Kulturë » Mehmeti
Mehmeti: Gjakova mikpritëse e mësuesve nga Diaspora
E marte, 25.07.2017, 08:10 PM
Gjakova mikpritëse e mësuesve/eve nga Diaspora, seminar katër ditor
Seminari i trembëdhjetë me radhë do të mbahet prej 1-4 gusht në Gjakovë ku do marrin pjesë mësuesit nga shumica e vendeve evropiane. Seminari organizohet nga MASH, MASHTK dhe Komuna e Gjakovës. Mysafir i veçantë Prof. Dr. Dr. Basil Schader, Shkolla e Lartë Pedagogjike e Zürichut. Kërkohet mbështetje financiare nga qeveritë tona të Shkollës Shqipe në Diasporë. Çdo vonesë me pasoja tragjike kombëtare.
Nga Hazir MEHMETI, Vjenë
Këtë verë seminari i mësuesve nga diaspora do mbahet në qytetin e Gjakovës, i njohur si qytet historik, i kulturës e traditës shqiptare. Seminari organizohet nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë (MASH) dhe Ministria e Arsimit Shkencës e Teknologjisë së Kosovës (MASHTK) dhe komuna nikoqire e Gjakovës. Është ky seminari i trembëdhjetë me radhë i cili do të mbahet prej 1-4 gusht, ku do marrin pjesë mësuesit nga shumica e vendeve ku mbahet mësimi shqip. Rëndësia e seminarit është komplekse dhe shumëdimensionale: shkëmbim përvojash, ligjërata nga pedagog ekspertë të kulturës e gjuhës, promovime tekste mësimore e artistike, njohje me trashëgiminë kulturore të qytetit nikoqir.
Krahas ligjëratave nga pedagog e gjuhëtar eminent do prezantohen tekstet e reja didaktike e metodike të dedikuara mësuesve të gjuhëve amtare në disa gjuhë mes tyre edhe në gjuhën shqipe, të quajtur doracakë. Përmbajtja e tyre bazohet në përvojën profesionale të shumë mësuesve gjuhësh amtare në Evropë. Këto tekste janë konceptuar e hartuar nga metodisti e didakti i njohur Prof. Dr. Dr. Basil Schader, ligjërues në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Zürichut në Zvicër, “Kontribute të reja për mësimin e gjuhës amtare dhe të kulturës së
prejardhjes”. Nexhat Maloku dhe Nexhmije Mehmetaj do prezantojnë nga projekti i theksuar: “Punë me 6 doracakët e MP në diasporë... Janë gjashtë tekste, doracak për mësues gjuhësh amtare në gjithë kontinentin: Bazat dhe arsyet, Përkrahje e komunikimit gojor, ..e kompetencave ndërkulturore, ... e të shkruarit. ... e të lexuarit në gjuhën e parë, Strategjia dhe teknika të mësuarit.
Në historikun e shkollës shqipe në diasporë do shënohet përfundimi i projektit në botimin e 19 teksteve mësimore për tri nivelet mësimore. Projekt me nismëtar mikun tonë të njohur Prof. Dr. Dr. Basil Schader dhe MASHT- së Kosovës me koordinator Nuhi Gashi, i cili fitoj edhe çmimin evropian “Projekt i Shkëlqyer” në Grac të Austrisë me karakter gjithë evropian në konkurrencë prej 66 subjektesh konkurruese nga disa vende me rastin e Ditës së Gjuhëve Evropiane. Këto tekste sipas standardeve dhe strukturës metodike e didaktike bashkohore evropiane e ngritin mësimin në gjuhën shqipe në nivelin krahasuese me gjuhët tjera amtare turke, kroate, polake, hungareze etj.
