Kulturë
Ramiz Lushaj: Adem Haxhaj u rrit sa pushka e babës
E merkure, 16.08.2017, 07:00 AM
ADEM HAXHAJ para godinës së RADIO TIRANA, sot, më 13 gusht 2017. Fotografoi: Ali Smajl Haxhaj i Hotit.
Ramiz LUSHAJ
KUR ADEM HAXHAJ U RRIT SA PUSHKA E BABËS…
1.
Adem Haxhaj ecë kryelartë. Hapin e randë.
Djalë pranvere. Burrë vjeshte.
Vjen nga Hoti, rri në Tiranë, rrugton drejt Nju Jorkut.
Me mbi 1.000 vite histori të fisit të Hotit.
Në dy shekuj ec me plumbat e përgjakur të babës.
I burgosur në pabesi, pushkatue pa gjyq.
Togën e pushkatimit nuk e lá me ia mbyll sytë.
Plumbat e shkijeve i priti me grushta e me gjyks.
Kqyri kah Kodra e Rexhës e kah Maja e Horollocit:
-Do ma marrin hakin vllaznit e mi, trimat e Hotit !
E vranë Shaban Asllan Haxhaj-n. E vranë…
Në atë mars 1945, e vranë në Beranë.
Këto krenari e dhimbje
E mbajnë Adem Haxhën, e mbajnë,
Kaq të fortë në vite, kaq lart në kambë…
2.
Në Hot më ‘45 zogjtë veç vajtonin, në t’gjakosurin vit.
10 trima të Haxhajve i pushkatoi OZNA me çetnikë.
Adem Haxhën dy vjeç e la baba në prag e në sofër,
Pa vëlla e pa motër.
Zadja, gruaja e axhës, përjetoi të madhen tragjedi
Katër djemë ia vranë shkijet në atë vit të zi.
Njana shtëpi mbeti vetëm me një grue,
Tjetra shtëpi vetëm me një fëmi…
3.
Ademi e pati Zaden Haxhen Nanë të Dytë,
Nanë Zadja iu ba Ademit Nanë e Parë.
Nanë Zadja e pati Ademin djalin e pestë,
Nanë Zadja në 12 vite e rriti si të vetmin djalë.
Kur Ademi u rrit sa pushka e babës,
Burrat e Hotit e njoftën për Zot Shtëpie.
Hoti me pushkë i matë trimat e luftës
Hoti me pushkë i matë hapat e udhës.
Ai i kish në gene e hapa emrin e fisit të vet,
Të kryegjyshit e kryetrimit Alush Zmajli,
Të vllaznisë Haxhaj, të Cak Alushit e të Babës,
Si ma të bukuren kurorë krenarie,
Si ma të shtrenjtën udhë lavdie.
4.
Kur Hoti e rriti Adem Haxhën 15 vjeç,
Truall e shtëpi po i lenë shkretë,
Gurë, varre, livadhe e lisat ia ruajnë emrin
Zanat, kuajt, zogjtë ia njohin ferkemin…
Gjithmonë Hoti ua ruan bijve të vet vendin.
5.
U rrit sa pushka. U rrit me pushkën e babës.
Adem Haxhaj pushkën e babës e ktheu në penë.
Në auditore univerisiteti e valët e Radio Tiranës,
Me penën-pushkë përkthyes e gazetar për Atdhenë…
Adem Haxhaj, ndër vite, u rrit':
Me pushkën e babës dhe penën e tij pushkë,
Adem Haxhaj në ecjen e tij, u rrit’,
Në dy shekuj burrë i lartë i Hotit, burrë i mirë i kohës,
Nga malet e Hotit, në Tiranë në Nju Jork në Amerikë.
Shqipëri Etnike, 13 gusht 2017