E shtune, 21.12.2024, 11:49 AM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Hani bukë politike dhe thyeni qafën

E shtune, 08.07.2017, 08:17 PM


HANI BUKË POLITIKE

DHE THYENI QAFËN

NGA KALOSH ÇELIKU

Imzot, sot të dalësh publikisht para kamerave televizive, në mjetet e informacionit, gazeta të “pavarura” e portale elektronike dhe Facebook, para syve të botës përparimtare, trumbetosh me të madhe, se: Shkupi Historik Shqiptar nuk është “musliman” agresiv – fanatik i politizuar deri në palcë dhe i Erdoganizuar, do të thotë të jesh shurdhmemec “shqiptar” në kët Kryeqytet, rrëzë Kalasë Dardane. Dhe, qorr me të dy sytë në ballë.

Asgjë, nuk them të re kësaj radhe me fakte për të kaluarën e “lavdishme” pushtuese nga të huajt “çlirimtarë”  shekullor: Serbe, Perandorisë osmane, sistemit Komunist. Dhe, sot këtij Neokomunist. I kam thënë dhe publikuar me vite e vite në mjetet e informacionit dhe libra ato shkrime publicistike, pikë për pikë e presë për presë. I keni nëpër rafte të Bibliotekës Kombëtare, mos them edhe në ato Botërore.

Durim, u duhet vetëm t’i lexoni ato shkrime dhe libra mes rreshtave. Edhe, mes Tri pikave. Mos them, përtej rreshtave. Shkak, edhe për të cilat kam marrë dënime politike-fetare nga Shteti i “përbashkët” dhe “dudumët muslimanë” jugosllav: biseda informative në polici, zjarre në banesë, helmime të shpeshta në Taverna publike, përndjekje në punën time arsimore dhe atë letrare, sulme fizike në mes të ditës në rrugë dhe djegëja e “xhipit” Babait pas faljes të “sabahut” para dritareve të banesës, në Çair të Shkupit. Krime, që nuk janë zbardhur edhe sot e kësaj dite në këtë shtet të “përbashkët”?!

Dhe, ec e dil sot si burrat shqiptar me tirqi e xhamadanin “vija - vija” thuaj, se: Shkupi nuk është Kryeqytet i “vëllazërim-bashkimit”, i politizuar deri në palcë këmbekokë, fetar me ferexhenë e zezë krahëve?! Përmëtepër, nuk është i Erdoganizuar?! Nuk ecë drejtë asimilimit kombëtar shqiptar me plot montime politike - fetare duke u fshehur pas Ferexhesë Zezë. Edhe pse, ende janë gjallë Kaçakët e Maleve, nuk kanë vdekur pasardhësit e Dervish Carës dhe krahut tij të djathtë në Luftën e Katllanovës (1884). Kaçaku i maleve Emin Çeliku (Xhambazi). Burrat e asaj kohe me penë e pushkën krahut e çliruan Shkupin nga turqit me 8.000 kryengritës, që u nisën t’i çlirojnë Velesin, Prilepin dhe Manastirin (Zemrën e Shqiptarisë).

Fatkeqsisht, pa përkrahjen e “vëllezërve” të Njerkës, që sipas Dr. Aleksandar Matkovskit në librin e tij: Kryengritja e Dervish Carës (1985), “vëllezërit” e Njerkës “çlirimtarët” i pritën me darka, cuca dhe gra në “fitoren festive” të Katllanovës. Që sotpërsot, ajo kohë tradhtare ndaj shqiptarëve, edhe sot e kësaj dite ende tinëz përditë e më tepër vishet me ferexhe të zeza e tesha turko-arabe. Rrugëve në çdo lagje e sokak dëgjon me të madhe zëshëm gjuhën turke, pa asnjë fjalë “turke” të gjallë për farë në Shkup, “ehamdurila”, rrëzë Kalasë Dardane.

Dorën në zemër, “turq” u deklaruan ato që ishin të ardhur nga Kosova për t’u shpërngulur me dhunë në Turqi përmes stacionit hekurudhor në Shkup. Kryeqytet, Shqiptar Historik, në minaret e të cili si Vilajet i Rumelisë, edhe sot e kësaj dite ende valojnë lirshëm flamuj turko-arab me gjysëmhënë, e jo ai shqiptar kuqezi me shqiponjën dykrenare, siç i ka hije Shqipërisë Ernike?!

Punë tjetër është ajo se,  pas prishjes së Dy marrëveshjeve jugosllavo - turke, (njëra para Luftës Dytë Botërore, e tjetra e fundit pas Luftës Dytë Botërore e Shokut Tito), banorët shqiptarë të kësaj ane ende pa nënshtetësi, fatkeqësisht vazhdojnë të lindin si shqiptarë e vdesin si “turq ehamdurila”.

