Kulturë
Milazim Kadriu: Ukshin Hoti –Dritë dielli për atdhe
E shtune, 26.08.2017, 07:35 AM
POEZI DHEMBJEJE E KRENARIE NJËKOHËSISHT QË DALIN NGA SHPIRTI I POETËVE
“Ukshin Hoti –Dritë dielli për atdhe” (grup autorësh), botoi KL”Zahir Pajaziti”, 2017
Nga Milazim F. KADRIU
Tashmë vëllimet poetike përkushtimore për çlirimtarët apo për personalitete të dalluara të popullit shqiptar që shkrin dijen, shëndetin dhe çdo gjë për çlirimin e vendit nga okupatori serb janë duke dalë në dritë gjithnjë e më shumë. Njëri ndër këto personalitete është edhe Mr. Ukashin Hoti.
Andaj vargut të librave përkujtimor të përgatitura nga Rudi Berisha dhe të botuara nga KL” Zahir Pajaziti ” iu bashkua edhe libri “ Ukshin Hoti –Dritë dielli për atdhe ”.
Dalja në dritë e librit u bë në shenjë të solidarizimit dhe ngritjes së vetëdijes për ndriçimin e rastit të zhdukjes së Porf. Ukshin Hoti më 16 maj 1999, kur u lirua nga Burgu i Dubravës së Istogut dhe që nga ajo ditë nuk dihet për fatin e tij. Andaj është e drejtë pyetja që e hasim në shumë vende po edhe në këtë libër “ Ku është Uksin Hoti ” ?
Në kohën kur askush nga politikanët dhe shumica e popullit nuk guxonin të mendonin se mund të ndesheshin me regjimin shtypës të Beogradit, profesor Ukshin Hoti fliste haptas se : “ Kosova duhet ta ketë Ushtrinë e saj çlirimtare ”.
Profesor Hoti u bë udhërrëfyes, ideator dhe frymëzues për protestat e studentëve , ai me idetë dhe frymëzimin që e përhapte e shkundi psikologjinë e robit ndër shqiptarët dhe u bind rinia dhe populli për domosdoshmërinë e rrugës për luftë çlirimtare.
Të shkruash për Ukshin Hotin është krenari, por edhe përgjegjësi. Personaliteti i tij nuk donë fjalë të mëdha, nuk donë lëvdata, ngase ai vet është i madh, është lavdia vetë. Për atë duhet të shkruhet e vërteta, drejtësia, thjeshtësia, paanësia. Andaj edhe poetët e përfshirë me krijimet e tyre në këtë libër përkushtues sjellin krijimet e tyre që burojnë nga thellësia e zemrës, janë krijime shpirtërore.
Ky vëllim me poezi përkushtuese janë poezi të zgjedhura për këtë personalitet të caktuar, për Ukshin Hotin. Këtu kemi poezi me plot dhembje e lot por edhe mburrjesh e krenarish njëkohësisht që dalin nga vetë shpirti i poetëve të përfshirë në libër.
Në këtë libër kemi poezi të poetëve të ndryshëm nga e gjithë gjeografia jonë, ka poetë me një përvojë të gjatë krijuese por ka edhe poet që teksa janë nisur rrugës së krijimtarisë artistike pa një përvojë të mjaftueshme në krijimtarinë letrare, mirëpo të gjitha këto poezi janë krijime zemre, poezi dhembjeje e adhurimi, tekste të mbushura me emocione dhe simbolikë të këtij ngjyrimi.
Rikujtimi dhe nderimi i dëshmorëve, martirëve dhe gjithë atyre që u flijuan për çlirimin e vendit është një obligim moral, kombëtar e atdhetar dhe ato përkushtime janë realizime të bukura artistike dhe gjithsesi kanë vlerën e pamohueshme. Andaj këto vlera i kanë përmbushur autorët e poezive të përfshirë në këtë libër e të cilët premtojnë prurje të reja artistike.
