| E diele, 11.06.2017, 06:43 AM |
Pse edhe sot kjo “neglizhencë” anti-Kosovë nga elita politike e Tiranës
Nga Skënder S. KAPITI
Akoma, edhe pse jemi në mes të fushates elektorale të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, dhe nuk është përmëndur Kosova në asnjë vënd nga tri partitë kryesore në Shqipëri: as nga Partia Socialiste, as ajo Demokratike dhe as Lëvizja Socialiste për Integrim, pasi si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë në Qershor do të votohet për parlamentet dhe për qeverisjet e reja në të dy shtetet shqiptare. Këtë mund ta kuptojmë si “neglizhencë” apo edhe si “indiferentizëm” anti-Kosovë?!
Mospëlqimi i pashprehur, neglizhenca dhe indiferentizmi për probleme e çështje, për parime dhe për prioritete të ndryshme janë edhe si qëndrime djallëzore kamuflimi të padakordësisë e që fshehin qëllimin dhe interesin e vërtetë ose atë që nuk të intereson, pse jo edhe tradhëtinë.
Kur politika e Tiranës nuk ka premtime për Kosovën, asaj as që i bie ndërmend për gjëndjen e rëndë të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës: Preshevë, Bujanoc e Medvegjë i cili është komuniteti më i diskriminuar në Europë. Kosova ka miratuar një Rezolutë me 06 Qershor 2013 për shqiptarët e Presheves, Bujanocit dhe Medvegjës ndërsa Shqipëria as një gjë të tillë si minimum nuk e ka bërë.
Kosova nuk do ta lejojë kurrë që fati i shqiptarëve të Luginës së Preshevës të jetë si ai i shqiptarëve të Çamërisë, ku shteti shqiptar i Shqipërisë i ka lënë gjithnjë ata në mëshirën e genocidit grek. Pra, politika e Kosovës duhet ta ketë prioritet të saj parësor dhe strategji kombëtare politike dhe diplomatike Kosovën Lindore dhe jo vetëm Prishtina, por edhe Tirana “indiferente” duhet të kërkojnë reciprocitet të plotë me ato të pakicës serbe në veri të Kosovës.
Që të mos e promovosh dhe të mos premtohen nga partitë kryesore politike në Shqipëri gjatë kësaj fushate elektorale marrëdhënie më të mira me Kosovën, pra të mos ketë premtime për Kosovën, për shqiptarët në Preshevë, në Maqedoni dhe Mal të Zi kjo përbën edhe pabesi dhe kjo do të thotë ta lësh dhe ta braktisësh shtetin e ri shqiptar të Kosovës dhe shqiptarët në trojet e tjera shqiptare; dhe kjo e nxjerr zbuluar hipokrizinë dhe retorikën patriotike fallso të politikës shqiptare të Tiranës: si atë të mbledhjeve dhe takimeve rutinore të të dy qeverive; si retorikën dhe mashtrimin për Bashkimin Kombëtar, politikë të cilën e nxjerr zbuluar edhe fakti dhe sidomos marrëdhëniet e dobëta ekonomike mes dy shteteve shqiptare.
Antikombëtarizmi ose mosinteresi publik dhe kombëtar i politikes maskohet si me retorikën falso patriotike por dhe me indiferentizëm e neglizhencë. Dhe të dyja këto i ka perdorur gjithmonë me hipokrizi sipas rastit që i është nevojitur interesit të ngushtë të pushtetit politik, materialist, ideologjik në Shqipëri kundrejt Kosovës, shqiptarëve në trojet e tyre në Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri dhe në diasporë. Dhe politika në Kosovë nuk duhet ta marrë për “model” politikën e Tiranës, si politikë të njerkes në lidhje me shqiptarët e Preshevës, të Maqedonisë, Malit të Zi dhe me diasporën, por duhet të ketë dhe ka detyrim dhe pergjegjsi kombëtare për ndihmë dhe për mbrojtjen e tyre: të promovojë përkujdesje, premtime dhe prioritete dhe t’i mbajë dhe zbatojë ato.
Edhe sot qeverisja Rilindja e Ramës interesimin më të madh e ka treguar për ta vizituar shpesh Beogradin dhe Vuçiçin; për marrëdhënie të mira ekonomike, politike e turistike me Serbinë; për promovimin e biznesit serb në Tiranë si dhe për “përkushtimin” e kryeministrit për pajtimin shqiptaro-serb dhe për përkthimin në serbisht e të promovimit të romanit të tij në Beograd.
Se çfarë ka bërë qeverisja e Ramës dhe paraardhesit e tij për premtime, për përmirësimin e zhvillimin e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë mjafton të citojmë atë se çfarë ka deklaruar diplomati gjerman në Prill të vitit 2015, z. Frank Hantke, në diskutimin e tij në Tiranë për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë se:
“ Janë bërë shumë takime, por marrëdhënia e vërtetë mes dy vëndeve është shumë e dobët. Ka shumë fjalë të deklaruara dhe pak punë. Ne nuk duhet të flasim për vizione por për realitetin, duhet të gjejmë ku janë pengesat, të cilat janë të brëndshme dhe nuk vijnë nga BE-ja”.
Dhe më real se ky konstatim i tij për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë për sot nuk ka, dhe prandaj edhe nuk kemi pse të çuditeme pse politika e Tiranës nuk i përmënd fare prioritetet dhe marrëdhëniet me Kosovën pasi për to nuk ka as dëshirë dhe as vizion.
Ajo që konstatohet dhe bie në sy është fakti se pavarësisht se në Shqipëri jeton një komunitet i madh shqiptarësh me origjinë nga Kosova, që shkon mbi 10% të popullatës në Shqipëri, nuk duket ndonjë prej tyre i shënuar sidomos në listat për deputet të Partisë Socialiste dhe të asaj të Lëvizjes Socialiste për Integrim, madje as në ato të zgjedhjeve të shkuara të vitit 2013 nuk e di që nga këto dy forca politike të ketë pasur ndonjë deputet në Parlamentin shqiptar ndonjë shqiptar me origjinë nga Kosova. Jo vetëm kaq, por mesa duket në listat e tyre nuk ka as antarë dhe as të zgjedhur nëpër këshillat bashkiake të pushtetit vendor në Shqipëri.
Kjo tregon një indiferentizëm dhe neglizhencë deri në antikosovarizëm prej politikës së këtyre dy partive kryesore të Majta (PS e LSI); një përkujdesje dhe “vigjilencë” e madhe prej tyre për të mos i dhënë mundësi elementit shqiptar me origjinë nga Kosova që të ketë prej tyre përfaqësues në politikë, as në parlament dhe as në pushtet vendor.
Ndërsa me minoritarë që nuk janë as 3% të popullsisë ka plot dhe kudo në politikën e madhe parlamentare, në kuvendet bashkiake, nëpër administatën qëndrore e lokale, nëpër ministri, në diplomaci dhe nëpër ambasada.
Kjo shtron nevojën dhe domosdoshmërinë që shqiptarët me origjinë nga Kosova dhe nga trojet etnike shqiptare nga Mali i Zi, Maqedonia dhe Presheva të ndodhur përballë këtij realiteti ata duhet të formojnë Partinë e tyre politike në Shqipëri ashtu sikurse e kanë krijuar me të drejtë, dhe si të duhur e si domosdoshmëri edhe shqiptarët e Çamërisë të cilët kërkojnë dhe mbrojnë të drejtat historike dhe kombëtare të tyre në Çamërinë shqiptare në Greqi, pasi politika dhe politikanët e partive të tjera politike në Shqipëri nuk e kanë pasur asnjëherë seriozisht si prioritet Çamërinë perveçse rrallëherë per interesa momentale votash e pushteti dhe sa për retorikë.
Si në Shqipëri dhe në Kosovë, Qershori është muaji i fushatës elektorale dhe ai i zgjedhjeve politike në të dy shtetet shqiptare, dhe me këtë rast deri në këtë moment të gjysmës së kohës së fushatës elektorale në Shqipëri, tjetër gjë të cilën e konstatojmë është edhe fakti se ndërsa në Kosovë, të gjitha forcat politike atje: flamurin kombëtar, Shqipërinë dhe marrëdhëniet me të i kanë prioritet kryesor të fushatës së tyre, të cilat promovohen nga politika dhe nga të tre kandidatët e Kosovës për kryeministra, por përkundrazi, në asnjë takim, në video dhe as në rrjetet sociale deri më sot të tri partitë kryesore në Shqipëri: as nga PS, as nga PD dhe as nga LSI, ato as nuk e kanë përmëndur Kosovën dhe as nuk kanë paraqitur akoma ndonjë premtim për Kosovën.
Kjo tregon se sa e interesuar është politika në Shqipëri për çështjen kombëtare aktualisht ashtu sikurse dhe historikisht siç edhe ka qenë gjithmonë politika në Shqipëri së cilës i ka interesuar gjithnjë vetëm pushteti dhe interesi personal dhe jo çështja kombëtare dhe Kosova.