Rrugëve të Shkupit, sot dalin në protesta “paqësore turqit” e ardhur nga Kosova, Bosnja (Sanxhaku) dhe ato nga malësia e Malit Zi dhe Shkupit (shqiptarët) me parulla e pankarta në përkrahje të Erdoganit me flamuj turko-arab?! Asnjë, shqiptar.

Padyshim, ky nuk është Shkupi Historik Shqiptar, që e njoha unë si nxënës i Shkollës Normale “Zef Lush Marku”, në Shkup. Fshehtas, kur e mbaja nën jakën e setres stemën e Skenderbeut, që asaj kohe mund të dënoshesha më së paku me pesë vjet burg.

Vitet e fundit, Shkupi ka ndryshuar mjaftë në pamje para kamerave televizive, syve të turistëve, Botës përparimtare dhe fotografive “antike” turistike. Nuk e kam fjalën për petkun antik me të cilin është veshur sot Shkupi dhe përmendoret: e Aleksandrit Madh, Filipit të Maqedonisë, ose Olimbisë, që sipas propozimeve të LSDM –ës, në atë Shesh “Makedonija”, vite me radhë është ngritur zëri që të ngritet përmendorja e shokut Tito, që ende Ferexhenë e Zezë nuk e kishte hedhur krahëve asaj kohe si Xhadi. Olimbia në breg të Vardarit: me fëmijë në bark, gji e prehër i veshi petkat tradicionale shqiptare.

Malli më ka marr rrugëve të Shkupit për Kësulën e bardhë të Bajram Currit! “Nagëntin” me nëntë fishekë në barkun e “patllakes” Babait dhe një në gojë, të atyre burrave në brez. Sahatin me qystek të argjendtë,  përqafe. Veshjen kombëtare këmbekrye shqiptare: tirqi e xhamadan me dymbëdhjetë gajtana. Gunën e zezë deri në fund të këmbëve dhe struken e hedhur krahëve si burrat malësor. Veshje tradicionale kombëtare, që sot siç duket për fajin tonë “patriotik” shqiptar, kanë mbetur gjallë me pak shpirt vetëm nëpër këngët popullore me çifteli. Dhe, festivalet e folklorit shqiptar sa për sy e faqe. Ose, të varrosur pa prift e hoxhë në Muzeun e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare.

Fajin kryesor të gjithë kësaj katrahure shqiptare, Unë përsëri do ta adresoj tek Partitë Politike Shqiptare, që mbijnë përditë si këpurdhat pas shiut, e jo në gjirin e popullit shqiptar. Rastësisht, hyjnë e dalin në Qeveri me poste politike si kunguj Stambolli. Aspak, gjatë këtyre viteve të ndryshimeve politike, nuk u përkujdesën aqsa duhet për arsimin, kulturën dhe standardin ekonomik të këtij populli të nëpërkëmbur me shekuj, por vetëm  për grabitjen e votës “lirë demokratike” në llogari përfitimtare personale, çdo katër vjet për të ardhë në pushtet. Arratisje e dalldisur nëpër poste politike në Qeveri. Vetëdije e keqpërdorur Shqiptare. Përmëkeq, duke regjistruar shoqata të “pavarura  humanitare joqeveritare” (fetare), e mbyllur gazeta e shtëpi botuese të Librit Shqip, hapur univeristete “private” e shkolla në gjuhën turke edhe atje, ku nuk ka as një turk për farë (Kërçovë). Reklamave të shamisë para kamerave televizive nëpër shkollat shqipe. Edhe pse, si Perandori osmane ne u dhamë me shekuj pashallarë shqiptar, bejlerë, agallarë e ushtarë. Turqit asaj kohe Perandorie,  nuk e hapën as edhe një shkollë në gjuhë shqipe.

E pyes, sot unë veten si shkrimtar shqiptar: Askushi, sipas politikës të “vëllazërim-bashkimit, edhe Mbreti sotpërsot i Potëve Shqiptar?!. Çka duan, sot këto “vëllezër”  turq e “sllavo-maqedonas”, (pasardhësit e DoktorZiut) të Baba Dovletit e Car Dushanit, kur dje u dhamë strategë lufte (Skënderbeun) për ta “pushtuar” Ballkanin, pashallarë, agallarë, vojvoda e ushtarë, i mbajmë gjallë edhe sot e kësaj dite në Ballkan, e nuk arritëm deri më sot të shpallin një Shtet Etnik Shqiptar?!