Sakrifica për liri, lufta për të fituar atë, për shumë trima, martirë, e heronj kurrë nuk ka pasur hezitim. Madje, shumica e tyre as që e kanë matur jetën e tyre me ndonjë çmim për ta fituar lirinë dhe ata janë flijuar, janë skalitur, janë përflakur, janë përjetësuar dhe jetojnë në vargjet, këngët dhe krijimet artistike në vargje, piktura e skulptura, këngë, melodi ….
Por pavarësisht asaj se sa arrin një autor ta thotë atë që ka në mendje, e në zemër gjithsesi shkrimi për dëshmorët, martirët apo personalitete tjera të dëshmuara kombëtare, qoftë poezi apo formë tjetër është privilegj për autorin. Sado ta kesh shkruar bukur një poezi të tillë, sado të pretendosh ta bindësh veten se ke arritur ta shprehesh, atë që ke menduar, prapëseprapë nuk të duket se ke bërë mjaft, nuk të duket se ke arritur ta shprehësh në tërësi ndjenjën e përkushtimit, përmes fjalës poetike sepse ata kanë dhënë çdo gjë për atdheun,shumë nga ta edhe jetën e tyre.
Libri përkushtues në fokusim të vargjeve ka shpalosjen për njeriun e sakrificës në të gjitha variantet e mundshme të karrierës së tij si njeri intelektual e kombëtar.
Kështu autori i këtij libri me vullnetin, dashamirësinë prej njeriu, filloi iniciativën për të bërë librin dhe e bëri. Ajo doli falë mundit të tij dhe ndihmës miqësore nga miqtë e tij të shumtë krijues nga të gjitha trojet shqiptare.
Libri ka dy shkrime që flasin për jetën dhe veprimtarinë atdhetare të Ukshin Hotit, “ Dritë për atdhe, bardhësi për rrugët tona, pishtar diturie për popullin shqiptar, prof Ukshin Hoti” shkruar nga Rudi Berisha dhe shkrimi tjetër “Ukshin Hoti- i lartësuar në piedestalin e burrave të mëdhenj të kombit” shkruar nga Zymer Mehani. Po ashtu janë edhe dhjetë këshilla të Ukshin Hotit. Ndërsa në mes të këtyre shkrimeve vijnë poezitë përkushtuese. Libri “Ukshin Hoti –Dritë dielli për atdhe” shoqërohet me poezi përkujtimore të poetëve të pranishëm nga vise të ndryshme shqiptare, të cilët në një masë paraqesin ndjesitë e tyre përkujtimore për këtë personalitet të rëndësishëm të Kosovës. Brenda poezive, secili paraqet frymëzimet e tij poetike, disa duke përdorur edhe figuracionin e duhur, me të cilat forcojnë vargjet dhe poezitë e tyre.
Nëpër këto përkushtime poetike radhiten poezitë e 50 autorëve, të cilët me vargun e tyre kanë shprehur respektin për Ukshin Hotin. Me poezitë e tyre janë të përfaqësuar këta autorë : Rudi Berisha, Shqiponje Tahiri, Dibran Fylli, Fatime Kalimashi, Lulzim Hajdari, Xhemile Aliu, Ramadan Asllani, Bilall Maliqi, Erina Blakçori, Seli Murati, Izet Hoti, Muharrem Kosumi, Izet Shala, Xhevrije Kurteshi – Nimani, Rrahman Hyseni, Agim Desku, Driton Smakaj, Qazim Berisha, Rajmonda Maleçka, Rrahim M. Sadiku, Hamdi Meçka, Naxhije Doçi, Xhelal Luca, Minire Rukovci – Hyseni, Milazim F. Kadriu, Lumturije Drenica, Sheremet Prokshi, Maxhun Osmanaj, Dilaver Asani, Ahmet Pllana, Fadil H. Curri, Isuf Grajçevci, Shehabaze Vishaj – Grajçevci, Albana Vokrri, Hajrulla H. Buzani, Abide Gashi, Zymer Mehani, Fahri Sejdiu, Xhemajl Rdui, Sherife Berisha – Thaçi, Ilmi Tahiri, Mirvete Kabashi – Leku, Namik Selmani, Tyran Prizren Spahiu, Rexhep Bajrami, Rabije Bytyçi, Hajrush S. Redenica, Hysen Grajçevci, Shaip Bllaca, Odise Plaku.