Kulturë
Vranari Haxhiraj: Rrugëtimi filozofik i Prof. Dr. Isuf Luzaj
E shtune, 26.08.2017, 08:48 AM
Nga Mujo Buçpapaj
"Dje
qeshë dikushi që erdha nga boshësia,
nesër do të jem askushi në vendin tim….”
I.Luzaj
Para pak ditësh Shtëpia Botuese “Nacional”nxori nga botimi libri studimor “Rrugëtimi filozofik i Prof.Dr.Isuf Luzaj i shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj, “Mjeshtre e Madhe e Penës”, ku autorja ka studiuar dhe analizuar gjithë librat e botuara në shqip të filozofit Luzaj.
“Rrugëtimi filozofik i
Prof.Dr.Isuf Luzaj”
"Profesor
i Merituar i Amerikës”, “Mjeshtër i Madh” dhe "Nder i Kombit"
“Libër i mirë dhe i vlefshëm është ai që krijon një dialog me lexonjësin, një komunikim shpirtëror… Ky dialog që e bën lexonjësin mik, shok e vëlla,e bën këtë të mendojë, të ndiejë, të arsyetojë.”
Isuf Luzaj,”Festimi i yjeve”,2013,
“Jeta dhe vepra akademike e një personaliteti të shquar të kulturës dhe shkencës, i shërben më parë Atdheut të vet. Kur përmasat e tij arrijnë shkallën sipërore të një individualiteti që i kapërcen kufijtë shtetëror, atëherë Ai nuk i përket më as vetes, as familjes dhe as kombit të tij, por është vlerë e gjithë Botës së Kulturuar. Një elitë e tillë e pavlerësuar është Prof.Dr. Isuf Luzaj. Ndërsa sot…ai mban titullin e lartë dhe të shumëmerituar :“Nder i Kombit”.
Vivra
Ky libër studimor që autores i ka marrë një kohë të gjatë pune këmbëngulse prej 17 vitesh, është një vepër e arrirë, ku Vranari ka zbërthyer terminologjinë shkencore filozofike, ka shprehur botëkuptimin e tij ideor, si dhe forminim e përsosjen e një individualiteti dhe personaliteti botëror, duke i bërë veprat e eruditit Prof.Dr. Isuf Luzaj të kuptueshme për lexuesin. Kjo vepër është një ndihmesë e vyer për studentët që u duhet ta studiojnë veprën madhore të filozofit shqiptaro-amerikan, Isuf Luzaj, e cila është vlerë e padiskutueshme që i bën nder Kombit. Autorja Vrana -Haxhiraj, duke i kërkuar ndjesë në ceremononë mortore 2 dhjetor 2000 në Kaninë-Vlorë, shprehet me këto fjalë:
“Unë…një nxënëse fillestare,
pranë tombës i them dy fjalë:
“Më fal profesor, më fal!
Më fal, që s’e njoha dot më parë,
vargun tënd margaritar,
sarkazëm, dhembje dhe lotë ! “
Vivra
Xhevat Beqaraj- Redaktor i studimit.
Përshtypje rreth librit studimor të Vilhelme Vranarit, me titull:
“Rrugëtimi filozofik i Prof.Dr.Isuf Luzaj”
Vilhelme,
dorën e djathtë e kam të sëmurë, të mbështjellë me fasho. Po përpiqem t’i kërkojë ndihmë së majtës që të të përciellë dy fjalë.
1.
Pa nisur çfletimin e librit në dorëshkrim, parandjenja më thoshte se do të më pëlqente,( kjo, nënkuptohet dhe nga ç’kisha lexuar prej teje). Dhe...Ashtu ndodhi. Më pëlqeu.
2.
Duke u nisur nga titulli i librit, me të vërtetë është një rrugëtim që ka dashur guxim, mundim, lodhje dhe kohë. Një punë e tillë sidomos kërkon vullnet, këmbëngulje, përkushtim, pasion, dijeni (kulturë) që tek ti, Vilhelme, nuk mungojnë.
3.
Ky libër është edhe një dëshmi më tepër në njohje të një personaliteti vlerash të veçanta si Isufi ynë.
4.
Besoj të ndaj me ty të njëjtin mendim,(të cilin e kam shprehur afërsisht edhe në parathënien e librit të Prof.Dr.Isufit “Filozofia e Bukurisë”, se:
“...u takon arkitektëve të Panteonit të kulturës sonë kombëtareqë,mbasi të njihet mirë jeta e korpusi i veprës së Tij, Ai, në këtë Panteon do të ketë vendin që meriton.
Nderi , më tepër se Atij, i bëhet kulturës shqiptare...
Le të shpresojmë.
Me urimet më të sinqerta.
Xhevat Beqaraj
Tiranë, 14 korrik 2017
Mirënjohje
Qysh kur rastësia më njohu me librin “Gloria e çmendjes”të Prof.Dr.Isuf Luzaj, më lindi një dëshirë e ethshme për ta njohur sadopak veprën e tij letraro-filozofike. Mundësinë ma krijoi motra e tij e ndjerë, një grua me kulturë, zonja Rahile Luzaj Caushaj, e cila më dhuroi gjithë botimet e Profesorit në shqip.
Kjo ndodhi menjëherë pas ceremonisë mortore që u bë më 2 dhjetor 2000.
Znj. Rahile, në kushte regjimi shtrati, më kërkoi ta vizitoja në shtëpi, për të më falënderuar për poemën “Vdiq poeti Filozof”,që i kushtova birit të Kaninës plakë dhe mësuesit të të gjithë botës së kulturuar, Isuf Luzaj. Ajo zonjë e nderuar, ish e burgosur politike, u ngrit në këmbë dhe tha:
“ -Sot që më erdhe ti moj bijë, në shtëpi më ka ardhur Isufi !
-Ç’thoni kështu hallë?! Para personalitetit madhor të Profesorit, unë jam një hiç…
- E ke gabim. Vetëm një njeri me dije e me shpirt të madh, mund të shkruajë për vëllanë tim të harruar e të mohuar… Ky njeri,je ti…Nëse mundesh, kujtoma Isufin me penën tënde! Ka punuar dhe shkruar aq shumë, por, a do të njihet vallë?Kam frikë se do ta mbulojë pluhuri i harresës.
-Mjafton që vepra e tij të botohet në Shqipëri dhe me kohë ka për t’u njohur e për t’u studiuar.
-Të faleminderit që më jep shpresë, ti, bija e Kaninës, nga një derë e fisme. Familja Vrana ishte e para që themeloi Kaninën,bashkë me pesë familje të tjera, që u bënë pritëse të shumë familjeve fisnike. Nuk thuhet kot , moj bijë: “Ku ka rrjedhur , do të pikojë!”
Ndaj shpreh mirënjohjen time për këtë zonjë fisnike dhe bashkë me të vëllanë, uroj që të prehen në përjetësi dhe qofshin të paharruar!
Nderim e mirënjohje bashkëpunëtorëve të mi:
Shpreh mirënjohje të veçantë për z.Xhevat Beqaraj, redaktor dhe këshillues i mrekullueshëm i këtij studimi, njeriun e palodhur e me zemër të madhe, që ka përgatitur për botim disa nga librat e Isuf Luzajt! Mirënjohje për bashkëpunëtorët : Sh.B. Nacional, shtypshkronjën “Europrint, veçanërisht znj. Blerina Ndreu, disenjatorin e talentuar Jorgo Saqellari dhe fotografin dhe menaxherin tim personal, si dhe bashkëshortin tim; z.Fitim Haxhiraj. I përshëndes dhe i falenderoj të gjithë lexuesit bashkë me komentuesit e mrekullueshëm që gjenden në faqet e këtij libri.
Qoftë e paharruar vepra e filozofit, poetit , historiografit Prof.Dr.Isuf Luzaj, “Profesor i Amerikës” dhe “Nder i Kombit”!
Vivra