Aqmëpak, të hapin një shkollë shqipe. Sot, marrin guximin në emër të shqiptarëve të ringjallen si “vëllezër” historik, të na i kthejnë borxhet hisroirike, dalin zot Ballkanit. Edhe, pse: Sot ne si shqiptarë i kemi “vëllezër” edhe sllavët. Moti vdiq ajo kohë idilike “pranverore” turko-arabe e sllave. Themelet e “vëllazërim-bashkimit” jugosllav. “Bagëti e bujqësia” e Naim Frashërit, sot nuk kullosin bar vetëm maleve, por edhe fushave. Nuk ringjallen më në emër të shqiptarëve, as Isu Krishti e as Azreti Isai, që fluturoi nga minarja e xhamisë në Qiell.

Shqiptarët, sotpërsot i kanë tri fe si popull shqiptar: krishtere, myslimane dhe ortodotkese. Fatmirësisht, që të Tria janë në harmnoni me Shtetin dhe dhashtë Zoti në shërbim të Shtetit Shqiptar. Pamarrë, parasysh ndërkëmbzave politiko-fetare nga shtetet fqinj. I kemi pasur këto probleme edhe më herët si polull shqiptar. Edhe, shkaku ndonjë Feje më të re, ose sekti fetar përparimtar atdhetar, ai Bekteshian (Baba Tomorri). Sekt i vetmi Fetar, të cilit shqiptarët duhet t’i qendrojnë besnik deri në vdekje! Shkaku, se: Hë për hë, është Sekti Fetar më demokraratik dhe patriotik i Atdheut. Megjithatë, ende i besojnë, dhe duhet t’i besojnë asaj Fesë Vërtetë Historike Shqiptare të Vaso Pashë Shkodranit: FEJA E SHQIPTARIT – ËSHTË SHQIPTARIA! Pse, jo të mos shpallet sot si Fe e Shqiptarëve edhe ajo, Feja e Vas Pashë Shkodranit: FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA. Burrërisht, të nxirret në minare të xhamive flamuri Shqiptar.

Unë moti kohë jam në Shkup që nga viti 1966 – ’70 (Shkolla Normale,  “Zef Lush Marku”) e deri më sot. Vetëm dhjetë vite jam larguar nga Shkupi 1970 – ’80, në Prishtinë me studime dhe punë arsimore letrare. Vite të cilëve edhe më vonë do t’ua shoh sherrin (1992), kur do të kthehem në Shkup në një bisedë informative në polici, gjoja se jam i dërguar nga Kosova që të veproj në këto anë si “armik” i shtetit jugosllav. Dhe, Çështjen Shqiptare, përçudi dua ta zgjidh me luftë. Nënshkruesit e kësaj aktakuze e dinë veten, ende janë gjallë dhe marrin frymë si “patriotë” shqiptar,  i kanë nëshkrimet si besnikë të Policisë Letrare. Përmëkeq, sipas inspektorit që më mori në bisedë infromative, unë isha ai “Kryesori-komandanti”: Çështjen e shqiptarëve, që doja ta zgjidhë me luftë?!... Përçudi, aktakuzën e kishin nënshkruar njëzetë “shqiptarë”  me “Din e Iman musliman”?!

Vitet e ’80 –ta, kur erdha në Shkup dhe mezi u punësova si mësues në fshatrat e malësisë të Shkupit, u habita me këtë popullatë shqiptare të lënur “pas dore” nga shteti i “përbaahkët” komunist: Gati të gjithë fshatrat ishin të regjistruar dhe deklaroheshin si “turq ehamdurila” e nuk e dinin asnjë fjalë të vetme turke. Problem kisha edhe me Çertifikatat e datëlindjes për regjistrimin e nxënësve në shkollë, nuk figuronin në asnjë regjistër si banorë të këtij Shteti të “përbashkët” ish komunist?! Përçudi, i kishin harruar si banorë mes qyteteve e maleve, nuk i merrnin as edhe ushtarë. Vite me radhë, lindnin dhe vdisnin në kët shtet të “përbashkët” pa nënshtetësi si “turq ehamdurila”.

Pas demonstratave të studentëve në Prishtinë (1981), e gjithë kjo popullatë e këtyre fshatrave, përçudi u regjistruan si shqiptarë. Edhe fshati më fanatik i asaj ane afër Shkupit - Studeniçani, në këtë regjistrim mbeti vetëm me një banor “turk”?! Fshati, ku mësuesit dhe mësueset shqiptare nuk mund të hynin në fshat pa shamia në kokë dhe kësulëleckat e zeza “muslimane”. I hiqnin vetëm kur dilnin nga fshati dhe hipnin në autobus.