Shqipëria kurrë nuk ka treguar interesim serioz për Kosovën as tani që Kosova është shtet i Pavarur. Nuk e di se çfarë i shtyn të dy politikat e të dyja shteteve që të mos heqin barrierat tregtare dhe që nuk lejojnë lëvizjen e lirë të mallrave, dhe nuk krijojnë një zonë të përbashkët ekonomike për një treg 6 milionësh, dhe pse ka një shkëmbim mallrash mes dy vëndeve në një nivel kaq të ulët?!
Për kryeministrin E.Rama, i cili ka “vizionin” dhe “idenë“ , apo është plotesisht dakord që të krijohet një treg i përbashkët ballkanik, por nuk ka idenë dhe as “vizionin” e as dëshirën për treg të përbashkët gjithshqiptar. Për politiken shqiptare tregu i përbashkët Shqipëri-Kosovë përmendet vetëm si aspiratë.
Pra, kryeministri Rama me ministrat e tij janë dakord per një treg të përbashkët ballkanik dhe në këtë rast ata as nuk konsultohen paraprakisht me politikën në Prishtinë. Tregu i përbashkët ballkanik është një projekt jo i ri, por tani sherben si një projekt për një neojugosllavizëm ku të jetë tani në të edhe Shqipëra dhe Kosova. Idea e tregut rajonal ballkanik është një mirëllogaritje serbo-ruse për ta shmangur sa të munden BE-në nga Ballkani, pra është tendencë anti-BE, dhe së pari është shumë e dëmshme kombetarisht për shqiptarët dhe për Kosovën sidomos . Prandaj edhe politika e Tiranës edhe në fushatë elektorale “hesht” dhe nuk ka as premtime dhe as prioritet për Kosovën, pasi ajo ka “prioritete” te tjera.
Dhe po pyesim se kush përbën kërcënim dhe përçarje më të madhe kombëtare në shërbim edhe të asaj “ideje” për një komb kosovar, leshuar kjo ide edhe nga ca opinionistë mercenarë dhe injorantë, dhe ndonjë pseudopolitikan e pseudohistorian sharlatan: keta, apo kjo lloj politike, e cila e mban larg integrimin bashkekombetar të shqiptarëve dhe madje as nuk premton seriozisht dhe nuk zhvillon marrëdhënie më të mira ndërmjet tyre.
Ky indiferentizëm apo kjo neglizhencë nuk është vetëm për politikën në Shqipëri, por kjo është edhe ajo ndjesi dhe indiferentizëm për Kosovën që e ka një masë e konsiderueshme e shoqërisë në Shqipëri, edhe kjo e “kultivuar” po nga politika.
Dhe politikanët e saj duke e ditur edhe se çfarë ka dhe ndjen edhe një pjesë e opinionit në Shqipëri, politika dhe politikanët edhe prej kësaj edhe nuk e përmëndin Kosovën pasi mendojnë se promovimi dhe premtimi për Kosovën nuk terheq interesim nga shumë votues në Shqipëri dhe se nga premtimi për Kosovën, jo pak politikanë në Shqipëri mendojnë se nuk do të merrnin vota prej tyre, dhe kjo ndodh pasi politikës së Tiranës i intereson vota, pushteti dhe politika e interesit personal, të cilat ajo i ka prioritet të prioriteteve.
Dhe më kryesorja pse nuk promovohet dhe nuk premtohet asgjë nga elita politike PS,PD dhe LSI në Shqipëri për Kosovën është fakti se ato janë bashkë për arsye se ato e kanë mëndjen, qëllimin , interesin dhe prioritetin më të madh atë: vetëm e vetëm që të qëndrojnë në politikë, në pushtet dhe që t’i shpëtojnë VETING-ut; dhe si të tilla ato nuk premtojnë dhe as nuk promovojnë gjëra të tjera veçse mashtrime e gënjeshtra publike; dhe si të tilla, ato as nuk i kanë shërbyer dhe as nuk i shërbejne, dhe as nuk do t’i shërbejnë popullit dhe interesit kombëtar por vetëm interesave të veta. Nga këto është infektuar rëndë edhe politika në Kosovë, elita politike edhe atje.
Por në Kosovë është krejt ndryshe: atje votohet dhe admirohet më së shumti ajo politikë e cila ka si prioritet dhe premtim kryesor Shqipërinë: besimin, respektin dhe dashurinë për të, marrëdhëniet me Shqipërinë, flamurin dhe interesin kombëtar