| E marte, 08.08.2017, 06:11 PM |
DHE MBETA PA TË
QAZIM SHEHU
Dorë e femrës nuk është dorë Kleopatre
Po një lule që mbin prej vatre;
Ajo është rreze mbrëmje mbi ujë
Për të shuar një gënjeshtër pa bujë,
Dorë e fatit është dorë e femrës
Regëtimë e parë e zemrës,
Dhe është kaq delikate
Këputet si një gjethe prej flake,
Bisht fshikullues palloi
Bie mbi një manushaqe,
Stërvitur për t`i kapur burrit
Kaq të pathëna që i shfaqen gjumit,
Dhe është aq e dashur kur ngrihet në ajër
Veç për ritakim,ndoshta dhe për ndarje,
Dora e saj,nazike,lëkundëse plot trill,
Mugullon si ngjyrë e vjedhur në prill.
Më zgafullon e më tundon,
Më grish e më mjeron,
Për një dorë dhe vetëm një
Që s`dita ta shtërngoj e ta tërheq
Dhe mbeta pa të...
TËHUAJSIM
Në gotën e të qeshurës tënde
Shpirti është ujë vorbullues,
Ti këtë gotë s`e ngre,
dhe shpirti më kthehet pus.
Derdhet e qeshura jote hapësirës
Në orgazmën e motit të moshës,
Dhe shpirti im copra copra mblidhet
Për të ringritur një monument të panjohur…
Dhe paskam gabuar kur thashë
Se shpirti im je ti,
Sado e përsërisim këtë fjalë të lashtë
Ajo ende s`na sjell mërzi.
JETA QË SHKET PËRBRI
Dielli, ky zotëri fisnik i përditshëm
Na ngroh largësitë e paarritshme
Ato zhyten në paqartësi,
Si një kod që kyçet
Në enigmat e jetës që shket përbri…
Breshëri i kohës i mjegullon,
Ose nojma largësi,
Në do çfarë të tundon,
E tashmja që zbrazet
Nga lëngu i damarëve derdhur në hi?
MINUS DASHURIA
Shi mosrealizimi
Orë takimi,
Indiferenca
Sëmundje plaku,
Dembelenca
Pa turbulencë.
Një aktdhënie është jeta
Një rikthim
Në breshër,
Shi.
Një stacion bosh
Mjekër rritje
Pritjesh.
Dhe deri më tani
Thashë
Atë që më thotë
Vetmia:
Orë e takimit
Stacioni…
Dhe e treta?
Minus dashuria…
UJËVARË
Ato nuk e dinë si ujëvarojnë ndjenjat tona
Dhe bien e gërryejnë
Veten dhe atë që na do.
Do ndalnin ndopak vërshimin
Për të mos i imituar ato…
E FTOHTA PËRVËLUESE
Harbime kokëshkreta
Në një viskozitet yjesh
Merr frymë jeta.
Kur yjet dritën qartësojnë
Pa pasur faj ç`ndodh poshtë tyre,
Nga helmet e tokës që e teprojnë
Nga një zili ëndërrtare e syve,
Ata ngihen më lart e shkojnë
Në pafundësi të qiejve
Atëhere e ftohta e tyre na përvëlon
Në eshtrat e fërgëlluara prej harbimeve…
MBARIMFILLIMI
Mbaron teknologjia
Malli jo,
Mbaron venitet çdo gjë
Atëhere malli fillon,
Për të treguar se ku mbarohet
Diçka tjetër ka filluar.
Lojë fjalësh?
Mbase.
Malli -burim
Fshihet poshtë një rrase.
Dhe kush e gjen
Etjen nis me shuar,
Burimin s`e rrëfen…
KONTRAST
Të varfër ishim dikur,po pse atëhere kishim
Më tepër dashuri?
Dhe rrobat i kishim me pakicë
Me arna të qepura në gjunjë
Në mëngë.
Po pse s`na vinte rëndë?
Sot vajzat i shqepin pantallonat
Dhe i arnojnë
Për modernitet.
Për krenari
E modë…
Po shpirti pse na u ftoh
Dhe pse u bëmë më të ftohtë?
KULPRA
Ajo ngjitet rreth e rreth lisit
Përdridhet aty e ligjshme
Se kulpër është,
Dhe e ngishme.
Po kur kulpëron një trup femre
Për të ndezur hiret e saj
Në vështrim të meshkujve,
Kur kulpërojnë sa e sa njerëz
Veten në lisin e fjalës
Kulpër s`mund të jetë,
Po ajo kulpër është.
Kaq e dredhët
Kaq e shëmtuar,
Po kaq e aftë
Pamjen e vet
Për ta injektuar…