Rreziku, sot për Nesër: Me regjistrimin e Lëvizjes “Besa” si Parti Politike “Shqiptare në këtë shtet “demokratik”, në IRJ të Maqedonisë me firmë gjoja në emër të Fesë Islame,  më falni në emër të “shqiptarëve”. Hapi i tyre “patriotik”, përsëri me këmbët dhe trutë në legen, na kërcnohet pas porte si popull shqiptar. Që, këto banorë deri dje të regjistruar si “turq” për t’u shpërngulur në Turqi, e pas demonstrave të studentëve (1981) u regjistruan si shqiptarë. Nesër, në regjistrimin e ardhshëm nuk është çudi, përsëri të regjistrohen si “turq”. Dhashtë Zoti, qofsha, unë gabim. Kurdqoftë opinionit publik shqiptar, Nesër do t’i kërkoj falje publike, pranoj fajin historik.

Propaganda e televizioneve të “pavaruara” private  “Era” dhe “Shenja” me telenovelat e tyre serike marotonike turko-arabe: veshur me ferexhe të zeza, veshje orientale: shamia në kokë e ilahi, veç më përmes minareve të xhamive të “Allahut” po na e  mbjellin farën e egjrës turkut, arave mes grurit shqiptar me zakone e tradita të huaja asimiluese ndaj popullit shqiptar: arsim, kulturë, flamur dhe gjuhë turko-arabe në Atdheun e shqiptarëve. Dukuri, haptas antishqiptare për “mejdani” në mes të Ditës Madhe, që kur i shoh sesi zvarriten rrugëve të Shkupit Historik Shqiptar, hipin në minare e thirrin “ezanin”, përjagen me një gjuhë që nuk e di as vetë Zoti, më villet në hale. Jashtë dua t’i nxjerr edhe zorrët e barkut.

Shkaku fatkeqësisë, se: Pas Luftës të 2001 –shit, shumica e banorëve të atyre fshatrave malor zbritën në Shkup, pa vende pune, shtëpi e të ardhura materiale  si anëtarë të partive politike, në Kryeqytet. Kohë, e vonshme, kur “vëllezërit”, në sistemin komunist, moti i kishin braktisur fshatrat e tyre për një ved pune, një banesë shtetërore.

Politikë ditore neokomuniste, që i braktiste fshatrat dhe i popullizonte qytetet. I mashtronte banorët me një vend pune, banesë shtetërore. Vërtetë, ato fshatarë nuk kishin vende pune, por kishin shtëpi, ara, livadhe, dhenë, kafshë shtëpiake, pula, pata e malin pakufi si Katund. E kalonin disi me djersë vetanake edhe verën, edhe dimrin e madh mes maleve të Çelëvjollcës Shqiptare.

Tashti, kur erdhën në Shkup të zhveshur lakuriqë pa tesha në trup: pa shtëpi, punë e të ardhura materiale u ballafaquan me varfërinë familjare. Bukën e gojës. Shteti i “përbashkët” me premtime politike partiake i la në rrugë. Ua tha në sy: hani, politikë!

Nevoja për bukë, i detyroi të merren edhe me kriminalitet, spiunazhë e hajdutëri. Përmekeq, edhe vëllaveasje, në familje. Shembull më i freskët, ai i Gllumovës. Vëllai, kur i vret dy nipërit dhe vëllain e vet në mesdite. Në fund, edhe veten Ditën e “Bajramit”.

Organizatat e “pavarura humanitare” e shfrytzuan rastin dhe u dolën në “ndihmë” me para lëmoshë, veshje e ushqim. Jorastësisht, në zgjedhjet e fundit parlamentare me argatë “shqiptar” (2017) LSDM –ja e Zaevit (“shpëtimtari) i  shqiptarëve, i fitoi 70.000 vota shqiptare me dy deputetë shqiptar dhe Lëvizja “Besa” duke manipuluar me “Besën” Historike Shqiptare Kombëtare pa pikë djerse i fitoi pesë deputetë në Parlament. Dhashtë Zoti, të jenë në shërbim të shqiptarëve!

Dhe, në fund, Ecni e thoni Ju, o shqiptarë publikisht: Krahpërkrahu, dilni para kamerave televizive se, Shkupi Shqiptar Historik nuk është i veshur me ferexhe politiko-fetare. Nuk e fsheh edhe sot fytyrën  e vërtetë  të deridjeshme “muslimane-komuniste” me shami në kokë, përtej Livadhit. I Erdoganizuar në çdo sokak shqiptar, pas porte?!

Hani bukë politike! Dhe, thyeni qafën!...



(Vota: 25 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora