtëpinë e tij në Shëngjin,me miq  të tjerë si Sejdi Berisha,Lulzim Logu . Mikut i kemi uruar mirëseardhjen ne mëmëdheun e tij ,pas një periudhe të gjatë pune në tokën  e “ ëndërruar.

Vizita e këtyre ditëve,pikërisht me 9 shtator 2017,ishte diçka e veçantë nga të parat ,për mbresat që fitova me këtë  rast. Si zakonisht,nuk e preferoj të bëj shkrim sa herë shkoj te miku për dëshirë personale . Këtë radhë nuk kam kah t’ia mbajë pa i shkruar dy-tre rreshta. Pos pritjes së zakonshme të tij,më mahniten gjërat që i shikova ,të cilat nuk i kisha parë më parë. Duke shikuar,u mbështeta për muri dhe më tërhoqi tepër biblioteka dhe ca gjëra tjera rreth saj.Zeqir Lushaj, lindur e rritur në Gri të Malësisë së Gjakovës,i njohur për bujarinë tradicionale,trashëguar nga brezat, me zemër e do Tropojen,gjithë Malësinë. Babai i Zeqirit ,Sadik Selman Lushaj, para tri vitesh, nga Komuna Lekëbibaj, në Bajram Curri është shpallur “Qytetar Nderi” pas vdekjes, si një personalitet i rrallë i kohës  me bamirësinë,mençurinë dhe fisnikërinë e rrallë.

Kur arrita te shtëpia e Zeqir Lushajt,në Shëngjin,m’u kujtua reportazhi i Sejdi Berishës ”Për derën e mbyllur me boçe kallamboqi”,si shenjë tradite e bujarie. Sapo e hapa,doli te dera Zeqiri me fjalët “Mirëseerdhe o burrë”!...

Pas kafeve dhe një pushimi,me dërgoi te biblioteka duke me thënë: ” E kam rregulluar pak, si te duket?!”

Vëreja atë që nuk e kisha vërejtur kurrë!...

BIBLIOTEKA  E RE ME DEREN E ODËS SË BABAIT NGA GRIA E MALËSISË

Dera e odës së burrave e Sadik Selman Lushaj

Një hapësirë e madhe me tavolinë pritje,karrige të bukura për miq,një shishe me tre gota rakie,tavolina e kompjuterit, shumë objekte të kulturës tradicionale, që i pëlqen Zeqiri e miqtë e tij,ja shtonin bukurinë e bibliotekës. Në anën e djathtë të dhomës,i gjithë balli i murit,me rafte te reja prej druri ,jepte pamje madhështore asaj biblioteke plot me tituj autorësh dhe librash të njohur nga vendi dhe bota.Në mes të raftit,një derë,në dukje e vjetër,që nuk përshtatej me raftin e ri,por në kuptimin simbolik dhe përkujtimor ishte diçka fort e qëlluar me domethënie të thellë.

Duke shikuar derën ne mes biblioteke,të dukej se nuk hapej dhe shërbente si një dekor. Në fakt Zeqiri u ofrua dhe e hapi derën e bibliotekës,brenda,në dollap ishin  palë-palë si në odë nusërie dhjetë meste me kokrra  plumbi për lojë kapuçash, e cila ishte e preferuar në gjithë  Malësinë e Gjakovës.Bashkë me to dhe llulla e duhanit për miqtë.

Mestet e ruajtura të lojës së kapuçave

Një dollap ku ruhen foto te babait dhe gjëra tjera  me rëndësi historike për familjen; si llulla e duhanit etj. 

Thëniet për derën e odës së Sadik Selmanit janë të shumta,por njëra që tregoi Zeqiri më la përshtypje të thellë:

”Pleqtë thoshin në Malësi se sikur të dinin njerëzit se çfarë ka dëgjuar kjo derë në odë të atij burri (për banën e Zeqirit) do të shkruheshin me mijra rreshta të librave të kohës sonë ”

Thënie filozofike siç ishte një filozof kohe Sadik Selman Lushaj i Grisë së Malësisë së Gjakovës.Rafti ishte mbushur me libra, vlera e gjitha atyre librave ishte e pakrahasueshme. ...