Pritet që të paraqiten me fjalën e tyre përfaqësues nga Ministritë e Arsimit nga të dy vendet tona dhe Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Gjakovës. Seanca zyrtare do të drejtohet nga Anila Ferizaj (MAS), Nuhi Gashi (MASHT), Diana Qarkaxhija (Gjakovë). Me kumtesa do paraqiten:
nga MASH Shqipërisë: Zamira Gjini, Anila Ferizaj, Dr. Albana Tahir Dr. Merita Koka Karaguni , Prof, Asoc.Dr. Enida Kume Ergisa Bebja. Dr. Jostina Dhimitri, UN- Tiranë, Dr.Blerta Avdia, Tiranë. Nga MASHT e Kosovës: Nuhi Gashi, Shqipe Gashi dhe Arbër Salihu. Ligjërata do mbajnë edhe Prof. dr. Anton Nikë Berisha (UN i Kozencës-Itali) “Funksioni identitar i letërsisë...”, Driton Kajtazi ( ISEAL Lozanë),Prof. dr. Naxhi Selimi (SHLP –Zvicër),Mirela Xoxi-Duka (CH), Nga Greqia: Aurela Konduri, Arian Polisi, Merita Imeri dhe Eva Paloka. Aida Haziri dhe Anila Kadija ( Londër), Marinela Qytyku (Samaticë).
Krahas ligjëratave trajnuese nga ekspert nga lëmi i didaktikës e metodikës në mësimdhënie, në seminar do këmbehen përvoja nga praktika mësimore mes mësuesve vendesh të ndryshme, njohja me rrethanat specifike të mësimit shqip, njohja me format e reja të mësimdhënies bazuar në arritjet elektronike e teknologjike, promovime tekstesh me autor mësuesit krijues.
Krahas seminarit tradicional në vendlindje, tani disa vjet me radhë në disa vende po mbahen edhe seminare trajnuese rajonale si në Greqi, Kroaci, Itali, Austri, Zvicër etj. të përkrahura na MASHT- Kos dhe Ministria e Diasporës, kurse jo edhe nga MA e Shqipërisë si bartëse kryesore e detyrimeve ndaj mërgatës shqiptare. Premtimet boshe për ndihmë në financimin e Mësimit Plotësues në Diasporë nga kjo ministri, seminareve të më parme, janë vetëm zhgënjim i hidhur për nxënësin e gjuhën shqipe. Shumica e këtyre seminare u përkrahen nga afarist e veprimtarë patriot që punojnë për ruajtjen e qenies kombëtare aty ku asimilimi vepron pamëshirshëm. Këto seminare janë shembuj e përvojë edhe për vendet tjera, se si duhet shkëmbyer përvojat në mësimdhënie, aktivitete kulturore, qëndrim ndaj shkollës shqipe, ndaj integrimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar në formimin e plotë të personalitet duke e ruajtur identitetin kombëtar. Nga vende të ndryshme do duhej të kemi Werkshope-punëtori nga puna me materialet mësimore, nga faqet e internetit pranë Drejtorive të Mësimit, këndeve kulturore e sportive, nga sukseset e talenteve nga radhët e fëmijëve shqiptarë, e tjerë, krejt kjo në shërbim të pasurimit të përvojës profesionale nga vende të ndryshme ku shumëkultura tani është një realitet pozitiv, si dhe në pasurimin e konceptit të seminarit.
Mes dy seminareve shkolla shqiptare mbeti pa disa figurat e njohura që dhanë ndihmë të madhe në zhvillimin e saj, Prof. Dr. Musa Kraja, drejtor i Akademisë Shqiptare të Edukimit, autor i shumë teksteve didaktike e metodike, ligjërues në shumë seminare; Arif Demolli, shkrimtar, autor dhe koordinator tekstesh mësimore, ligjërues në disa seminareve dhe Dashamir Zaqe, mësues e veprimtar i dalluar në Greqi e Shqipëri.
Mësuesit në diasporë shpresojnë se Ministritë tona do jenë në vijën e strategjisë kombëtare në përkujdesje ndaj mësimit shqip në diasporë, si gjymtyrë e trupit kombëtar. Deri tani nuk mund të jemi të kënaqur nëse vetëm 5% apo më pak nxënës shqiptarë mësojnë të lexojnë e shkruajnë shqip, kur dihet se shumica absolute e mësueseve nuk kanë paga të rregullta, disa paguhen vullnetarisht nga prindërit, disa punojnë falas. Është urgjente dora e shteteve tona në financimin e mësimit shqip në mërgatë pa marr parasysh çmimin. Veçan duhet dhen dora mësuesve në Greqi e Itali. Kjo po zvarritet me vite, kurse çmimin do e paguaj kombi me humbjen bijve e bijave të tij.