Pas një kohe relativisht të gjatë në bibliotekë,kërkova të ulem dhe të bisedojmë duke pirë kafen e afruar nga zonja fisnike e shtëpisë, Sabria.Isha si i magjepsur nga reliket e rralla të ruajtura me fanatizëm dhe dashuri nga Zeqir Lushaj si pjesë e nderimit të vlerave tradicionale dhe e kujtimit të shtrenjtë të babait të tij. Më pas më duhej të shkoja te hotel Iliria,ku isha vendosur për një pushim të shkurtër.

Jo,më tha i zoti shtëpisë,e di unë  kur shkon ti,eja freskohemi në oborr,shikoje edhe bahçen time. Aty i pimë kafetë,na shijojnë më mirë,më tha Zeqiri.

Ja çfarë bëjnë duart e vyera të një burri të kalitur në të gjitha format e jetës. Vetëm puna ta lulëzon jetën... 

Në oborr shikova të gjitha llojet e pemëve,mbjellë e punuar nga duart e arta të Zeqir Lushajt. Pos ullinjve vendorë,në oborr kishte mbjellë edhe shumë pemë që ia kishin sjellë miqtë nga Kosova. Thuaja nga shumë fshatra ku kishte miq Zeqiri.

M’i tregonte me radhë,por nuk mund t’i mbaja mend të gjitha. Më bëri përshtypje një  kumbull e marrë nga oborri i Ahmet Delisë,të cilën ia kishte sjellë nipi i Ahmetit. Kjo m’u duk më mira,më e shijshmja. Gjithçka ishte e punuar nga dora e Zeqir Lushajt, poet i mirënjohur,gazetar i spikatur, redaktor kulture i portalit të njohur “ Zemra shqiptare”,një njeri me kulturë evropiane.

MALLI PËR BLINAT OSE KUR VENDLINDJA TË VJEN PAS KUDO

Ulur mes oborri,në tryezën e punuar për merak e mjeshtërisht,biseda lodronte edhe në fusha të tjera të jetës,në probleme që janë të shumta në këtë kohë,për shumëkënd.  Politiken e urrejmë te dytë,por ajo nuk po na le rahat i thashë Zeqirit. Qeshi gjatë e tha mirë e ke!....

Shikoi këta dy blina të rinj,në mundesh, qëlloja nga i kam marrë? -më tha Zeqiri në vazhdim bisede. Nuk është vështirë me ia goditë o mik,ia kthej Zeqirit. Nëse je ti që ke shkruar aq shumë për vëndlindjen tënde,Tropojën, për bjeshkën,ujin,krojet,rrugët, qafat e bjeshkëve,tufën e deleve,çka jo tjetër,atëherë edhe këta blina(ishin dy) i ke nga ajo anë,nga Grija jote.

Ia qëllove më tha miku i gëzuar,por disi i dukej se ishte në Gri për momentin....

Blina nga vendlindja Gri e Zeqir Lushajt,historia, frymëzimi i poetit  në krijimtari. 

Sa shikoja ata dy blina,simbol i dashurisë për vëndlindjen,kujtim i pamposhtur kurrë,kujtim i burrave që sillnin vendime,kujtim buke e kripe,kujtim i dashurisë mes njerëzve,po aq shikoja me shumë respekt,mikun tim të dashur Zeqir Lushaj,i cili gjithë jetën e tij,kurrë nuk  e harroi  origjinën dhe të parët e tij,ata njerëz të dashur e bujarë,trima e skofiarë.

Më ngelen akoma shumë gjëra pa i thënë. Borxh i mbetemi atij trualli gjithmonë. Emri kësaj familje u lartësoftë ndër mote!



(Vota: 53 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora